David Hume: Shkenca mbi njeriun

Shkruan: Ardian Batusha

Hyrje

Në historinë e filozofisë David Hume njihet si përfaqësues i drejtimit të Empirizmit. Poashtu Hume njihet edhe si skeptik në raport me njohjen. Hume është skeptik në kuptimin që sipas tij njeriu asnjëherë nuk mund të arrijë njohje të plotë mbi botën dhe veten. Për këtë Hume i fajëson si arsyen poashtu edhe shqisat. Për dallim nga filozofët racionalist (Descartes, Spinoza, etj) Hume mendon se shqisat kanë rrolin kryesor në procesin e njohjes. Kjo nuk do të thotë se ai e përjashton tërësisht arsyen nga ky process por thjesht e vendos atë në rang të dytë. Kjo pozitë e Hume e bën atë jo dogmatik sepse megjithatë i njeh rëndësinë edhe arsyes.

Për dallim nga filozofët tjerë pararendës, Hume bëri përpjekje që të themelojë një shkencë të re, jo një shkencë mbi objektet dhe fenomenet në botë dhe univers, por një shkencë mbi vetë njeriun. Në këtë kuptim Hume mund të konsiderohet edhe si një nga psikologët e parë modern. Sipas Hume njohja e njeriut është shumë më e rëndësishme se sa njohja e fenomeneve fizike dhe botës së jashtme. Vetëm duke njohur veten ne mund të njohim edhe botën, për këtë Hume e përdor qasjen skeptike për të argumentuar pamundësinë e njeriut për të njohur. Skepticizmi i Hume nuk duhet konsideruar si skepticizëm në vetvete dhe vetëm për qëllime të relativizimit të të vërtetave, por si një mjet i arsyes përmes të cilës njeriu i shtyn limitet e tij njohëse në raport me veten dhe botën.

Në këtë ese do të trajtohet ajo që Hume e quan “Shkenca mbi njeriun” dhe raporti i saj me shkencat ekzakte dhe ndikimimet që zbulimet shkencore patën në mendimin modern.

Cfare është empirizmi në Filozofi?

Nocioni “Empirizëm” e ka origjinën nga fjala e vjetër greke empeiria, që do të thotë përvojë apo eksperiencë. Ndërsa vetë fjala emperia, rjedh nga fjala tjetër greke peria, që ka kuptimin e të provuarit. “Të provuarit” në kuptimin e të pasurit një përvojë përmes shqisave. Empirizmi është teoria-drejtimi në filozofi që konsideron se nuk mund të ketë njohje apriori – apo thënë ndryshe njohje para përvojës. Gjithçka që njohim e njohim përmes përvojës apo nga përvoja; me një fjalë e gjithë njohja është aposteriori. Nocionet apriori dhe aposteriori përdoren në kuptimin e njohjes para përvojës dhe pas përvojës.

Si drejtim filozofik bashkëkohor empirizmi për herë të parë u shfaq në Britani të Madhe, në shekullin e XVII-të. Tre janë filozofët më të rëndësishëm empirist: John Locke (1632-1704), George Berkeley (1685-1753) dhe David Hume (1711-1776), ndërsa pararendës i empirizmit është Francis Bacon (1561-1626).

Shkenca mbi njeriun

Fillet e empirizmit britanik por edhe të gjithë filozofisë moderne perëndimore lidhen ngusht me zhvillimin e shkencës gjatë shekujve XV, XVI, dhe XVII. Roli që pati shkenca nuk ishte vetëm praktik, por i hapi rrugë të reja edhe mendimit. Shkenca shtroi pyetje mbi njohjen dhe mbi aftësitë e të njohurit. Sa më shumë që shkenca zhvillohej aq më shumë viheshin në pah limitet e njohjes njerëzore. Gjatë periudhës së mesjetës të menduarit kritik kishte stagnuar. Mendimi antik grek ishte lënë në harresë dhe rilindja e mendimit në përgjithësi, dhe mendimit filozofik në veçanti i atribuohet fillimisht zbulimeve që u bënë në fushën e shkencës, dhe thyerjes së shumë tabuve që mbizotëronin në atë kohë në gjithë kontinentin. Katër emra të mëdhenjë duhet të përmenden për sa i përket zhvillimit të shkencës modern: Copernicus, Galileo, Kepler dhe Newton. Arritjet e tyre në fushën e shkencës i dhanë një dimension të ri mendimit. Madje, nuk është e tepërt të thuhet se mendimi modern morri shkas nga arritjet që pati shkenca. Shumë filozofë që përfaqësonin periudhën moderne, duke filluar nga Descartes ishin në të njejtën kohë edhe shkencëtarë.

Arritjet shkencore patën ndikim të theksuar sidomos në rrymën e empirizmit. Por si shpjegohet një lidhje e tillë mes shkencës dhe empirizmit? Duhet thënë se shkenca është ngusht e lidhur me vrojtimin. Për të arritur deri te një zbulim shkencor, duhen shumë prova dhe eksperimente të cilat bëhen përmes vrojtimit-vëzhgimit. E cfarë është vëzhgimi-vrojtimi në thelb, përveçse një metodë empirike. Jo rastësisht empirizmi dhe filozofët empirist morrën shumë nga shkenca.

Arritjet në shkencat natyrore në periudhën e Nicholas Copernicus(1473-1543) dhe deri në vdekjen e Isaac Newton(1642-1727) ndryshuan të kuptuarit e natyrës së universit dhe mënyrën se si mund ta njohim atë. Këto inovacione patën rëndësi të madhe për filozofinë, dhe në Britani, John Locke, George Berkeley dhe David Hume ishin vetëm disa nga filozofët më të famshëm veprat e të cilëve u ndikuan nga zhvillimet dhe problemet që shtroi shkenca.” – Stuart Brown

Projketi jetësor i David Hume ishte themelimi i “shkencës mbi njeriun”. Përmes kësaj shkence ai synon të bëj një studim të natyrës njerëzore. Hume mendon të depërtojë në natyrën e njeriut ashtu siç nuk është bërë më parë dhe në të njejtën kohë synon të vë në pah limitet e njohjes. Studiuesi i Hume, Kenneth R. Merrill ndër të tjera thotë se qëllimi i Hume ishte: “të ndërtojë një hartë të natyrës njerëzore.” Duke ndërtuar një hartë të tillë, do të mundësohet njohja më e mirë mbi njeriun. Përmes kësaj njohje njëkohësisht do të mund dilnin në pah limitet e njeriut dhe do të dihet se çka mund të njohë dhe deri ku mund të shkoj njohja. Ajo që e shqetëson Hume-in është se nocionet me karakter universal si kauzaliteti, liria apo morali, përdoreshin në fromë të rëndomtë dhe pa reflektuar mbi to. Këto nocione vinin të gatshme dhe merreshin si të mirëqena dhe përmes metodave deduktive nxireshin përfundime të cilat ngushtonin shumë hapësirat e njeriut. Mungonte një reflektim dhe një dyshim mbi këto nocione. Qëllimi i Hume ishte që ti dyshonte dhe t’ua lëkundte themelet nocioneve të përgjithshme dhe abstrakte, të cilat ishin shumë të paqëndrueshme. Duke bërë këtë do te hapeshin horizonte të reja për njeriun dhe njohjen.

Shkenca mbi njeriun” do të përdorte metodat eksperimentale të cilat përdoreshin në fushën e shkencave natyrore. David Hume ishte i ndikuar nga Newton dhe metodat që ky i fundit përdorte në shkencë. Ai mendonte se deri në kohën e tij përpjekjet për ti njohur objektet jashtë njeriut kishin dështuar. Hume propozon që të mos meremi më me objektet jashtë njeriut por të merremi me vetë njeriun. Për ta ilustruar me një shembull, Hume mendon se ne nuk duhet vetëm të dëgjojmë bie fjala, por duhet të dëgjojmë veten tonë duke dëgjuar, apo të shikojmë veten tonë duke shikuar. Njeriu nuk është i përsosur prandaj çdo përpjekje që njohjen ta kërkojmë jashtë njeriut do të përfundojë pa sukses. Duhet që njohja të kthehet nga vetë njeriu, dhe jo objektet jashtë tij në qendër por vetë njeriu që i percepton ato.

Nëntitulli i veprës më të rëndësishme të Hume, “Traktat mbi natyrën njerëzore”, është:

“Një përpjekje për tu njohur me metodën eksperimentale mbi subjektin moral.”

Hume me modesti thotë, se gjithë vepra e tij është vetëm një përpjeke (attempt) që përmes metodave eksperimentale siç u tha më lartë të arijmë të studiojmë njeriun (moral subject), konkretisht kapacitet njohëse të tij. Ai niset nga fakti se të gjitha shkencat natyrore si fizika, matematika, astronomia, varen plotësisht nga njeriu-respektivisht nga njohuritë e tij mbi ato.

Madje edhe matamatika, Filozofia e natyrës, dhe religjioni natyror në njëfar mënyre janë të varura nga shkenca mbi Njeriun; ato varen nga aftësia e njeriut, dhe janë të gjykuara nga fuqitë e tij.” David Hume

Është arsyeja ajo që i formulon gjykimet, ligjet fizike, formulat në matematikë apo në shkencat tjera, dhe varet nga njeriu se si do ti konceptojë ato. Ligjet nuk qëndrojnë në natyrë, ato janë vetëm procese që njeriu u’a mvesh aspektin ligjor.

Matematika, fizika, astronomia dhe të gjitha shkencat tjera natyrore janë të lidhura ngusht dhe madje të varura nga njeriu. Këto shkenca janë të zhvilluara deri në atë nivel sa është zhvilluar njeriu, ato nuk mund ta tejkalojnë neriun por është njeriu dhe aftësitë e tij njohëse që i tejkalojnë shkencat vazhdimisht. Në njëfar forme njeriu e ka shkencën Brenda vetes. Hume na fton që ti kthehemi njeriut se vetëm kështu mund të zhvillohen edhe shkencat. Duke u zhvilluar njeriu zhvillohet edhe matematika. Shkenca mbi njeriun ka pikërisht këtë qëllim, zhvillimin e aftësive njohëse të njeriut duke i theksuar kapacitetet e tij. Vetëm duke i vendosur kufinjtë njeriu mund ti kaloj ata.

David Hume në kryeverpën e tij pjesën e parë ja kushton procesit të njohjes dhe kapaciteteve njohëse të njeriut, kurse në dy pjesët tjera ai e trajton religjionin, moralin(etikën) dhe politikën. Më shumë se sa për botën objektive të shkencës Hume ishte i interesuar për brendinë e njeriut, anën psikologjike (emocionet, pasionet, ndjenjat, besimi, etj). Kjo e bën Hume një humansit të mirëfilltë përmes veprës së cilit u hapën shumë dimensone të reja për të gjurmuar brendësinë e njeriut por që fatkeqësisht nuk ishin të mjaftueshme për të ndërtuar një njeri human dhe me parime të qëndrueshme morale. Jo rastësisht sot studiuesit kontributin më të madh të Hume e shohin në fushën e psikologjisë dhe në përgjithësi aspektit human të njeriut.

Comments are closed.

Navigate