Michel Foucault: Ligjërimi mbi seksin

Shkruan: Qendrim Badalli


Filozofi francez postmodern, Michael Foucault, në librin e tij Historia e Seksualitetit-1, në tri kapitujt e librit artikulon mendimin e tij rreth ligjërimit mbi seksin. Shtjellimi i tij rreth kësaj çështje si dhe gjithë mendimi i tij filozofik në këtë libër është vazhdimësi e botëkuptimeve të dhëna në librat paraprak. Ky mendimi është një kritikë radikale bërë racionalitetit perendimor mbi ushtrimin dhe format e kontrollit, pushtetit, ligjërimit si dhe të vërtetave përfundimtare të prodhuara nga shkenca.

Është shekulli XVII kur për të vërtetë ligjerimore të seksit fillon ndryshimi drastik. Deri atëherë monopolin e kësaj të vërtete e mbante Kisha e cila kishte krijuar një klimë ku mbi këtë çështje ekzistonte një ligjërim i kufizuar dhe një cenzurë e rreptë. Nga ky shekull, sidomos në tre shekujt e fundit ka pasur një shpërthim të vërtetë të ligjërimit rreth seksit, tashmë me autoritete tjera; Shkenca dhe shteti, jo me kufizime apo cenzurë por me forma tjera të sofistikuara që në instancë të fundit mirëmbajnë raportet dije-pushtet.

Sipas Fukos, thelbësore në pikën e rritjes së ligjërimit mbi seksin nuk është shumëfishimi në vetëvete dhe i ndarë në disiplina të ndryshme, por fusha ku prodhohet ai ligjërim: Fusha institucionale e pushtetit. Projekti i <vënies në ligjërim> të seksit kishte ekzistuar në traditën asketike të manastireve por që nga shek XVII, fusha institucionale e pushtetit e shëndrron në rregull të detyrueshëm për këdo. Tashmë seksi nuk është çështje thjesht biologjike, personale dhe e trupit, ai është problem politiko-social, publik dhe i trupit si instrument për shpejgimin e problemeve tjera mendore dhe emocionale.

Fuko mendon se nga shek XVIII lind <racionalizimi i seksit> ku ai pushon së qenuri vetëm objekt gjykimi por edhe administrimi.

“Rreth shek XVIII shfaqet një nxitje politike, ekonomike, teknike për të folur rreth seksit. Dhe jo aq në formën e teorive të përgjithshme mbi seksualitetin, por në formë analizash, kontabiliteti, rënditjesh klasifikuese e specifikimesh, nën formë kërkimesh cilësore apo shkakore. Bërja e llogarive të seksit, ndërtimi i një ligjërimi që s’është thjesht moral, por racional, lindi si një nevojë e re, por aq e re sa në fillim sikur habitet me veten dhe kërkon të shfajësohet”.

Një shembull ilustrativ për kalimin e seksit nga objekt gjykimi dhe analizimi biologjik në atë social e politik është dalja në skenë si problem i “popullësisë” me lindjet, vdekjet, jetëgjatësinë, gjendjen e shëndetit etj. Shtetet filluan të hartonin programe sociale që balancojnë dhe kontrollojnë popullin në aspektin biologjik, në qendër të këtij problemi është seksi-kontrollimi dhe administrimi i tij.

“Mes individit dhe shtetit seksi shfaqet si çështje e re, si çeshtje publike e depërtuar nga një rrjet i tërë ligjërimesh, dijesh dhe analizash”.

Tutje, Fuko mendon se problemi i seksit është i kundondodhur në epokën tonë, dhe se ai është pjesë e përhershme e institucioneve tona, me fjalë të tjera e kemi <seksin e institucionalizuar>

“Hapsira e klasës, forma e bankave, struktura e oborrit të shkollës, organizimi i fjetoreve, rregulloret për mbikëqyrjen e shtretërve dhe të gjumit, gjithçka ushtrohet, gjithnjë e më dendur, rreth seksualitetit të fëmijëve”.

Sipas Fukos disa nga vatrat kryesore të nxitjes për ligjërim mbi seksin si dhe disa nga pikat kryesore të <institucionalizimit të seksit> janë mjekësia moderne, psikiatria, deri tek drejtësia penale. Secila prej tyre instrumentalizon seksin për funksionimin e tyre, për t’i prodhuar të vërtetat ligjërimore rreth tij.

“Kemi të bëjmë jo aq me një ligjërim të vetëm mbi seksin, sesa me një shumësi ligjërimesh që burojnë nga një sërë aparatesh prodhuese, të cilat funksionojnë të përfshira brenda institucioneve të ndryshme”.

Epoka jonë e ligjërimit rreth seksit u bë nismëtarja e heterogjeniteteve seksuale. Shpërhapja e perversioneve që vjen me shek XVII – XVIII ka qenie të dyfisht si efekt-instrument: përmes veçimit, acarimit dhe konsolidimit të seksualiteteve periferike, marrdhënia e pushtetit me seksin degëzohet, shumëfishohet, përshkon trupin dhe depërton tek sjellja.

Perversiteti do të ishte i pamundur pa ekzistencen e disiplinave shkencore që futën nën ligjërim seksin si dhe pa forma të caktuar të pushtetit, në veçanti në raportet mikrosociale.

“Realisht. Seksualitetet e shumëfishta-ato që shfaqen me moshën (seksualitetet e të posalindurit apo të fëmijës), ato që mpiksen në shije apo forma të sjelljeve të veçanta (seksualitetet e të anasjelltit, fetishistit) ato që depërtojnë dhe përçohen nga marrdhëniet e ndryshme, (seksualiteti i raportit mjek-pacient, edukator-nxënës, psikiatër i çmendur) ato që mbushin hapsirat (seksualitet i vatrës shtëpiake, i shkollës, i burgut) të gjitha këto seksualitete, pra, janë secili në korelacion të ngushtë me forma të caktuara të pushtetit”

Fuko flet edhe për dy procedura të mëdha për ta prodhuar të vërtetën e seksit dhe aty përmend <ars erotica dhe scientia sexualis>.

Ars erotica i takon shoqërive si: Kina, Japonia, India, Roma e Lashtë si dhe shoqërive arabo-myslimane ndërsa scientia sexualis i takon shoqërive perendimore.

Arti erotik e nxjerr të vërtetën e seksit nga vetë procesi i kënaqësisë, i parë si praktikë dhe i mbledhur si përvojë. Ndërsa scientia sexualis për ta thënë të vërtetën e seksit zhvillon dhe vendos në veprim procedura që organizohen sipas një forme dije-pushtet. Tek metoda e parë trupi është në qendër dhe ndërton të vërtetën, metoda e dytë është e ngarkuar me racionalitet dhe trupi në vetëvete nuk shënon ndonjë vërtetë por është vetëm instrument drejtë saj.

Fuko shkruan edhe për rrëfimin si instrumentin kryesor që prodhon dhe organizon ligjërimin e të vërtetës mbi seksin. Rrëfimi ka qenë gjithmonë në këtë pozicion por tani ka një efekt dhe forma tjera të ekzistencës.

“Motivet që e ushqejnë dhe efektet e pritura janë bërë më të larmishme, ashtu si dhe format e reja që mvesh: marrje në pyetje, konsultime, ekzaminime, tregime autobiografike, letra; të gjitha këto mbahen shënime, zbardhen, kopjohen, mblidhen në dosje, botohen dhe komentohen”.

Tashmë përmes rrëfimit fjala nuk është të tregohet thjesht akti seksual por përmes tij duhet zbuluar mendimet që e ushqejnë, obsesionet dhe imazhet që e shoqërojnë, burimet dhe efektet e tij, sigurisht, jo vetëm në aspektin instiktiv, dhe e gjitha kjo duhet të zbulohet përmes hulumtimit sistematik dhe të sofistikuar të përvojës seksuale.

“Është pa dyshim, hera e parë që një shoqëri përqëndrohet të thërrasë dhe t’i vërë veshin konfidencës së thjeshtë të kënaqësisë individuale”.

Shoqëria e Fukos është shoqëria e kontrollit dhe disiplinës, e zgjatimit të institucioneve të kontrollit, e trupit, e instrumentalizimit të shkencës në funksion të pushtetit, e pushtetit në raportet mikrosociale, dhe pa asnjë dyshim, ligjërimi mbi seksin është një tjetër temë përmes së cilës ai e ka përmbledhur dhe zgjeruar mendimin dhe kritikën e tij, mendim që atë e bënë filozof të politikës praktike dhe që ka dhënë një prespektivë ndryshe mbi shtetin, shkencën, pushtetin, gjuhën, si çështje të rëndësishme shkencore dhe filozofike.

Comments are closed.

Navigate