Është e frikshme kur e mendon se jemi pjesë e Universit. Këtij Universi të pafund. Është e frikshme kur e mendon shkurtësinë e jetës në raport me Universin. E pse jemi këtu? Çfarë kemi bërë që duhet të përballemi me barrën e rëndë të të jetuarit? Athua ka kuptim e gjithë kjo? Njeriu ka ekzistuar me qindra e mijëra vite dhe nuk ka mundur të gjej përgjigje mbi misterin e ekzistencës. Pse gjithë ky ankth, kjo frikë, pse gjithë kjo fshehje pas vetes, pas botës? Pse gjithë kjo mungesë sinqeriteti? Njeriu nuk është i sinqertë. Njeriu e kërkon nënshtrimin. Njeriu përpëlitet pak kohë në ekzistencën e Universit si ndonjë guralec tej oqeanit dhe në fund shuhet. Ja kjo është jeta. Ku është kuptimi? Ne jemi kafshë të frikësuara dhe të pafuqishme që të jetojmë të sinqertë. A e dini kur e kupton njeriu të Vërtetën e tij? Atëherë kur përballet me fundin, me Vdekjen. Vdekja është universale, të pushton po sikur Universi. Jeta e njeriut është një iluzion mes guralecëve dhe shkëmbinjve. Njeriu është pluhur, është përzierje substancash kimike e mineralesh.
Po, është edhe vetëdije dhe ka potencial të ndryshojë natyrën dhe veten por në fund prapë si mineral dhe gur vullkanik do të përfundojë. Frika e bën njeriun të ëndërrojë për të pafundmen, e bën të ëndërrojë se do t’ia dal në këtë botë të ftohtë. Frika e detyron njeriun të bëhet skllav i vetes. Njeriu i frikësuar është i vetmi njeri që ekziston. E kuptoj që njeriu duhet ta gënjej veten kinse duhet të luftojë, të mos dorëzohet, t’i jap kuptim jetës me çdo kusht, por prapë nuk e kuptoj dot Vdekjen. Pse duhet të vdesim? Pse një ditë nuk do të jemi më ? Pse gjithçka që njohim do bëhet hi e pluhur? Esencën e njeriut duhet ta kërkojmë tek shkëmbinjtë vullkanik apo te pluhuri kozmik? Ne jemi pluhur, jemi pleh për bimët. Është e frikshme kur e mendon se një ditë do të kthehemi në pleh. Edhe krijimet më të mëdha do të shuhen. Do të shuhet ndjenja, dashuria, urrejtja, ligësia… në fund heshtja dhe terri do pllakos. Në fund do të ketë vetëm frikë. Frikë dhe pastaj ftohtësi dhe terrinë…
Kaq për njeriun dhe përpjekjet e tij për të qenë i përjetshëm!
15 Janar…
Comments are closed.