Michel Foucault: Mbi shoqërinë e disiplinës

Ese filozofik

Mbi shoqerinë e disiplinës nga Michel Foucault
 
Michel Foucault konsiderohet si njëri ndër filozofët më të mirë bashkohorë i cili me punën e tij intelektuale i ka dhënë shumë filozofisë postmoderniste dhe gjitha shkencave sociale në përgjithësi. “Vullneti për Dije- historia e seksualitetit” dhe “Disiplinë dhe Ndëshkim-lindja e burgut” janë dy kryeveprat e filozofit francez, në të cilat shtjellon konceptet bazë të filozofisë së tij; Relacionin mes dijes dhe pushtetit, konceptin e pushtetit, shoqerinë e kontrollit, etj.
 
Në mënyrë që të kuptohet më lehtë dhe drejt e gjithe kritika e tij mbi ‘shoqërinë e disiplinës’ në fillim duhet njohur qartë koncepti i tij mbase mv i rëndësishëm në gjithë mendimin e tij: Koncepti i pushtetit. Te Fuko, pushteti nuk i referohet vetëm makrosistemeve në shoqeri siç e gjejmë tek Weberi, por ai ekziston edhe në mikrostrukturën, me të tjera fjalë, ai është pjesë e çdo marrdhënieie shoqërore dhe çdo raport social ndërtohet dhe mund te shpejgohet mbi raportet e pushtetit.
“Pushteti është i kudondodhur”.
 
Sa i takon relacionit mes dijes dhe pushtetit, Fuko thotë:
Pushteti prodhon dije, pushteti dhe dija implikojnë drejtpërdrejtë njeri-tjetrin; nuk ka marrdhenie pushteti pa ndërtim korelativ të një fushe përkatëse të dijes, as dije që të mos nënkuptojë e kushtetojë njëherësh marrdhenie të caktuara pushteti.
Çdo dije është në shërbim të pushtetit. Në nivel të makrostrukturave, universitetit si instiucion i pushtetit qëndror para se te jete ‘cerdhe e kritikës’ është instrument i propagandimit te ideologjisë shtetërore, është dorë legale e shtetit për ta mirëmbajtur e riprodhuar atë. Vazhduar tutje, shprehur me gjuhën e Fukos, i gjithë sistemi arsimor është institucion i ‘përkuljes së trupave’ përmes disiplinës, ndërsa jo rrallë herë roli tij në taboret filozofike është parë edhe si mekanizëm klasik indoktrinues i mendjes.
 
Fuko shtjellon gjithë idenë e tij duke filluar me lindjen e burgut dhe format e ndëshkimit të cilat kanë pësuar ndryshime të prekshme në histori. Përmes këtyre ndryshimeve vë në pah gjithë ‘aparaturën e disiplines’ në një shperndarje të jashtëzakoshme institucionesh në epokën moderne në të cilën format e ndëshkimit kalojnë nga trupi tek shpirti apo vullneti i njeriut.
 
Format e ndëshkimit kanë ndjekur rrugën e humanizimit, trupi i të dënuarve tashmë nuk shërben si instrument ekspluziv dhe parësor për ndëshkim, në të cilën ndëshkimi nuk ka shërbyer vetëm për të dënuarin por edhe për një ‘spektakël traumatizues’ të masës para së cilës është kryer dënimi.
Trekëndëshat, rrotat, kuajt, xhelati, tashmë nuk përbëjnë mekanizmin e shtetit dhe shoqërisë për të dhënë ndëshkimin të dënuarit, të njejtat janë zëvendësuar me një sërë disiplinash brenda burgut dhe këtu ‘burgu’ nuk paraqet vetëm një ambient të caktuar fizik por është shprehje e një shoqërie me shumë institucione që për nga natyra e funksionimit të tyre në raport me disiplinën dhe kontrrollin i ngjasojnë burgut. Fuko zgjeron kritikën e tij jo vetëm të një institucioni me funksionimin e tij me karakter disiplinues siç është burgu por në disa institucione si; ushtria, punishtet, shkollat, spitalet që kanë të njejtin karakter.
 
Në lidhje me kriminelin dhe krimin, Fuko ofron disa parime te rëndësishem. Së pari, krimi nuk ka natyrë në vetëvete por konstruktohet nga shoqëria. Së dyti, duhet dalluar kriminelin dhe krimin dhe ne këtë kontekst vlerëson ‘njohjen e biografisë’ së kriminelit si teknikë penale për të parë se krimineli ka predispozita për krim apo ka rrethana që kanë krijuar krimin. Së treti, qëllimi i dënimit të tij nuk është fshirja e krimit, por mospërsëritja e tij. Qëllimi i denimit të krimit nuk është vetëm krimineli në vetëvete por edhe vepra e cilësuar si krim. Qëllimi nuk është vetëm ai por është ‘tërheqja e vërejtjes’ së të tjerëve përmes tij. Ai është aty më shumë si instrument për të tjerët sesa si kriminel më vete.
 
Sa i takon burgut dhe funksionimit të tij, Fuko analizon disa nga fazat me të cilat përballet i burgosuri. Represioni fizik i së kaluarës është zëvendësuar me kontrrolin politik të mendjes. Sociologët, psikologët, mjekët, administrata në burgje përbëjnë mekanizmin e shtetit që harton programet e jetës brenda burgut që nga mbatja në izolim, deri tek puna, aktivitetet sportive, rregullat strikte rreth ushqimit, veshjes, gjumit etj. të gjitha këto janë hartuar për të ‘fabrikuar individin disiplinor’ të gatshëm për rikthim në shoqërinë e disiplinës. Dhe, kur një individ është i gatshem per t’u liruar nga burgu!? Jo kur t’a ketë plotësuar dënimin e shqiptuar nga institucionet juridike për heqje lirie, por kur të ketë përvetësuar me suksese        ‘jetën e disiplinës’ brenda burgut sepse ai ka perfunduar aty për shkak të saj dhe vetëm për shkak të saj mund edhe të lirohet.
 
Në shoqeritë disipinore rrjeti i institucioneve disiplinuese është i gjerë dhe e pason njëra-tjetrën. Cila është e përbashkëta e shkollës, ushtrisë, spitalit dhe burgut!? Që të gjitha janë <institucione të mbylljes>, të cilat përmes rregullave strikte te funksionimit, rregulla të cilat krijojnë <të lejueshmën dhe të palejueshmën>, <normalen dhe patologjikën>, mbyllin përkohësisht individin dhe synojnë arritjen e një homogjenitetit të plotë disiplinues. Ritualet e disiplinës me pak ndryshim i gjejmë tek të gjitha këto institucione. Njejtë siç nxenësit i nënshtrohen një shpërndarjeje të caktuar hapsinore, njejtë shpërndahen dhe te burgosurit në burg apo pacientet në spitale.Çdonjëri do t’i nënshtrohet ekzaminimit, selektimit, klasifikimit, shpërndarjes së ndryshme hapsinore, menaxhimit kohor të caktuar, që përbëjnë një seri procesesh, që përbëjnë <ekonomi politike të trupave>.
 

Kritika nga Michel Foucault për funksionimin e dispilinës në modernitet përmes një varg institucionesh shtetërore në një formë mund të krahasohet me kritikën e ‘Njeriut njëdimensional’ te Herbert Marcuzes, kritikë në të cilën shpjegohet sesi synohet ‘fabrikimi i një individi ideor’, krijimi i njeriut të sistemeve. Homogjenizimi tek Marcuze prek shume nivele ndersa tek Foucault fokusohet në disiplinim dhe ushtrim të kontrollit. Është pikërisht kritika ndaj vetëvetes përse Perëndimi vazhdo të mbetet alternativa e vetme e mendimit; sepse asnjë ideologji nuk është kolltuk në të cilën ulesh njëherë dhe përgjithmonë. Ajo duhet t’i nënshtrohet vazhdimisht dekonstruktimit per te ju shmangur kalimit ne dogmë me të cilat na ka njohur shumë shpesh historia.

 

Shkruan: Qendrim Badalli

Comments are closed.

Navigate