Kafka mbi leximin

“Leximi është veprimtari e një mendjeje të ndritshme, është kërkim, por në kushte ideale leximi përfundimisht prodhon një lloj ekstaze”, shkruan E.B. Wite, derisa parashikonte të ardhmen e leximit në vitin 1951. Në të vërtetë, pyetja se pse librat kanë rëndësi dhe çfarë të mire i sjellë leximi shpirtit njerëzor, ka qenë preokupim si për mendjet e mëdha e deri të ato më të panjohurat. Që nga meditimi mbresëlënës i Carl Saganit lidhur me pyetjen e një nëntë vjeçareje se pse kemi libra për çështje që tashmë veç kanë përgjigje.

Megjithatë artikulimi më i mirë i asaj se çfarë të mire i sjellin librat shpirtit njerëzor, vjen nga një mendje e pikturuar shpesh si e errët dhe depresive, por e aftë për ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj bukurisë së jetës. Ky është shkrimtari çek Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924).

Në një letër të muajit nëntor të vitit 1903, pjesë e përmbledhjes “Letra miqve, familjes dhe redaktorëve”, Kafka në moshën 20-vjecare i shkruan kështu mikut të tij të fëmijërisë, historianit të artit, Oskar Pollak:

“Disa libra janë sikur puna e atij çelësit që hap dhoma të panjohura në kështjellën e quajtur njeri”

Muaj më vonë, në janar të vitit 1904, Kafka shpalosi mendimin e tij mbi këtë çështje, në një letër tjetër drejtuar mikut të tij, Pollak:

Mendoj se duhet t’i lexojmë vetëm ata libra që na lëndojnë dhe na lënë vragë. Nëse libri që po lexojmë nuk na zgjon nga përgjumja, sikur me një të goditur në kokë, përse ta lexojmë atëherë? Siç shkruani edhe Ju, vetëm kështu do të jemi të lumtur? Zotëri i mirë, ne, në fakt, mund të ishim të lumtur nëse nuk do të kishim libra fare ose vetëm nëse ata libra do t’i kishim shkruar vet. Ne kemi nevojë për aso libra që na prekin siç na prek një tragjedi, siç është, ta zëmë, vdekja e dikujt që e kemi dashur më shumë sesa veten apo sikur të na dëbonin larg prej të gjithëve, diku në pyje. Një libër duhet të jetë i ngjashëm me një sëpatë në detin e ngrirë brenda nesh. Ky është mendimi im”.

Marrë nga: BrainPickings

Përktheu dhe përshtati: Agon Sinanaj

Comments are closed.

Navigate