Ethosi filozofik si kritikë e qenies sonë historike

Ethos-i filozofik si kritikë e qenies sonë historike

Shruan: Prof. Muhamedin Kullashi

(Pjesë nga kumtesa e prezentuar në Konferencën mbi rolin e filozofisë në transformimet sociale, e mbajtur me 15 nëntor 2018 në Departamentin e Filozofisë të Univerzitetit të Tiranës, me rastin e Ditës botërore të filozofisë)

Ndryshe nga disa filozofë të tjerë bashkëkohor që e reduktonin Iluminizmin në prodhim të « rrëfimeve të mëdha »( Lyotard), Michel Foucault gjen aty një lloj të përsiatjes filozofike e cila problematizon njëherit raportin tonë ndaj së tashmes, mënyrën e qeniesimit tonë historik dhe konstituimin e vetes sonë si subjekt autonom. Për këtë interpretim tjetër Foucault gjen mbështetje te tekstet e Kantit mbi Iluminizmin dhe në tekstet e tij kushtuar historisë, e në veçanti çështjes së qëllimësisë së brendshme të kohës dhe pikëmbërritjes së historisë së njerëzimit. Foucault mendon se “është kjo hera e parë që një filozof e lidh kështu, në mënyrë të ngushtë dhe nga brenda domethënien e veprës së vet në raport ndaj njohjes, atë të një refleksioni mbi historinë dhe një analizë të mëvetësishme për momentin e veçantë kur ai shkruan dhe për shkak të të cilit ai shkruan”. Foucault e kundron modernitetin si një “atitudë » e jo si një periudhë të historisë. Me atitudë Foucault nënkupton një mënyrë të relacionit ndaj aktualitetit, një zgjedhje të vullnetshme që bëjnë disa dhe po kështu një mënyrë të të mendurait dhe ndijimit, një mënyrë për të vepruar dhe për t’u sjellur, e cila “njëherazi shënon sa një përkatësi, aq edhe paraqitet si një detyrë”.

Ai e shikon Iluminizmin si “tërësi e ngjarjeve politike, ekono­mike, sociale, institucionale, kulturore nga e cila ne varemi në një pjesë të madhe, tërësi që përbën një fushë të privilegjuar për analiza“. Ai mendon po kështu se Iluminizmi “duke e lidhur me një lidhje të drejtpërdrejtë progresin e të vërtetës dhe historinë e lirisë, ka formuluar një pyetje filozofike e cila vazhdon të mbtetet e hapur edhe për ne”. Ai shton se iluminizmi ka definuar po kështu një mënyrë të veçantë të të filozofuarit.

Për të emërtuar pikëpamjen e vet mbi modernitetin si atitudë e veçantë ndaj së tashmes, Foucault përdor edhe termin e konceptin e filozofëve grek ethos (shprehi e karakterit, zakon, mënyrë e të qenmit të zakonshëm). Së këndejmi, ai mendon se në vend të pikëpamjeve që bëjnë dallimet midis “periudhës moderne” nga epokat “para” apo “postmoderne”, më mirë është të kërkohet se në ç’mënyrë atituda e modernitetit, që kur se është formuar, ka hyrë në luftë me ato të “kundërmodernitetit”.

Për ta vënë në pah më saktësisht cilësinë karakteristike të këtij qëndrimi të modernitetit, Foucault merr në shqyrtim edhe pikëpamjet e poetit Charles Baudelaire (1821-1867), si njëra nga “vetëdijet më të mprehta të modernitetit në shekullin XIX”.

Në analizën e mëtejshme të koncepcionit të Baudelaire-it, Fouacault vë në pah se moderniteti nuk është thjesht formë e raportit ndaj së tashmes, por edhe një mënyrë e raportit që duhet ta ndërtojmë ndaj vetes sonë. Ky raport i veçantë ndaj vetes mban një lidhje me një asketizëm. Kësisoji, të jesh modern nuk do të thotë ta pranosh vetveten ashtu si je brenda fluksit të momenteve që kalojnë, por ta “trajtosh veten si obekt i një elaborimi kompleks dhe të vështirë”. E mu këtë qëndrim Baudelaire e quan “dendizëm”. Foucault i kushton vëmendje të theksuar faqeve të tekstit të Baudelaie-rit për modernitetin ku në veçanti bëhet fjalë për asketizmin e dendit, i cili bën nga trupi i tij, nga sjelljet e tij, nga ndjenjat dhe pasionet e tij, nga ekzistenca e tij “një vepër të artit”.

Sipas Foucault-së, njeriun modern Baudelaire e definon si njeri i cili nuk “synon aq zbulimin e vetes, të fshehtësive të vetes dhe të vërtetës së vet të fshehur, por kërkon ta formësojë veten.” Ky modernitet nuk e çliron njeriun në qenien e tij vetanake, por e detyron atë që ta elaborojë vetveten.

Në fund të këtij shqyrtimi të koncepcionit të Baudelaierit, Foucault thekson se “kjo lojë e lirisë me realen me qëllim të transfigurimit të tij, ky elaborim asketik i vetes për Baudelaire-in nuk mund të realizohen brenda vetë shoqërisë apo brenda trupit politik”, por vetëm në hapësirën e artit.

Hulumtimi historik i ngjarjeve

Mirëpo, kritika fukaldiane, ndryshe nga ajo kantiane, nuk do të merret më me kërkimin e strukturave formale që kanë vlerë universale, por do të zhvillohet si hulumtim historik nëpërmjet ngjarjeve që na kanë shtyrë “të formësohemi që ta njohim veten si subjekte të asaj që ne bëjmë, mendojmë, themi.” Kjo kritikë e Foucault-së nuk është pra, transcendentale si ajo e Kantit, por është “gjenealogjike në qëllimësinë e saj dhe arkeologjike në metodën e saj”. Në aspektin e vet arkeologjik, kjo kritikë nuk do të merret me shkoqitjen e strukturave universale të çdo njohjeje dhe të çdo aksioni moral të mundshëm, porse do të trajtojë ligjërimet, që shprehin atë që ne mendojmë, themi dhe bëjmë, si ngjarje historike. Në anën tjetër, kjo kritikë, për Foucault-në, duhet të jetë gjenealogjike, në kuptimin që ajo nuk do të deduktojë nga forma e asaj që ne jemi ajo që na është e pamundur të bëjmë apo të njohim. Anën pozitive të punës së kësaj kritike Foucault e shpreh thuktë duke thënë se “ajo do të nxjerrë nga rastësia, e cila na ka bërë të jemi atë që jemi, mundësinë që të mos jemi më, të mos bëjmë apo të mos mendojmë më ashtu si jemi, bëjmë ose mendojmë.”.

Me ethos-in filozofik Foucault kërkon ta bëjmë analizën e vetes sonë, jo si subjekte të veçuara nga shoqëria e historia por si qenie historikisht të përcaktuara, në një pjesë të konsiderueshme nga Iluminizmi, gjë që nënkupton një varg hulumtimesh të thelluara e të sakta historike, hulumtime këto që nuk do të kishin për qëllim të zbulojnë retrospektivisht “bërthamën thelbësore të racionalitetit” brenda iluminizmit, por të hetojnë “kufizimet e tashme të së domosdoshmes”, pra të asaj që nuk është më e nevojshme për formësimin e vetes sonë si subjekte autonome.

Deri në vitet 80, Foucault e kundron subjektin pak a shumë si prodhim pasiv i teknikave të sundimit, qofshin ato mekanizmat e pushtetit disiplinor apo ato të një biopolitike. Ndërkaq në kërkimet e fillimit të viteve 80, i përkushtohet hermeutikës së subjektit si « brengë për veten » (le souci de soi), duke mos i lën anash, megjithatë proceset sociale të normalizimit dhe shtrëngesat që dalin nga mekanizmat e tri tipëve të pushtetit (sovran, disiplinor e biopolitik, mekanizmat e sigurisë).

Lidhjet e etikës me politikën

Derisa Martin Heidegger paraqet mënyrën se si zotërimi i techné-së i jep botës formën e saj të objektivitetit, Foucault vë në pah se në ç’mënyrë brenga për veten (le souci de soi), e në veçanti praktikat stoiciste të sprovës, bëjnë nga bota, si « rast i njohjes dhe transformimit të vetes, një vend të lindjes së një subjektiviteti. »

Kemi të bëjmë këtu me një mendim të ri të subjektivitetit te Foucault. Këtë shteg të kërkimit Foucault e gjen duke u orvatur ta « rivendosë subjektin në fushën historike të praktikave dhe proceseve ku ai nuk ka pushuar së transformuari ». Ai punon në një « gjenealogji të subjektit, duke i bërë vërejtje sa historianëve që parapëlqejnë historinë e objekteve aq edhe filozofëve të cilët parapëlqejnë subjektin i cili nuk ka histori. » Kjo nuk e pengon Foucault-n të ndjejë një afërsi empirike me historianët e « mentaliteteve », si dhe një borxh teorik ndaj Nietzsches i cili e ka shtruar çështjen e historicitetit të subjektit.

Kjo ide e re për subjektin ecën bashkë me një mendim të ri të të vërtetës (diskursi i vërtetë, logosi). Përvetësimi i diskurseve nuk bëhet me qëllim thjesht të kultivimit të vetes por me ballafaqimin me ngjarjet, me sprovat që ato sjellin (te Epikteti, Seneka). Nuk mjafton njohja e vetes, por ajo duhet të zgjerohet nga përgaditja për t’u ballafaquar me ngjarjet.

Brenga për veten, vëmendja mbi veten, nuk nënkupton për Foucault-në të heqet dorë nga bota dhe të konstituohet vet-vetja (soi-même) si një absolut. Kjo brengë kërkon të matet sa më saktësisht « vendi që e kemi në botë dhe sistemi i domosdosive brenda të cilave jemi kyqur. »

Në fakt etika politike e Foucault-së, ashtu si shpaloset në analizat e tij të filozofisë helenistike e romake është çështje e pjesmarrjes në jetën publike dhe në atë politike.

Ndryshimi i qëndrimit të Foucault-së, në raport në radhë të parë me atë që shpalosej në hulumtimet e tij mbi pushtetet disiplinore bëhet edhe më i qartë kur ai rezymon orientimin e tij të kërkimit. Kërkimi kritik i Foucault nuk synon ta bëjë të mundur metafizikën e cila më në fund bëhet shkencë, por kërkon “ta riaktivizojë sa më larg që është e mundur dhe sa më gjerë që është e mundur punën e pakufijshme e lirisë” [nënvizimi ynë, M.K.]. Orientimi i këtillë i hulumtimit dhe formulime të tilla janë thjesht të paparamendueshme në periudhën e analizave të mekanizmave disiplinore, si tipar i shquar i modernitetit.

Duke qenë i vetëdijshëm për dallimin që tani shpreh në kërkimet e veta, Foucault e sheh të udhës të saktësojë se nuk mëton një “ëndërr të zbrazët për lirinë”, por se ka parasysh një qëndrim historiko-kritik dhe eksperimental. Ky qëndrim duhet të hapë një fushë të re për gjurmimet historike e në anën tjetër kjo punë duhet të ballafaqohet me “sprovën e realitetit dhe aktualitetit, njëherazi për t’i gjetur pikat ku ndryshimi është i mundshëm dhe i dëshirueshëm dhe për të definuar formën precize që duhet t’i jepet këtij ndryshimi”. Foucault saktëson po kështu se ontologjia historike e vetes sonë, ashtu si e kupton ai, “duhet të heqë dorë nga të gjitha projektet që pretendojnë të jenë globale dhe radikale.”(ato të marksizmave). Ai sqaron këtu se preferon “transformimet shumë precize që kanë mund të ndodhin tani e njëzet vjet në një numër të caktuar të fushave që i përkasin mënyrave tona të qeniesimit dhe të të menduarit, relacioneve të autoritetit, raporteve midis sekseve, mënyrës si e kuptojmë ne çmendurinë apo sëmundjen”. Janë këto përvoja të pjesërishme e lokale që i preferon Foucault, duke hequr dorë nga shpresa të ketë qasje te një “njohje e plotë dhe definitive e asaj që mund të jenë kufijtë tonë historikë”.

Subjekti etik nuk koincidon, pra, tani plotësisht me rolin që ka individi në jetën shoqërorte e politike. Foucault mendon se nuk është fjala që ta qeverisësh veten si e qeverisin atë të tjerët, duke kërkuar modele te « komandimi ushtarak apo të sundimi i skllavëve », por kur jam në situatë që t’i qeverisi të tjerët, duhet të kem parasyshë modelin e një qeverisje të parë, të qeversijes së vetvetes. Në fakt Foucault-ja kërkon të formulojë, në saje të hulumtimeve të stoicizmit perandorak në veçanti, parimet e artikulimit të etikës me politikën. Ai e ka mendjen te etika e cila është brenda politikës. Mirëpo kjo lidhje etiko-politike nuk shpie te një harmoni e individit me veten dhe me shoqërinë por hapet nga tri forma të luftërave në periudhën bashkëkohore : luftrat kundër dominimeve politike, luftërat kundër eksploatimeve ekonomike dhe luftërat kundër nënshtrimeve etike. Kundrejt projekteve menaxhuese dhe « normalizuese » të shtetit, Foucault afirmon në këto kërkime (1980-1984), nga fundi i jetës së tij, praktikat e vetes si « mënyra të jetesës », si « zgjedhje të ekzistencës », si « stile të jetës », si « forma kulturore ».

Comments are closed.

Navigate