Norbert Elias: Shoqëria apo individi?

Shoqëria apo individi? (Analizë dhe vështrim kritik për librin e Norbert Elias: “Shoqëria e individëve”)

Shkruan: Besnik Domi (Ky shkrim u përkthye nga gjuha angleze)


Përktheu: Nuhi Sadiku


HYRJE

Në këtë libër sociologu gjerman Norbert Elias do të paraqesë si çështje qendrore të studimit të tij lidhjet esenciale në mes njeriut i parë si diçka unike – individit dhe njerëzve që jetojnë së bashku me njerëzit tjerë – shoqërisë.
Konsideroj që më e pakta që mund të thuhet është që kjo është vërtet një pyetje madhore sepse këto dy nocione janë dy boshtet kryesore rreth të cilave varet në një masë të madhe njohuria e shumicës së çështjeve të botës njerëzore.
Nuk është edhe e përfytyrueshme të zhvillohen argumentet themelore në shkencat humane nëse ky relacion fundamental nuk është, së paku pjesërisht, i sqaruar.
Ky relacion në fakt zbulon shpirtin e kohës sonë, të modernitetit.  Është përgjithësisht e kuptueshme që kjo pyetje u ngrit pikërisht me fillimin e kësaj epoke të re dhe revolucionare që quhet modernizmi evropian.

Nuk kam asnjë dyshim se shfaqja e individit në botën tonë, ishte shkundje e madhe që shkatërroi në mënyrë të pakthyeshme botën e së kaluarës, vetëm për të vënë më vonë në vendin e vet një realitet të ri, të ndryshëm nga ai i mëparshmi.
Ne e dimë nga librat e historisë që bota antike ishte një krijesë ku “ne“, paraqiste totalitetin i cili e konsideronte qenien njerëzore si pjesë jo të rëndësishme të familjes sonë, të fisit tonë, të fshatit a qytetit tonë, të religjionit tonë dhe kështu me radhë.

Vetëm me dobësimin e këtyre lidhjeve substanciale, me shfaqjen e këtij akteri revolucionar, qenies unike – individit, filluan të imagjinohen pyetjet rreth lidhjes individ – shoqëri.
Pra, kjo çështje është e rëndësishme përtej kufijve të interesit studimor. Elias e ndjeu me të vërtetë kështu. Ky libër e vërteton.

PËRSHKRIM  I TEORISË SË ELIASIT TË PREZANTUAR NË KËTË LIBËR

“Shoqëria e individëve“ përbëhet nga tre artikuj të gjatë të shkruar në një periudhë 60 vjeçare, në situata të ndryshme për autorin (artikulli i parë mbulon periudhën 1938 – 1939 kur autori nuk ishte më shumë sesa një njeri i përhumbur i cili kërkonte të shpëtonte kokën e tij si një hebre, ndërsa pjesa e tretë u shkrua më 1987 kur tashmë autori ishte njeriu kryesor i shkencave sociale, një nga sociologët më të rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë).

Elias do të fillojë duke i vlerësuar faktorët që çuan në formulimin kaq të thjeshtë të kësaj pyetje.
Sepse për të qenë në gjendje për të analizuar dhe krahasuar marrëdhënien që individi ka me shoqërinë, është e nevojshme të pranohet se vërtet ekziston një individ.
(Kuptimi i konceptit “individ” do të jetë ai një qenie njerëzore që është mjaftueshëm e ndryshme psikologjikisht të konsiderohet si qenie e veçantë nga të tjerat).
Ose, ekzistenca e mirëfilltë e saj nuk është aq e dukshme.
Askush nuk lind si individ, por dikush mund të bëhet i tillë – kjo është një nga shtyllat më të rëndësishme të teorisë së Eliasit. Kur foshnja ndahet nga mitra nuk është një “individ”, ajo përfaqëson një potencial, një ditë, për t’u bërë dikush. Deri diku, ajo përbën thjesht një burim natyror që mund të formësohet në disa forma. Prandaj, Elias nuk flet aq shumë për individin por preferon që të analizojë shtegun nëpërmjet të cilit mund të ndërtohet individi.
Sipas tij, njeriu duhet të ndërmarrë vlerësimin e jetës njerëzore duke filluar nga fëmijëria e tij.
Para së gjithash, ky sociolog do të paralajmërojë rreth një prezantimi rrënjësisht të pavërtetë mbi marrëdhënien individ – shoqëri.

Përkrahësit e teorive që e shohin botën njerëzore si të përbërë nga një numër i madh i individëve të pavarur, shpesh priren të bëjnë një ndarje në mes këtyre dy entiteteve, sikur të ekzistonin në dy bota veç e veç dhe nga pavarësia e tyre fillestare më vonë krijuan marrëdhënie të zgjedhura lirshëm.

Ka mendimtarë që priren të imagjinojnë individin si të qëndrueshëm dhe të realizuar me ekzistencën e vet që jeton jashtë gjithë shoqërisë. Kjo paraqet një gabim për Eliasin, një gabim që do t’iu prijë të gjitha keqkuptimeve vijuese.
Ai vjen nga një gabim serioz metodologjik, i cili tenton të paraqesë shoqërinë kryesisht si komunitet i të rriturve që nuk kanë qenë kurrë fëmijë.
Ne priremi të harrojmë se njeriu individ ishte krijuar nga njerëzit tjerë. Çdo njeri është lindur në një grup që ka ekzistuar para tij. Mbijetesa e tij biologjike varet tërësisht nga të tjerët. Kjo është natyrisht e vërtetë për të gjithë anëtarët e të gjitha specieve në planetin tonë.
Mirëpo, për njeriun kjo varësi nga tjerët është zbuluar në fusha të ndryshme. Ndryshe nga speciet tjera të gjalla, njerëzit posedojnë mundësi të shumëfishta të rriten në qenie të pavarura dhe kreative.

Njeriu nuk është plotësisht i determinuar nga përbërja fiziologjike e tij, ai ka aftësi të refuzojë të pranojë bazën e tij të lindur (shënim i përkthyesit: ose kongjenitale) si fatalitet.
Njeriu mund të krijojë elementë të rinj në qenien e tij, elementë që do t’i shërbejnë atij të ndryshojë jetën e vetë dhe edhe ta transformojë botën.
Njeriu është i vetmi që mund ta shndërrojë substancën e tij psikologjike duke e bërë atë jo vetëm të ndryshëm, por dukshëm më të sofistikuar gjithashtu.
Sipas Eliasit, kushti i parë për këto ndryshime ekziston brenda mjedisit ku njeriu i bën hapat e para: në fëmijërinë e tij. 

Marrëdhënia midis individit dhe shoqërisë mund të qartësohet nëse ndalojmë ta konsiderojmë individin si një produkt i një “akti krijues” ose si rezultat i një procesi “vetkrijues”. Më shumë se kaq, ne më mirë duhet ta shikojmë individin si një faktor të përhershëm në “procesin e individualizimit”. Për Norbert Eliasin “procesi i individualizimit” është një term që tregon konceptin e një procesi të përhershëm nga i cili dikush bëhen individ brenda shoqërisë. Procesi i zhvillimit dhe rritjes së individit luan një rol vendimtar në të kuptuarit e fenomenit të “shoqërisë”. Pra, kemi një relacion konstant të shkëmbimit në mes të dyve.
Një nga fenomenet kryesore që e bën të dukshme këtë marrëdhënie është, si u përmend, fëmijëria. Natyra thellësisht shoqërore e njeriut mund të vërehet nëse shikojmë nga afër rëndësinë kritike që kanë të tjerët për një fëmijë. Fëmija varet plotësisht nga njerëzit tjerë për t’u qasur në pjekurinë e tij psikologjike.

Aftësitë e larta psikike të njeriut si ide dhe përmbajtje tjera abstrakte mendore janë të formuara, por gjithashtu të transformuara nga ndërveprimi i tij me të rriturit dhe fëmijët tjerë rreth tij.
Efektet e prodhuara nga formimi i tij psikik janë shumë të varura në marrëdhëniet ndër-njerëzore. Tek njerëzit, instinktet dhe impulset nuk mbesin biologjikisht të pastra, ato gradualisht bëhen “socializohen”.

Ndikimet shoqërore determinojnë lëvizjen e instinkteve sepse instinktet dhe impulset te një foshnje e porsalindur janë të drejtuara kah tjerët dhe gjithmonë duke kërkuar kënaqësinë dhe përgjigjen e tyre. Ky shkëmbim i vazhdueshëm me njerëzit tjerë i jep prirjeve biologjike një ndërtim të mirë-përcaktuar mendor. Këto relacione ndër-njerëzore zhvillojnë në një fëmijë një përbërje psikologjike krejtësisht të pavarur dhe shumë komplekse, e cila është me të vërtetë një zotësi e madhe e njerëzve, një tipar esencial që i dallon ata nga qeniet tjera të gjalla në këtë planet. Saktësisht formimi i këtij sistemi të mrekullueshëm dhe shumë kompleks psikik ia jep mjetet njeriut të bëhet person i vërtetë, një individ i pavarur dhe unik.
Por, kjo rrugë është e mundshme vetëm nëse pikënisja për njeriun do të jetë një fëmijëri vërtet njerëzore. Është e vërtetë që individë të ndryshëm mund të kenë formim të ndryshëm natyror në lindje. Sidoqoftë, është vetëm shoqëria që mund ta shndërrojë një fëmijë të vogël (me funksione psikike shumë fleksibile dhe akoma të padiferencuara krejtësisht) në qenie unike dhe të dallueshme. Fëmija që vjen në këtë botë është një mundësi e hapur. Se çfarë njeriu do të bëhet kur të rritet, nuk varet në formimin e tij natyror, por nga lloji i marrëdhënies që do të ketë me të tjerët.

Fëmija nuk mund të bëhet një individ psikologjikisht i rritur, pa marrëdhënie me qenie më të vjetra dhe më të fuqishme. Pa asgjësimin e modeleve të paraformuara shoqërore, të pjesëve dhe produkteve të këtyre qenieve më të fuqishme, pa formimin e funksioneve të tij psikike që ato sjellin, fëmija mbetet, për ta përsëritur poentën, pak më shumë se një kafshë.
Dhe vetëm për shkak se fëmija i pafuqishëm ka nevojë për modelim shoqëror, në mënyrë që të bëhet një qenie më e individualizuar dhe komplekse, individualiteti i të rritur mund të kuptohet vetëm në terma të marrëdhënieve të tij apo saj të caktuara nga fati, vetëm në lidhje me strukturën e shoqërisë në të cilën ai ose ajo është rritur.
Sado e sigurt mund të jetë që secili person është entitet i plotë në vetvete, një individ që e kontrollon veten dhe nuk mund të kontrollohet ose rregullohet nga askush tjetër nëse ai nuk e bën këtë vetë, jo më pak e sigurt është që e gjithë struktura e tij e vetëkontrollimit, me vetëdije dhe pa vetëdije, është produkt i rrjetit të formuar në një bashkëveprim të vazhdueshëm të marrëdhënieve me njerëzit tjerë, dhe ajo trajtë individuale e të rriturit është trajtë specifike – shoqërore. (Norbert Elias: “Shoqëria e Individëve” (Përkthyer nga Edmund Jephcott), Continuum, Londër – Nju Jork, 1991, faqe 26 – 27).    

Fëmijëria nuk është faza e vetme e themelimit të individit. Procesi i individualizimit është proces që do të vazhdojë edhe në pjekuri. Me moshën rritet edhe ndikimi që shoqëria ka në bazë instinktive. Këtu Elias ka ide shumë të ngjashme me psikanalistët.
Për të civilizimi modern Evropian tregon një tendencë të fortë, edhe të tepruar, në vetkontrollim. Nga një i rritur ne kërkojmë shtypje konstante të shtysave të tij natyrore, kërkojmë abstenim të qëndrueshëm nga prirjet e tij fiziologjike. Shoqëria moderne Evropiane e shtrëngon rreptë njeriun që në secilin rast të tregojë që ai është individ i vërtetë, që do të thotë të jesh dikush që demonstron vetkontrollim të fortë. Procesi i civilizimit në këto etapa të avancuara prodhon një shoqëri që detyron anëtarët e saj për një nivel të lartë të kontrollimit të përgjigjeve emocionale, duke i thirrur ata të arrijnë një shkallë të madhe të transformimit të shtytjeve të tyre biologjike. Si efekt i kësaj, individët që janë “vërtet të socializuar”, do të jetojnë në një luftë të përhershme kundër pritave të vendosura nga trupat e tyre. Ata duhet të shtypin ashpër dëshirat e tyre trupore, sepse ato paraqesin një kërcënim të statusit social. Megjithatë, Elias beson (ashtu si Frojdi për atë çështje) që kjo luftë është e pashpresë sepse njeriu nuk mund të zhdukë përmbajtjen thelbësore të qenies së tij. Sa të ketë gjak në venat e tij, instinktet dhe emocionet do të banojnë në trupin e tij. Lufta kundër vetes, e udhëhequr nga vetja e njëjtë, paraqet diçka thellësisht absurde. Prandaj, më e mira që njeriu modern mund të bëjë është të shtyjë dhe kufizojë dëshirën instinktive në qoshet e privatësisë së tij, fshehur nga çdo këndvështrim nga bota e jashtme.

Prirjet e trupit do të kërkojnë strehim në shpellën e mendjes sonë, në nënvetëdije apo pavetëdije. Kështu ne arrijmë në dikotomitë tradicionale të psikanalizës, në këto përplasje të ashpra në mes kërkesave dhe ndalimeve të shoqërisë (të cilat tani janë bërë kufizime të brendshme) dhe tendencave psikike specifike për individin.
Me këtë përshkrim duket se Norbert Elias zbuloi fotografinë e luftërave të përhershme brenda qenies njerëzore ku natyrorja dhe socialja do të mbeten të mbyllura si armiqtë më të këqij.
Por, për të këto përshkrime nuk shërbejnë vetëm për të prezantuar një imazh të palumtur të njeriut modern. Sepse ai konsideron që procesi i individualizimit do të forcohet shumë nga kjo luftë e brendshme.

Ky konflikt i brendshëm, në këtë mënyrë të përjashtimit të natyrës personale plot ankth nga jeta shoqërore, krijon te individi prezantim që duhet të ekzistojë një vete e brendshme që ndryshon nga shoqëria dhe e cila është edhe e kundërt me të. Individi e ndjen se ‘vetja’ mbetet e shtypur nga shoqëria dhe vetëm në brendi të qenies ai mund ta njoh ‘unin’.
Prandaj, kjo kontradiktë e dhunshme midis prirjes natyrore dhe faktorëve socialë do t’i trazojë njerëzit të imagjinojnë individualitetin e tyre si diçka jashtë botës shoqërore.
Sipas Eliasit procesi modern i censurimit dhe ndrydhjes së afekteve dhe impulseve do të prodhojë pasoja tjera që janë shumë esenciale në themelimin e njeriut si individ.
Shtypja konstante e shtysave fiziologjike prodhon një ndryshim të rëndësisë vendimtare në psiken e tij. Në kushte natyrore, njeriu – kafshë, si të gjitha speciet tjera është pjesë integrale e komunitetit. Ai nuk ka ndonjë dallim krahasuar me qeniet tjera, ai është tërësisht i zhytur në mjedisin e tij, dhe nuk paraqet më shumë sesa një pikë të vogël të oqeanit të quajtur Natyrë. Duke jetuar gjithë jetën si hallkë e vogël në mekanizmin e madh të Jetës, njeriu nuk posedon ndonjë cilësi që mund ta dallojë nga të tjerët.

Për daljen e disa karakteristikave individuale u desh të presim mijëra vjet. Teoria e Eliasit mbron argumentin që emancipimi njerëzor nga fuqia e Nënës Natyrë është rezultat i luftës së njeriut ndaj instinkteve bazike dhe ngacmimeve fillestare.

Në gjendjen e tij natyrore, secili ngacmim mund ta kap vetëdijen e njeriut dhe ta shtyjë të veprojë. Njeriu nuk ka pavarësi nga ngacmimet e tij; secili ngacmim mund të bëhet pronar i tij. Ai është krejt i pazoti të mendojë për ta, të analizojë ndonjë ngacmim, të jetë në gjendje t’i zgjedhë disa nga ta. Ai nuk ka liri; ai nuk ka asnjë mjet të bëhet individ.
Por, njeriu, veçanërisht që nga kohërat moderne, gradualisht filloi ta liroi veten nga mbikëqyrja e natyrës fuqiplotë dhe dominimi i krijesave shoqërore të zhvilluara nga një dimension i fortë biologjik, si: familja, klani, fshati, fisi e kështu me radhë.
Ai përvetëson aftësinë që të vëzhgojë dhe mendojë para se të veprojë, njeriu fillon të dalë nga oqeani i tij. Nëse mund të vëzhgojë dhe mendojë para se të veprojë, ai do të jetë në gjendje të distancohet nga të tjerët dhe nga bota në përgjithësi.

Ai mund të veçohet nga mjedisi i tij; ai bëhet i gatshëm të vëzhgojë të tjerët (babanë e tij, një shkëmb, diellin, etj.) si diçka që ekzistojnë jashtë tij. Ai bëhet vëzhguesi derisa të tjerët do të jenë “të vëzhguarit”. Në këtë mënyrë njeriu modern do të arrijë te pozita e “subjektit të dijes” dhe të tjerët përballë do të bëhen objekte të observimit të tij. Gradualisht, njeriu më shumë e më shumë ambicioz, Subjekti, do të synojë ta bëjë trupin e tij objekt të observimit dhe reflektimit. Ai do të arrijë në konceptet bazike të cilat do të hedhin themelet e botës moderne: koncepti i ndërgjegjes dhe vetëdijes.

Shkëputja në vëzhgimin ose observimin e të tjerëve duke u bërë e fortë e më e fortë tenton të bëhet qëndrim konstant. Ky qëndrim i jep njeriut prezantimin që ai është një qenie që ekziston pavarësisht nga të tjerat. Kështu ky proces psikik, këto ndryshime në relacionet e tij me mjedisin do të rezultojnë në krijimin e përshtypjes së një ndarje universale midis botës dhe individit.

Si rezultat i kësaj, bazuar në analizën e Norbert Eliasit, veprimet e observimit dhe reflektimit do t’i udhëheqin njerëzit drejt besimit se brenda tyre ekziston një dimension shumë i veçantë dhe unik i qenies. Njeriu do të mendojë që aftësitë e tij mendore vërtetojnë që ai posedon një krijesë që jeton brenda trupit të tij dhe që është e pavarur nga materialja!. Qenia njerëzore do të mendojë që është një qenie e gjallë që ka vetitë të cilat janë në thelb të ndryshme nga përbërësit e botës përreth. Ndjesia e unikes do të shkojë në ekstreme dhe njeriu deklaron që është një individ me arsye (një “shpirt” në fjalorin mesjetar) që është ontologjikisht antietik ndaj qenieve materiale.

Deri më tani kemi diskutuar tri shtyllat kryesore që mbështesin procesin i cili çoi në procesin e themelimit ose konstituimit të individit.
Faktori i parë ishte fëmijëria e tij. I dyti, ndjenja e krijuar te individi që për shkak të shtypjes së instinkteve qenia e tij e vërtetë nuk mund të kuptimësohet në një botë sociale, por ‘Vetja’ e tij do të mbetet gjithmonë një krijesë e cila mund të kuptimësojë qenien vetëm në thellësi të botës së brendshme shpirtërore.
 
Shtylla e tretë, e cila sapo u prezantua, ishte mendimi i vetëdijes si diçka e ndarë dhe e pavarur nga trupi ku ekziston dhe nga bota ku banon.
Sipas sociologut gjerman të gjithë këta faktorë kanë një origjinë tërësisht shoqërore. Në “Shoqëria e individëve” ai do të na prezantojë një tjetër ngjarje të madhe që e bëri të mundur shfaqjen e individit në historinë njerëzore. Kjo ngjarje, gjithashtu, ka origjinë shoqërore.
Çdo njeri, thotë Elias, është qenie individuale sepse ai zë një pozitë unike në rrjetin lidhës të shoqërisë. Kjo pozitë unike është e mundur sepse në strukturë të shoqërisë, ekziston një mori rolesh që ai mund t’i luajë, një numër i rritur i veprimeve që ai mund t’i ushtrojë.
Kjo shumësi e aktiviteteve që ai mund t’i ndërmerrte jep veçori për situatën e tij ekzistenciale duke e bërë të prekshme marrjen e shumë formave të reja të shprehjes. Sa më të modernizuara të jenë shoqëritë, mundësitë bëhen më të shumta. Kështu njeriu që jeton në Evropën moderne ka më shumë e më shumë mundësi për t’u individualizuar sesa njerëzit që jetuan më parë. Këto mundësi për zhvillim i janë ofruar atij nga virtyti i ndryshimeve të mëdha që ndodhën në zhvillimin historik të shoqërive njerëzore. Shoqëria po bëhet gjithnjë e më e larmishme, është gjithnjë e më e përbërë nga një diferencim, pothuajse i pakufizuar, i brendshëm. Këto aktivitete njerëzore janë rritur në mënyrë spektakolare për shkak të një procesi të posaçëm njerëzor. Po, faktori i katërt i procesit të individualizimit gjithashtu ka bazën e tij në një fenomen shoqëror: ndarjen shoqërore të klasës punëtore.
Kjo tregon shumë qartë parësinë e fenomenit shoqëror në mendjen e Eliasit. Edhe procesi që duket se është i kundërt, procesi i individualizimit, për Eliasin është plotësisht një produkt shoqëror. I ashtuquajturi “individ” është thjesht një efekt anësor i ndryshimeve në shoqëritë bashkëkohore.

Elias do të shkojë edhe më tej me këtë argument. Individi nxjerrët nga shoqëritë moderne, të cilat, nga ana e tyre, janë shfaqur për shkak të kushteve historike shoqërore. Procesi i civilizimit i cili u shfaq mbi bazën e një kontrolli të fortë të instinkteve dhe ngacmimeve nuk ishte i mundur nëse nuk do të ishte e krijuar më parë një strukturë specifike shoqërore.
Emancipimi dhe progresi i njerëzimit erdhi si pasojë e rritjes së dominimit të njeriut mbi forcat e brendshme natyrore. Njeriu është bërë mjaftueshëm i fuqishëm për të arritur një kontrollim psikologjik të prirjeve biologjike dhe të dominojë shumë forca natyrore jashtë tij. Elias konsideron që kjo ishte e mundur vetëm në një kontekst të një strukture shoqërore të qëndrueshme dhe të organizuar në mënyrë rigoroze. Ekziston ndërvarësia në mes të kontrollit të brendshëm të natyrës, kontrollit shoqëror dhe kontrollit të brendshëm individual, sepse këta tre përfaqësojnë tri pjesë funksionale të një trilogjie që e ka transformuar jetën njerëzore dhe e ka ndërruar edhe strukturën e botës. 

Por përveç këtyre, do të ketë krijime të tjera shoqërore të cilat do të përcaktojnë procesin e individualizimit. Një aktor i ri që do të bëhet personazhi kryesor në jetën e njeriut. Elias ka në mendje shtetin modern. Që nga Mesjeta e vonë e deri në shekullin XX shteti i centralizuar do të bëhet forma mbizotëruese e organizimit të jetës shoqërore. Ngadalë por sigurt do t’i zëvendësojë organizimet paraprake (klanin, fisin, feudalizmin, etj.) duke u imponuar njerëzve një mënyrë substancialisht të ndryshme të jetës.

Ndryshimet do të jenë shumë të thella dhe të përhapura. Në lidhje me procesin e civilizimit, pikërisht Shteti do të bëhet faktori përcaktues në procesin e individualizimit. Shtetet e centralizuara evropiane do të bëhen makinat e mëdha që do të ndërtojnë individin modern. Ata do të kenë mjete të fuqishme për të krijuar njeriun “sipas imazhit të tyre”.
Jeta brenda një shteti, me këtë mënyrë shtesë, do të mbështesë individualizimin.
Secili shtet i centralizuar në mënyrë që ta menaxhojë punën e tij më mirë duhet të sigurojë një set të ligjeve dhe të krijojë një administratë që t’i zbatojë ato. Fryma e ligjeve tona moderne dhe funksionimi i administratës shtetërore kërkon që secili anëtar i Shtetit, secili qytetar, duhet t’i gëzojë të drejtat dhe detyrimet e barabarta. Secili qytetar i shtetit është identik me tjetrin, askush nuk ka tretman të veçantë. Për institucionet shtetërore secili njeri është i njëjtë legalisht, nuk është më shumë sesa një emër kur të shfaqet në institucionet shtetërore. Kjo do të krijojë një situatë ku një qytetar shteti nuk është më një person që është vëllau, axha, shoku etj… i dikujt, por thjesht një individ specifik me të drejta dhe detyrime të parashkruara nga ligji. Prandaj, derisa rëndësia e tij si anëtar i një grupi zvogëlohet, rëndësia e mbrojtjes ose zgjerimit të të drejtave të tij si individ rritet ndjeshëm. Natyrisht, ky mjedis i ri do të forcojë edhe më shumë procesin e individualizimit.

Procesi i individualizimit do të përparojë aq fuqishëm sa që në dekadat e fundit do të fillojë të kërcënojë madje edhe autoritetin që shteti kombëtar kishte mbi qytetarët e tij. Shfaqja e shteteve moderne ka shtyrë përpara procesin e individualizmit, individi tani do të projektohet aq larg sa do të përpiqet të shkojë përtej shtetit.  
Elias vuri në dukje se individi gjithnjë e më shumë po shihet si vlerë aq e madhe sa për të siguruar të drejtat individuale, në legjislacionin kombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ka një tendencë që po rritet për të imponuar shumë e më shumë kufijtë e fuqisë së Shtetit mbi qytetarët e vetë.

Shekulli XX pa shfaqjen e një konteksti thelbësisht të ri në lidhjen shtet – qytetar. Për herë të parë në histori ne i krijojmë dhe mundohemi t’i mbrojmë të drejtat që i përkasin individit pothuajse në mënyrë absolute. Këto të drejta, vlera e të cilave po rritet vazhdimisht, ne i quajmë “të drejta të njeriut”.

Të drejtat e njeriut janë të lidhura fuqishëm me procesin e tejkalimit të kufijve shtetëror përmes një tregu gjithnjë e më të dendur botëror.
Sipas Eliasit, procesi i globalizimit që po jetojmë sot duket se i kontribuon procesit të individualizimit. Duket se historia përsërit veten.
Shteti i centralizuar kombëtar ka çliruar individin nga mbyllja e tij në qoshet e klanit apo fisit. Fitorja e Shtetit mbi këto trajta familjare para-shtetërore ka qenë shumë e dobishme për procesin e individualizimit. Në ditët e sotme, vazhdon ky mendimtar, dobësimi i fuqisë së shtetit kombëtar në dobi të organizatave ndërkombëtare si UN [Shënim i përkthyesit: United Nations – Kombet e Bashkuara] dhe, më e rëndësishmja, shfaqja e entiteteve të reja në shkallë kontinentale (ta zëmë Bashkimi Evropian) duket t’i hap edhe më shumë mundësitë për individin.

Këto konventa ligjore ndërkombëtare ose, edhe më shumë, këto organe mbikombëtare do të lejojnë një rritje të të drejtave të individit në lidhje me shtetet e tyre përkatëse.
Ne e shohim sot tendencën në rritje për t’i njohur të drejtat e njeriut vetëm si individ, për t’i njohur atij disa të drejta thelbësore që askush, në asnjë rrethanë, nuk mund t’ia privojë.
Këto mendoj që janë vijat kryesore të mendimit të këtij mendimtari mbi individualizimin e njeriut. Tani mund të fillojmë t’i shpjegojmë teoritë e Eliasit në funksionimin e shoqërive njerëzore.

Para se të vijmë këtu, së pari duhet të prezantojmë dy teori konkurruese të cilat kryesisht mbizotërojnë debatin intelektual mbi marrëdhëniet individ – shoqëri. Secila nga këto teori i jep përparësi njërit nga këto dy terma.
Grupet e para të mendimtarëve janë mbështetësit e individualizmit. Për ta individi është themeli i realitetit shoqëror. Çka shohim në realitet është një individ. Shoqëritë janë gjithmonë diçka që nuk mund t’i vërejmë. Askush nuk mund të thotë që shoqëritë ekzistojnë në mënyrën e njëjtë si individët që i përbëjnë ato. Të gjitha reflektimet në strukturën shoqërore kanë origjinën e tyre në vëzhgimin ose observimin e individëve dhe veprimeve të tyre. Mendimtarët individualistë janë të bindur që analiza e fenomeneve shoqërore paraqet vetëm përgjithësime nga vëzhgimi i individëve specifikë.
Disa teza paraprake që jo vetëm analiza e këtyre fenomeneve, por vetë fenomenet (domethënë shoqëritë dhe të gjitha strukturat shoqërore) janë asgjë veçse abstraksione. Këta trumbetues të individualizmit gjithmonë e shohin dorën e një individi specifik si forcë të parë të konstruksioneve shoqërore. Për të shpjeguar origjinën dhe funksionimin e institucioneve shoqërore (si parlamentet, policia, bankat, shkollat), ata gjithmonë përpiqen t’u atribuojnë meritat për krijimin e tyre individëve specifikë.
Fillimi, fundi i veprimeve njerëzore – të të gjitha krijimeve shoqërore, ka si shkak disa individë mjaft konkretë.

Në anën tjetër, janë partizanët e teorive kolektiviste. Këta mendimtarë besojnë se roli i individëve gjatë gjithë procesit historik (në të kaluarën, në të tashmen dhe të ardhmen) ishte dhe do të mbetet gjithnjë i vogël. Individët janë hallkë e vogël në mekanizmat më të mëdhenj shoqëror, pika të vogla në oqeanin e forcave impersonale. Për ta individi si i tillë nuk ekziston, ekzistojnë vetëm copëza të një tërësie të përbashkët që përcaktojnë fatin e jetës njerëzore. Njerëzit janë plotësisht të varur nga tekat e mbi-individëve dhe forcave e ligjeve anonime. Ata modelojnë shoqëri që ekzistojnë jashtë individëve dhe të pavarur nga ta. Individi është prodhim shoqëror derisa shoqëria ka status tjetër ontologjik i cili nuk përcaktohet nga veprimet e këtyre “individëve” të pafuqishëm e të parëndësishëm.
Në librin e tij “Shoqëria e Individëve” Norbert Elias do të përpiqet të gjejë një zgjidhje konfliktit në mes përfaqësuesve të Individualizmit dhe partizanëve të kolektivizmit. Ai synon të ndërtojë teorinë e tij e cila mund të shërbejë si një sintezë për këto pozicione antagoniste.
Por, edhe më shumë se një sintezë, teoria e tij sociologjike do të japë një kontribut të rëndësishëm në përgjithësi për shkencat shoqërore. Unë besoj se shumica e ideve të tij të paraqitura në këtë libër mund të përmblidhet si më poshtë:
Çdo person që jeton në shoqëri ka një rol dhe funksion në atë shoqëri. Por, çdo lloj funksioni që të ushtrohet duhet të shndërrohet në funksione tjera brenda asaj shoqërie. Asnjë nga këto funksione nuk mund të qëndrojnë të vetme; ato janë gjithmonë të ndërlidhura në rrjetin e varësive me tjerët.

Sipas Eliasit, ekziston një ndërvarësi fundamentale në mes individëve që ushtrojnë funksionet dhe kjo ndërvarësi paraqet bazat e konstruktimit të botës shoqërore.
Veprimi i secilit individ mund të realizohet, apo edhe të ketë një kuptim, vetëm nëse has në veprime të individëve tjerë në rrjetin e varësive funksionale të tij. Me fjalët e tij, Elias do të thotë në këtë libër:

“Dhe është ky rrjet i funksioneve që njerëzit kanë për njëri – tjetrin, ky dhe asgjë tjetër, që ne e quajmë “shoqëri”. Ky përfaqëson një lloj sfere të veçantë. Strukturat e tij janë ato që i quajmë “struktura shoqërore”. Dhe nëse flasim për “ligje shoqërore” ose “rregullime shoqërore”, ne nuk i referohemi asgjë tjetër përveç kësaj: ligjeve autonome të marrëdhënieve midis njerëzve të veçantë”.

Sipas këtij mendimtari çka sociologët quajnë “ligje të strukturave dhe funksionimit të shoqërisë” nuk do të thotë asgjë tjetër përveç strukturave dhe ligjeve të lidhjeve midis individëve.

Për të qartësuar më tej pozicionet e tij Elias do të marrë një numër rastesh me të cilat ai do të tregojë saktësinë e teorisë së tij. Për shembull ai flet për melodinë.
Nuk mund të analizoni ndonjë melodi nëse analizoni ndonjë shënim pavarësisht marrëdhënies me tjerët. Struktura e melodisë nuk është gjë tjetër përveç strukturës së lidhjeve midis shënimeve të ndryshme. Për t’i kuptuar pjesët duhet të mendohet e gjithë struktura.
Kjo është e vërtetë për secilën sjellje individuale në shoqëri. Sjellja brenda familjes, në një ndërmarrje biznesi, midis miqve ose armiqve, midis qytetarëve të Shtetit, për Norbert Elias është gjithmonë e përcaktuar nga marrëdhëniet e kaluara ose të tashme me të tjerët.
Për të rritur më tej peshën e argumenteve ai do të vazhdojë me analizën e ndryshimeve shoqërore.  Sipas pikëpamjeve të tij në çdo komunitet njerëzor ekzistojnë dy karakteristika madhore që e përbëjnë natyrën e këtij grupi: elasticiteti dhe ngurtësia.
Pavarësisht nga shoqëria, për anëtarët e saj gjithmonë do të ekzistojnë margjina për veprimet e tyre të lira. Gjithmonë mund të gjenim ambiente të përshtatshme që janë të hapura për vendime individuale. Njeriu vazhdimisht e gjen veten në udhëkryq ku i duhet të zgjedhë.
Por në anën tjetër, nuk ishte njeriu që i krijoi mundësitë midis të cilave mund të zgjedhë. Mundësitë që i janë dhënë atij varen tërësisht nga struktura e shoqërisë së tij dhe natyra e funksioneve të tij brenda komunitetit.

Nuk ka asnjë individ, pavarësisht nga cilësitë dhe aftësitë, që mund t’i thyente kufizimet që i imponon ligji i ndërvarësisë i marrëdhënieve njerëzore. Asnjë njeri, mendon Elias, nuk mund të ishte aq i fortë që mund të thyente ligjin specifik për këtë rrjet detyrues njerëzor.
Brenda këtij konstelacioni të forcave, individ njerëzor gjithmonë kufizohet nga ndërvarësia e tij me të tjerët.

Prapëseprapë, e pranon ai, të gjithë individët nuk mund të kenë rëndësinë e njëjtë për rrjedhën e historisë, natyra e personalitetit dhe vendimi personal në disa situata do të ushtrojë një ndikim të konsiderueshëm në fatin e njerëzve dhe ngjarjeve.
Por gjithmonë ndikimi i këtij individi varet nga pozicionet shoqërore dhe funksionet që ai kryen. Një mbret është shumë më i lirë dhe më i fuqishëm në veprimet e tij sesa një skllav sepse ai zë një pozicion të ndryshëm social dhe kryen një funksion që i lejon atij shumë më tepër pushtet.

Ky mbret është tërësisht i pavarur nga tjerët derisa të tjerët janë tërësisht të varur në vendimet e tij. Pikërisht ky lloj pozicioni në shoqëri përshkruan atë që nënkupton fuqia:

Liria dhe fuqia e individit qëndron në pozicionin e tij specifik brenda shoqërisë. Kjo është ajo që Norbert Elias mendon për idealet e vjetra mbi lirinë natyrore të secilit individ dhe për të drejtat e njeriut për të zgjedhur dhe ndërtuar në mënyrë të pavarur fatin e tij në botë.
Për më tepër, këto sulme kundër teoricienëve të filozofisë së individualizimit nuk do të ndalen këtu. Ai do të vazhdojë kritikat e tij në shënimet mbi rolin e individit në rrjedhën e historisë.

Individët – thotë ai – nuk mund të zotërojnë edhe pasojat e veprimeve të veta.
Mbivendosja e përhershme e veprimeve njerëzore, ndërvarësia e vazhdueshme e funksioneve shoqërore lindin një realitet të ri që kurrë s’ishte planifikuar e as dëshiruar nga ndonjë individ në veçanti.
Pazotësia e individëve të izoluar, zbulohet veçanërisht nëse përpiqen të realizojnë projektet e tyre të mëdha afatgjate. Shumëllojshmëria e aktiviteteve dhe projekteve të kryera nga individët tjerë, mbivendosja midis veprimeve të tij, do ta bëj të pamundur parashikimin e rezultateve të pritura nga ndonjë individ pjesëmarrës.
Për më tepër, është e pëlqyeshme që gjeneratat e ardhshme t’i përdorin këto rezultate në shërbim të planeve të tyre. Në fakt, për Eliasin, asnjëherë nuk do të ketë qëllime përfundimtare në historinë njerëzore.

Historia e njeriut është lëvizje jo e qetë pa fund, para dhe mbrapa. Përshkrimi i Eliasit i evoluimit historik të shoqërisë njerëzore është: “Lindur nga projekte të shumta, pa projektin e tij, nxitur nga qëllime të shumta, por pa një qëllim”.
Është shumë e qartë se trajtimi i Eliasit ngjason ngushtë me holizmin e vërtetë sociologjik. Edhe nëse përsërit gjithë kohën që teoria e tij pajton antagonizmin midis avokatëve të individualizmit dhe përfaqësuesve të teorive kolektiviste, askush nuk mund t’i ikë përshtypjes se ai gjithashtu mbështet teoritë kolektiviste (megjithëse në një version disi të zbutur).
Për ta mbështetur këtë konkluzion, do të jap disa rreshta që ngjasojnë me një përpjekje të vërtetë për të operuar një lloj “revolucioni anti-kartezian”.

“Idetë e tilla mund të jenë të lehta ose të vështira për t’u kapur, por faktet që ato i referohen janë mjaftueshëm të thjeshta: individi është në gjendje të thotë “Unë” nëse dhe sepse ai mund të thotë në të njëjtën kohë “Ne”. Edhe mendimi “Unë jam”, dhe akoma më shumë mendimi “Unë mendoj”, presupozon ekzistencën e njerëzve tjerë dhe jetës së përbashkët me ta – shkurtimisht, një grup, një shoqëri”.



SHQYRTIM KRITIK I LIBRIT

Pasi bëmë një prezantim të gjatë të çështjeve më të rëndësishme të librit, erdhi koha të tentojmë të bëjmë një interpretim kritik të këtij libri.
Së pari, mendoj që duhet të vlerësohet rëndësia e këtij libri. “Shoqëria e Individëve” paraqet një vepër të rëndësisë së madhe, shumë e pasur me fakte dhe komente plot informata.
I pasur me njohuri që vijnë nga shkenca të ndryshme sociale (filozofi, sociologji, antropologji, histori, ekonomi etj.) ky libër është përpjekje e sintezës së dy shkollave të mendimit, në shikim të parë antagonist: psikanalizës dhe sociologjisë.
Sepse shpesh duket se ekziston një humnerë e pakapërcyeshme në mes të dy disiplinave. Kjo përshtypje është e pashmangshme sepse shpesh e shohim psikanalizën si tentim për të pasur një vështrim te shtresat biologjike dhe imagjinare të vetëdijes sonë, si qasje që shikon atë që është akoma në errësirën e pavetëdijes sonë ose thjesht si metodë e tretmanit për çrregullimet mendore.

Pra, ne e shohim psikanalizën si një qasje që targeton individët dhe frikën e tyre më të thellë. Psikanaliza bëhet në dhoma të mbyllura e të zeza, në mes pacientit dhe doktorit të tij.
Norbert Elias na ka treguar diçka tjetër. Jo vetëm që ai zbulon marrëdhënien e pandashme të pavetëdijes dhe botës shoqërore, por për më tepër ai ndërton një panoramë të tërë të historisë së kohërave moderne të bazuara në koncepte psikanalitike. Ai do të pretendojë se procesi i themelimit të botës moderne – procesi i civilizimit, është rezultat direkt i procesit të shtypjes dhe censurimit të shtysave biologjike. Në të vërtetë, ndarja vendimtare në mes kafshës – njeri dhe të gjitha kafshëve tjera, akti që shënoi braktisjen e natyrës së tij origjinale dhe fillimin e udhëtimit për horizonte të reja, buroi nga lufta kundër impulseve/ngacmimeve të veta. Elias na këshillon të shikojmë më afër gërshetimin e “organikes” me “shoqëroren”, në “ndërfutjen” midis dimensionit natyror dhe kulturor të qenies njerëzore.
Pas bërjes së një sinteze shumë interesante midis psikanalizës dhe sociologjisë, një cilësi e lartë shtesë e kësaj pune është koherenca e saj.

Pavarësisht faktit që studimi i tij mbulon fusha të mëdha të njohurive në disiplina të ndryshme Norbert Elias ishte në gjendje të integronte elemente të ndryshme në një rend të vetëm të mirëstrukturuar.
Edhe nëse ai nuk e pretendon emrin “filozof”, ndoshta pavetëdijshëm ky mendimtar në pjesë të madhe arrin të realizojë aspiratat e shumë mendimtarëve të të gjitha vendeve e të gjitha kohërave; të jetë në gjendje të unifikojë shumicën e tezave të tij në një sistem shumë të gjerë dhe, në mënyrë ideale, gjithëpërfshirës.

Lidhur me pozicionet e mia në relacion me tezat e Norbert Eliasit do të thosha që ato kanë një status të përzier aksiologjik. Ka pika ku unë mund të pajtohem me prentendimet e tij, por poashtu ka çështje ku pikëpamjet e mia janë thelbësisht të ndryshme.
Mendoj se që në fillim duhet ta qartësoj këndvështrimin tim. Unë i përkas shkollës së mendimtarëve që Norbert Elias i ka targetuar shumë herë në këtë libër. Konsideroj se pozicionet më të sakta në etikë janë ato të shprehura nga përfaqësuesit e tezave individualiste. Në të njëjtën kohë në filozofinë politike dhe sociale jam mjaft afër me traditën e mendimtarëve që avancojnë rolin vendimtar të njerëzve dhe elitave në zhvillimin e historisë njerëzore (kjo traditë filloi së paku nga Herakliti dhe Platoni). Megjithatë, pasi e thashë këtë, do ta bëj të ditur menjëherë kundërshtimin tim të thellë për të gjithë konceptet etike dhe politike që mbështesin forma të ndryshme të egocentrizmit (si për shembull në teoritë libertariane ose anarkiste të ditëve të sotme). Do të shtoj njëlloj që konsideroj se Ideali i “individit të lirë dhe të plotfuqishëm, i cili pavarësisht nga e gjithë bota e jashtme, në mënyrë autonome përcakton fatin e tij” nuk është asgjë më shumë sesa kaq, thjesht: një ideal.
Por, paradoksalisht, vlera e tij është enorme. Sepse ky postulat individualist në fakt mishëron një aksiomë etike e cila paraqet bazën metodologjike të projektit për një ekzistencë më të mirë e më të lumtur njerëzore.

PIKAT E FORTA TË LIBRIT “SHOQËRIA E INDIVIDËVE”

Tezat më të forta dhe të elaboruara mirë të paraqitura nga Elias në këtë libër në mendjen time janë:

1. Me argumente rigoroze Norbert Elias demonstron se individi nuk mund të burojë nga parajsa ose nga hiçi, se ai është i kushtëzuar në një mënyrë ose tjetrën nga njerëzit tjerë. Çdo individ gjatë jetës së tij nuk mund të krijojë kurrë “Ex Nihilio” realitete të reja, por ai duhet gjithmonë të veprojë brenda një konteksti specifik shoqëror.

2. Elias na tregoi se bashkëpunimi mes njerëzve nuk është diçka vetëm e dëshirueshme, por që bashkëpunimi dhe solidariteti janë parakushte të domosdoshme për mbijetesën njerëzore. Njerëzit janë aq të varur te njëri – tjetri saqë çdo mosfunksionim i rëndësishëm i rrjetit të lidhjeve të tyre do t’i dërgojë së bashku në skëterrë.
Konceptet teorike të Eliasit të “ndërvarësisë funksionale” ose “përshkimit” të fenomenit duhet të përdoren si kurë e dobishme kundër kërcënimeve të paraqitura sot nga egocentrizmi modern. Nëse ne nuk ngremë një vetëdije kolektive për ndërvarësinë tonë globale që rritet me shpejtësi, nëse e ashtuquajtura “konkurrenca ekonomike globale” përfundimisht do të zaptojë të gjitha hapësirat e jetës sonë, e shkëlqyeshmja “Lojë e madhe globale” së shpejti do t’i humbë të gjithë lojtarët e saj.

3. Duke përsëritur shumë herë natyrën thelbësore shoqërore të njerëzve, teoritë e Norbert Eliasit do të kontribuojnë shumë në arsyetimin e përpjekjeve për më shumë kohezion shoqëror. Këto teori do të ndihmonin për të ushqyer ndjenjën e solidaritetit dhe një harmonie më të madhe midis anëtarëve të komunitetit.

4. Norbert Elias ka argumentuar mjaft bindshëm se kapërcimi para për njerëzimin ishte i mundur përmes procesit të civilizimit.
Vetëkontrollimi i fortë dhe zotërimi i afekteve tona çuan në arritje të mëdha njerëzore.
Njeriu që është mjeshtër i vetvetes është një qenie më e mirë, ndërhyrja me teket e natyrës së tij i hapi njerëzve rrugët e madhështisë.
Në kundërshtim me këtë, njerëzit modern të ditëve të sotme tentojnë të kthejnë mbrapa procesin e civilizimit. Ne shohim në dekadat e fundit në pikëpamjet mbizotëruese pikërisht vetëkontrollimi është bërë sinonim i njeriut të palumtur i cili është i frikësuar të jetojë jetën e vërtetë të tij dhe një emër me të cilin identifikojmë një frikacak dhe humbës që nuk guxon të shprehë natyrën e tij. Përmbajtja çdoherë e më tepër shihet si tjetërsim, maturia si sulm kundër “kërkesave” të vërteta të trupit tonë. Të ushqyer sigurisht nga interesat financiare, mospërmbajtja dhe teprimi shihen si shprehje më të sinqerta dhe më të çiltërta të esencës së qenies njerëzore.

Nga leximi i këtij libri, shohim se tani procesi i civilizimit është në një krizë serioze, se ajo që u vlerësua si e vërtetë dhe e denjë për një njeri nuk u konsiderohet më si e tillë. Në vend të tyre, disa “vlera” primitive që ekzistuan para procesit të civilizimit rishtazi shihen me vrull. Filozofia sociale e Eliasit na bën me dije që jemi përsëri përpara sfidave:

(1) Nënshtrojuni imbecilëve të kudondodhur dhe bashkojuni procesit kontemporar të primitivizmit të ri të njeriut;

Ose (2) rezistoni barbarizmit, filloni edhe njëherë betejat e vjetra për t’i larguar njerëzit nga lashtësia e pastër e tyre, drejtojini ata drejt horizonteve të reja të ndritshme.

5. “Shoqëria e individëve” shpjegon shumë mençur faktin se Shteti modern nuk ishte një forcë që ka shtypur potencialin e individit duke tentuar të ndërtojë prej tij një shërbëtor të thjeshtë të shtetit.
Përkundrazi – thotë Norbert Elias – shteti modern ka kontribuar shumë në procesin e individualizimit. Shumë të rëndësishme për filozofinë politike janë dy lloj funksionesh të një shteti të fortë, funksione që do të ndihmojnë dukshëm procesin e individualizimit.
Shteti ka monopolin e fuqisë. Shteti është ajo fuqia supreme për individin që do ta mbrojë jetën dhe pronën e tij.

Funksioni i dytë i madh që Shteti duhet ta sigurojë sipas Eliasit është pikërisht çka që përbën një parim themeltar të etikës dhe politikës: mundësi të barabarta.
Mundësitë e barabarta janë pre-rekuizita për individin që ta zhvillojë gjithë potencialin e tij. Sociologu gjerman vë në dukje dy fusha kryesore ku mundësitë e barabarta mund të zhvillohen pa kufizime:

(1) në fushën e arsimit, ku çdo njeri duhet të ketë një qasje të lirë dhe të barabartë në arsim, ekuivalente me qasjen që do të kenë qytetarët tjerë;
(2) në fushën e drejtësisë, ku secili duhet të trajtohet me të drejta të barabarta dhe detyra të barabarta;

6. Një konkluzion tjetër i rëndësishëm që duhet të tërhiqet nga ky libër:
Nëse rruga drejt vetërealizimit varet thellësisht nga mundësitë që shoqëria na ofron, ne duhet të konkludojmë se përmbushja në jetë është e lidhur ngushtë me domosdoshmërinë e ndryshimeve pozitive në shoqëritë tona.
Kjo do të thotë që veprimi që synon të përmirësojë komunitetin, nëse është i suksesshëm, do të sjellë domosdo rezultate të dobishme për individët që kanë marrë pjesë në atë veprim.

7. Elias e sheh shumë mirë se procesi në rritje i globalizimit dërgon në formimin e strukturave të reja legale. Këto entitete do të themelohen si shumëkombëshe ose edhe organizata mbikombëshe ose supranacionale, të cilat duke shkruar ligjet dhe vendosur rregullat universale për të gjithë njerëzit do të kontribuojnë në forcimin e të drejtave të njeriut dhe rritjen e vlerës së individit gjithandej globit.

Analizat e Eliasit janë shumë shndritëse. Ai na nxit të mendojmë për të ashtuquajturin proces të globalizimit në një mënyrë shumë më të ekuilibruar.
Me një vlerësim më të hollësishëm ne bëhemi më perceptues të kompleksitetit të këtij procesi. Në atë rast ne mund të vërejmë që procesi i globalizimit krijon shumë kërcënime por ai gjithashtu hap edhe mundësi të panumërta të reja.
Prandaj, duhet të braktiset mendimi dogmatik i cili e sheh realitetin vetëm në dy ngjyra (bardh ose zi). Globalizimi duhet të konsiderohet si një instrument që mund të përdoret në dy mënyrat.

PIKAT E MOSPAJTIMIT ME PIKËPAMJET E MBROJTURA NGA ELIAS

Unë besoj që në këtë libër ka edhe disa pretendime të pavërtetuara që mund të sjellin pasoja shumë negative për etikën tonë dhe për politikën moderne. Të paktën për mua, Norbert Elias parashtron disa teza mjaft të rreme.
Sipas këndvështrimit tim, këto gabime janë:

1. Filozofia sociale e Eliasit paraqet një rast tipik të një holizmi ku fenomenet shoqërore kanë një mbizotërim të qartë mbi të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. Vëllimi i shoqërisë është aq i kudondodhur dhe i gjithëfuqishëm saqë kemi vështirësi në gjetjen e një hapësire të vogël për individin. “Fakti social” (nëse e përdorim një koncept durkheimian) mbulon gjithë jetën njerëzore, dallimet midis individëve janë të vogla. Në mendjen e Eliasit “Unikja e njeriut” paraqet një produkt të thjeshtë të imagjinatës njerëzore.

2. Elias tha që përfaqësuesit e teorive individualiste keqkuptojnë statusin e individit në shoqëri duke e trajtuar atë si të ishte i rritur nga dita e parë e lindjes.
Ironikisht, Eliasi do të përdorë qasjen e njëjtë në këtë libër. Sepse ai do të paraqesë shoqërinë si diçka tashmë të dhënë, një realitet të përkryer i cili ekziston nga dita e parë. Elias e përshkruan shoqërinë si krijuese të jetës njerëzore por jo shoqërinë si produkt i veprimeve njerëzore.

3. Te Eliasi “marrëdhëniet shoqërore” dhe “funksionet shoqërore” shihen si entitete të pavarura të cilat përfaqësojnë forca të jashtme që përcaktojnë jetën e individëve nga jashtë.
Unë i shoh këto teori si plotësisht fantastike. Është e mahnitshme si Norbert Elias i ndan krijimet njerëzore nga shkaku, si i vlerëson veprimet duke neglizhuar mjetin e tyre.
Nëse këto marrëdhënie dhe funksione janë me të vërtetë produkte shoqërore dhe duke e ditur që shoqëria konsiston një grup të njerëzve, si është e mundur që këto marrëdhënie ekzistojnë të pavarura nga njerëzit!?
Kjo mbetet një enigmë e këtij libri!
Në vend të fantastikes, unë besoj që duhet thjesht të përsërisim një fakt të dukshëm që “marrëdhëniet”, “funksionet”, “strukturat” janë vetëm produkte shoqërore të realizuara nga projekte specifike të konstrukteve shoqërore.
Në fakt, projektet e konstrukteve shoqërore do të thonë: veprimet që disa individë ishin apo akoma janë duke i ndërmarrë së bashku.

4. Si provë substanciale që “kapacitetet individuale” janë vetëm retorikë boshe, Norbert Elias jep argumentin që individët e izoluar kurrë nuk mund të parashikojnë pasojat e ardhshme të veprimeve të tyre.
Eliasi këtu sigurisht ka të drejtë. Fatkeqësisht, ai nuk ishte në gjendje ose së paku nuk deshi ta shihet gjithë figurën. Ai injoron një të vërtetë tjetër, po aq të rëndësishme sa e para.
Sepse lind një pyetje e paevitueshme: A munden vetë shoqëritë ta parashikojnë pagabueshëm të ardhmen e tyre? Nëse e shtrojmë pyetjen e mëposhtme për anëtarët e të gjitha shoqërive moderne (komunitetet më të dijshme dhe më të sofistikuara në historinë njerëzore): Cilat do të jenë ndryshimet që shoqëria juaj do t’u nënshtrohet në dhjetë vitet e ardhshme – cila do të jetë përgjigjja?
Natyrisht z. Elias, s’ka përgjigje! Shoqëria si tërësi nuk mund të parashikojë as pasojat e veprimeve të saj kolektive.
Rezultatet e veprimeve njerëzore janë të paparashikueshme jo sepse njerëzit janë të dobët dhe veprimet e tyre bashkohen në trupin madh shoqëror vetëm për të humbur, por thjesht për shkak të faktit që secili veprim varet gjithmonë nga agjenti i tij, Njeriu, i cili vetë është qenie shumë e paparashikueshme dhe jokonsistente.

5. Filozofia sociale e Eliasit nuk jep ndonjë indikacion që mund të na ndihmojë të zgjedhim problemet etike.
Në një komunitet ku secila vlerë konsiderohet si vlerë shoqërore ndër vlerat tjera si mund të bëjmë ndryshimin midis tyre?
Ndër vlerat, të cilat janë asgjësuar nga koncepti i njëjtë, cilat janë kriteret që e dallojnë një “të mirë” nga një “e keqe”?
Në këtë libër, Eliasi, kurrë nuk e shpjegoi këtë!

FUND

*Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual” dhe është eksluzivitet i Virtual Sophists. Kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e shkrimtarëve dhe filozofëve nga kulturat franceze dhe gjermane. Aktiviteti u mbështet nga programi “Kultura për Ndryshim” që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.








  

   
  

































 
  
  



Comments are closed.

Navigate