DELEUZE: MBI SHOQËRINË E KONTROLLIT

GILLES DELEUZE “POST-SCRIPTUM MBI SHOQËRINË E KONTROLLIT”

Përktheu: Arjanis Shamolli

Historik

Foucault vendosi shoqëritë disiplinare në shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë duke e arritur kulmin e tyre në fillimin e shekullit të njëzetë. Ato ndërmarrin organizimin e hapësirave të mëdha të mbylljes. Individi kurrë nuk pushon së kaluari nga një ambient i mbyllur në tjetrin, secili me ligjet e veta: së pari, familja; pastaj shkolla (“nuk jeni më në familje”); pastaj kazermat (“nuk jeni më në shkollë”); pastaj në fabrikë; nga koha në kohë spitali ndoshta edhe burgu, instanca më e shquar e ambienteve të mbyllura. Është burgu ai që shërben si model analogjik: në vështrim të disa punëtorëve, heroina e Europa ’51 tëRossellini-t mund të thërras, “mendova se isha duke parë të dënuarit.”


Foucault në mënyrë briliante e ka analizuar projektin ideal të këtyre ambienteve të mbylljes, veçanarisht të dukshme përbrenda fabrikës: për t’u përqendruar; për t’u shpërndarë në hapësirë; për t’u rregulluar në kohë; për të kompozuar një forcë prodhuese përbrenda dimensionit hapësirë-kohë efekti i së cilës do të jetë më i madh sesa shuma e forcave të komponentëve të saj. Por çfarë Foucault njihte gjithashtu është përkohshmëria e këtij modeli: zuri vendin e shoqërive të sovranitetit, qëllimi dhe funksionet e të cilave ishte diçka krejt ndryshe (për të taksuar në vend të prodhimit, për të sunduar mbi vdekjen në vend të administrimit të jetës); tranzicioni ndodhi me kalimin e kohës, dhe duket që Napoleoni kishte ndikuar në shkallë të gjerë në konvertimin nga një shoqëri në tjetrën. Por nga ana e tyre disiplinat u futën në një krizë në favor të forcave të reja që ishin duke u krijuar gradualisht dhe të cilat u përshpejtuan pas Luftës së Dytë Botërore: një shoqëri disiplinare ishte ajo çfarë ne nuk jemi më, ajo që kemi pushuar së qenuri.
Ne jemi në një krizë të përgjithësuar në relacion me të gjitha ambientet e mbylljes-burg, spital, fabrikë, shkollë, familje. Familja është një “interior” në krizë si gjithë interioret tjera-studiues, profesional, etj. Administratat përgjegjëse kurrë nuk pushojnë së lajmëruari kinse për reformat e nevojshme: reforma në shkollë, reforma në industri, spitale, në forcat ushtarake, burgje. Por çdokush e dinë se këto institucione kanë mbaruar, pavarësisht nga kohëzgjatja e periudhës së skadimit. Është vetëm çështje e administrimit të riteve të fundit të tyre dhe të mbajturit e njerëzve të punësuar derisa të ndodhë instalimi i forcave të reja që trokasin në derë. Këto janë shoqëritë e kontrollit, të cilat janë në proces të zëvëndësimit të shoqërive disiplinare.


“Kontroll” është emri që Burroughs propozon si term për një përbindësh të ri, që Foucault e njeh si e ardhmja e jonë e afërt. Paul Virilio gjithashtu është duke i analizuar format ultra të shpejta të kontrollit të lirë lundrues që ka zëvëndësuar disiplinat e vjetra të cilat kanë operuar në një kornizë kohore të një sistemi të mbyllur. Nuk ka nevojë këtu t’i bëjmë thirrje prodhimeve të jashtëzakonshme farmaceutike, inxhinieringut molekular, manipulimeve gjenetike, megjithëse këto janë planifikuar për të hyrë në procesin e ri. Nuk nevojitet të pyesim cili është regjimi më i rreptë ose më i tolerueshëm, sepse përbrenda secilit forcat çliruese dhe skllavëruese konfrontojnë njëra tjetrën. Për shembull, në krizën e spitalit si ambient i mbylljes, klinika e lagjes, kujdesi paliativ mundet që në fillim të shpreh një liri të re, por ato mund të participojnë po ashtu në mekanizmat e kontrollit që janë të barabartë me vrazhdësinë e izolimeve. Nuk ka nevojë për frikë ose shpresë, por vetëm që të kërkojmë armë të reja.


2. Logjikë

Internimet e ndryshme ose hapësirat e mbylljes përmes të cilave individi kalon janë variabla të pavarura: çdo herë supozohet që ai të fillojë nga zero, dhe megjithëse një gjuhë e përbashkët për këto vende ekziston, është analogjike. Në anën tjetër, mekanizmat e ndryshëm të kontrollit janë variacione të pandashme, duke formuar një sistem me gjeometri të ndryshueshme gjuha e të cilit është numerike (që nuk do të thotë domosdoshmërisht binare). Mbylljet janë model, përpunime të veçanta, por kontrollet janë një modulacion, si një përpunim vetë-deformues që do të ndryshojë vazhdimisht nga një moment në tjetrin, ose sikur një sitë rrjeta e së cilës do të ndryshojë nga pika në pikë.
Kjo është e qartë tek çështja e pagave: fabrika ka qenë një trup që përmbante forcat e saj të brendshme në një nivel ekuilibrimi, më e larta e mundshme në terma të prodhimit, më e ulta e mundëshme në terma të pagës; por në një shoqëri të kontrollit, korporata ka zëvëndësuar fabrikën, korporata është shpirt, një lloj gazi. Padyshim fabrika ka qenë tashmë e familiarizuar me sistemin e bonuseve por korporata punon më thellë që të imponoj një modulim të çdo page, në gjendje të metastabilitetit të vazhdueshëm që operon përmes sfidave, kontesteve, dhe sesioneve grupore shumë komike. Nëse shfaqjet më idotike televizive janë kaq të suksesshme, është sepse ato shprehin situatën e korporatave me shumë precizitet. Fabrika i konstituonte individët si një trup i vetëm në avantazhin e dyfishtë të shefit i cili inspektonte çdo element përbrenda masës dhe unionet që mobilizonin rezistencën e masave; por korporata edhe rivalitetin më të ashpër e prezanton vazhdimisht si një formë e shëndetshme e kompeticionit, një forcë e shkëlqyeshme motivuese që i kundërvë individët ndaj njëri tjetrit dhe kalon përmes secilit, duke i ndarë përbrenda. Parimi i modulimit “rrogë sipas meritës” nuk ka dështuar së tunduari edhe vetë edukimin kombëtar. Në të vërtetë, ashtu siç korporata e zëvëndëson fabrikën, trajnimi I vazhdueshëm tenton të zëvëndësoj shkollën, dhe kontrolli i vazhdueshëm të zëvëndësoj ekzaminimin. Që është edhe mënyra më e sigurtë për të dërguar shkollën tek korporata.


Në shoqëritë disiplinare ne gjithmonë kemi një pikë nisje (nga shkolla tek kazermat, nga kazermat tek fabrikat), përderisa në shoqëritë e kontrollit ne kurrë nuk përfundojmë asgjë-korporata, sistemi edukativ, shërbimet ushtarake që janë gjendje metastabile dhe bashkëkzistojnë në një dhe të vetmin modulacion, si një sistem universal i deformimit. Tek Procesi, Kafka, i cili tashmë e kishte vendosur vetën në pikën boshtore në mes të dy llojeve të formacioneve shoqërore, përshkroi format juridike më të frikshme. Shfajësimi i dukshëm i shoqërive të kontrollit (në mes të dy burgosjeve); dhe shtyrja e palimituar e shoqërive të kontrollit (në variacione të vazhdueshme) janë dy mënyra të jetës juridike, dhe nëse ligji ynë është hezitues, vetë në krizë, është sepse ne jemi duke lënë njërin në mënyrë që të hyjmë në tjetrin. Shoqërite disiplinare kanë dy pole: nënshkrimin që përcakton individin, dhe numrin ose numërimin administrativ që shënon pozicionin e tij ose saj përbrenda masave. Kjo ndodh sepse disiplinat kurrë nuk panë një papajtueshmëri në mes këtyre të dyjave, dhe sepse në të njejtën kohë pushteti individualizon dhe grumbullon sëbashku, kjo do të thotë, konstituon ata mbi të cilët ushtron pushtetin në një trup dhe formëson individualitetin e secilit antarë të atij trupi. (Foucault pa origjjinën e kësaj ngarkese të dyfisht në pushtetin pastorial të priftit-tufa dhe secila kafshë e saj-por pushteti civil lëviz nga ana tjetër dhe me mjete të reja për të bërë vetën “prift.”) Në shoqëritë e kontrollit në anën tjetër, nuk është e rëndësishme një nënshkrim apo një numër, por një kod: kodi është një fjalëkalim, ndërsa në anën tjetër shoqëritë disiplinare janë të rregulluara nga fjalëurdhërat (sa nga pikëpamja e integrimit aq edhe nga ajo e rezistencës). Gjuha numerike e kontrollit është e bërë nga kodet që shënojnë qasje në informacion, ose refuzojnë atë. Ne nuk e gjejmë vetën më duke u marrë me çiftin individ/masë. Individët janë bërë “dividual, dhe masa, mostra, të dhëna, tregje, ose “banka.” Ndoshta është paraja që shpreh më së miri ndarjen në mes të dy shoqërive, pasiqë disiplina gjithmonë I referohet parave të stampuara që mbyll arin si një standard numerik, derisa kontrolli lidhet me normat qarkulluese të këmbimit, e moduluar sipas një norme të vendosur nga një set i monedhave standarde. Urithi monetar i vjetër është kafshë e hapësirave të mbylljes, por gjarpëri është ai i shoqërive të kontrollit. Ne kemi kaluar nga një kafshë në tjetrën, nga urithi tek gjarpëri, në sistemin nën të cilin jetojmë, por po ashtu edhe në mënyrën e jetesës dhe në relacionet tona me të tjerët. Njeriu disiplinar ishte një prodhues diskontinuitiv i energjisë, por njeriu i kontrollit është valëzues, në orbitë, në një rrjet kontinuitiv. Gjithkund surfimi ka zëvëndësuar sportet e vjetra.


Llojet e makinave përshtaten lehtë me çdo lloj të shoqërive-jo sepse makinat janë determinuese, por sepse shprehin ato forma sociale që janë të afta t’i gjenerojnë dhe perdorin ato. Shoqërite e vjetra të sovranitetit përdornin makina të thjeshta-levë, pulexhë, orë; por shoqëritë e fundit disiplinare u pajisën me makina të cilat përfshijnë energji, me rrezikun pasiv të entropisë dhe rrezikun aktiv të sabotimit; shoqërite e kontrollit operojnë me makina të llojit të tretë, kompjuterët, rreziku pasiv i të cilëve është bllokimi dhe ai aktiv është pirateria dhe futja e virusëve. Ky evolucion teknologjik duhet të jetë, edhe më thellësisht, mutacion i kapitalizmit, një mutacion tashmë i njohur mund të përmblidhet sikur në vijim: kapitalizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë është një kapitalizëm i koncentrimit, për prodhim dhe për pronë. Prandaj ai krijon fabrikën si hapësirë e mbylljes, kapitalisti duke qenë pronari i mjeteve të prodhimit por poashtu, në mënyre progresive, pronari i hapësirave tjera të konceptuara përmes analogjisë (shtëpia familiare e punëtorit, shkolla). Sa për tregjet, ato janë të pushtuara ndonjëherë nga specializimi, ndonjëherë nga kolonizimi, ndonjëherë duke i ulur kostot e prodhimit. Por, në situatën prezente, kapitalizmi nuk është më i përfshirë në prodhim, që shpesh e drejton nga Bota e Tretë, madje edhe për format komplekse të tekstileve, metalurgjisë, ose prodhimit të vajit. Është një kapitalizëm i një rendi më të lartë të prodhimit. Nuk blenë më lëndë të papërpunuar dhe nuk shet më produkte të përfunduara: blen produktin e përfunduar ose grumbullon pjesët. Ajo çfarë dëshiron të shes janë shërbimet dhe dëshiron të blej aksione. Ky nuk është më një kapitalizëm për prodhimin por për produktin, që do të thotë, për t’u shitur apo tregtuar. Këshu që është esencialisht dispersiv, dhe fabrika i ka lënë rrugë korporatës. Familja, shkolla, ushtria, fabrika nuk janë më hapësira analogjike të veçanta që konvergjojnë në drejtim të një pronari- shtetit ose të një pronari privat-por janë shifra të koduara-të deformueshme dhe të transformueshme-të një korporate të vetme që tashmë ka vetëm aksionerë. Madje edhe arti ka lënë hapësirat e mbylljes për të hyrë rrethet e hapura të bankës. Pushtimet e tregjeve janë bërë duke kapur kontrollin dhe jo më nga trajnimet disiplinare, duke rregulluar kursin e këmbimit më shumë sesa duke ulur kostot, duke transformuar produktin më shumë sesa specializimin e produktit. Korrupsioni kështu fiton një pushtet të ri. Marketingu është bërë qendra ose “shpirti” i korporatës. Na thuhet që korporatat kanë një shpirt, që është lajmi më i tmerrshëm në botë. Operimi i tregjeve tashmë është instrumenti i kontrollimit të shoqërisë dhe formon racën e paturp të pronarëve tanë. Kontrolli është afatshkurtër dhe i ritmit të shpejt qarkullues. Por poashtu i vazhdueshëm dhe i pa limituar, derisa disiplina ishte afatgjatë, infinite dhe diskuntinuitive. Njeriu nuk është më njeri i mbyllur, por një njeri në borxh. Është e vërtetë që kapitalizmi ka ruajtur si një konstante varfërinë e skajshme e tre të katërtave të njerëzimit, tepër të varfër për borxh, tepër të shumtë për t’u mbyllur: kontrolli nuk ka për tu marrë vetëm me erozionet e kufijëve por edhe me shpërthimet nëpër qytete baraka ose geto.


3. Program

Konceptimi i një mekanizmi të kontrollit, duke dhënë pozicionin e çdo elementi përbrenda një mjedisi të hapur në çdo instancë të dhënë (qoftë kafshë në reservë ose njeri në një korporatë, sikur me një qafore elektrike), nuk është domosdoshmërisht fantashkencë. Felix Guattari ka menduar një qytet ku ne mund të ishim të lirë të dalim nga apartamenti ynë, rruga, lagja, falë kartës elektronike (dividuale) që ngre një barrier të caktuar; por kjo kartë mund edhe po aq lehtë të refuzohet në një ditë të caktuar ose në mes të disa orëve të caktuara; ajo që llogaritet nuk është barriera por kompjuteri që gjurmon pozicionin e çdo personi-i ligjshëm apo i paligjshëm-dhe shkakton një modulim universal.

Studimi socio-teknologjik i mekanizmave të kontrollit, i kapur në fillimin e tyre, do të duhej të jetë kategorik dhe të përshkruaj atë që është tashmë në procesin e zëvëndësimit të shoqërive të mbylljes, kriza e të cilëve është shpallur kudo. Mund të ndodhë që metodat e vjetra, të huazuara nga shoqëritë e mëparshme të sovranitetit, të kthehen në krye, por me modifikime të domosdoshme. Ajo që ka rëndësi është që ne jemi në fillim të diçkaje. Në sitemin e burgjeve: tentimi që të gjejmë denime të “zëvëndësimit”, të paktën për krime të vogla, dhe përdorimi i qaforeve elektronike që e detyrojnë personin e dënuar të qëndrojë në shtëpi gjatë disa orëve të caktuara. Për sistemin shkollor: forma të vazhdueshme të kontrollimit, dhe efekti në shkollë i trajnimeve perpetuale, braktisja korresponduese e gjithë hulumtimit universitar, prezantimi i “korporatës” në të gjitha nivelet e shkollimit. Për sistemin spitalor: mjekimi i ri “pa doktorë ose pacient” që veçon njerzit potencialisht të sëmure dhe subjektet në rrezik, që në asnjë mënyrë nuk dëshmon për individualitet-siç thonë-por zëvëndëson individin apo trupin numerik me kodin e një materiali “dividual” që duhet të kontrollohet. Në sistemin e korporatës: mënyra të reja të manovrimit me paranë, fitimin, dhe njerzit që nuk kalojnë më nëpër formën e vjetër të fabrikës. Këta janë disa shembuj shumë të vegjël, por që do të lejojnë të kuptojmë më mirë se çfarë nënkuptohet me krizën e institucioneve, që do të thotë, instalimi progresiv dhe dispersiv i një sistemi të ri dominimi. Njëra nga pyetjet më të rëndësishme ka të bëj me papërshtatshmërinë e sindikatave: të lidhur për historinë e tyre të luftes kundër disiplinave ose përbrenda hapësirave të mbylljes, a do të jenë ata të aftë të adaptojnë vetën ose a do t’i hapin rrugë formave të reja të rezistencës kundër shoqërive të kontrollit? A mund t’i kuptojmë ne këto kontura të vrazhda të formave që po vijnë, të aftë për të kërcënuar harenë e marketingut? Shumë nga të rinjtë çuditërisht nxisin të qenurit i “motivuar”; ata rikërkojnë stazhe dhe trajnime permanente. Është në dorën e tyre që të zbulojnë se për çfarë po bëhen që të shërbejnë, sikur të moshuarit e tyre që zbuluan, jo pa vështirësi, telosin e disiplinave. Spiralet e gjarpërit janë më komplekse sesa strofujt e një pirg dheu.




Comments are closed.

Navigate