Korrespodencë mes Schillerit dhe Goethes: Mbi njohjen e fenomeneve

Letrat e shkëmbyera mes dy miqsh të vërtetë; filozofëve Goethe dhe Schiller, vlerësohen si thesar në filozofinë dhe mendimin Gjerman. Madje mund të thuhet pa modesti, që janë aq të vlefshme dhe me rëndësi, saqë i tejkalojnë edhe kufijtë gjerman të një ndikimi pozitiv në zhvillimin filozofik, letrar dhe shkencor.

Pasi që janë qindra letra dhe në pa mundësi që ti përkthejmë të gjitha, do mundohemi kohë pas kohe ti përkthejmë disa nga to, që sadopak tu njoftojmë me këto thesare mendimesh.

Letrat janë mes viteve 1794-1805, kurse letrën që ju kemi sjell kësaj radhe është e 414-ta në radhë në volumin e dytë të librit “Correspondence between Goethe and Schiller”. Letra është shkruar nga Schiller drejtuar Goethes, dhe nga përmbajtja shihet që Schiller shpreh mendimin e tij mbi dy esetë e fundit të Goethes që i kishte shkruar asokohe. Sipas letrës duket që përmbajtja e eseve shpreh mendimin se si mund të bëhet konstatimi më i saktë i dijeve për njohjen e dukurive.

Në këtë letër shihet edhe një miqësi e vërtet ngase Schiller e shpreh entuziazmin e vet për punën e mikut të tij, ai gjithashtu kujdeset që Goethe, teoritë e tija t’i zhvilloj më tutje, me një studim më të thellë e jo ta lë me aq përsiatjen e tij mbi njohjen e fenomeneve. Për Schillerin suksesi i mikut të tij është gjithashtu një gëzim i madh edhe për të.

Për më shumë mbi miqësinë dhe filozofinë e tyre mbi botën, më shumë për këtë të fundit, ju flet vet letra.

Korrespodencë mes Schillerit dhe Goethes.

414

Jena, 19 Janar 1798.

Do të jetë interesante dhe e vlefshme që të gjitha idetë të cilat i keni paraqitur në esenë parafundit, dhe që i keni përsëritur në esenë tuaj të fundit, t’i pajtonit në Kategori. Mendimi juaj do të bëhet mjaft i pranueshëm dhe në të njëjtën kohë do të ju jap një besim të ri në përdorimin e rregullave filozofike në lidhje me situatat empirike. Unë këtu do të ndalem vetëm në disa mënyra të aplikimit të tyre, dhe në të njëjtën kohë do të bëjë një lidhje me esenë tuaj të fundit.

Ideja e përvojës nën tri lloje të ndryshme të fenomeneve është tërësisht shterues nëse i provoni ato sipas Kategorive.

a.

Empiricizmi i zakonshëm si i tillë nuk shkon përtej fenomenit empirik, gjithmonë ka (sipas sasisë) veçse një rast apo vetëm një element të përvojës, kështu del që nuk ka përvojë ngase sipas cilësisë, ai gjithmonë pohon një ekzistencë të caktuar pa e dalluar atë, pa e përjashtuar atë, pa e kundërshtuar atë, me një fjalë pa bërë krahasime. Sepse sipas raportit, rrezikon të konceptojë atë që është e rastësishme si substanciale; sipas modalitetit mbetet i mbyllur thjesht për një realitet të caktuar, pa e dyshuar se çka është e mundshme, ose madje duke e udhëhequr njohurinë e tij deri në varfërim. Sipas idesë time, empirizmi i zakonshëm nuk është kurrë i ekspozuar ndaj gabimit, sepse gabimi i parë lind atëherë kur bëhet baza e një shkence. Ajo që vrojtohet, vërehet si evërtetë, kështu që nuk e ndjen dëshirën për të bërë ligj të atij perceptimi të objektit, pasi që perceptimet e tij gjithmonë mund të jenë të izoluara dhe pa aksidente, e pa asnjë rrezik.

b.

Vetëm me anë të racionalizmit shfaqet fenomeni filozofik dhe gabimi; sepse mu në këtë fushë, aftësitë e të menduarit e fillojnë lojën, dhe arbitrariteti hyn nga liria që u jepet këtyre kapaciteteve e që janë kaq të prirur për të zëvendësuar objektin me veten e tyre.

Sipas sasisë, racionalizmi gjithmonë përfshin disa raste, dhe përderisa qëndron të jetë modest duke mos përfaqësuar pluralizmin si tërësi – domethënë të bëjë ligje objektive – mbetet i padëmshëm, madje i dobishëm, sepse është rruga për të vërtetën, e cila mund të gjendet vetëm kur kuptohet se si të çlirohemi nga raste të veçanta. Megjithatë kur keqpërdoret, racionalizmi bëhet dëmtues për filozofinë, për shkak se, siç e deklaroni shumë qartë në esenë tuaj, ai dëshiron pafund t’i mbajë të bashkuara fuqitë e mëdha të mendjes njerëzore me koston e një lirie të caktuar qeverisëse të fakteve; me pak fjalë, ngaqë e konsideron pluralizmin thjeshtë si një unitet dhe kështu trajton atë që nuk është tërësi, si të ishte tërësi.

Sipas kualitetit, racionalizmi duhet t’i krahasojë kontrastet e theksuar të fenomenit me njëri-tjetrin, e t’i dalloj dhe t’i krahasoj, i cili (si racionalizëm i përgjithshëm) është edhe i lavdërueshëm dhe i mirë, dhe e vetmja mënyrë për filozofinë. Por despotizmi i fuqisë të të menduarit të përmendur më lart, e shfaq veten edhe këtu menjëherë me njëanësi, me rreptësinë e dallimit, ashtu si më parë me anë të arbitraritetit të kombinimit. Ai rrezikon të ndan në mënyrë strikte atë që është në lidhje të ngushtë me natyrën, si në rastin e mësipërm ai bashkohet me atë që është jashtë natyrës. Ai bën ndarjet atje ku asgjë nuk ekziston.

Sipas lidhjes, është përpjekja e përjetshme e racionalizmit për të hetuar kauzalitetin e fenomeneve dhe për të bashkuar çdo gjë si shkak dhe pasojë: përsëri është shumë i lavdërueshëm dhe i domosdoshëm për filozofinë, por gjithashtu jashtëzakonisht i dëmshëm për shkak të njëanshmërisë. I referohem këtu pikërisht esesë tuaj, e cila kryesisht censuron këtë abuzim i cili shkakton lidhjen shkakore të fenomeneve. Racionalizmi këtu duket qartë se është  gabim, kryesisht nga fakti se, në mënyrë joadekuate, e merr parasysh vetëm gjatësinë dhe jo gjerësinë e natyrës.

Sipas modalitetit, racionalizmi heq dorë nga realiteti pa arritur në domosdoshmërinë. Mundësia është fusha e saj e madhe e veprimit, prandaj janë hipotezat e saj të pafund. Edhe ky funksion i arsyetimit është, siç mendoj unë, i domosdoshëm dhe conditio sine qua non i të gjithë filozofisë, sepse, sipas mendimit tim, vetëm nëpërmjet asaj është e mundur që të gjendet një kuptim nga e Realiteti në të Domosdoshmen. Për këtë arsye unë mbështes, aq sa unë mundem, lirinë dhe justifikimin e fuqive teorike në fushën e fizikës.

c.

Fenomeni i pastër i cili, ashtu siç mendoj unë, është ai me ligjin objektiv të natyrës që mund të merret vetëm me anë të empirizmit racional. Por, e përsëris edhe një herë, empirizmi racional në vetvete nuk mund të fillojë drejtpërdrejt me empirizmin; përkundrazi, racionalizmi në të gjitha rastet do të qëndroj në mes tyre. Kategoria e tretë rrjedh gjithmonë nga bashkimi i së parës me të dytën, dhe shohim se është mënyra e vetme e një aktiviteti të plotë të aftësive të mendimit të lirë, që së bashku me aktivitetin më të pastër dhe më të gjerë të fuqive sensitive të perceptimit, do na dërgojnë në njohurit shkencore. Si rrjedhim, empirizmi racional do të ndikojë në të dyja këto gjëra: do të përjashtojë arbitraritetin duke kërkuar për gjerësi të botëkuptimit, ku kjo e fundit ndikon në mendimin më të qartë të njeriut mbi objektin, ose ulë shanset e verbërisë që mund të kemi mbi njohjen e objektit, gjithashtu heq individualitetin e kufizuar të një fenomeni të vetëm, i cili e drejton një fuqi të mendimit. Me një fjalë, ajo do t’ia japë të drejtën e saj të plotë objektit duke e marrë prej tij fuqinë e saj të verbër dhe të sigurojë lirinë e plotë (racionale) për mendjen njerëzore duke ja hequr të gjithë arbitraritetin.

Sipas sasisë, fenomeni i pastër duhet të kuptojë tërësinë e rasteve, sepse është elementi i qëndrueshmërisë në secilën prej tyre. Për këtë arsye përsëri e rikthen unitetin në pluralitet, dhe atë në mënyrë të përkryer në përputhje me kuptimin e Kategorisë.

Sipas cilësisë, empiricizmi racional gjithmonë përcakton një kufi, siç mund të mësohet nga shembulli i të gjitha vëzhgimeve të vërteta në natyrë, të cilat mbajnë distancë në mënyrë të njëjtë nga të gjitha afirmimet dhe mohimet absolute.

Sipas lidhjes, empirizmi racional i kushton vëmendje të dyjave, shkakësisë dhe pavarësisë së fenomeneve; ai e sheh të gjithë natyrën në një gjendje reciproke të veprimtarisë, gjithçka përcaktohet në mënyrë alternative dhe kështu merr kujdes të mirë për të mos lejuar shkakësinë të pohojë vetëm sipas një gjatësie të vogël e të mangët, por të merret parasysh në të gjitha rastet edhe gjerësia.

Sipas modalitetit, empirizmi racional gjithmonë depërton në domosdoshmëri.

Empiricizmi racional, në përputhje me idenë e tij, asnjëherë në të vërtetë nuk është i ekspozuar drejt abuzimit ashtu si dy llojet paraprijëse të njohjes; por gjithsesi duhet të ruhet nga një empirizëm i rremë dhe me dukje si empirizëm racional. Sepse në të njëjtën mënyrë si një kufizim i mençur që përbën shpirtin e vërtetë të kësaj specie të empirizmit racional, ashtu dhe një kufizim frikacak dhe i ndrojtur mund të prodhojë një tjetër. Fryti i të parit është fenomen i pastër, ndërsa fryt i këtij të fundit është fenomen bosh dhe i rremë. Unë kam vërejtur disa herë atë ndrojtje të mendjeve të dobëta – për shkak të një lidhjeje shumë të madhe për objektet dhe shumëllojshmërinë e tyre, gjithashtu dhe nga frika shumë e madhe e fuqisë së mendjes – në fund, kufizohen dhe, e lënë ashtu siç ishte, zbrazin pohimet dhe deklarimet e tyre se rezultati është zero.

Ka akoma shumë për t’u diskutuar në lidhje me këtë temë dhe mbi tezat tua, unë pres që në ardhmen në mënyrë të hollësishme t’i futemi kësaj çështje përmes bisedës, se vetëm përmes bashkëbisedimit arrihet ndihmë reale në kapjen dhe kuptimin e shpejtë të idesë së tjetrit. Në monologun e një letre, unë jam gjithmonë në rrezik të marr vetëm anën time. Unë më shumë dëshiroj t’ju dëgjoj juve vetë të flisni mbi atë që ju e quani aplikim direkt të situatave në parime.

Puna ime poetike ka qëndruar në vend gjatë tri ditëve të fundit, pavarësisht që unë kam qenë në humor të mirë për të krijuar. Një sëmundje e fytit, e cila po na shkon rend në shtëpinë tonë, më ka sulmuar më në fund edhe mua. Isha me shumë ethe tërë ditën e djeshme dhe ky shqetësim më ka ndodhur pikërisht atëherë kur isha me një frymëzim të madh për të krijuar diçka nga puna ime. Megjithatë, sot, koka ime është shumë më mirë, dhe shpresoj që brenda pak ditësh ta kem hequr qafe vizitorin tim të mundimshëm.

Ju përgëzoj për Xenionin[1] tuaj të ri. Natyrisht, do ta vendosim atë ad acta.

Gafat e mëdha të botimit të Herr Posselt para publikimit nuk po i bëjnë dëmtim të madh botuesit të tij.

Njerëzit vazhdimisht po pyesin nëse do të luhet opera e Gëtes, The Isle Enchanted[2] që është performuar në Weimar.

Ndërsa Herr Hirt i ka përgatitur disa njerëz për esenë tuaj në Laokoon, andaj a nuk ndiheni të gatshëm për ta lënë të dal në Horen?

Lamtumirë! Gruaja ime të bënë të fala!

 

Përktheu: Arian Musa

—————————————————————

[1] Ndoshta rreth një Xenion-i që është folur në letrën e mëparshme të Gëtes.

[2] Gëte i shkroi A. W. Schlegel-it më 28 shkurt: “Tani ne jemi duke pritur për kompozimin e Zauberinsel -it(muzika e Zumsteg-ut); mendohet se do të jepet pas Pashkëve”.

Comments are closed.

Navigate