Brejtje Ekzistenciale

– Çfarë është njeriu?
– Një qenie që jeton duke menduar për vdekjen.

– Dashuria?
– Frika se një ditë mund të vijë ndarja.

– Çfarë është jeta?
– Arti i të mësuarit për veten dhe mësimi i të tjerëve.

– Lindja?
– Interesi i personit të tretë, i tejçimit të llojit.

– Çfarë është dija?
– Dëshira për të ecur në errësirë pa e ndezur dritën.

– Vetvrasja?
– Niveli më i lartë i pendimit në jetë, hakmarrje ndaj saj.

– Miqësia?
– Një grup interesash të përbashkëta.

– Çfarë është deti?
– Vendi ku mund të fshihet çdo poet që vuan dhe qan.

– Çfarë është poeti?
– Një njeri që i vesh ndjenja edhe gurit, që i jep zë malit të këndojë, që e mban universin në majë të gishtave dhe nuk bën dot pa imagjinatën e tij.

– Çfarë është imagjinata?
– Një ndër nivelet më të larta të inteligjencës.

– Pse duhet të lexojmë?
– Për të mësuar se dhimbja nuk është armik, por është arti i të mësuarit të së vërtetës përmes përvojës vetjake, shpirtërore. Për të na mësuar se dashuria nuk duhet lënë të verbojë dyshimin. Për të mësuar se jeta gëzohet nëse nuk e trajton si fatkeqësi.

– Çfarë do ti prej jetës?
– Të mësoj se si ta dua jetën.

– Edhe një herë: çfarë është njeriu?
– Një specie tepër kurioze, imagjinata e së cilës mund të krijojë realitete magjike dhe katastrofike.

– Çfarë është jeta?
– Rrugëtim drejt vdekjes. Mendojmë gjëra pafund, krijojmë, zhvillohemi, ndryshojmë, por mendimi për vdekjen mbetet më i fuqishmi, imazhi që dominon imagjinatën.

– Atëherë çfarë është vdekja?
– Vdekja është një nga profetët më të mirë që ka natyra. Ajo, pa folur, në heshtje, na nxit të shijojmë çdo moment të jetës, të mësojmë sa më shumë të jetë e mundur, na shtyn të kuptojmë se të menduarit dhe koha janë të pafundme, por që ne jemi të fundëm. Ndaj, duke qenë se jemi krijesa të tilla, duhet të krijojmë vepra që ecin paralelisht me kohën, paralelisht në pafundësi.

– Si përfundim, çfarë është koha?
– Thirrje për mos-shpërdorim.

Shkruan: Gerald Ramaj

Comments are closed.

Navigate