Diskursi Postmodern dhe Bota e Interpretimit

Diskursi Postmodern dhe Bota e Interpretimit

Autor: Qendrim Badalli

Gjuha ka qenë dhe vazhdon të mbetet një problem filozofik, problem të cilit i është kushtuar vëmendje nga mendimtarë të ndryshëm në kohë e hapsira të caktuara. Wittgenstien dhe Derrida janë dy nga filozofët më të njohur që kontributin e tyre, pavarësisht se të ndryshëm, ia kanë dhënë kësaj çështjeje filozofike. Cdo realitet ideologjik, që në ekzistencën e tij paraqitet në forma dhe trajtja të ndryshme, në instancë të fundit është realitet gjuhësor. Rëndësia e problematizimit të gjuhës, në rrafshin filozofik, nuk mund të mohohet në të dyja rastet e përdorimit të saj; qoftë në atë rast kur gjuha konstrukton realitetin, qoftë në rastin kur ajo e shpjegon të njejtin. Ne këtu flasim për gjuhën në llojin e saj verbal dhe joverbal dhe jo në ndonjë kuptim më të gjerë të saj.

Dështimi i projektit Iluminist, kriza e meta-narracioneve, dekonstruksioni gjuhësor dhe humbja e relalitetit janë disa nga karakteristikat kryesore të epokës postmoderne, epokë e cila shënon në njërën nga prespektivat fundin e “Modernes” apo në tjetrën vetëm sabotimin a vazhdimësinë e saj. Epoka e Modernes në rrafshin filozofik ka qenë njohur për funksionim me sisteme. Sisteme teorike, herë-herë totalitare, që kanë promovuar të vërteta përfundimtare. Një shprehje e këtyre sistemeve është vërejtur edhe tek ligjërimi apo diskursi i kësaj epoke, dhe ai ka qenë diskurs i centralizuar dhe dialektik, konform natyrës së ideve të asaj periudhe.

Referuar Bodriarit, “realiteti, përmbajtja, ajo e përcaktuara, determinimi kanë vdekur, ndërsa jodeterminimi, papërcaktueshmëria, relativizimi, sot dominojnë e sundojnë”. Të gjitha këto tipare që karakterizojnë kohën postmoderne në të gjitha shprehjet e saj, janë pjesë edhe e ‘thyerjeve ligjerimore’. Kriza e universalitetit, e cila ka sjellur pamundesinë e legjitimitetit të bazave mbi të cilat funksionon shoqëria siç janë e drejta, e mira dhe e vërteta, ka mundësuar ‘notimin e lirë në oqean’, ndërsa në nivel diskursiv e ka ngritur në një nivel tjetër <Botën e Interpretimit> përmes dekonstruksionit e relativizimit të koncepteve. Për sa kohë, diskursi modern ka qenë centralist e dialektik ky postmodern nuk është as centralist as dialektik sepse ideologjia e postmodernes nuk ka qendër burimore dhe as palë statike antagoniste.

Teoria e shenjës tek Derrida reflekton më së miri mënyrën e konstituimit të diskursit postmodern. Filozofi francez mendon se shenja nuk ekziston apriori por është konvencion njerëzor dhe se shenjat janë materiale dhe jo vetëm mentale. Kuptimi i shenjës, pra i fjalës, varet nga kombinimi i sinkronikes (strukturores) me diakroniken (historiken). Diakronikja i referohet akumulimit të kuptimeve historike që mbart fjala, ndërsa sinkronikja i referohet përdorimit të saj kontesktual. Në të dyja rastet, shenja ka kuptime të ndryshme dhe të pakontrolluara, rrjedhimisht lehtësohet mundësia për interpretim. Bazuar në teorin e Derridës, kur ne flasim apo shkruajmë, ne jemi vazhdimisht në një lloj <kontrabandimi kuptimesh> duke ndrydhur një kuptim dhe dhënë një kuptim tjetër të fjalës. Dhe, mbi të gjitha, çdo autor, literalisht është autor i vdekur jo vetëm në distancë afatgjatë kohore për shkak të ndyshimit në kuptim të shenjës, por edhe për shkak se teksti pas publikimit i nënshtrohet <Botës së Interpretimit> në të cilën lehtë devijon ajo çfarë është thënë nga autori.

Në librin “Analizat e Diskursit” nga Gillian Brown dhe George Yule, mësojmë më detajisht për interpretimin dhe në veçanti për rolin e kontekstit në interpretim. Diskursin momental, ndoshta me të drejtë, autorët e quajnë “Diskurs pragmatist” pasi i njejti ka një natyrë funksionimi dinamik e divergjent. Roli i njohjes së kontekstit në interpretimin e asaj se çfarë është thënë është krucial, por ka dy efekte në dukje kontradiktore: Në njërën anë limiton mundësitë për interpretim, në anën tjetër ndihmon mundësitë për interpretim. Manovrimi me njërin apo opsionin tjetër varet nga shkathtësit e pjesëmarrësve në bashkebisedim në njohjen dhe përdorimin e asaj çfarë quhen ‘elemente të konteksit’ në interpretim. Këto elemente janë: Referimi, presupozimi, implikimi dhe inferenca.

Këto elemente kontekstuale në rrafshin diskursiv mundësojnë krijimin e një ligjërimi shpesh të ndërlikuar dhe në shumicën e rasteve më e rëndësishme se ajo çfarë thuhet është ajo çfarë nuk thuhet por nënkuptohet, në kuptimin që ligjërimi zhvillohet mbi një strukturë të etabluar kuptimesh dhe dakordimesh substanciale, gjërësisht të pranueshme, të cilat në fakt e mirëmbajnë dhe e riprodhojnë atë. Në sferën momentale të komunikimit, relativizimi si dhe dekonstruksioni gjuhësor janë leva të intepretimit përmes së cilit lehtësisht mund të ndërtohen të vërteta dhe narracione pararele, të mirë justifikueshme, për çështje të caktuar në realitetet sociale. Në këtë pikë, por jo vetëm, merr kuptim klithma e Fridrih Niçes: “Nuk ka të vërteta, ka vetëm interpretime”.

Comments are closed.

Navigate