Çka është Iluminizmi?

Në nëntor të vitit 1784 revista gjermane, “Berlinische Monatschrift” shtroi një pytje mjaft të rëndësishme: Was ist Aufklorung? (Çka është Iluminizmi?). Dhe ai që u përgjigj ishte filozofi iluminist gjerman, Immanuel Kant.

Për Kantin, Iluminizmi është çlirimi i njeriut nga të gjitha dogmat.

Dy shekuj më vonë, filozofi francez, Michel Foucault iu kthye këtij teksti të shkurtër të Kantit.

Në eseun e tij “Çka është Iluminizmi” Foucault interpreton idetë e Kantit mbi Iluminizmin. Ajo që e bënë të veçantë interpretimin e Foucault është përpjekja e tij që ta ‘shpëtojë’ Kantin nga ngrehina iluministe e cila e shihte progresin në të ardhmen dhe besimin në shkencë, si rrugën e vetme drejt të vërtetës. Të Kanti, sipas Foucault, Iluminizmi apo “gjetja e rrugës”, ka të bëj më shumë me çlirimin e njeriut nga dogmat, cilatdo qofshin ato.

Më poshtë jepen disa fragmente nga kjo ese e Foucault-s:

Ndoshta një tekst i shkurtër, por me ngjet se kjo shënon një hyrje diskrete në historinë e mendimit të një pyetje të cilës filozofia moderne nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet. Por që, po ashtu, asnjëherë nuk ka qenë e mundur ta heq qafe,  duke bërë që edhe sot pas dy shekujsh të përsëritet në forma të ndryshme. Në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi, me këtë pyetje është përballur pothuajse çdo filozofi; nga Hegeli, Nietzsche, Max Weber të Horkheimer dhe Habermas. Çka është atëherë kjo ngjarje që quhet Iluminizëm dhe e cila, të paktën pjesërisht, ka determinuar atë çka jemi, çka mendojmë dhe atë çka ne bëjmë sot? Le të imagjinojmë se “Berlinische Monatschrift” ekziston ende dhe iu shtron lexuesve të saj pyetjen: Çka është filozofia moderne? Ndoshta mund të përgjigjemi shkoqur: krejt filozofia moderne është përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes së ngritur me aq nxitim dy shekuj më parë: Çka është iluminizmi?

Kjo sigurisht nuk është hera e parë që mendimi filozofik kërkon të reflektoj mbi të tashmen e tij. Por, duke folur në mënyrë skematike, mund të themi se ky reflektim deri në atë kohë mori tri forma kryesore:

E tashmja, konsiderohej se i takonte një epoke  botërore të caktuar, e dalluar prej tjerave përmes disa karakteristikave të qenësishme dhe, e ndarë prej tyre, përmes disa ngjarjesh dramatike. Kështu në Shtetin e Platonit bashkëbiseduesit zbulojnë se i përkasin njerit prej atyre revolucioneve botërore përmes të cilit bota është kthyer prapa, me të gjitha pasojat negative që mund të rezultojnë.

E tashmja mund të shihet edhe si përpjekje për të deshifruar ngjarjet e ardhshme. Këtu kemi parimin e një lloji të hermeneutikës historike, ku Augustine mund të ofroj një shembull për këtë.

E tashmja gjithashtu mund të analizohet si një pikë tranzicioni drejt lindjes se një bote të re.

Kanti e shtron pyetjen mbi Iluminizmin (Aufklaurung) në një mënyrë krejtësisht tjetër: pra jo si një epokë botërore të e cila dikush përket, as si një ngjarje shenjat e të cilës janë nuhatur, e as si lindja e një ‘arritje’ të re. Kanti e përkufizon Iluminizmin si negacion (mohim), si ‘dalje’ (Ausgang), ‘gjetje e rrugës’. Në shkrimet e tij mbi historinë, Kanti shpesh e shtron pyetjen mbi origjinën, apo mbi përcaktimin teleologjik të një procesi historik. Ndërsa, në shkrimin mbi Iluminizmin, ai merret me pyetjen mbi realitetin bashkëkohor si të vetëm. Ai nuk është duke kërkuar ta kuptoj të tashmen në bazë të një totaliteti (tërësie) apo si një “arritje” e së ardhmes. Ai është duke kërkuar për një ndryshim:  Çfarë ndryshimi do të kishim sot, nëse e respektojmë të djeshmen?

Nuk do të hyjë në detaje lidhur me ketë shkrim, i cili nuk është gjithmonë i qartë, pavarësisht vëllimit të tij të vogël. Nëse duam që ta kuptojmë sesi Kanti e shtron pyetjen filozofike mbi të tashmen, duhet nxjerr në pah tre ose katër veçori që për mua duken të rëndësishme.

Kanti thotë se “gjetja e rrugës” që e karakterizon Iluminizmin është një proces i çlirimit të njeriut nga gjendja e tij e papjekurisë. Me “papjekuri” Kanti kupton një gjendje të caktuar të vullnetit tonë, që na bënë të pranojmë dhe të udhëhiqemi nga autoriteti i dikujt tjetër, në ato hapësira ku lipset përdorimi i arsyes. Ai jep tre shembuj: ne jemi në gjendje papjekurie kur një libër drejton të kuptuarit tonë; kur një drejtues shpirtëror udhëheq me vetëdijen tonë; kur një doktor vendos për ne së çfarë duhet të jetë dieta jonë. (Le të themi kalimthi se, megjithëse shkrimi nuk e bënë të qartë, regjistrimi i këtyre tri kritikave është lehtë i njohur). Sidoqoftë, Iluminizmi definohet si modifikim i marrëdhënieve paraekzistuse të lidhura mes vete: vullnetit, autoritetit dhe përdorimit të arsyes.

Gjithashtu duhet të përmendim se kjo “gjetje e rrugës” paraqitet prej Kantit në një mënyrë mjaft të paqartë. Ai e tipizon atë si fenomen, proces në vazhdim; por gjithashtu e paraqet atë si detyrë dhe obligim. Që në paragrafin e parë, ai thotë se vet njeriu është përgjegjës për gjendjen e tij të papjekurisë. Në këtë mënyrë, supozohet se njeriu do të jetë i aftë të arratiset prej kësaj gjendje vetëm përmes një ndryshimi që ai vet do ta sjellë në veten e tij.

 Përktheu dhe përshtati: Agon Sinanaj

Comments are closed.

Navigate