Ditar / 10 Prill

Njerëzit e kanë të pamundur të mos gjykojnë. E dini si është puna: ka shumë humnerë tek njeriu. Neve na duhet njëri tjetri që ta hedhim vrerin. Askush nuk do ta gjykoj vetveten, se është më e lehtë që fajin ta hedhim tek tjetri. A keni ndeshur ende një njeri, sall një të vetëm dreqi e marrtë, që ta ketë gjykuar vetveten. Ja sa për provë si do të dukej: “Unë jam njeriu më i lig në botë, më dashakeqi mes dashakeqëve. Të gjithë vrerin që e kam hedhur tek tjerët, gjithë akuzat që kam vjell nga kjo gojë, nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse hedhje e lig e fajit. Dhe më keq akoma: kur kam gjykuar tjetrin thellë brenda vetes e kam ditur se sa e pështirë është e gjithë kjo. E kam ditur, po kam vazhduar, sepse edhe unë nuk bëj përjashtim. Edhe unë jam njeri nga ju, veçse unë më dashakeqi mes dashakeqëve. Vetëm një dashakeq si puna ime, do të arrij deri në këtë pikë”. Ta lëmë lojën tash. Edhe ju e keni ditur. Thellë e keni ndjerë brenda jush dashakeqësinë. Thellë e keni përjetuar humnerën brenda jush. Ju duhet vetëm ta pranoni. Ama ta pranoni përballë një tjetri, të ngjashmi me ju. T’i thoni se jeni dashakeq, ti thoni se e keni kaluar tërë jetën duke hedhur vrerë tek tjerët nga frika e përballjes me veten. A e shihni se sa e lehtë është gjithçka! Vetëm ta pranoni dhe ja tek jeni shumë afër të qenit Njeri. Ose, vdisni si morra.

10:35

Comments are closed.

Navigate