Njeriu njeh kaq shumë gjëra jashtë tij. Objektet rreth tij, njerëzit tjerë, aq informata të llojllojshme të cilat i janë grumbulluar pa kujdes në mendje. Por, paradoksi i ekzistencës njerëzore do të përsëritet aq shpesh, aq dhembshëm, aq shumë herë, tek aq shumë njerëz: ai mund ta kalojë të tërë jetën e tij pa arritur madje as ta njohë thelbin e vetvetes. Ajo që do të duhej të shërbente si djepi i rritjes të krijimtarisë jetësore aq herë do të marrë fund si shpellë e errët e injorancës së tij.
Pse ndodh kjo? Pse qenia njerëzore mbetet aq e shterpët në të njëjtën kohë kur ajo mund të lindë aq shumë? Pse aq shumë lindje agimi përfundojnë në hije të zbehta muzgu? Pse historia njerëzore ka ruajtur aq pak emra artistësh, shkencëtarësh apo dijetarësh në librat e saj kur mbi këtë tokë kanë shkelur mijëra vjet kaq Miliarda njerëz?
Mendoj se njëra prej arsyeve kryesore për këto vdekje të panumërta qëndron në atë se njeriu shumë rrallë herë arrin ta njohë, ta pranojë dhe ta ndërtojë shpirtin sipas vullnetit të tij. Ai do të njehë kaq shumë gjëra për të tjerët, për të tjerat, por do të mbesë tepër i huaj për atë që me të vërtetë ka dashur të jetë!
Gati pothuaj secili njeri të cilin do ta pyesim mbi këtë gjë do të na thotë se dikur kishte menduar se do të behej një tjetër, se të gjithë gjërat të cilat jetonin në të nuk ishin plotësisht të njëjta me të gjithë rrethin e tij, se tek ai kishte diçka të veçantë?
Por pse atëherë gjërat përfunduan kështu? Pse jeta e tij përfundoi si rutinë, pse asgjë që bëri ai nuk e dallon nga njerëzit tjerë të lagjes së tij, pse Uni i tij u shkri në një NE?
Mendoj se kjo gjë rrjedh nga fakti se vlera e Unit është krejtësisht e gllabëruar nga detyrimet që vijnë nga grupi. Njëfar “mendje kolektive” i paracakton vijat kryesore të fatit jetësor, individi ka të drejtë të zgjedhë vetëm këndin e skutës të burgut të tij.
Presioni i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i bashkësisë është aq i rëndë dhe aq i pandërprerë saqë për tu pranuar nga të tjerët si njeri “normal” dhe i “respektuar”, individi duhet të flijojë shumëçka nga vetvetja e tij.
Fatkeqësisht, për shumicën prej nesh, vendi jonë brenda familjes, fakti se a jemi mashkull apo femër, përkatësia kombëtare apo religjioze, statusi ekonomik, dhe shumë fakte tjera që nuk kemi mundur ti zgjedhim asnjëherë, të gjithë bashkë, nuk do ti lejojnë asnjëherë shpirtit tonë të paushqyer mirë të fillojë të mësojë belbëzimet e para.
Shumë shpesh, me forcën e saj të madhe, shoqëria arrin ta mbysë shpirtin tonë individual në kohën kur ai shpirt ende gjendet në moshën e fëmiut.
Të gjithë njerëzit vdesin një herë. Por shumë prej tyre janë mbytur disa herë më parë!.
Comments are closed.