17 Gusht

17 Gusht;

Nata ka nje fuqi të mistershme mbi mua. Me madhështinë e saj më cyt në mendim. Nata është e heshtur dhe e ftohtë; mendimi pikërisht këtë kërkon: heshtje dhe ftohtësi. Vetëm kështu ai mund të lind. Ngrohtësia dhe zhurma janë për ata që se duan mendimin. Apo më mirë, për ata që nuk mund të përballen me të.

Më duket se kam zbuluar një të vërtetë të madhe. Të vërtetën e vetme që ndoshta njeriu nuk do ta kuptojë kurrë. Kjo e vërtetë fshihet pas pyetjes më të natyrshme:

Çfarë është jeta?

“Jeta është mendim dhe dashuri.”

E thash më në fund. Po. Jeta është të mendosh dhe të dashurosh. Sa shumë dhembje ndien njeriu kur zbulon një të vërtetë. 

Të mendosh, do të thotë të mendosh për të pamenduarën. Të mendosh për atë që s’ke guxim të mendosh, për atë që nuk është. Të mendosh përtej botës, të mendosh përtej vetes, të mendosh për pozitën tënde në botë… 

Të dashurosh, do të thotë të dashurosh natën, qiellin, yjet, shiun, erën, të dashurosh vetminë, të dashurosh edhe njeriun; por ta dashurosh pa kushte; ta dashurosh në vetvete. Ta dashurosh njeriun ashtu siç dashuron detin. Vetëm kështu mund të çlirohemi nga të tjerët. Vetëm kështu mund të jemi të lirë.

Jeta është e bukur për të vdekur. Une e kam frikë vdekjen vetëm për një gjë: nuk do dashuroj më dhe nuk do mendoj më. Ja, kjo më tmerron.

3:23 pas mesnate

 

Comments are closed.

Navigate