Ditar/ 29 Korrik

Njeriu kurrë nuk është i lumtur. As atëherë kur bëhet se është. Ka një trishtim në shpirtin e njeriut, një trishtim që mbase i vije nga të ekzistuarit. Vet ekzistenca, të qenit në një botë të pakuptimtë, është një trishtim, një ankth pa dalje. Nuk i besoj njeriut kur thotë se ekziston lumturia. Do t’i besoja mbase, sikur në fund të rrugës, të mos ishte ajo vdekja, ai misteri më i mistershëm i të gjitha moteve.

———

Mirë që njeriu mundohet, projekton qëllime, iluzione. Në fund të fundit, më thoni se cili është ai që ia ka dal pa iluzione? Përpjekje ka pasur, por të gjithë kanë përfunduar në çmendinë. A nuk e kishte provuar Niçe, shkatërruesi më i madh i iluzioneve? Sa e sa poetë tjerë e kanë provuar, por askush nuk ia ka dalë.

———–

Njeriu, kurrën e kurrës, nuk do të arrijë t’i jap kuptim ekzistencës së tij. Nuk është krijuar, nëse veç është krijuar, që t’i jap kuptim ekzistencës së tij. E lërë më t’i jap kuptim botës. Kurrë s’do ta dimë se çka është e gjithë kjo; ai qiell atje lartë, kjo tokë që na mban, ato yje, këto gjallesa. Kurrë s’do ta dimë sesi u bë që ekzistojnë të gjitha këto. Sa fatale dhe tragjike që është gjithçka!

 

Mesnatë

Comments are closed.

Navigate