Mbi sëmundjen e shoqërisë moderne

Krahas temave tjera me rëndesi në shkencat sociale e veçmas në Filozofi, që nga Antikiteti Grek e deri në kohën tonë, ‘njeriu‘ paraqet ndoshta problemin kryesor. Pikpamjet mbizotruese në pyetjet: Çfarë është njeriu? A ekziston natyra njerëzore dhe nëse po çfarë është ajo, dhe shumë pyetje tjera, kryesisht kanë pasë përgjigje religjioze, për shkak të rëndësisë që e ka poseduar religjioni historikisht në organizimin e jetës sociale dhe në formimin e botëkuptimeve në përgjithësi.

Me ardhjen e epokës moderne, kemi diferencimin e sferave sociale, apo një lloj “Ortodoksie shkencore” në kuptimin që shkenca fillon dhe degëzohet me qëllim që të thellohet në njohje. Kjo ndarje e vazhdueshme ka mundësuar që të ketë shumë opinione lidhur me një çështje, nganjëherë diametralisht të kundërta nganjëherë me dallime vetëm në nuanca. Për shembull për prostitucionin, ndryshe mund të jetë mendimi i një sociologu dhe ndryshe i një juristi apo ekonomisti. Secili ka të drejtë dhe e thotë të vërtetën brenda fushës së tij, në këtë rast prostitucioni goditet nga të gjitha anët në mënyrë që të jetë një pasqyrë sa më e plotë e njohjes. Por, cili është raporti i diferencimit të sferave sociale me njeriu?

Ky raport është shumë i rëndësishëm sepse vetëm kur të njihet ky raport, njeriu mund të njihet nga të gjitha anët e tij. Kështu, për një sociolog ai është një qenie politike (Aristoteli), në kuptimin që bën pjesë në shoqëri dhe hyn në raporte të shumëfishta me të tjerët. Për nga ana fiziologjike ai është kafshë, në kuptimin e përmbushjes së kërkesave instiktive si uria, etja, tundimet seksuale, të cilat i gjejmë edhe tek bota shtazore, etj. Për nje psikolog, njeriu është një produkt i forcave të jashtme, veçmas i raporteve në grupe të ngushta. Për një ekonomist, ai është qenie ekonomike, ku e gjithë jeta e tij përcillet me veprimtari ekonomike. Pra, varësisht nga qasjet e shkencave, të cilat kanë mënyra të ndryshme funksionimi, kemi edhe definicionin mbi esencën dhe ekzistencën e njeriut.

Erich Fromm thotë se njeriu për nga natyra njerëzore synon lirinë, harmoninë, lumturinë dhe shprehjen e drejtpërdrejtë të ndjenjave. Por sipas tij ajo që e pamundëson shprehjen e kësaj natyre njerëzore janë kushtet ekzistenciale të njeriut, më konkretisht sistemet ekonomiko-politike. Kesisoj Fromm analizon korrelacionin mes strukturës së karakterit të njeriut dhe natyrës së funksionimit të sistemit kapitalist. Fromm njejtë si Marcuse, thotë se me ardhjen e sistemit kapitalist marrdhëniet ndërmjet njerëzve kalojnë në marrdhënie manipulimi, deformimi dhe korruptimi. Thëne ndryshe, thënia e Thomas Hobbes: “Njeriu për njeriun është ujk” apo “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, legjitimohet në sistemin kapitalist.

Në aspektin e botëkuptimeve sociale, me ardhjen e epokës postmoderne kemi edhe relativizimin e moralit, ku e mira dhe e keqja nuk janë kategori fikse dhe Universale por kalojnë në karakter dinamik e kontekstual. Ato nuk ekzistojnë apriori por janë konstrukte sociale, ato nuk janë kolektiviste por janë individuale. Në një situatë të tillë, ku marrëdheniet me të tjerët tjetersohen dhe ashpërsohen si shkak i sistemit ekonomik që e imponon këtë vlerë, tashmë faktor tjetër që ndikon në formimin e njeriut në sjelljen e tij në shoqëri është pikërisht edhe relativizimi i moralit. Kur ke nje moral të përcaktuar, lehtësohen mardhëniet në shoqëri, mirëpo kur ai relativizohet, ato vështirsohen pasiqë mundesojnë rritjen e hipokrizisë dhe simulimit në marrëdhënie. Kësisoj, kosmumimin e droges apo te alkoolit, Fromm e sheh si mekanizma të “arratisjes nga realiteti” të cilat i përdor njeriu.

Krahas këtyre mekanizmave, një rrugë tjetër për ikje nga realiteti i papërballueshëm është edhe rruga e narcizmit. Kultura e narcizmit është paraqitur edhe si shkak i mospranimit të realitetit. Dhe Fromm thotë se narcizmi është baza e të gjitha sëmundjeve psikike, në shoqërinë tonë të sëmurë, në shoqërinë e modernitetit. Së bashku me narcizmin, njeriu i masës, i sistemit që ka “mbyllur historinë”, sipas Fukoyamës, përjeton edhe një nivel të lartë të neurozës. Sigmund Freud thotë: “Sa më shumë që rritet shkalla e qytetrimit aq më shumë rritet shtypja e njeriut, e përmes saj edhe neuroza”. Manifestimet e neurozës janë ankthi, stresi, depresioni, etj. Manifestim i neurozës është edhe mbajtja e një ditari, në të cilin autori flet me veten e tij, sepse nuk ka besim të flas me të tjerët. Prandaj nuk është befasi që në shtetet më të zhvilluara kemi edhe kërkesë të madhe për trajtime psikologjike apo kemi numër të madh të vetëvrasjeve. Qytetrimi momental ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit shkencor e industrial por njeriu i tij përjeton pakuptimësinë dhe një mërzitje mbytëse, ai është neurotik e narcisist-është i sëmurë shpirtërisht.

Zygmunt Bauman, projektin e Holokaustit e nxjerr si derivat të ‘arritjeve të modernitetit’. Byrokracia, zhvillimi teknologjik, arsyeja instrumentale, shkenca, të gjitha këto të kombinuara me një rrymë të caktuar ideologjike mundësuan shfarosjen e miliona njerëzve në mënyrën më shtazarake.

Kështu, shkenca dhe arsyeja instrumentale bënë që njeriu të kalojë nga një subjekt i lirë e autonom në një objekt kuantitativ e të manipulushëm, kurse teknologjia dhe byrokracia mundësuan rritjen e kontrollit, kontroll që legjetimohet nga ‘efektiviteti i punës’.
Të gjitha këto mekanizma modern, mes tjerash, kanë mundësuar edhe ndryshimin e të menduarit të njeriut për njeriun, kanë kontribuar në tjetërsimin e tij.

Njeriu kalon nga një subjekt i lirë e autonom në një objekt kuantitativ e të manipulushëm.

Qasja humaniste e psikologu Rogers apo teoria e Rusos mbi njeriun, thonë se, ai për nga natyra është i mirë, por janë rrethanat objektive të cilat e pamundësojnë aktualizimin e potencialeve njerëzore si dhe funksionimin normal të marrdhënieve midis njerëzve.

Ndërsa liberalët që nga shek XVIII theksojnë ‘ndryshueshmërinë e natyrës njerëzore’ dhe ndikimin vendimtar të mjedisit mbi të. Për aq kohë sa këto qëndrojnë, vërejmë rëndesinë e kontekstit të rrethavave për natyrën dhe sjelljen e tij, prandaj nëse diagonza për njeriun modern është e vërtetë, ndryshimi i rrethanave është i domosdoshëm dhe ky ndryshim do të trapiste rrugën për shërimin e tij.

Për Virtual Sophists,
Shkruan: Qëndrim Badalli



Comments are closed.

Navigate