Ballafaqimi me absurdin dhe jeta me të në filozofinë e Albert Camus

Kritikë mbi veprën “I huaji” të Albert Camus

Shkruan: Besnik Domi

“I HUAJI” është vepra që paraqet simbolin letrar dhe arketipin filozofik të Alber Kamysë. Nëpërmjet narracionit artistik, qetë dhe mjeshtërisht, jepet një përshkrim i një jete krejt të rëndomtë, por që në vetvete kumton porosi dhe rrëfim shumë të rëndësishëm e kuptimplotë.

Personazhi bosht i veprës, është një njeri krejt i zakonshëm, pa asnjë të vetmen veçori të tij që do ta bënte të dallohej nga ndokush tjetër. Ai bën një jetë të tillë që e has ndoshta tek secili i dyti njeri në rruzullin tokësor. E megjithatë, ai është ndoshta personi më i “cuditshëm” që mund ta takosh ndokund.

Merso është një qenie shumë individualiste. Por individualizmi i tij nuk është as ambicioz as egoist. Projektet e mëdha apo të vogla, dëshira për dominim mbi njerëz e sende, vuajtjet e ankthet shkatërruese apo krijuese, refleksionet dhe vetëdija intraverte, narcizmi, dëshira për amshim dhe pavdekësi – të gjitha këto janë të huaja për të. Ai nuk filozofon apo mendon për veten e tij, ai jeton ashtu siç mendon se duhet jetuar. Ai gjason në njeri shumë të pa-kuptueshëm sepse ka disa parime e veti të tija të cilat nuk i përshtatet assesi konvencave tona jetësore.

E para ai është plotësisht antisocial. Të tjerët për të nuk ekzistojnë siç nuk ekziston qielli apo toka, kodra apo mallet, zogjtë apo macet. Ai nuk është as kundër tyre as për ta. Me ta mban lidhje, por ajo lidhje janë krejt instrumentale e pragmatike, ndonjë marrëdhënie eventuale afektive është plotësisht e përjashtuar. Lidhjet primare biologjike, ato më të fuqishmet për zemrën e njeriut normal, për të kanë rëndësi sa një darkë e mire apo një kënaqësi e shkurtër seksuale.

Vepra fillon me vdekjen e nënës së tij. Mersos ky lajm nuk i bën përshtypje. Nuk ka ndonjë mendim të përcaktuar për këtë gjë. Ndoshta përveç atij se të gjithë njerëzit vdesin, herët a vonë. Atij më shumë i pengon rutina e mundimshme e varrimit, vapa, gjumi i paktë që bën atë ditë, udhëtimi dhe ecja në funeral, pyetjet dhe ngushëllimet e bezdisshme, etja, lodhja. Të tjerët habiten me sjelljet e tija pa kurrfarë shprehjeje por ky nuk shqetësohet aq. Më shumë është i preokupuar që sa të jetë e mundur t’i rrallojë mundimet e kësaj konvence të mundimshme. Të thithë një cigare, ta rehatojë trupin, të pijë diçka. Mendja, pas asaj dite, nuk i rri më tek vdekja e nënës. Ajo i kujtohet vetëm edhe një here:

“Nuk e di pse më shkoi mendja te nëna. Mirëpo, nesër më duhet të çohem heret. Pasi s’kisha uri rashë në gjumë pa ngrënë darkë”.

Ai ka lidhje me një femër. Po kjo nuk është dashuri. Thjesht instikt i atypëratyshëm, thjesht i shprehur senzualisht, pa asnjë mendim përcjellës. Ndonjë ndjenjë tjetër nuk ekziston.

“Ajo kishte veshur njërën nga pizhamat e mija, mëngët e së cilës i kishte përvjelë. Derisa ishte duke qeshur, m’u zgjua dëshira që ta kisha përsëri. Pas pak kohe, ajo më pyeti a e dashuroja. Unë iu përgjegja se kjo s’kishte rëndësi aspak, por, më duket se jo. Ajo u dëshpërua. Porse, derisa ishte duke e përgatitu kafjallin, ajo, pa ndonjë arsye, zuri të qeshë aq shumë sa më shtyri ta puth.”

Por Maria nuk është vetëm një vajzë të cilën e përdor për t’i plotësuar nxitjet e veta. Ai këtë qendrim e ka ndaj secilës femër, ndaj secilës formë të marrëdhënieve me to. Në një fragment mjeshtërie të jashtëzakonshme autori përshkruan kështu qëndrimin e Mersos ndaj martesës, vlerës madhore për shumë qenie njerëzore.

“Në mbrëmje erdhi të më kërkojë Maria dhe më pyeti a dëshiroj të martohem me të. I thashë se kjo është krejt një për mua dhe se mund të martohemi në qoftëse ajo dëshiron këtë. Pastaj ajo desh të marr vesh a e doja unë. Ju përgjigja… se kjo s’kishte kurrfarë rëndësie, por që, pa fije dyshimi, nuk e doja. – Atëherë pse do të martohesh me mua ? – tha ajo. Unë i shpjegova se një gjë e tillë nuk ka kurrfarë rëndësie dhe se mund të martoheshim poqese dëshironte këtë ajo. Më në fund, ajo e kërkonte këtë, kurse unë isha i kënaqur që t’i them po. Atëherë ajo shtoi se martesa është një punë serioze. Unë ju përgjegja ‘Jo’. Për një kohë ajo heshti dhe më shikonte pa folur gjë. Pastaj foli. Ajo donte të marrë vesh a do ta pranoja unë këtë propozim edhe sikur ta bënte një grua tjetër, me të cilën do të kisha pasur lidhje të njejtë si me atë. I thashë: ‘Natyrisht’”.

I këtillë është personazhi dhe ndaj ambicieve për përparim apo prestigj social. Të tillë ai s’ka. Në vendin e punës ku punon si nënpunës, vëmendja dhe interesimi i tij përqëndrohet në pastërtinë dhe lagien e peshqirit të zyrës, si është peshqiri në mesditë e si në mbrëmje? Nuk i bën përshtypje as mundësia që të kalojë nga province e humbur ku jeton në kryeqytet, në Paris. Në një pasazh të shkurtër , heroin a qartëson gjykimet e tij mbi “përparimet” dhe “arritjet” në jetë.

“Kjo më jepte mundësinë të rroj në Parsi, e poashtu edhe të udhëtoj gjatë një pjesë të vitit. – Ju jeni i ri dhe ma merr mendja se një jetë e tillë do t’ju pëlqejë. Unë ju përgjegja pozitivisht, por që në esencë ishte krejt një për mua. Atëherë më pyeti a do më interesonte që të kem njëfarë ndryshimi në jetë. Ju përgjegja se jeta nuk ndërron kurrë, se gjithsesi secila prej tyre vlen dhe që kjo jetë e këtushme s’ishte aspak e papërshtatshme për mua.
Fytyra e tij shprehte pakënaqësinë, më tha se unë po u përgjigjkam gjithmonë mbrapshtë, se unë nuk kisha ambicje dhe se një gjë e tillë ishte e kobshme për punën. Nuk më erdhi mire që e zemërova, por nuk e shihja të arsyeshme të ndërroj mënyrën e jetesës. Kur njeriu zë e mendon seriozisht për këtë, atëherë sheh se unë nuk isha fatmjerë. Sa isha student, kisha shumë e shumë ambicje të tilla. Mirëpo, kur u detyrova ti lë studimet, kuptova shumë shpejt se të tëra ato s’kishin kurrfarë rëndësie reale.”

Dhe ndjesia kaq e skajshme e moskokëçarjes, atë e fut në telashe të mëdha. Në diçka, që së paku për njerëzit e rëndomtë, do të paraqiste fatkeqësi të madhe.

Ai krijon lidhje me fqiun e tij Remon Sente, një njeri me emër të keq. Ai paraqet një figure tipike të një njeriu me shumë pak tru por me shumë energji. Rejmoni është një njeri shumë i thjeshtë, që ka nxitje të një njeriu biologji i cili, gjithashtu, nuk mendon shumë në jetë. Ai gjithmonë është përzier në lidhje problematike me gra të dyshimta.

Merso miqësohet me të pa shkak. Shkon në shtëpinë e tij, sepse më shumë i pëlqen të hajë suxhuk se të ziej vet diçka për darkë. Rejmoni i tregon peripetitë e tij me dashnoren arabe, mbi dyshimet që ka se ajo po e “mashtron” dhe dokrra tjera. Ai kërkon që Merso të bëhet mik me të dhe t’i ndihmojë atij. Merso, duke i qëndruar besnik vetvetes, i thotë se nëse don, unë mund të bëhem mik me ty, kjo është njësoj për mua.

Dhe kështu, duke mos ia prishur qejfin atij, ai pranon ti shkruaj letër në emër të Rejmonit arabes, të dëshmojë rrejshëm në polici se ajo e ka mashtruar. Por, jo vetëm kaq. Ai përleshet bashkë me Rejmonin me bandën e vëllaut të arabes, të cilët duan të hakmirren për rrahjet që Rejmoni i ka bërë asaj. Gjërat shkallëzohen akoma.

Merso pasi përcjell Rejmonin e plagosur, për shkak të moskokëçarjes së vet fundoset në një situate për shumëkë tragjike. Heroi i Kamys, që për shumëkë shndërrohet në antihero, për shkak të pakujdesisë së tij, (megjithëse mund ti shmanget fare lehtë), ngatërrohet në vrasjen e një arabi. Për shkak të vapes së madhe në plazh, duke dashur të gjej pak hije e ujë për t’u freskuar ai ballafaqohet me arabin që posa e kishte plagosur Rejmonin. Edhepse mund të largohet pa probleme nga ai vend, ai rrin me minuta (e ndoshta edhe më shumë) të tëra ballë për ballë me arabin e rrezikshëm pa e ditur pse. Dhe për shkaqe të paqarta (ndoshta vapa e madhe, ndoshta halucinacioni i thikës në duart e arabit, vetmbrojtja, ndoshta ndonjë shkak tjetër, apo ndoshta të gjitha këto) apo ndoshta pa asnjë shkak, ai gjuan në arabin me revole, dhe pasi ai plandoset, vazhdon së paku edhe katër here të shtie mbi trupin tashmë të shoshitur. Të gjitha këto ndodhin spontanisht pa shumë shpjegime, madje pa kurrfar përpjekje të arsyetohet apo të shpjegohet diçka.

Kjo nuk ndryshon ndonjë gjë në jetën e Mersos. Ai nuk është i shqetësuar as nga akti i vrasjes as nga pasojat prej tij. Burgosja, burgu të gjitha janë me po aq peshë sa edhe imtësitë e jetës para vrasjes. Për të është e pakonceptueshme përpjekja për të ndryshuar çkadoqoftë.

Për shembull përpjekja për të vetmbrojtur vetveten është krejt jashtë tij. Ai çuditet me ligjin kaq të “themeltë” i cili ia cakton secilit të paditur një avokat për ta mbrojtur, përton dhe nuk e lodh shumë mendjen në faktin tejet të rëndësishëm për gjykimin e tij (pse ka shtënë katër here mbi arabin kur ai ishte tashmë i plandosur në tokë), pyetjes së xhandarit se a frikësohet nga procesi gjyqësor i përgjigjet se jo (përkundrazi ishte shumë kurreshtar, sepse kurrë me sytë e tij s;kishte pasur rast të shihte proces gjyqësor).

Ai, për më tepër e quan veten kriminel, por kriminel si një fakt e jo si një jehonë e një ndërgjegje të vrarë apo për shkak të ndonjë pendimi të shfaqur. Ai thotë se është kriminel sepse sipas ligjeve njerëzore ai që vret një njeri çmohet i tillë. Mersos ky vlerësim dhe definicion i duket i saktë dhe pajtohet ta çmojë vetveten ashtu.

Dhe si sillet ai gjatë kohës së hetimeve dhe procesit? Qasja që ka ai ndaj tërë realitetit të ri që e rrethon ilustron edhe më me shumë ngjyra profiling e tij psikologjik. Ai gëzohet për marrëdhëniet e mira, që i krijon me rojtarët dhe gjykatësin hetues, jo për shkak se dëshiron të përfitojë diçka nga kjo në procesin gjyqësor, por thjesht i pëlqen të ketë marrëdhënie familjare dhe të lira me këdo. Ai dëshiron t’i falenderoj edhe gazetarët që kanë shkruar për rastin e tij në gazeta, megjithëse e kanë fryer në mënyrë senzacionale vrasjen e tij. Mersos, megjithatë, kjo i duket në njëfar mënyre si një kujdes që ata kanë treguar për të. Në çastet kur avokati i tij i thotë fjalët përfundimtare të mbrojtjes, ai përqëndrohet në zërin e buries të një shitësi të akullit dhe rikujton ditët e lirisë dhe gëzimet e vogla të jetës së atëhershme. Por kjo nuk i shkakton mallëngjim, përkundrazi, dëshiron të kthehet në qeli dhe t’ia krisë gjumit.

Me jetën në burg mësohet shumë shpejt. I përshtatet rrethanave të reja për bukuri, me atë flegmatizmin e skajshëm që ka:

 “Kështu pas disa javësh unë isha në gjendje të kaloja orë të tëra pa kurrfarë pune, vetëm që t’i numëroja sendet që ndodheshin në dhomën time. Më në fund, sa më shumë që mendoja, aq më tepër i nxorra nga kujtesa sendet e panjohura dhe të harruara. Atëherë kuptova që një njeri i cili kishte jetuar vetëm një ditë, mund të jetonte njëqind vjet në burg. Ai do të kishte mjaft kujtime, kështu që nuk do të mërzitej fare. Në njëfarë mënyre kjo ishte një përparësi e madhe”.  

Personazhi i Mersos del shumë i qartë në dy përgjigje që ai ia jep të tjerëve, njërën avokatit tjetrën gjykatësit hetues.

“Megjithatë i shpjegova që natyra ime është e atillë dhe se nevojat e mia fizike shpeshherë sundojnë ndjesitë e mia” (biseda me avokatin)

“Dëgjimi verbal filloi. Më së pari më tha se më kishin karekterizuar si njeri të heshtur e të mbyllur, e desh të merrte vesh se ç’mendoja unë për këtë. Unë u përgjegja: Kjo rjedh nga shkaku se kurrë s’kam për të thënë ndonjë gjë të rëndësishme. Në raste të tilla heshti”. (biseda me gjykatësin hetues).

Kurse, ndoshta përgjigja më e rëndësishme që e jep Merso, dhe që shërben si tregues i jashtëzakonshëm në sqarimin deri në fund të këtij personazhi, është ajo që e jep ky pas lutjes që ia bën avokati, që Mersoja të gënjejë në një gjë që është jetike për mbrojtjen e tij të sukseshme në gjyq.

“Jo, sepse kjo s’është e vërtetë”. Pra personazhi i Kamys del domethënës. Nuk kemi të bëjmë aspak me një antihero, me një kriminel ordinar, apo me një të sëmurë mental. I tillë do të delte Merso vetëm poqese do t’iu nënshtrohej kritereve që përdorin njerëzit e civilizimit të sotëm. Ne mund ta çmojmë të atillë vetëm pse kemi një këndvështrim të kufizuar dhe të kushtëzuar mbi jetën. Uniformiteti i pikpamjeve tona na pengon ta shohim moralin e veçantë jetësor të tij.

Ai jeton në pajtim me vetveten e tij. Kjo paraqet ndershmërinë e tij. Pa ambicie të çfarëdoshme, pa vlera heteronome apo ideale autonome, sensual por jo në masë të madhe, biologjik e vegjetativ por jo epshor e energjik. Ai jeton krejt në mënyrë të zakonshme, pa dashur të ndërroj ndonjëherë diçka, pa ëndërruar kot së koti, pa u përpjekur ti vë jetës ndonjë vlerë që se ka. Jeta e tij është jeta që bën, e liruar nga çfarëdoqoftë tjetër.

Ky është fundi i rrëfimit mbi Merson. Ai është i ndershëm t’ia pranojë vetes këtë. Pikërisht kjo jetë, që ai e jeton në mënyrën e tij të natyrshme është e tëra. Ai nuk gënjen e as nuk gënjehet. Ndonjë jetë tjetër e përtej varrit dhe e amshueshme është diçka që atij i duket e parëndësishme. Ai nuk beson në Krisht apo në Perëndi, bile kjo çështje as nuk i intereson. Një jetë tjetër pas kësaj jete që e ka këtu në tokë (dhe e cila do t’i shkurtohet shumë shpejtë, pasi që gjyqi e dënon me vdekje për shkak të “vrasjes me paramendim”) as që vlen të mendohet.

Me këtë porosi duket se përfundon “I Huaji”. Njeriu jeton jetën e vet mekanike dhe monotone pa kurrfarë shprese se mund ta arrijë pavdekshmërinë në qiell. Jeta është diçka e parëndësishme, shpesh e mundimshme, e cila në të vërtetë është e zhveshur nga çfarëdo kuptimi. Qenien njerëzore e rrethojnë nga të gjitha anët “muret e absurdit” dhe në fund, pashmangshëm vdekja, fundi i gjithçkasë.

Kjo porosi e dëshpëruar dhe dëshpëruese, megjithatë , nuk paraqet tërësinë e doktrinës jetësore të Alber Kamysë. “I Huaji” është simbol letrar dhe një arketip shumë i rëndësishëm konceptual, por, jo edhe paradigm e vetme e filozofisë së gjithmbarshme jetësore Kamysiane. Të kuptuarit e filozofisë së tij, mund të bëhet vetëm nëpërmjet veprës së tij qendrore filozofike “Miti i Sizifit”.

FUND

——————————————————————————————————————–

*Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e shkrimtarëve dhe filozofëve nga kulturat franceze dhe gjermane. Aktiviteti u mbështet nga programi “Kultura për Ndryshim” që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.

  
 



Comments are closed.

Navigate