Ditar / 12 Prill

12 Prill 

Tek po i shikoja fëmijët më kujtonin veten, dikur dhe unë isha i tillë. Sa shumë më pëlqenin lodrat që të luaja me to, krijoja situata nga më të ndryshmet që ta argëtoja veten. Imagjinoja dhe krijoja me çdo gjë që me zinte dora, sa dhe një copë baltë, ma jepte mundësinë e zhvillimit të imagjinatës. Ashtu si këta fëmijë mendoja dhe unë se jeta të jep mundësinë të shfaqesh krijimtarinë tënde, nuk kishte asnjë kufi mes botës fizike dhe imagjinatës sime, gjithçka ishte një e plotë.

Tani në këtë moshë të mesme e shoh që bota në të cilën jam katandisur nuk e mirëpret një plotni të tillë. Ndoshta jam unë, ndoshta është bota, nuk ka dhe aq rëndësi edhe sikur që të dy të jemi shkaktarët. Cila do që të jetë i bie që aty është një mospërputhje. E kupton se ke rënë në një botë ku nuk të ofrohet as edhe një copë baltë për të shprehur krijimtarinë tënde, apo se imagjinata ka ndjerë thyerjet e saj gjatë këtyre viteve duke u mbushur me dyshime mu atëherë kur përgatitej për tu shprehur. Gjithçka sheh që është e vendosur para se të ishe ti, dhe çdo tentim për krijim mbi të konsiderohet si fyerje e të shenjtës (ngase kjo e shenjtë kërkon respekt dhe bindje të plotë ndaj saj).

Gjithçka ka një formë të ngurtë dhe për hir të këtij hyjnizimi ndaj të vjetrës, mua më mbetej të argëtohesha duke shikuar. Apo të më shfaqen vetëm ato mundësitë si loja “puzzle”, ku gjithë ai mund koti është të bashkosh ato copëza dhe të gjesh formën të cilën e ka vendosur dikush para meje. E atëherë, kur të jesh në gjendje të lidhësh gjithë ato copa, do të shohësh qartë pamjen e asaj ku gjendesh. Në përsëritjen e imagjinatës së një të çmenduri, në mileniume, i cili e mendon se përfytyrimi i tij për botën duhet të jetë i njëjti për secilin individ. Pamje e bukur e një injorance  që shfaqet me krenarinë e të qenit si qëllim.

Atë kohë të gjitha ato i merrja aq seriozisht me plot mund dhe sakrifica, me një bindje absolute derisa kur erdhi goditja e rëndë e vetëdisimit, sikur të më kishte rënë në kokë çekani i perëndisë Thor dhe t’mi ketë shkundur mirë të gjitha ato të paqena dhe bindje që nuk përkonin me botën apo dhe të qenit unë. I thyer i tëri, por ja që ishte i domosdoshëm momenti i heqjes së vellos së mashtrimit.

Sa shumë më ka bërë përshtypje të qenit i moralshëm. E kam menduar si një përndritje e së mirës brenda vetvetes, por pas gjitha atyre përpjekjeve për të kuptuar moralin si na kumtohet e si na shfaqet, atë që kapa nuk më pëlqeu! Moralin ndër nesh e ndiej si një detyrë që na jepet secilit, të shfaqim rregullat e lojës që luajmë, saqë frika e atyre që “moralizojnë”, na zhvesh nga kënaqësia e kësaj loje. Duke na kërkuar të luajmë me letra hapur, e mos të them edhe vrazhdësinë që shfaq moraliteti, duke mos na kërkuar, por, duke na detyruar e duke na vjedhur, pastaj duke na dënuar për zgjuarsinë e lëvizjeve që bëjmë. E në fund, duke i përvetësuar për vete që të luajnë edhe më ashpër ndaj nesh. Një mik i zemrës sime që ka shkruar një libër madhështor me titull, “Kështu foli Zarathustra”, jo më kot u neverit nga morali i vendosur tash e dymijë vjet. Ai vetëm sa i zhveshi nga “e mira” e tyre e rreme, dhe gjeti se pas kësaj fjale është lufta e të dobëtit ndaj të fortit, që ky i fundit të mos arrijë të tejkalojë dobësinë e të parit. Por një gjë dihet sigurtë, se të krijosh diçka domosdoshmërisht duhet të jeshë i fortë andaj si mos të të neverit një “e mirë” e tillë që është kaq në dëm të jetës.

15:35

Comments are closed.

Navigate