Jim Morrison: Kalorësi dionisiak

Ndonëse të preferuarit e zotave vdesin të ri,
ata jetojnë përjetësisht në shoqërinë e tyre.”
Friedrich Nietzsche, Lindja e Tragjedisë

 

Nietzsche filozofi i lartësive

Friedrich Nietzsche ndoshta filozofi më kreativ dhe më i guximshëm që shkruajti, përmes veprës së tij arriti ti shkund themelet e mendimit Perëndimor. Jo vetëm që arriti ta vë në dyshim gjithë filozofinë 2000 vjeçare, por u bë gurthemel për ndërtimin e një shoqërie të re, të bazuar në krijim, individualizëm dhe meritokraci. Ndonëse ai nuk ka ndonjë projekt konkret se si duhet të jetë një shoqëri e tillë, mendimet e tij vetëm sa kanë filluar të aktualizohen në shoqëritë perëndimore.

Vrasja e Zotit, në mënyrë simbolike paralajmëronte ndryshime rrënjësore në mënyrën e të menduarit por edhe të jetuarit. Vrasja e Zotit nënkuptonte shembjen e të gjitha autoriteteve, ideologjive, apo filozofive që pretendonin se e kishin gjetur të vërtetën absolute për individin dhe shoqërinë. Kryefjala e këtyre autoriteteve ishte racionalizmi platonik dhe si pasardhës i tij, Krishterimi. Më pas, historia në këtë frymë do të prodhojë ideologji nga më të rezikshmet dhe dehumanizuese si: komunizmi, fashizmi, nazizmi, etj. E përbashkëta e këtyre ideologjive ishte se nuk pranoni të vërtetë tjetër përveç asaj që e promovonin. Pra një sistem moçalesh, ku njeriu do të jetë i detyruar të notojë pa e sfiduar misterin e ekzistencës dhe si rjedhojë duke përfunduar në bretkocë. Me mbylljen e realitetit mbyllen edhe mundësitë e njerëzores.

Idetë e Nietzsches ishin aq shumë para kohës kur jetoi, saqë shumica as nuk mund ti kuptonin, madje në shumë raste mund të quheshin edhe si herezi. Pamundësia për ti kuptuar idetë e tij, është tregues se sa e nënshtruar ishte shoqëria nga autoriteti dhe si rjedhojë edhe e kontaminuar me dogma, duke jetuar në një verbëri totale. Kjo gjendje e rënduar e shoqërisë shpërtheu me Luftën e Dytë dhe kampet e Aushvicit. Rezultatet e luftës ishin pika e fundit e dehumanizimit të njeriut modern, aq sa u vu në dyshim madje ekzistenca e tij. Vetë Nietszshe do të shkruante se librat e tij do të kuptohen vetëm diku nga vitet 2000. Ai pak a shumë e kishte parashikuar apokalipsin e shekullit të 20.

Për ta luftuar dhe sfiduar sistemin brenda të cilit ishte futur individi nga filozofitë tradicionale (racionaliste) dhe ideologjitë e kohës, Nietzsche në mënyrë metaforike e përdori figurën e Dionisit. Përmes Dionisit, Nietzsche provoi ta shkund individin nga rehatia dhe t’ia hap sytë nga verbëria që kishte rënë. Dionisi ishte simbol i krijimit, tejkalimit(transcedimit), i dalldisjes, pra me një fjalë, mund të themi se Dionisi simbolizonte PO-në e madhe ndaj jetës. 

E kundëta e Dionisit ishte Apoloni, apo rregulli, ftohtësia, ligji, sistemi. Nietzsche kishte nuhatur se individi ishte ‘apolonizuar’ duke e shpallur Dionisin si armik dhe mëkatar. Sistemi asnjëherë nuk mund ta pranojë jetën në plotni dhe në lirinë e realizimit nga vetë-vetja. Sistemi të jejon të zhvillohesh aq sa janë kornizat e tij, kushdo që ka vullnet dhe kuriozitet për ti thyer kornizat e sistemit, do të shpallet i jashtëligjshëm dhe do të gjykohet. Nietzsche e shihte jetën përtej kornizave, përtej vlerave apriori. Korniza e vetme e jetës ishte pafundësia, liria për të krijuar vlera të pavarura nga çdo lloj autoriteti i jashtëm e artificial.

Morrisoni dhe Dionisi

Filozofia e Nietzsches u ndoq nga shumë artistë e krijues. Duke qenë në themel një filozofi që promovon artin dhe krijimin për ta realizuar jetën dhe shembur autoritetet dhe idhujt, Nietzsche u bë frymëzim për brezat e pas Luftës së Dytë Botërore. Një nga poetët më të mëdhenjë të shekullit të 20, Jim Morrison, krijimtarinë e tij e bazon në filozofinë e Nietzsches.

Ndonëse shoqëria perëndimore arriti në dimensione tjera të lirisë, ende faniteshin hijet e autoritetit dhe tabuve që historia kishte ndërtuar prej më se 2000 vjetësh. Morrison përmes poezive dhe performancave të tij u shndërrua në një ‘dishepull’ të Nietzches duke provuar ta shkund shoqërinë e kohës. Vetë Morrison kishte vuajtur nga autoriteti i babait aq sa e kishte mohuar edhe ekzistencën e tij.

Nëse poezia ime ka ndonjë qëllim, atëherë ajo do të ishte çlirimi i njerëzve nga njëdimenzionaliteti i të përjetuarit dhe shikuarit. Jim Morrison

Ajo që e karakterizonte Morrisonin ishte jeta që jetonte. Ishte jetë që nuk përkonte me pritjet dhe modelet e shoqërisë. Morrison ishte në eksplorim të vazhdueshëm të vetes dhe mundësive krijuese. Duke qenë se në performacat e tij ai shpesh merrte substanca të ndryshme narkotike, u bë cak i sulmeve moralizues të shoqërisë dhe sistemit. Por në anën tjetër, arti, guximi, dhe vlerat që krijonte, e bënë idhull të një pjese të madhe të të rinjve. Morrison sikurse edhe Nietzsche e përdorte figurën e Dionisit për ta shkundur shoqërinë nga rehatia dhe për ta çliruar nga prangat e autoritetit. Përmes jetës së tij, ai bë u shembull se sa shumë mund të arrinte individi nëse çlirohej nga të jetuarit brenda.

Performancat e tij kishin karakterin e festave të Dionisit dikur. Gjatë ceremonive për nder të Dionist, grekët deheshin përmes ritualeve dhe verës. Kjo dehje, më shumë shpirtërore se fizike, u shërbente të arrinin pastrimin (katarzisin). Pastrim që si qëllim kishte tejkalimin e realitetit, hapjen e dimensioneve tjera, ç’bllokimin e fantazisë, luftën ndaj njëdimensionales, përballjen me frikën, etj. Ky katarzis pastaj shndërrohej në frymëzim krijimi, madje edhe vetë procesi ishte një krijim në vete. Festat në Greqinë antike zgjasnin me orë drejt një qëllimi: Thënies PO ndaj jetës.

Për mua, të ashtuquajturat performanca të mia, nuk ishin kurrë të tilla. Ato ishin vetë Jeta dhe Vdekja; një përpjekje për të komunikuar, një ftesë drejtuar sa më shumë njerëzve për në botën intime të mendimit. Jim Morrison

Morrison nuk mjaftohej vetëm me krijim, ai dëshironte që atë ta jetonte, ta ndante me njerëz, të komunikonte, të krijonte dimensione të reja mendimi. Në fund, cila është përgjegjësia e individit karshi shoqërisë? A nuk është ajo që ta bëj një shoqëri më të lirë, më të pasur me vlera, dhe në thelb një shoqëri më humane. Natyrisht se Morrison edhe mund të fshihej, por ai kishte zgjedhur të jetonte sipas mënyrës së tij.

Biografi më i njohur që shkruajti për jetën e Morrison-it, Dany Sugerman, e përshkruan në mënyrë shumë shpirtërore atë që ndodhte në koncertet e ‘The Doors’, ku edhe vetë Sugerman kishte qenë pjesë e tyre:

Kur përfundonte muzika, vendin e pllakoste heshtja dhe paqja, krijohej një lidhje me jetën dhe rjedhimisht një konfirmim i ekzistencës. Duke na treguar Ferrin, the Doors, na dërgonin në Parajsë. Duke nxitur vdekjen ata na bënin të ndjeheshim të gjallë. Duke na përballur me tmerrin ne ishim të lirë të festonim së bashku me ata. Duke e pohuar mungesën e shpresës dhe angështinë, ata na udhëhiqnin drejt lirisë. Ose së paku, tentuan. 

Të kalosh një ‘katarzis’, do të thotë të zhveshesh nga të gjitha petkat që ti ka veshur shoqëria në mënyrë të pavetëdishme. Njeriu për ta arritur pikën e krijimit të vetes, duhet të zhvishet nga religjioni, kombësia, etnia, raca, biologjia, profesioni, pamja fizike, etj. Të gjitha këto krijojnë llogore që e bëjnë njeriun të paragjykojë, urrej, të ketë frikë, të mos e njoh veten si potencial. Si mund ta krijomë veten tonë nëse jemi të murosur me vlera të tilla artificiale? Për të krijuar veten nga vetja, duhet së pari të komunikojmë me brendinë tonë në gjendje të pastër, të kthjellët, duhet ta njohim trupin tonë ashtu siështë, të mos kemi turp nga trupi jot, të mos kemi turp nga ajo që jemi në natyrshmërinë tonë. Për ta njohur mundësinë tonë për të qenë, duhet fillimisht të pastrohemi, të shkundemi, dhe pastaj të vazhdojmë të jetojmë të sfiduar nga dhembja në shërbim të krijimit dhe dashurisë për jetën. Ky pastrim apo ‘katarzis’ është mohimi i Nietzsches ndaj vlerave apriori dhe të paracaktuara. Vlera më madhore e ekzistencës është liria për tu përballur dhe realizuar përgjegjësitë individuale ndaj vetes dhe shoqërisë. Kjo është vlera më e madhe që do të mund të njoh ndonjëherë njeriu në këtë trajtë siç ekziston tani. Ana tjetër e jetës nuk ekziston sepse aty je në pamundësi të njohjes dhe zgjedhjes. Dëshira për hiçin është pamundësia për ti thënë PO jetës.

Duke e kthyer dhembjen në krijim dhe vullnet për jetë, Nietzsche e sfidoi vdekjen. E sfidoi jo sepse vdekja mund të sfidohet, por e sfidoi në kuptimin që e vendosi Jetën përballë Jetës. Për ti thënë PO jetës, duhet ta përballësh atë me veten(jetën), me vetë ekzistencën, dhe në jetë ke humbje dhe fitim, dhimbje dhe gëzim, batica dhe zbatica, vullnet dhe mungesë vullneti, të bukur dhe të shëmtuar, depresion dhe lumturi,etj. Brenda jetës i ke të kundërtat. Brenda jetës mund të njohësh pafundësinë e dimensioneve.

Jean Paul Sartre, thotë se njeriu është qenie që jeton vazhdimisht në mungesë. Pjesë e kësaj mungese janë edhe ndjenja e izolimit, tjetërsimit, e një largimi nga bota dhe njerëzit, largimit nga vetja. Mungesa mund të manifestohet edhe si ankth, tmerr, frikë, apo si shkëputje nga realiteti. Të gjitha këto karakteristika psikologjike të individit së paku një herë në jetët tona e përshijnë secilin. Duke qenë kështu ato paraqesin një anë të natyrës njerëzore. Përpjeket e individit janë të vazhdueshme që tu shmanget këtyre ndjenjave, duke i konsideruar si jo normale, jo të natyrshme, madje edhe duke i moralizuar deri në etiketime të tilla si çmenduri apo lajthitje.

Kjo pikpamje për natyrën njerëzore është karakterisitke e të gjitha shoqërive, që historikisht në themele e kanë pasur moralizimin dhe normalizimin. Të jesh normal nuk do të thotë të mos kesh ankth, frikë. Të jesh normal nuk e përjashton të qenurit pa strehë dhe jashtë rregullave. Dhembja është konfirmim i ekzistencës, është pohim i jetës ashtu siç e kemi. Të gjitha këto na bejnë të jemi njerëz, por ajo që do të duhej të na dallonte nga kjo gjendje e natyrshme dhe kafshërore është përpjekja për ta shndërruar këtë gjendje në Jetë, Art, krijm, humanizëm. Kjo përpjeke sizifiane për të gjetur kuptim brenda kushteve njerëzore dhe me qëllim që ti tejkalojmë ato, në filozofinë e Nietzsches njihet si tejkalimi i njeriut-drejt Mbinjeriut. Ky i fundit nuk është një njeri që ka rënë nga malet apo nga ndonjë planet tjetër, nuk ka ndonjë nivel intelegjence më të lartë se njeriu i zakonshëm, nuk ka lindur në ndonjë familje të privilegjuar dhe as nuk ka qenë më i mençuri. Mbinjeriu është brenda njeriut, jeton si potencial, si mundësi tejkalimi, si metafizikë. Mbinjeriu e bën të mundur që njeriu i zakonshëm të thyej limitet e vendosura nga rrethanat objektive(familja, shoqëria, fisi, ideologjia, etj) në pohim të jetës si shkalla më e lartë e Vetëdijes njerëzore. Të kesh frikë është njerëzore, të përballesh me frikën është mbinjerëzore.

Jim Morrison në poezitë e tij i trajton të gjitha temat e përmendura më lartë: ankthi, frika, autoriteti, sistemi, kërkimi, etj. Si i tillë Morrison mund të konsiderohet një Dionis i kohës së tij, jehona e të cilit do të ndjehet deri sa njeriu të jetë njeri.

Rilindja e Dionisit

Jim Morrison ndërroi jetë në moshë të ‘re’ (27 vjeç). Shumë e kanë gjykuar dhe do vazhdojnë ta gjykojnë për jetën, por paradoksalisht edhe për vdekjen e tij. Të merresh me vdekjen e tij do të thotë se nuk ke kuptuar fare nga ‘artisti Morrison’. Ta gjykosh pse jetoi 27 dhe jo 127 vjet është ta fusësh në korniza.

A matet jetëgjatësia me kalendar apo me krijim?

Nga filozofi i tij i preferuar, Friedrich Nietzsche, Jim u frymëzua për ti thënë “Po Jetës”. Asnjëherë nuk kam menduar se Jim ishte në udhëtim drejt vdekjes siç supozojnë shumë njerëz, dhe ende e gjykojnë mënyrë se si zgjodhi të jetojë dhe vdes. Jim zgjodhi intezitetin dhe fuqinë në vend të gjatësisë, ashtu siç thoshte Nietzsche, “ai që nuk ligështohet”, i cili nuk thotë Jo, dhe i cili guxon të krijojë veten. Jimin e vrau etja për jetë dhe jo ndonjë dëshirë për të vdekur. Dany Sugerman

Jim Morrison në moshën 27 vjeç pasi kishte pasur një jetë intenzive, vendosi të largohej në Paris. Vetëm pas disa muajsh ndërroi jetë, dhe shumë mendojnë se qëllimi i tij ishte pikërisht ky. Shumë aludojnë edhe në vetëvrasje, fakt i cili nuk ka shumë rëndësi.

Një nga arsyet kryesore pse Jimi u zhvendos në Paris ishte për shkak se ai nuk mund të jetonte më me mitin të cilin ai vetë e ndihmoi të krijohej. Sepse Jim nuk donte të ishte perëndi. Jim Morrison deshi të ishte poet. – Dany Sugerman 

Për perënditë thuhej se ri-lindnin, kështu ndodhi edhe me Dionisin. Ashtu si Dionisi edhe Nietzsche do të ri-lind shumë herë tjera, aq herë sa individi do ta ndjej që prangat e autoritetit i janë rënduar dhe nuk e lënë të frymoj dhe shikoj diellin. Nietzsche rilindi si Morrison, ky i fundit do të ri-lind në ndonjë formë tjetër. Sa herë që njeriu e tejkalon veten, ai do të rilind sepse rilindja që ndodh benda jetës është rilindja e vetme. Të rilindësh do të thotë të rikrijohesh nga vetja jote, për tu rikrijuar deri në pafundësi.

Ndoshta doja vetëm të testoj kufinjtë e realitetit. Isha kurioz të di çfarë do ndodhte. Kaq ishte e tëra: Kuriozitet. – Jim Morrison

Shkruan: Ardian Batusha

*Në videon e poshtme mund të ndiqni një nga festat dionisiake të Morrisonit të përjetësuar në filmin e vitit 1991, ‘The Doors’.

Comments are closed.

Navigate