Natyra e regjimeve komuniste

Natyra e regjimeve komuniste

Autor: Muhamedin Kullashi

(Pjesë nga kumtesa « Imazhet e trupit në regjimet komuniste » e prezentuar në Konferencën kombëtare “Trupat në komunizëm dhe paskomunizëm”, në Fakultetin e shkencave sociale, në Tiranë me 26 tetor 2018)

[…] Ndryshe nga interpretimet që e definojnë totalitarizmin, në versionin komunist apo në versionin nacist, kryesisht si regjim i sundimit të egër, filozofi i shquar francez Claude Lefort (1924-2010) me koncepte subtile e të thella shpalos mekanizmat e ndërmarrjes totalitare për të zotëruar, normalizuar dhe uniformizuar «elementin më sekret, më spontan, më të pakapshëm të jetës sociale, brenda zakoneve, shijeve dhe ideve».

Shoqëria moderne demokratike, për Lefort, dallon dukshëm nga regjimi totalitar, ndonëse ky, sipas interpretimit të tij, buron nga paradokset dhe kundërthëniet e të parës. Ky dallim ka të bëjë së pari me statusin e pushtetit, me relacionin shteti-shoqëria civile, me kaplimin e shoqërisë civile nga pushteti politik, në saje të ndërmjetësimit të Partisë.

Ndryshe nga shoqëria moderne demokratike, ndonëse e cilësuar me kufizime e kundërthënie, regjimi totalitar, sipas Lefort-it, imponon “një çdiferencim (apo heqje e diferencave midis) të instancave që përcaktojnë procesin e konstituimit të një shoqërie politike”. Kjo nënkupton se kriteret e ligjit dhe ato të njohjes do të jenë nën sundimin e pushtetit.

Partia bolshevike sikurse edhe partia naciste janë figura të organizatës, që janë thelbësisht të ndryshme nga partitë tradicionale politike, që kishin objektiva të kufizuar ”për të afirmuar interesat e tyre në organet e vendimmarrjes publike qoftë në aparatin shtetëror, qoftë në nivelin rajonal të udhëheqësve me orientim të njëjtë politikë”. Ajo që cilëson partinë totalitare, ndërkaq, për Lefort-in, është se së pari fakti se ajo ndërton një piramidë të komiteteve, qëllimi i të cilëve është “të kontrollojë dhe të rregullojë sjelljet në të gjitha fushat e jetës sociale, në të gjitha profesionet, por po ashtu edhe në të gjitha institucionet ku lidhen marrëdhëniet njerëzore që i shmangen suazës së institucioneve”. Për Lefort-in objektivi i partisë totalitare nuk gjenë shprehje vetëm me vullnetin për sundim, por me një synim më themelor që të transformojë efektivisht raportet sociale, duke bërë që “gjithçka të jetë e organizueshme, gjithçka të jetë materie për organizimin e partisë”.

Përsundimi përmes cikleve të terrorit

Duhet theksuar këtu se ky konceptualizim i Lefort-it për logjikën dhe funksionimin e totalitarizmit është sajuar në saje të hulumtimit të të dhënave të shumta historike e politike, por edhe letrare, mbi ngjarjet që kanë cilësuar këtë regjim, përfshirë edhe praktikat e terrorit në regjimet totalitare. Nê librat e Solzhenicit për kampet komuniste në Siberi ai gjeti tê dhêna e pêrvoja të çmuara për të kuptuarit e regjimeve komuniste. Libri i tij Njeriu i tepërt u frymëzua nga libri i Solzhenicinit Arkipeli i Gulagut.

Ciklet e vazhdueshme të terrorit, siç vë në pah Lefort, mëtojnë të prodhojnë armiq që dalin të domosdoshëm për ndërtimin e unitetit që imagjinohet me përfytyrimin e popullit-Një. Mirëpo, karakteristika e këtij terrori nuk qëndron vetëm aty se ai “i konverton në mënyrë fantastike kundërshtarët realë të regjimit apo të kundërshtarëve realë në figura të Tjetrit keqbërës, por sidomos pse ai i shpik armiqtë. Kjo don të thotë se terrori totalitar nuk është shprehje thjesht e tekeve apo gjakpirësisë patologjike të shefave të sistemit, por se aksionet e terrorit totalitar udhëhiqen me një përfytyrim mbi shoqërinë e re, me një “imazh të ri mbi trupin social”. Së këndejmi, shfarosja ciklike e miliona individëve nga të gjitha shtresat e shoqërisë sovjetike, duke filluar nga nivelet më të larta të administratës shtetërore, gjatë disa dekadave, prodhonte frikë e pasiguri të plotë e permanente te të gjithë individët, i bënte të gjithë të përpunueshëm e të përdorshëmpër objektivat e regjimit.

Lefort, duke zbërthyer natyrën e regjimit totalitar, përkatësisht tiparet e tij dalluese, vë në shesh se integriteti dhe shëndeti i trupit social, sikurse edhe identiteti i tij mbahen me persekutime të vazhdueshme, që drejtohen me “idealin e profilaksisë sociale”, i cili kërkon eliminimin e “parazitëve dhe mbeturinave”. “Gjithçka ndodh ashtu, shkruan Lefort, thuajse trupi duhej të sigurohej për identitetin e vet duke jashtëqitur mbeturinat e veta, apo se ai duhej të mbyllej brenda vetes, të tërhiqej nga jashtësia, duke parapenguar kërcënimin e një depërtimi nga jashtë të elementëve të huaj.” Lëfort përkujton se armiku, para së gjithash hebrenjtë, u cilësuan nga Hitleri e Himleri si “morra” dhe “pleshta”, përderisa Lenini, madje edhe para Stalinit, thërriste në gjah kundër parazitëve dhe domosdonë për të “pastruar tokën ruse nga të gjithja insektet e dëmshme”. Regjimi totalitar, nê fakt, shkon më larg se diktaturat, tiranitë ose despotizmat, ngase ai synon një përvetësim «të ligjit dhe të njohjes së parimeve dhe qëllimeve të fundit të jetës sociale».

Në mënyrë të ngjashme në tekstin Trupi i ndërmjetësuar, Lefort bën një shtjellim të hollë të realitetit të totalitarizmit nëpërmjet analizës së romanit të George Orwel-it 1984.

Një interpretim tjetër i romanit 1984 i Orwel-it

Në artikullin « Trupi i ndërmjetësuar » (Le corps interposé, në librin Ecrire à l’épreuve du politique, Calmann-Lévy, Paris, 1992, f. 16 ). Lefort ofron një interpretim tjetër të romanit 1984 të G. Orwel. I ndryshëm nga interpretimet që këtë roman e paraqesin si një ese politike dhe shkencë-fiksion. Ai pêrkujton se shpesh është thënë se aty gjithçka zhvillohet para syrit të Big-Brother, se jeta private del e rënuar, se rregullat shtrihen mbi të gjitha aspektet e jetës, deri edhe te seksualiteti, se vlerat fundamentale përmbysen , se gënjeshtra paraqitetë si e vërtetë etj.

Mirëpo, Lefort mendon se Orwell-i zhvillon këtu një investigim letrar që hulumton një hapësirë e cila « i ikën dritës së mbytur të konceptit », zonë ku « zhbëhen kufinjë midis brendisë e jashtësisë, ekzistencës personale dhe asaj politike ».(f.17)

Winstoni, nëpunës në Ministrinë e të Vërtetës të regjimit totalitar mer vendimin të rebelohet dhe bjen në kontakt me O’Brien, i cili paraqitet si rebel konspirativ, dhe ndaj të cilit Winston shfaqë besim të pakushtë. Ky relacion ndërtohet në të njëjtën kohë ku te ai lind dashuria për Julian, megjithë dyshimet që në fillim i kishte patur për të.

Lefort mendon se fati i Winstonit nuk do të varet as nga njeri e as nga tjetra, por nga vet ai : « Arti i Orwellit shpërfaqet edhe aty ku i vesh personazhit të vet vetëm ndjenjën se gjithmonë e ka ditur këtë. » Ai e citon Orwellin : « Hapi i fundit do të jetë diçka që do të ndodhë në Ministrinë e dashurisë. Ai kishte pranuar. Fundi ishte i implikuar brenda fillimit ». Në fillim të librit Orwell zë në gojë një ëndër të Winstonit. Nëna dhe motra e tij e shikonin nga një pusë i thellë apo një varr shumë i thellë. Kurse ai ishte jashtë, në dritë të kthjellët, përderisa ato rëshqitnin kah vdekja. Dhe ato ishin aty, shkruan Orwell, mbasiqë ai ishte lratë. »(f.25)

Lefort vë në pah rrjetin e imazheve nga e kaluara dhe e tashmja që e kaplonin Winstonin. Shkrimtari orvatet të nxjerr në shesh « kërkimin e vet të dyfisht të të vërtetës politike dhe të vërtetës që i takon si individ. Ai sygjeron, shpjegon Lefort, se ajo « që përbën vetëdijen e Winstonit, ajo që vë në lëvizje më së thelli mendimet e tij, dëshirën të cilën e ushqen, jo,vetëm që ishte parackatuar që ta humbasë atë, që nga dita e parë, ngase kjo nuk ka vend në botën ku ai jeton, por edhe se brenda tij ka diçka që është e prirur t’i shtrohet fantazmës e cila e drejton totalitarizmin. » Lefort ndriçon hollësisht në ç’mënyrë vetëdija « e mashtruar, e ngashnjyer me imazhin e trupit i cili është zhytur brenda tij sikurse edhe e kaluara e tij. »(f.29) Imazhe të trupave « kompakte, të zymta, të zhveshur nga njerëzia, të nëpunësve të ministrisë apo të militantëve të Partisë ».ib Lefort e vë në shesh ambivalencën e vetvetëdijes së Winstonit : pasioni i tij për kufishmërinë e cila është në shërbim të lirisë, e në anën tjetër Vetja e cila luhatet përballë enigmës së trupit, të së kaluarës, të vdekjes : « Joshja e trupit, joshja e së kaluarës e risajojnë tinëzisht besimin në pavdekësinë – pavdekësi të cilën e bën të tingëlloj zëri i O’Brien duke bërë apologjinë e Partisë. »(f.30). Kjo pavdekësi e Partisë mbahet nga vdekshmëria e të burgosurëve.(f.31) Winston, gjatë torturave që pson, bën rrezistencë dhe nuk e tradhëton Julian, gruan të cilën e dashuron. Mirëpo përballë rrezikut që minjtë t’ia gërryejnë ftyrën, ai shndërrohet në kafshë që ulërinë dhe e gjenë shpëtimin duke e ndërvën midis vetes dhe minjëve trupin e Julias. Ai e tradhëton kështu dashurinë e vet duke iu nënshtruar regjimit totalitar (Big Brother). Për Lefort, skena me minjtë « vë në pah portën nga hyjnë ata : porta sekrete e fantazmës, ajo që është në thellësinë më të madhe të vetes apo madje prapa saj. Minjtë hyjnë mbrapa. » Mirëpo, siç tregon Lefort këta minjë dalin edhe nga vetja e tij, nga një portë e brendshme. » Kjo ilustrohet me një kujtim për pangopësinë e tij nga fëmijëria.

Lefort ndjek në këtë kërkim edhe një shteg tjetër mbi « domethënien politike dhe ontologjike të trupit të ndërvën. » Duke tradhëtuar trupin e dashur të Julias Winston i nënshtrohet trupit të regjimit i cili e shpërvetëson nga vet-vetja, e zhytë brenda qenies së përbashkët të Partisë. »(f.34) Kërkimi i të vërtetës i Winstonit, siç shpjegon Lefort, « është i udhëhequr me një siguri në qëndrueshmërinë e asaj që i duket dhe asaj që ka qenë, e cila njëherazi i kundërvihet sigurisë totalitare dhe nuk është e huaj për këtë. » Sipas Lefort, O’Brien kësisoj provon « se robëria mund të shkoj shumë larg edhe aty ku duket se liria kërkohet me vendosmëri. » (ib)

Do shtonim se ky eksperimentim me kufijtë e sundimit totalitar përkujton eksperimentimet me trupat dhe mendjet e të burgosurëve brenda kampit të përqëndrimit. Në të njëjtën kohë, konceptet që Lefort i sajoi edhe në saje të refleksioneve mbi veprat letrare që trajtonin përvojat e individëve brenda universit totalitar dalin si mjete që bëjnë të mundur më mirë të kuptohen ngjarjet historiko-politike, lidhjet midis tyre dhe ambiguitetet e tyre.

Njëri nga konceptet bazë të ideologjisë totalitare, për të, është koncepti për popullin si një organizëm e trup unik, “Populli-Një”. Ndërkaq moment konstitutiv i identitetit të popullit, sipas tij, është “armiku”, ai i të gjitha ngjyrave. Ai vë në pah se procesi i vendosjes dhe i riprodhimit të sistemit totalitar zhvillohet në mënyrë të pandashme me procesin e ndjekjes së armikut, me procesin e pastrimit të popullit e të shoqërisë (profilaksia sociale) nga elementë të dyshimtë e të rrezikshëm. Ekzistencën e kampeve të përqendrimit në totalitarizëm Lefort-i nuk e shpjegon thjesht me shkallën e lartë të represionit në këtë regjim. Kampi, për të, shpreh synimin e totalitarizmit për ta përsunduar shoqërinë në menyrë totale. Organizimi i shoqërisë dhe organizimi i kampeve lidhen ngushtësisht. Me gjithë shkallën e lartë të sundimit të shoqërisë që arrin regjimi totalitar, duke nënshtruar gjithë llojshmërinë e grupeve sociale e të individëve, llojshmërinë e projekteve të tyre nën një normë të vetme të sajuar nga kreu i partisë dhe udhëheqësi (egokrati), rezistencat aty janë të dukshme. Me gjithë mekanizmat që disponon ky sistem, shoqëria i ikën kontrollit të plotë. Pikërisht për këtë, kampi, me motivet dhe mënyrën e themelimit të vet, me funksionimin e vet, shpreh synimin që të realizohet sundimi i pakufizuar. “Armiku” shkëputet nga relacionet e shumëfishta në shoqëri, relacione këto përmes të cilave njeriu realizon ekzistencën e vet shoqërore, dhe vendoset në një “medium” i cili figuron projektin totalitar për shoqërinë. Në fakt, kampi për Lefort-in është shoqëria totalitare e zhvilluar deri në skajshmëri. Kontrolli mbi viktimat dhe vetëkontrolli i viktimavë arrijnë aty shkallë të lartë. Njerëzit e shkëputur nga indi social, të desocializur, në kamp bëhen njerëz abstraktë, numra. Kampi, kështu, del si laborator ku totalitarizmi eksperimenton me mundësitë e veta për të fabrikuar shoqërinë, e njëherit edhe “njeriun e ri”. Prandaj, ndryshe nga interpretimet që kampin e shohin vetëm si tepri të represionit, apo që e shpjegojnë atë me arsye ekonomike ose madje edhe me ato pedagogjike, Lefor-i gjerësisht zhvillon dhe argumenton tezën e vet se kampi dëshmon për projektin e totalitarizmit që të zhbëjë “virtualitetin e raportit social, lidhjen elementare të reciprocitetit”, për përpjekjen e tij që çdo njeri ta bëjë të huaj për tjetrin. Pushteti totalitar e sheh si armik të rrezikshëm sociabilitetin, spontanitetin, pluralitetin e projekteve individuale e sociale. Procesi i prodhimit dhe i ndjekjes së armikut zhvillohet mbi tërë gjerësinë e hapësirës shoqërore si proces i pandërprerë, ngase ai është kusht i vazhdueshëm për afirmimin e identitetit të sistemit totalitar.

Comments are closed.

Navigate