Ditar/15 Qershor

Nëse do më duhej të zgjedhja një gabim që rëndom ndodh në rini, nga mungesa e përvojës me veten, atëherë do të ishte një lloj padurimi për ti dhënë përgjigjen përfundimtare jetës, për tu kapur dikund. Një nevojë e brendshme për tu afirmuar në Botë dhe në sy të të tjerëve. Ndonëse në shikim të parë duket e brendshme, kjo yshtje për të Vërtetën është e nxitur tërësisht nga jashtë-një trysni moralo-shoqërore. E brendshme është vetëm energjia rinore e cila zien si vorbull dhe është gati për shpërthimin Revolucionar.
 
Duke u munduar me mish e me shpirt ti jap përgjigjet përfundimtare jetës, pa e kuptuar, e kam futur veten në një qorrsokak. Kjo përpjekje për të gjetur me patjetër përgjigje mund të konsiderohet si një nevojë për aprovim, për ta bindur veten se unë vlej, për ta larguar turpin nga vetja ime, për veten time.
 
Një përpjekje e tillë mund të konsiderohet edhe si pohim i vetes në raport me tjetrin dhe vlerat objektive. Ky pohim nuk bëhet për hir të Unit, por është një pohim për hir të pohimit. Si rjedhojë, këto pohime të domosdoshme dhe thuajse absolute rezultojnë me një vulosje të vetes dhe rjedhimisht botës, moralit dhe tjetrit. Nga e gjithë kjo situatë psiko-sociale, krijohet një raport imazhesh dhe hijesh, të cilat si rezultat final e kanë mjegullimin e realitetit dhe humbjen e sensit për Unin personal.
 
Murosje të tilla nëse nuk shemben brenda viteve rezikojnë të përfundojnë në murosje të përjetshme. Dita e vdekjes do jete vula e përjetësisë. Do jetë e tille jo sepse une nuk pata mundesi ti thyej muret e vetes por sepse nuk e kuptova kurrë që kisha mure edhe atëherë kur isha i rrethuar nga to. Keto mure në aspektin psikologjik janë një rrethim i vetes nga vetja. Pra një dashuri e sëmurë për veten e cila shkon deri në përmasat e një dashurie të verbërt ndaj idhullit. Dhe idhulli jam unë, idhulli është kulti im.
 
Duke u munduar ti japim fund jetës, ne nuk e shikojmë se jeta është e pafundme dhe se i fundëm është vetëm horizonti jonë për të.
 
 
Jeta nuk mund të ketë përgjigje.
 
Qershor plot jetë.

Comments are closed.

Navigate