Ekzistencializmi dhe situatat-limit

Si reagim ndaj filozofisë klasike, e cila nuk e kishte për objekt studimi njeriun, ekzistencializmi, në anën tjetër, merret me natyrën konkrete të njeriut. Nuk niset nga esenca, apo nga ajo nëse natyra njerëzore paska një esencë, por pikënisje ka vet ekzistencën e njeriut, vet gjendjen momentale të njeriut.

Disa nga temat bosht të kësaj mënyrë të te filozofuarit dhe menduarit – që lindi në Francë pas Luftës së Dytë Botërore – janë vdekja, ankthi dhe rastësia.

Sipas ekzistencialistit gjerman Karl Jaspers, të tria këto janë situata ekzistenciale limit, të cilat nuk mund t’i shmangim asnjëherë. Ato ndodhin pavarësisht neve. Vdekja ndodh, ajo është domosdoshmëri, prandaj sipas Jaspersit edhe paraqet një situatë-limit.

Ajo që është e rëndësishme sipas këtij filozofi, është ajo se njeriu vetëm përballë këtyre situatave, vetëm duke i kuptuar, pranuar dhe duke u ballafaquar me to, mund të jetojë prej së vërteti.

Më poshtë disa nga situatat-limit të cilat Jaspers i zhvillon tek vepra “Rruga drejt urtësisë: Një hyrje e shkurtër në filozofi”.

“Ne jemi gjithmonë në situata. Situatat ndryshojnë, krijohen mundësi të reja. Nëse njëherë i kemi lëshuar, nuk kthehen kurrë më. Unë vetë mund të punoj për ta ndryshuar një situatë. Por janë edhe disa situata që mbeten në thelb të njëjta, përkundër, ndryshimeve të tyre momentale dhe forcës së tyre shkatërruese. Ato janë: vdekja, vuajtja, lufta, rastësia, faji.

Këto situata themelore të ekzistencës sonë i quaj situata-limit. Kjo do të thotë: ato janë situata të cilat nuk mund t’i shmangim ose t’i ndryshojmë. Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdijesimi jonë për këto situata-limit, është burimi më i thellë i filozofisë.

Në jetën tonë të përditshme shpesh i mbyllim sytë para tyre dhe i shmangim, duke jetuar sikur të mos ekzistonin. Ne harrojmë se do të vdesim, harrojmë fajin tonë, dhe harrojmë se jemi nën mëshirën e rastësisë.

Ne përballemi vetëm me situata konkrete, i zotërojmë për të mirën tonë dhe reagojmë ndaj tyre duke vepruar në botë të shtyrë nën impulsin e interesave tona praktike. Por, në situata-limit ne reagojmë ose nga tmerri ose, nëse vërtetë i kemi kuptuar ato, nga dëshpërimi dhe të rilindurit. Në bëhemi vetvetja vetëm nga një ndryshim në vetëdijen tonë të të qenit”.

Përktheu dhe përshtati: Agon Sinanaj

 

 

 

 

Comments are closed.

Navigate