Deleuze – Niçe mbi të qeshurën dhe të pakohshmen

Përktheu: Lulzim Hoxha

Deleuze – Niçe mbi të qeshurën dhe të pakohshmen

Ky fragment i intervistës së titulluar “Niçe ia plas të qeshurit” (Nietzsche’s burst of laughter) është botuar në gazetën franceze “Le Nouvel Observateur” më 5 prill 1967. Në këtë bisedë, Deleuze merr në trajtesë përkthimin e përmbledhjeve të veprave të Niçes si dhe problematikave që paraqet analiza e tyre. Një pjesë e madhe e librave të Friedrich Niçe janë ndryshuar nga e motra, në mënyrë që t’i përshtateshin frymës së Partisë Naziste gjermane. “Elizabeth Forster-Niçe ka grumbulluar disa pjesë të librave që privilegjojnë interpretimet naziste” – shkruan Deleuze. “Ajo nuk i ka falsifikuar tekstet, por ne e dimë shumë mirë se ka mënyra të tjera për t’i tjetërsuar mendimet e një autori, megjithëse në këtë rast bëhet fjalë për një përzgjedhje arbitrare nga shënimet e tij.”

Përpara se të shkruante “Anti-Edipi” me Felix Guattarin, Deleuze ka shkruar librin “Niçe dhe filozofia”. Ishte libri i dytë që ka botuar. Deleuze vijon të shtjellojë përkatësinë e Niçes në filozofinë bashkëkohore franceze: “Reagimi ndaj strukturave shtypëse, sipas Niçes, nuk bëhet në emër të ‘vetes’ apo ‘unit’. Përkundrazi, ‘vetja’ dhe ‘uni’ janë bashkëpunëtorë të këtyre strukturave, të cilat veprojnë pikërisht mbi ‘veten’ dhe ‘unin” – shkruan Deleuze.

Dumur: Si u konceptua edicioni i ri i përmbledhjes së veprave të plota të Niçes?

Deleuze: Problemi qendronte në riklasifikimin e shënimeve të pasvdekjes në përputhje me datat në të cilat ai i ka shkruar, si dhe bashkëlidhja e tyre me librat që Niçe ka shkruar gjatë kësaj kohe. Pas vdekjes së Niçes, disa nga shënimet e tij janë përdorur në mënyrë abuzive për të plotësuar botimin Vullneti për Pushtet. Prandaj, ishte thelbësore rivendosja e një kronologjie të saktë. Kjo shpjegon pse më shumë se gjysma e vëllimit të parë të “Shkenca e gëzuar” konsiston në fragmente të pabotuara gjatë viteve 1881-1882. Këto janë disa nga arsyet pse konceptimi ynë mbi mendimin e Niçes, ashtu sikurse i gjithë procesi i tij krijues mund të jetë tjetërsuar.

Dumur: A mendoni se në Francën bashkëkohore kemi një ‘rikthim te Niçe’? Nëse po, cilët janë faktorët?

Deleuze: Vështirë ta thuash. Ndoshta ka ndodhur një ndryshim, ose ndoshta ndryshimi po ndodh aktualisht nëse i referohemi modaliteteve të mendimit që kanë qenë kaq familiare për ne qysh nga periudha e çlirimit. Ishim mësuar të mendonim dialektikisht, historikisht. Sot duket se valët janë zhvendosur nga mendimi dialektik duke vërshuar drejt strukturalizmit. Foucault këmbëngul në rëndësinë e teknikave të interpretimit. Është e mundur që ideja aktuale e interpretimit të shkojë përtej kontradiktës dialektike mes ‘njohjes’ së botës dhe ‘ndryshimit’ të saj. Frojdi ishte një interpretues i shkëlqyer, po kështu edhe Niçe, por në një tjetër mënyrë. Ideja e Niçes është se gjërat dhe veprimet nuk janë veçse interpretime. Kështu që të interpretosh do të thotë të interpretosh interpretimet, pra të ndryshosh gjërat është ‘të ndryshosh jetën’. Ajo çka duket e qartë për Niçen është se shoqëria nuk është më autoriteti themelor. Autoriteti themelor është krijimi, është arti: më saktë, arti përfaqëson mungesën dhe pamundësinë e një autoriteti themelor. Që në fillesat e veprës së tij, Niçe parashtron idenë se ekzistojnë qëllime ‘pak më të larta’ se ato të shoqërisë apo shtetit. Ai na bën të depërtojmë brenda një dimensioni që nuk është as historik – sipas rrafshit dialektik – dhe as i përjetshëm. Këtë dimension të ri që vepron në kohë dhe njëkohësisht i kundërvihet kohës, ai e quan ‘e pakohshmja’. Pikërisht në këtë dimension, jeta si interpretim gjen burimin e saj. Ndoshta arsyeja e rikthimit te Niçe është rizbulimi i së pakohshmes, këtë dimension që bën dallim nga strukturat ‘e përjetshme’ të filozofisë klasike si dhe nga ‘përkohësia’ e botëkuptimit historik të filozofisë dialektike.

Dumur: A mund të themi se kemi të bëjmë me një rikthim te individualizmi?

Deleuze: Po, por një individualizëm të çuditshëm në të cilin padyshim që vetëdija moderne pasqyron vetveten në njëfarë niveli. Të çuditshëm sepse te Niçe ky individualizëm shoqërohet me një kritikë të ashpër kundrejt nocioneve “vetja” dhe “unë”. Për Niçen kemi një shpërbërje të domethënies së ‘vetes’. Reagimi ndaj strukturave shtypëse nuk bëhet më në emër të ‘vetes’ apo ‘unit’. Përkundrazi, sipas tij ‘vetja’ dhe ‘uni’ janë bashkëpunëtorë të këtyre strukturave shtypëse, të cilat veprojnë pikërisht nëpërmjet tyre. A mos duhet të themi se rikthimi te Niçe implikon një lloj asketizmi, refuzimi të politikës, një individualizëm të depersonalizuar po aq sa të depolitizuar? Ndoshta jo. Edhe politika është pjesë e interpretimeve. E pakohshmja, për të cilën sapo folëm, nuk mund të reduktohet në një element politiko-historik. Por nga koha në kohë mund të ndodhë që të koinçidojë në një të tillë. Kur njerëzit vdesin nga uria në Indi, kjo është një fatkeqësi politiko-historike. Por kur njerëzit rebelohen për të fituar lirinë, ka përherë një koinçidencë të akteve poetike, ngjarjeve historike dhe veprimeve politike, mishërime të lavdishme të së pakohshmes. Në këto momente kemi diçka që na rikthen poezinë e Rimbaud dhe imperativat niçean të gëzimit dhe harésë artistike që koinçidojnë me përpjekjet historike të popujve për liri. Ka krijues në politikë dhe lëvizje politike krijuese që barazpeshojnë një moment të dhënë në histori. Përkundrazi, Hitleri nuk mbart asnjë element niçean në asnjë lloj niveli. Hitleri nuk ishte Zarathustra. As Trujillo. Ata përfaqësojnë atë që Niçe e quan “majmuni i Zarathustrës”. Siç thoshte Niçe, nëse do të bëhesh udhëheqës, nuk mjafton të jesh në pushtet. Shpeshherë në pushtet janë “skllevërit”, janë ata që e kanë pushtetin dhe vazhdojnë të mbeten skllevër teksa e kanë këtë pushtet.

Këta udhëheqës, sipas Niçes, kanë pushtetin e të pakohshmes, ata që krijojnë, që shkatërrojnë – jo që ruajnë – në mënyrë që të krijojnë. Niçe shkruan se nën ngjarjet e mëdha tokë-lëkundëse ka ngjarje të vogla e të heshtura që ai i krahason me krijimin e botëve të reja: atje sërish mund ta shohësh praninë e poetikes brenda historikes. Kemi vazhdimisht ngjarje të vogla e të paperceptueshme, që ndoshta mund të proklamojnë një eksod të ri nga shkretëtira e së sotmes. Ndoshta rikthimi te Niçe është një nga këto “ngjarje të heshtura” si dhe një ri-interpretim i botës që qendron përtej themeleve të së përkohshmes apo të përjetshmes.

Comments are closed.

Navigate