Jean Baudrillard: AMERIKA

Jean Baudrillard: Amerika
Shkruan: Qendrim Badalli

Filozofi francez, postmodern, Jean Baudrillard, në librin e tij “Amerika” shpalos mendimin mbi shumë çështje me rëndësi që janë jetësuar në shoqërinë amerikane. Në një raport dialektik me Europën, autori shpjegon se përse ShBA-ja është utopia e realizuar, ku janë dallimet kryesore mes Amerikës dhe Europës si dhe shtjellon deri në detaje, atë që ai e quan <revolucion të zakoneve> apo mënyrë e të jetuarit, e konsideruar si arma më të fuqishme që posedon Amerika.

Rivalitet dhe progres. Veprime të thjeshta dhe praktike, simuluese dhe publicistike. Aktualitet e dinamizëm. Hapsirë kinematografike. Rrugë të dendura, elektrizuese. Pompoziteti, dhuna dhe seksi. Liria, barazia, demokracia. Multikulturalizmi.

Këto jane disa nga konceptet kryesore për ta dhënë një pasqyrë për Amerikën, e cila pavarësisht se ndanë civilizimin me Europën, sërisht dallimi mes tyre është i dukshëm. Jo në koncepte të reja të jetësuara atje por edhe me të njejtat që kanë krijuar në histori.

Një slogan për Amerikën: “I did it”.

Analizimin e menyrës së të jetuarit të amerikanëve, autori e fillon me individualizmin e tyre të theksuar, i cili shfaqet kudo dhe kurdo. Miliona njerëz të vetmuar që vrapojnë secili për hesapin e vet, duke shmangur grupet, anipse me një ndjenjë të çlirtë të afërsisë.

“Është i pabesueshëm numrin i njerëzve që mendojnë vetëm, që këndojnë vetëm, që hanë dhe flasin vetëm në rrugë. Ndërkaq nuk grupohen. Përkundrazi, i bishtojnë njëri-tjetrit dhe ngjashmëria e tyre është e papërcaktueshme”.

Flamuri amerikan dhe buzëqeshjen e amerikanëve si dy sjellje simbolike reflektojnë karakteristikën kryesore të mënyrës së të jetuarit në ShBA: Vetëreklamimin dhe simulimin. Flamuri amerikan është kudo; në varreza, në qendra banimi, mbi platacione, si shenjë vetëreklamimi ndërsa buzëqeshja është publicitare dhe simuluese; buzëqeshni që të dukeni transparent, buzeqeshni kur nuk keni asgjë për të thënë, apo kur jeni Indiferent ndaj të tjerëve.

“Ky vend është më i miri, unë jam i mirë, ne jemi më të mirët. Është buzëqeshja e Regan-it, tek i cili arrin kulmin vetëkënaqësia e të gjithë kombit amerikan”.

Një slogan për Amerikën: “Just as it is”

Tutje, në Amerikë mungesa e paragjykimeve është mungesë dhe e gjykimeve dhe kjo sjellë një liri në veprime, në komunikim dhe krijon një <kulturë demokratike të hapsirës dhe komunikimit> e cila reflektohet madje edhe në çështjet krejt personale si ato seksuale.

“Në Amerikë-dhe kjo është banale-habitesh nga harresa pothuajse natyrale e statuseve, nga kënaqësia dhe nga liria e marrdhënieve seksuale”

Këtë mënyrë jetese, që quhet revolucion moral dhe revolucion i zakoneve, Tocquevill e quan <Shpirti i Amerikës> përmes së cilit është vendosur një legjitimitet praktik: ai i mënyrës së jetesës.

“Shpëtimi më nuk vjen nga hyjnorja, apo shteti, por prej organizimit praktik ideal”.

Një slogan për Amerikën: “Live or Die”

Në përpjekjet e Baudrillard për t’i analizuar dallimet mes Amerikës dhe Europës, çështja e parë e rëndësishme është problemi i origjinës. Përderisa Europa është e ngarkuar me historinë, revolucionet, shtetin e ideologjinë, si qendra që ndërtojnë origjinën, Amerika nuk është e ngarkuar me këtë problem sepse nuk ka problem identiteti, dhe e ardhmja sipas Baudrillard u takon popujve pa origjinë, pa autencitet, drejt satelitëve artificial.

“Amerika e vjell jashtë çështjen e origjinës, nuk e edukon atë, apo autenticitetin mitik, sepse nuk ka të shkuar, apo të vërtetë themeluese. Ngase s’ka njohur akumulimin primitiv të kohës, ajo jeton në një aktualitet të vazhdueshëm”.

Tutje, Baudrillard mendon se me lindjen e Amerikës, Europa ka filluar të zhduket në kuptimin që ajo më nuk është qendra e miteve dhe e utopisë, sepse <të gjitha mitet e modernitetit sot janë amerikanë> ndërsa Amerika është <utopia e realizuar>.

“Ajo çka mendohet në Europë realizohet në ShBA-gjithçka që zhduket në Europë rishfaqet në San Francisco”.

Dallim tjetër mes Amerikën dhe Europës është edhe jetësimi i multikulturalizmit, apo i përzierjes ndëretnike. Në Amerikë theksi vendoset në identitetet partikulare të cilat krijojnë një klimë rivaliteti dhe sfide mbi të drejta të barabarta teksa në kulturën europiane ka një prezencë historike të dëshirës për universalen, për centralizimin në rrafshin identitar.

“Ndërsa në Amerikë, çdo etni, çdo racë, zhvillon një gjuhë, një kulturë konkuruese, ndonjëherë superiore ndaj asaj “autoktone” dhe ku çdo grup merr me rradhë simbolikisht përsipërinë. S’është fjala për barazinë apo lirinë formale, por për një liri faktike, që shpreheht tek rivaliteti dhe tek sfida, kësisoj, merr një gjallëri të tjetërfarët, një tonalitet të hapur në përballjen ndaj racave. Ne, kultura europiane; jemi një kulturë që ka vënë bast për universalen dhe që është e gatshme të vdesë për universalen”.

Baudrillard shkruan edhe për dallimin ndoshta me të theksuar mes Amerikës dhe Europës: Të konceptimit dhe të realizimit të ideve. Përderisa Europa është e preokupuar aq shumë me transedencën, analizën, konceptualizimin e ideve, Amerika jo që nuk angazhohet në atë drejtim, por përkundrazi merret vetem me materializimin e ideve, me realen, me realizimin e tyre. “I qortojmë amerikanët se s’dinë të analizojnë dhe të konceptojnë. Po kjo do të thotë t’iu bësh gjykimin e gabuar. Jemi ne ata që mendojmë se gjithçka kulminon në transhedencë, dhe që asgjë nuk ekziston po të mos ketë qenë menduar brenda konceptit të vet. Ata jo vetëm që nuk qedrosen për këtë, por prespektiva e tyre është e anasjellta. Jo konceptualizimi i realitetit, por realizimi i konceptit dhe materializimi i ideve.”

Një slogan për Amerikën: “Just do it”

Amerika më nuk e ka monopolin e fuqisë botërore, jo sepse e ka humbur por se më nuk ka qendër në rrafshin ndërkomëtar dhe kështu ajo ka mbetur vetëm një orbitë e fuqisë imagjinare të cilës i referohen të gjithë.

Baudrillard e vendos Amerikën në botën e katërt, botë që është transpolitike, e cila duket se ka përmbyllur çështjet e mëdha emancipuese dhe tash ka kaluar në<çinteresim politik, në çinteresim social>.

“Emancipimi qe një ngjarje historike: ishte emancipimi i shërbëtorëve dhe skllevërve, çkolonializimi i botës së tretë, dhe, në shoqëritë tona, të drejta të reja të fituara: e punës, e votës, e seksit, e femrave, e të burgosurëve, e homoseksualëve. Të drejtat janë fituar gjithandej. Virtualisht bota është e lirë dhe nuk ka për çfarë të luftohet. Por, në të njejtën kohë, grupe të tëra shkretëtirohen së brendëshmi (individë po ashtu). Shoqëria i harron dhe ata harrojnë edhe vetveten”.

Baudrillard shkruan: “Amerika nuk është as një endërr, as një realitet, por një hiper-realitet, është një hiper-realitet sepse është një utopi, e cila, qysh në fillim, është jetuar si e realizuar”.

Për sa kohë ai e sheh Amerikën si hiper-realitet, ku dominon simulimi, bota e informacionit, preokupimi ditor, dhe mungesa e metanarracioneve mbi historinë dhe ideologjinë, Amerikën mund ta quajmë <Toka e Postmodernizmit>.

Comments are closed.

Navigate