17 Nëntor
Sot kalova disa orë në spital. Personi që më ka kuptuar në thellësinë time, më shumë se kushdo tjetër, ishte shtruar në një nga dhomat e shumta. Nuk ishte ndonjë gjë serioze por të mjaftojnë vetëm disa minuta në atmosferën e asaj godine ku kanë vdekur me qindra, për të reflektuar mbi të jetuarit.
Ndërsa ajo ishte e përgjumur, unë i ulur në karrike po ja mbaja dorën e saj mbi timen dhe po vështroja jashtë dritares. Një dru madhështor e kishte zënë gjithë pamjen. Me gjethet e verdha e të kuqërremta ishte në kulmin e bukurisë. Më mjaftonte kjo pamje që të jetoja momentin. Ndonëse ngjyra e gjetheve paralajmëronte dimrin dhe fundin e vetë gjetheve, druri në anën tjetër reflektonte siguri dhe madhështi.
Mendova me vete: ai përsëri do gjallërohet në pranëverë, dimrin tjetër përsëri do zhveshet dhe kështu në pafundësi.
Për dallim nga shumë njerëz, druri nuk i dorëzohet dimrit por përkundrazi bëhet edhe më i fuqishëm. Rrënjët e tij çajnë tokën edhe më thellë. Mendoj se njeriu duhet të mësojë të dashurojë edhe dimërat më të egër në rrugëtimin e tij drejt fundit. Vetëm kështu do pranojë natyrën në domosdoshmërinë e saj. Vetëm kështu do jetë i lirë.
Comments are closed.