Jeta është e larmishme por gjithashtu edhe e shkurtër. Janë këto dy elemente që kur përplasen brenda nesh, ngërthejnë në vete dhembjen. Parë përgjithësisht, dhembja është si Janus-i, me dy fytyra, ngase nga dhembja burojnë dy gjendje: ajo në mohim të jetës, dhe tjetra në pohim të saj. Nietzsche, është një nga ata mendimtarë që dënon të parën dhe lartëson të dytën. Përmes veprës “Kështu foli Zarathustra”, Nietzsche na përgatit në mënyrë artistike dhe psikologjike, për të kapur stadin e njeriut që krijon dhe e dëshiron jetën. Apo siç e quan ai: “Mbinjeriu”.
Madhështia e këtij libri artistik nën emrin metaforik Zarathustra, na fton të çlirohemi nga të gjitha predikimet që na jepen gjatë jetës si të mirëqena. Këto predikime në të vërtetë bartin mohimin e jetës dhe rjedhimisht edhe mohimin vetvetes. Pra shprehur në mënyrë artistike, mësimi që na jepet nga Zarathustra është çelësi se si ta përgatisim shpirtin tonë për të qenë “Mbinjeri”.
Shprehimisht, Zarathustra na thotë se për të shëruar shpirtin tonë meskin duhet ta metamorfozojmë tri herë, ashtu që: shpirti të bëhet deve, deveja luan dhe luani të bëhet fëmijë.
Të jesh shpirt sipërfaqësor, është dëmi më i madh ndaj vetvetes, duke i lënë gjërat të ndodhin tek ti dhe rreth teje, pa prezencën e vendimit tënd, edhepse ndonjëherë të duket se veprimet që bën, vijnë sipas teje. Gjatë gjithë jetës, njeriu përballet me autoritete të ndryshme që i imponojnë vendime dhe forma të ndryshme të mendimit, saqë kalimi i tyre në shprehi i bën të duken si të natyrshme, dhe fitojmë bindjen se po na flet vullneti jonë i lirë. Kjo shprehi veprimi, që na diktohet nga autoritetet, dhe që na vie si mirëqenia e vullnetit tonë, është vetë ndërgjegjia; shumë herë konflikti jonë i brendshëm me të, na jep bindjen se jemi duke i folur vetes. Por e vërteta e gjithë kësaj është se ne përballemi me shprehinë e veprimeve tona. Ato janë ngulitur në ne nga një mori autoritetesh, qoftë edhe nga predikimet hyjnore, e që dobësia e shpirtit tonë i merr si të mirëqena.
Këtu Nietzsche e paraqet ndërgjegjen si produkt të moralit, ku morali nuk është gjë tjetër veçse i krijuar nga shprehia dhe zakoni. Sa më i vjetër të jetë zakoni aq më bindëse është ndërgjegja në zgjedhjen e rrugës së duhur. Shpirtërat meskin në mbrojtjen fanatike të ligjit moral, asnjëherë nuk i kanë kuptuar shpirtërat e lirë, dhe këtë e thotë shumë bukur Nietzsche, në veprën “Agu i mëngjesit”:
“Të gjithë ata që kanë thyer ligjin moral të vendosur, gjithnjë janë konsideruar në fillim si njerëz të këqij, por kur ky ligj nuk arrihej të rivendosej dhe kur njerëzit përshtateshin me ndryshimin, cilësimi shndërrohej pak nga pak – historia i trajton pothuaj në mënyrë të veçantë këta njerëz të këqij që, më vonë, u quajtën të mirë!”
Një shpirt i fortë dhe i durueshëm, që nuk e përzien vullnetin me imponimin e fshehur në ndërgjegje, ka në vetëvete dashuri dhe nderim për gjallërimin e jetës, që vjen gjithmonë si novacion. Prandaj duhet përgatitur gjithmonë për më të vështirën e të vështirave, në përballjen me ndërgjegjen, apo forma si na shprehet ajo si: “ti duhet”. Por ne duhet ti japim atë që kërkon shpirti, kur pyet dhe gjunjëzohet si deveja dhe dëshiron ngarkesa të rënda. Ngarkesat që ja vendosim shpirtit duhet të jenë të tilla që të shtyjnë, “Të shkëlqejë budallallëku yt, për të tallur mençurinë tënde”. Kështu, duhet ti drejtohesh shkretëtirës tënde duke u ngarkuar me poshtërime që të bëjnë të vuaj krenaria jote. Vetëm pasi të ndodhesh në shkretëtirë i vetmuar, do të ndodh transformimi i dytë:
shpirti tani bëhet si një luan që është pronar i shkretëtirës dhe e mbisundon lirinë.
E këtu do ta kërkojë padronin e tij të fundit dhe do ta luftojë atë; do të bëhet armiku i zotit të tij të fundit që i kishte vendosur rrjetat e tij si të një merimange. Zarathustra këtë zot, në mënyrë figurative e quan dragoi i madh. E ky dragua është ajo që na flet brenda nesh, duke na thënë, “ti duhet”, dhe që shpirti me forcën e një luani, nuk lejon kurrfarë iluzioni mashtrues duke e sqaruar nga ajo, “unë dua”. Të luftosh dragoin e madh nuk është e lehtë, ngase aq fortë di shprehia ti vulos gjërat në ne, sa që vërtet bëhet e mundimshme përballja me të. Zarathustra jo rastësisht e “thërret” luanin këtu, ngase përballja me gjithë ato dogma moralizuese, kërkon një forcë shpirtërore të paluhatshme dhe të fortë që nuk është e prirur për asnjë kompromis dhe të jetë i mirë me briskun që do të ndaj kufirin e paqartësuar mes ndërgjegjes dhe vullnetit.
Dhe, siç thotë Nietzsche: “Formula e lumturisë sime: një Po e vetme, një Jo e vetme, një vijë e drejtë, një qëllim…”. Të gjitha këto vlera mijëvjeçarëshe, paraqesin dragoin, i cili na thotë se duhet të më dëgjosh, se unë jam -ti, dhe këtë asnjëherë nuk duhet dyshuar. “Në fakt, nuk duhet të ekzistojë më asnjë, “unë dua”. Por ja që për këtë është luani, që ti jap dragoit një “Jo” të shenjtë përpara detyrës që i është dhënë. Vetëm një zemër luani mund ti thotë “jo” detyrës “hyjnore”, që na është ngulitur në shpirtin e durueshëm dhe të ndrojtur me një, “ti duhet”.
Pasi luani e dallon tashmë iluzionin dhe arbitraritetin në gjënë më të shenjtë, ai rrëmben lirinë me çmimin e dashurisë së tij. Tani vjen metamorfoza e fundit, dhe e bën atë që nuk mundet ta bëjë as luani, por që e arrin fëmija. Tani nga një rifillim, ne duhet të bëhemi si fëmiu. Si sinonim i pafajësisë dhe harresës, për të lëvizur nga mohimi i vendosur, në një “Po” të pastër, që na vie vetëm nga, “unë dua”. Për lojën e krijimit, Zarathustra gjithmonë na cyt drejt një, “Po” të shenjtë, që na vie vetëm nga vullneti dhe pa ndërmjetësimin e asnjë autoriteti dhe që na urdhëron se si të veprojmë. Kështu Zarathustra na kujton se shpirti e do vullnetin, dhe kushdo që ka humbur për botën e tij, do ta fitoj atë.
Dhe tani, a nuk ju duket e pa denjë ajo që i’a bëjnë vetes këta shpirtrat meskin? Duke e sëmurë shpirtin e tyre për vdekje; këta tejtokësorë që përçmonin trupin dhe tokën, dhe që kishin shpikur qiellin. Të gjitha shpikjet nga trupi dhe toka i kanë marrë! Por prapë me përçmim i shikonin, dëshironin të arratiseshin nga mjerimi i tyre, dhe të shkonin tek yjet që ishin shumë të largëta për ta. Kështu, ata “shpikën për vete rrugë të shtrembëra dhe pije gjaku”. Zarathustra është i ëmbël dhe i butë me të sëmurët, ai pret që ata të shërohen ngadalë. Pa u inatosur me ta, ai ju dëshiron shërim të lehtë me një trup më të mirë.
Shkruajti: Arian Musa
Comments are closed.