Ditar/31 Tetor

Fuqia e imagjinatës është shkëputja, kalimi matanë. Pa imagjinatën jeta e njeriut do ishte e thatë, pa ngjyra, monotone… Imagjinata është përtej së mirës dhe së keqes. Mos ki frikë të imagjinosh. Jeto në intimitetin që ta ofron imagjinata. Shkëputu nga vetja dhe guxo të shihesh në sy me veten. Bisedo… Nëse nuk mundesh, më dëgjo se çfarë kam për të të thënë:

Ti je njeri i dashur, ke vlera, dhe jeta e shumëkujt do të ishte e tmerrshme pa ty. E di që nuk më beson kur po e them këtë, dhe me shumë gjasa po tallesh me mua. Por së paku dyshoje talljen tënde. Lumturia nuk është e thënë të jetë e përjetshme. Idea mbi një lumturi të përjetshme na është ngulitur në kokë nga mediat që duan të na mbajnë të paralizuar me ëndërra dhe qëllime. Ti si qenie nejrëzore duhet të ndjesh dhimbje, të ndiesh fajtor, të kesh turp, të qash, të jesh i nevrikosur, të kesh frikë, por edhe të qeshësh, të dashurosh apo ta njohësh të bukurën. Gjithnjë do kesh ditë të këqija dhe nuk mund tu shmangesh, por ajo që mund të bësh, është ta mbash kokën lart. Kaq ke në dorë për veten tënde. Do të jetë e vështirë, do të duket e pamundur, ndoshta më lehtë do qëndroje mbi zjarr… por dije që është vetem trupi jot që po bën rezistencë. Sa më shumë që ndihesh keq aq më shumë po ndryshon. Ndjenjat nuk mund ti ndalosh me një të shtypur të butonit. Lejoje veten të ndjesh dhimbje, kjo është shenja se je ende gjallë dhe po jeton. A mundet kufoma të ndjejë dhimbje? Ditët e bukura do të shfaqen në horizont, nesër, pasnesër apo pas një muaji, nuk është me rëndësi. Nuk mund të jetosh gjithnjë në errësirë. Pas natës dielli do të lind. Sa më e gjatë nata aq më të forta do jenë rezet e diellit. Nëse mendon se bota do të jetë më e mirë pa ty, atëherë po marr guximin të të them se e ke gabim. Mendo për njerëzit në jetë tënde. Për dashurinë që ju ofron, për ndikimn tënd tek ata dhe sa bosh do jenë jetët e tyra pa ty. Dhe nëse nuk ke njerëz, nisu dhe gjeji. Ata po të presin ty. Mos qëndro ulur duke ndjerë keqardhje për veten. Largoi demonët nga vetja. Mos i dëgjo çfarë të pëshpërisin. Cfardo që të thonë është e pakuptimt gjithsesi. Gënjeshtrat e tyre janë rezistenca jote për ndryshim. Marrsho përpara sepse gjithnjë ekziston një arsye për të ecur para. Mos u ndal.

Comments are closed.

Navigate