Ditar / 8 Shkurt

8 Shkurt

Tani e kuptoj shqetësimin tim! E gjithë jeta është kalim mbi puse të turbullta. Prandaj nuk jam më ai njeriu gazmor. Nuk ka më shpëtim për mua sepse nuk ka më iluzion. Tani po qëndroj mbi iluzionin tim. Tani po e shoh edhe tek njerëzit tjerë, që më parakalojnë çdo ditë duke vrapuar pas ambicieve të tyre me sigurinë e Botës. Dhe e kam një bindje për ta, se në fund të çdo dite, secili i ndjen shembjet e iluzionit dhe takimet me pasigurinë e tyre; ashtu njejtë si unë që kam qenë dikur. Nata është e errët prandaj na zë gjumi. Njeriu dëshiron ta bind veten, kinse në shputë të dorës e mban të vërtetën. Prandaj shoqërimi kryen punë, aty ka njerzillëk të madh! Por ndonjëherë iluzioni i tyre din të jetë aq i paqëndrueshëm saqë shoqërimi nuk kryen punë. Dhe ç’është më e keqja nuk i dorëzohen absurdit por kërkojnë kufoma të gjalla. I duan kufomat që t’i mbushin me iluzionin e tyre, se sa më shumë që mbushin kufoma aq më shumë rritet mundësia për të gënjyer vetveten.

Sa shumë e kam ndihmuar veten aso kohe, kur aspak s’jam treguar i sinqertë me veten – e gjitha në emër të njerzillëkut për veten. Gënjeshtrat më nuk po zënë vend në shpirtin tim. Nuk kam më shpirt të luaj tutje rolin e mikut për veten. Se miqtë këtë punë bëjnë, janë mjeshtër të gënjeshtrave për të vrarë absurdin. Shkuan ditët e mia të mira! Absurdi këto kohëve të fundit më ka vrarë të gjitha gënjeshtrat që ja thosha vetes, më ka vrarë edhe gjumin si ilaçin më të mirë për të harruar.

Sa e dhimbshme! Ndoshta, do më vijnë përsëri ato ditët e mia të mira, ku do marr bajrakun e organizimit të ndonjë gostie me miqtë. Do të vijnë ditët e gënjeshtrës së madhe; e dëshirës për jetë. Në të kundërtën absurdi do ta bëj të veten, dhe miqtë e mi do të vet-ftohen në varrimin tim, që të thonë disa fjalë për ditët tona më të mira që kemi kaluar së bashku – se pjesëmarrësit këtë gjë dëshirojnë ta dëgjojnë. Sa gënjeshtër që është, kur thonë që varrimet na shtynë ta duam jetën, sa bukur e ilustrojnë frikën e tyre për të vdekur.

Sa do të doja dhe unë të isha i ftuar në spektaklin e varrimit tim, që të qeshja me komedinë më të madhe njerëzore.

Ah, sa po më dhëmbin këto ditët e sinqeritetit të madh, ku vetëm frika për të vdekur po më mban gjallë. Shih çfarë frikacaku që jam, as këtë nder nuk mund t’ua bëjë miqve të mi, frika për vdekjen nuk më lë t’ua dhuroj këtë spektakël. Dhembshuria e madhe për veten po më vret me jetë, po më vret me absurd. Prandaj gjithçka po shndërrohet në pakuptimësi, prandaj e gjithë jeta ime është një tragjedi. Ku si një frikacak do të vdes duke lënë natyrën të vendos për vdekjen time.

mëngjes i zymtë ora 9:30

Comments are closed.

Navigate