Historia e filozofisë nuk është filozofi?

TË BËSH FILOZOFI DHE TË BËSH HISTORI

Autor: Stephen Priest (Profesor i filozofisë në Universitetin e Oxford-it)
Përktheu: Ardian Batusha

Filozofia është përpjekja për tu dhënë përgjigje pyetjeve filozofike. Për ta ilustruar këtë përkufizim do të jap disa shembuj të pyetjeve që janë filozofike dhe disa tjera që nuk janë filozofike.

7+5=? nuk është një pyetje filozofike por pyetje aritmetike. Ne mund ti përgjigjemi kësaj pyetje duke bërë aritmetikë. A ekzistojnë numrat? Nëse numrat ekzistojnë ku janë ato? Këto nuk janë pyetje aritmetike por pyetje filozofike. Duke bërë më shumë aritmetikë nuk mund tu përgjigjemi atyre. Cilat ishin shkaqet e Luftës Civile? Kjo është një pyetje historike. Për tu përgjigjur kësaj ne hulumtojmë dokumentet apo lexojmë libra. Çfarë je duke bërë tani apo çfarë po bëje para se të lexosh këtë tekst, janë pyetje të rëndomta. Këtyre pyetjeve mund tu përgjigjesh duke e konsutuar memorien tënde. A kishte një ngjarje të parë? Cili është raporti mes vetëdijes dhe trurit? Pse e tashmja është e tashme? Këto janë pyetje filozofike. Nëse nuk do të mendojmë përtej të menduarit të zakonshëm ne nuk mund tu përgjigjemi këtyre pyetjeve. Përderisa matematika është të studiuarit e numrave, historia studimi i të kaluarës dhe fizika të studiuarit e materies, Filozofia në anën tjetër nuk ka një objekt të vetëm apo të saktë të studimit. Pyetjet filozofike mund të jenë pyetje mbi numrat, vetëdijen, materien, të mirën dhe të keqen, shoqërinë, vdekjen apo pyetje mbi ekzistencën tënde apo të diçkaje tjetër.

1. Filozofia nuk definohet mbi atë se për çka është. Por çfarë kanë të përbashkëta pyetjet filozofike që i bëjnë ato të jenë filozofike? Pyetjet filozofike janë ato pyetje për të cilat nuk kemi një metodë për tu përgjigjur. Përkundër bindjeve të zakonshme, shumë nga ne mund tu japim përgjigje shumë pyetjeve filozofike.

2. Pyetjet filozofike janë të pafundme. Për shembull: A jam unë vetëm trup fizik? A mund të bëj diçka tjetër nga ajo çka jam duke bërë? Pse ekziston diçka dhe jo asgjë? A janë objektet fizike thjesht një proces? A është realiteti ashtu si na paraqitet përmes 5 shqisave? A ekziston hapësira dhe koha? Nëse po, çfarë janë ato? A ka jetë pas vdekjes? Ku dallon e mira nga e keqja? A ekziston arti?

3. Filozofinë mund ta defionojmë edhe si përpjekje për ti zgjidhur problemet filozofike si: Vullneti i lirë dhe Determinizmi; Identiteti personal; Ekzistenca e Zotit; Ekzistenca e objektev fizike; Kauzaliteti; Numrat; Problemi i qenies; Estetika; Etika, etj. Filozofia nuk është histori, të bësh filozofi nuk është të bësh histori.

Supozoni se jemi duke shkruar një novelë. Kur shkruajmë një novelë ne nuk fillojmë duke dhënë një përmbledhje të veprës së Jean Austen apo ta zëmë të bëjmë analizën se si veprat e Chalres Dickens-it janë shprehje e realitetit urban të shek.19. Të shkruash një novelë nuk është të shkruash historinë e novelës. Tani imagjinoni se po bëjmë fizikë. Në përpjekje për të zgjidhur problemet e fizikës ne nuk merremi me rethanat të cilat e shtynë Isac Newton-in të formulojë ligjet e lëvizjes. Të bësh fizikë nuk do të thotë të shkruash historinë e fizikës. Nga këto shembuj del se filozofia nuk është e veçantë kur nuk merret me historinë e saj. Megjithatë historia e filozofisë mund të studiohet edhe si histori e filozofisë edhe si filozofi në vetvete. Nëse studiohet si histori e filozofisë ajo paraqet historinë e ideve filozofike që janë zhvilluar përgjatë periudhave të ndryshme. Për këtë punë na duhet një historian.

4. Historia e filozofisë u jep rëdësi më shumë aspekteve teknike si: biografia e autorëve, korespodencat të tyre, pikpamjet politike, ekonomike dhe gjuhës. Historia e filozofisë merret me faktin nëse vepra filozofike ishte reflektim i rethanave historike apo nëse është një kundërshtim i rethanave, rjedhimisht një mendim origjinal. Duke e studiuar historinë e filozofisë ne merremi me probleme të tilla si: Kur u shkruajt teksti, kush e shkruajti, në çfarë rethana u shkruajt teksti, etj. Këto probleme nuk kanë fare peshë në raport me të bërit filozofi. Duke bërë filozofi ne përpiqemi të zgjidhim problemet filozofike. Duke studiuar histori të filozofisë ne lexojmë filozofë të ndryshëm të cilët kanë shkruar në të kaluarën dhe që janë munduar tu japin përgjigje problemeve filozofike dhe të argumentojnë mbi to. Ne me vetëdije jemi duke i shfrytëzuar ata. Do të ishte gabim nëse do ta kufizonim të bërit filozofi me kritikat që u janë bërë ideve të ndryshme filozofike historikisht. Çdo mendim që përpiqet të zgjidh problemet filozofike duhet të merret parasysh qoft ai i dhënë në kohën e grekëve antik 2500 vite më parë, apo i paraqitur në kohët e sotme në Oxford apo New York.

Filozofi dhe matematicieni gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1646–1716) e titulloi veprën e tij “Ese të reja mbi kuptimin e natyrës njerëzore” (1705) eksluzivisht si kundëpërgjigje ndaj veprës së filozofit John Locke “Ese mbi problemet e natyrës njerëzore”(1690). Kjo nuk është arsye që ta reduktojmë debatin filozofik në debat historik, dhe në këtë kuptim ne mund të konsultojmë edhe mendimet e filozofëve bashkëkohor si Noam Chomsky, Jerry Fodor, Stephen Stich apo të kujdo tjetër nëse na ndihmojnë në zgjdhjen e problemeve.

Ndonëse historia nuk është filozofi ajo është e rëndësishme për filozofinë në dy mënyra:

Së pari, një pyetje është filozofike në raport me prezencën apo mungesën e një mënyre konrete për ta adresuar atë. Një mënyrë e tillë mund të ekzistojë në një periudhë të caktuar dhe të mos ekzistojë në një periudhë tjetër. Në këtë kuptim disa pyetje filozofike nga koha para-sokratike sot mund të mos konsiderohen filozofike.

Së dyti, koha kur ka jetuar një filozof mund të jetë përcaktuese në mënyrën apo teknikat e zgjidhjes së problemeve filozofike. Varësisht nga qasja e filozofit mund të përcaktohet edhe se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë duhet të anashkalohet. Për shembull, në filozofinë bashkëkohore Perëndimore, problemi apo misteri i ekzistencës individuale është lënë shumë anash dhe për të njejtin problem tani merret shkenca. Shkencëtarët në këtë rast janë ata që ngrisin probleme filozofike. Shpesh herë shkenca ju ka paraprirë edhe pyetjeve dhe problemeve filozofike. Ta zëmë, ne nuk mund të debatojmë mbi aspektin etik të armëve bërthamore nëse armët bërthamore nuk janë zbuluar ende. Apo nëse kthehemi tutje në histori, problemi filozofik i të ashtuquajturave “kualitete primare dhe sekondare”(John Locke), apo problemi ontologjik I ngjyrave, u bë aktual vetëm pas avancimit të shkencës moderne në shek.17 (Galileo). Problemi i ngjyrave, apo nëse realiteti objektiv është i “ngjyrosur” nuk ishte problem me të cilin merreshin mendimtarët para Galileu-t.

Zbulimet e Ajnshtajnit mbi relativitetin dhe definimi i kohës si dimension i katërt, ka ngritur një sërë pyetje filozofike mbi problemin hapësirë-kohë. Një filozofi “e mirë” është ajo e cila i thyen barierat e kohës dhe rethanave. Kjo është arsyeja pse filozofët e mëdhenjë nuk janë reflektim i rethanave dhe ideologjive të kohës kur jetuan. Nëse je vetëm duke i përsëritur disa mendime të cilat tashmë ekzistojnë, në fakt nuk je duke bërë filozofi. Të bësh filozofi, në njëfarë mënyre është të ngrihesh mbi pikpamjet e përgjithshme dhe mbi themelet e historisë.

Arsyeja e vetme filozofike për të studiuar historinë e filozofisë është fakti se aty mund të gjesh të grumbulluara idetë dhe mendimet mbi problemet e ndryshme filozofike përgjatë historisë. Historia e filozofisë poashtu mund të na ndihmojë si material për zgjidhjen e problemeve filozofike. Por ajo duhet të trajtohet me kujdes sepse mund të ndikojë që mënyrat e caktuara të të menduarit nga e kaluara të na përcaktojnë edhe mënyrën e tashme. Për fund, nëse një pyetje filozofike është e tillë sepse nuk ekziston një mënyrë apo metodë absolute për tu përgjigjur asaj, të bësh filozofi do të thotë të përpiqesh të gjesh një rrugë apo metodë të re dhe origjinale për zgjidhjen e problemeve filozofike.

Comments are closed.

Navigate