Ditar / 15 Shkurt

E rëndë është vetmia. Kah s’vërtitet mendja e njeriut. I rëndë është absurdi; s’ka shpresë aty, as të ardhme, veç përballjes. Vëreja çdo gjë: pemët përreth, njerëzit që kalonin si silueta, i ndjeja hallet e tyre, dhimbjet e ekzistencës. Casti më i vështirë që kur u hamenda se a mund të dilet nga bota. A mund, ta zëmë, të transcendohet ekzistenca? A mund të mos jesh duke qenë? Nejse, më tej njeriu e ka të pamundur të shkoj. Deri këtu mund të arrijë njeriu absurd. Gjithçka, në fund, përfundon si hamendje. Jo, ka vetëm hamendje, thash.

Njeriu absurd dorëzohet, ama për të mbetur në absurd. Po, edhe Sizifi u dorëzua. Ama ky dorëzim është dorëzim absurd. Dëgjoni! Po flas për heqjen dorë nga përpjekja për kuptim. Dorëzim – pra, kur njeriu e kupton që e ka t’pamundur të kuptojë diçka. Lëre më kuptimin e ekzistencës.

Pastaj çka mbetet, dihet: një gur mbi supe. Mbetet vetëm guri me atë ftohtësinë e tij të frikshme. Ah, qenka edhe një mundësi tjetër: t’ia heqësh vetes. Mes këtu nuk ka! Më shumë se kaq njeriu s’mund të shkojë. Përveç një guri mbi supe dhe tutje një betejë tashme të humbur.

mesnatë, 12:00

Comments are closed.

Navigate