Mbi nevojën e spekulimit metafizik

Mbi nevojën e spekulimit metafizik

Shkruan: Sead Zimeri


Spekulimi është kusht i domosdoshëm jo vetëm i filozofisë por edhe i fesë dhe madje i shkencës. Shkenca ka metodat e saja, por as shkenca nuk mund të ekzistojë pa një dozë spekulimi, pa aftësi imagjinative dhe pa mbështetje në intuitë. Shkenca  fillon me vizion dhe spekulime dhe përfundon me vëzhgime dhe demonstrime të fakteve që zbulon duke u mbështetur ndërkohë në induksion dhe deuksion për t’i bërë gjeneralizimet e domosdoshme. Shkenca dallon nga filozofia spekulative dhe feja pikërisht në faktin që spekulimet shkencore nuk marrin vulën shkencore pa kaluar testet shkencore. Siç dihet, Ajnshtajni do ta formulojë teorinë e tij të relativitetit jo duke bërë eksperimente por duke reflektuar mbi kontradiktat e dukshme mes ekuacioneve të Maxwell-it dhe mekanizmit të Njutonit. Për dallim nga shkenca, filozofia shtron pyetje spekulative që në parim shkenca mund t’i konfirmojë apo përgënjeshtrojë, por edhe të tilla që ajo i konsideron pseudo-probleme, pyetje që janë më afër spekulimeve teologjike se atyre shkencore. Spekulimet filozofike për çështje metafizike janë të nëndeterminuara pasi që filozofia nuk pretendon kurrë të japë përgjigje përfundimtare për çështje spekulative (filozofia që bën këtë është filozofi e keqe), për çështje pra që arsyeja pa ndihmën e shqisave nuk mund të japë gjykim përfundimtar pa u futur në antinomi të arsyes. Spekulimet fetare ndërkohë trajtohen sikur të vërteta dhe njohuri të arritura përmes një kanali që e lidh njeriun me Zotin i cili pastaj i jep atij njohuri për çështje metafizike. Feja kështu e mbulon natyrën spekulative të pohimeve metafizike të saja me pohime dogmatike. Ajo determinon spekulimet jo në njohuri që mund të dëshmohen dhe verifikohen por në dogma që duhet të pranohen në besim. Nga këto të tri qasjet vetëm filozofia mbetet e hapur ndaj qenies, ndaj infinitit, ndaj mundësive që bota mund të jetë krejt ndryshe nga njohuritë shkencore apo dogmat fetare. Në këtë kuptim filozofia është tërësisht praktikisht e padobishme sepse ajo as nuk përfundon në njohuri të sakta dhe as në dogma dhe toteme rreth të cilave bashkohen besimtarët dhe në to gjëjnë kuptim. Shkenca përfundon në njohuri solide për botën, feja në dogmë që në mënyrë arbitrare i ndal spekulimet, kurse filozofia vazhdon ta mbajë hapur nevojën dhe domosdoshmërinë për spekulime metafizike. 

Spekulimet filozofike, shkencore dhe teologjike janë të domosdoshme sepse ato pikërisht janë përherë të gatshme të shtrojnë pyetje ‘absurde’, pyetje që disa herë kanë rezultuar në njohuri solide për botën e disa herë në fantazi; pakënaqësia e tyre ka stimuluar shkencat të kërkojnë shpjegime më adekuate të teorive të tyre, e disa herë madje i ka detyruar shkenctarët të ndryshojnë teoritë e tyre në mënyrë që të inkuadrojnë kritikat e filozofëve dhe teologëve. Pa dyshim, këto janë ngjarje të rralla, dhe të gjitha përkojnë me probleme metafizike në univers. Por pa marrë parasysh se sa të rralla janë këto interakcione, ato gjithsesi të japin të kuptosh se shtrimi i këtyre pyetjeve ‘absurde’ dhe inkoherente nuk është përherë i kotë. “Në të vërtetë’ shkruan Jim Holt në librin e tij Pse ekziston bota: një tregim ekzistencial detektiv, “zgjidhja e misterit të ekzistencës mund të bëhet vetëm duke e menduar atë nga çdo kënd që kemi në dispozicion. Për ata që e konsiderojnë pyetjen -pse ekziston diçka e jo asgjë? – tërësisht të pakapshme ose krejtësisht inkoherente, mund të theksohet se përparimi intelektual shpesh konsiston në përpunimin e pyetjeve pikërisht të tilla, në mënyra të paparashikueshme për ata që së pari i shtruan këto pyetje.”

Mendoj se është ky aspekt që e bënë filozofinë të vlefshme dhe interesante: është ky aspekt i pastër imagjinativ që e lidh filozofinë me fenë, me themeluesit e mëdhenjë të feve, me profetët që po ashtu menduan në mënyrë spekulative rreth qenies dhe Zotit, rreth krijimit dhe shkatërrimit të botës. Kjo imagjinatë profetike dhe filozofike detyrimisht që do të ketë qenë e lidhur ngushtë me njohuritë e kohës së tyre, sidomos njohuritë kozmogonike, por spekulimet e tyre, me gjithë kufizimet kohore, shërbejnë si pika orientuese në një botë pa shenja të qarta të komunikimit. Spekulimet profetike kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë filozofë dhe teologë si dhe të gjithë kurreshtarët që shtrojnë pyetje që nuk mund të përgjigjen me shkencë. Momenti fillestar është një momet i tillë.

Është ky aspekt i spekulimit mbi të padukshmen, të panjohurën që ka nxitur mendjet më të mëdhaja të njerëzimit të provojnë ta kuptojnë origjinën e universit (si u krijua? çka ekzistonte para se të krijohet, çka shpërtheu në Big Bang, etj). Këto çështje dhe këto pyetje nuk mund të gjejnë përgjigje të kënaqshme sepse në botën e spekulimit asgjë nuk është e sigurtë. Ose, për ta thënë me një mënyrë më tjetër: në botën e spekulimit, ajo që është e sigurtë është vetëm ajo që nxirret si inferencë e ndonjë postulati spekulativ, dhe siguria epistemike matet vetëm në marëdhënie të postulatit me inferencën, jo në marëdhënie të vërtetësisë apo pavërtetësisë së vetë postulatit. Në këtë botë përtej fizikës, sa fascinuese po aq edhe intriguese, ndihma që njohuritë tona shkencore mbi universin ofrojnë mbetet jo-adekuate dhe e pamajftueshme. Kjo bota tjetër, është botë e varur dhe e kushtëzuar nga imagjinata jonë.

Nga perspektiva e vështrimit spekulativ, argumentet për ekzistimin e Zotit janë përpjekje të mëdha të njeriut për t’iu përgjigjur disa pyetjeve që nuk gjejnë përgjigje adekuate në shkencat empirike. Përgjigjet më të suksesshme, ato që kishin kapluar më shumë imagjinata, ato që kishin depërtuar më thellë se të tjerat në misteret e krijimit të botës, ato që pa marrë parasysh se sa herë kritikohen dhe rrëzohen prap ngriten dhe vazhdojnë jetën e tyre, këto përgjigje që marrin formën e argumenteve për ekzistimin e Zotit do të ruhen në kujtesën tonë kolektive, në traditat filozofike dhe teologjike, dhe do të shërbejnë si shënjues në një botë ku sigurimi epistemik është i pamundur. Këto argumente janë testament i etjes së njëriut për të depërtuar përtej botës që e njeh si botë fizike, përtej botës që mund të shpjegohet me shkencë. Dëshira për të tejkaluar, apo për të shtruar pyetje që shkenca në disa raste i konsideron të pakuptimta, nuk anulon shkencën dhe përpjekjet e saja për të kuptuar botën, ato as që ja zënë rrugën shkencës. Është botë tjetër kjo. Spekulime më interesante janë ato që thellohen në pyetje metafizike, pyetje të tilla si marrëdhënia e asgjësisë (hiçit) me qenien, mënyrën e kalimit prej asgjësisë së plotë në qenie dhe modaliteti i kësaj asgjësie, apo nëse ekzistonte diçka para Big Bang, etj. Të gjitha këto pyetje janë spekulative dhe metafizike, dhe profetët, në këtë kuptim, janë spekuluesit më të mëdhenj që ka parë bota ndonjëherë, kurse librat e shenjtë janë përmbledhje apo përshkrime të udhëtimeve imagjinative profetike në botën metafizike. Dhe kjo botë e panjohur, al gajb, është e panjohur sepse nuk mund të dihet asgjë me saktësi për të: ajo mund të mendohet, por nuk mund të njihet. Megjithatë, edhe pse nuk mund të dihet asgjë me saktësi për të, imagjinata profetike dhe imagjinata filozofike kanë bërë përpjekje për të depërtuar në të, duke i shtruar pyetje por edhe duke e kontempluar në heshtje. Nuk është e çuditshme që përgjigjet e tyre janë inkonsistente dhe përmbajnë kontradikta (vetëm Hegeli do të bëjë përpjekje serioze dhe sistemike për t’i inkuadruar kontradiktat në sistem rigoroz të filozofisë spekulative). Po ashtu edhe me librat e mëdha teologjike: ato janë të stërmbushura me kontradikta, dhe logjika e rëndomtë ka bërë përpjekje, por të pasuksesshme, që ose t’i arsyetoje disi (apologjetika) ose t’i denoncojë si mendime foshnjërie dhe irracionale (shkenca dhe mendimi positivist). Por është logjika e rëndomtë ajo që është e verbër këtu: nuk mund të matet imagjinata spekulative e këtillë me ligje logjike kohore. 

Historia e mendimit spekulativ, ku përfshihet edhe mendimin profetik, pra ka ruajtur thesaret e këtyre mendimeve në tradita të mëdha teologjike dhe filozofike, që më pastaj, sidomos në traditën teologjike bashkëkohore islame, janë ngurtësuar dhe kanë humbur elasticitetin dhe plasticitetin me të cilin janë të njohur themelusit e religjioneve, filozofive dhe drejtimeve teologjike. Filozofia duket të jetë më e hapur ndaj kësaj forme të spekulimit kurse teologjia, sidomos teologjitë bashkëkohore dogmatike kanë reduktuar këto spekulime në probleme dogmatike. Teologjia dogmatike është ngritur, të mbushet mendja, për të shkatërruar, jo për të ruajtur, hapjen e pakushtëzuar ndaj infinitit. Një hapje e këtillë, siç e kishte kuptuar Hegeli nuk mund të bëhet duke qëndruar brenda logjikës së rëndomtë, por ajo kërkonte një logjikë spekulative të cilën ai do të bëjë përpjekje ta krijojë.

Teologjia dogmatike e mbytë imagjinatën profetike, sepse ajo mundohet ta trajtojë çështjen e kësaj imagjinate si një aspekt të realitet brenda-kohorë, të botës në të cilën vepron shkenca. Por në këtë mënyrë ajo vetëm sa e lëndon veten, bëhet qesharake, sepse pikë së pari ajo u jep përgjigje të rëndomta pyetjeve jo të rëndomta, mundohet t’i futë në kornizë të njohurive fizike ato përgjigje që nuk zënë vënd aty. Prandaj edhe kjo teologji është bërë pengesë për shtrimin e pyetjeve që do të hapnin horizontin e imagjinatës spekulative dhe kreative profetike. Leximet teologjike bashkëkohore të librave të shenjtë janë aq reduktuese saqë ua kanë humbur vitalitetin me të cilin karakterizohen, dhe sot kur lexohen, ato jo vetëm që lexohen jashtë kontekstit spekulativ, por lexohen edhe jashtë kontekstit historik, epistemik, dhe politik të asaj kohe; nxirren verset nga konteksti i tyre në strukturën e tekstit, dhe përdoren në kontekste tjera arbitrare për të përforcuar apo mbështetur pozita, ide apo ideologji që madje hapur luftojnë karakterin spekulativ të tyre. Sot kemi lexime që pretendojnë se janë shkencore, që gjejnë në zbulimet sub-atomike dhe të tjera të ngjajshme prova dhe dëshmi për statusin hyjnorë të librave të ‘shenjtë’, por që njëkohësisht, po këto lexime, i kanë reduktuar ato në ligje dhe rregulla përditshmërie. Kjo ndarje e unitetit të vizionit, ky copëtim i tij në mijëra pjesë, e ka bërë të pamundur për t‘i parë dhe lexuar veprat e tilla si tërësi, si një përpjekje për të depërtuar në botën ku vetëm spekulimet janë të arsyeshme. Aq largë ka shkuar cenzura teologjike kundër karakterit spekulativ të mendimit profetik saqë disa teologë kërkojnë që teologjia të mos mendojë për çështje të gajbit, të largohet plotësisht nga çështjet spekulative. Këta njerëz, në emër të ruajtjes së traditës profetike, shuajnë dritën e traditës profetike. Aq shumë është copëtuar uniteti i Librit të shenjtë saqë sot është ndarë pothuajse tërësisht nga tradita spekulative. Ky libër që ishte një përpjekje origjinale për t’u marrë me pyetjet pereniale të metafizikës është reduktuar në manual.

Comments are closed.

Navigate