PUSHTETI I BUTË

Qendrim Badalli

Në librin “The future of power” (E ardhmja e pushtetit), autori Joseph. S. Nye, shtjellon idenë e tij rreth një pushteti i cili është ngritur dhe po vazhdon të ngritet siç quan ai, “Soft power”, pra “Pushteti i butë. Ndryshimet e përgjithshme shoqërore dhe politike që kanë ndodhur në botë në dy shekujt e fundit, në veçanti në sferën perëndimore, kanë krijuar rrethana për ngritjen e një arme tjetër në luftën konstante të kombeve mes vete. Cilat janë karakteristikat e këtij lloj pushteti? Cili është synimi dhe cilat janë mjetet për këtë pushtet? Cilat janë rrethanat specifike që e mundësojnë funksionimin e këtij pushteti? Cili është kombi që po avanson me këtë lloj pushteti? Këto janë disa nga pyetjet, përgjigjet e të cilave i gjejmë në këtë libër.

Para se të vazhdohet më tutje nevoitet të shohim se si autori e defion konceptin e pushtetit. Rëndom ky koncept është definuar si ‘aftësia për diktimit e veprimeve të tjetrit’, ndërsa resurset mbi të cilat ka funksionuar ky pushtet janë një ekonomi, popullsi, ushtri, dhe territor i madh në nivel kombi. Ndryshimi i definimit të konceptit të pushtetit sjell edhe ndryshimin e resursve mbi të cilat funksionon ky pushtet. Kështu, pushteti në definimin e autorit nuk është vetëm ‘aftësi për ti diktuar veprimet e tjetrit’ por ai zgjerohet edhe në <promovimin e vetes për ndikimin e tjetrit> përmes krijimit të agjendave dhe strategjive të caktuara. Nëse ushtrimi i pushtetit është bërë përmes ekonomisë dhe ushtrisë, sot pushteti funksionon edhe përmes bartjes së <vlerave politike, kulturore dhe civile> të kombeve të caktuara jashtë tërritorit të tyre.

Resurset tipike të pushtetit të butë konsiderohen: kultura, vlerat politike dhe politikat e jashtme. Në këtë kontekst, brendet e caktuara të ushqimit apo të veshjes, promovimi i demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut si vlera politike përmes mekanizmave të ndryshme, si organizata dhe media ndërkombëtare, përbëjne aparaturën e këtij pushteti. Organizimi i trajnimeve, konferencave, seminareve, dhurimi i bursave, etj. përbëjnë një mekanizëm tjetër të këtij pushteti në përpjekjet e kombeve për ta ndërtuar një <fotografi atraktive> për veten dhe për t’i ndikuar popujt e tjerë.

Krijimi dhe funksionimi kësisoj i këtij lloj pushteti, do të ishte i pamundur pa shfrytëzimin e tri rrethanave:

1. Të ashtuquajturit faktorët jo-shtetëror;
2. Botën kibernetike, dhe
3. Globalizimin si proces social e politik.

Ngritja e projekteve internacionale ka krijuar mundësi juridike dhe praktike për krijimin e korporatave në sfera të ndryshme, të cilat në koordinim me politikën e jashtmë të shteteve të tyre e mundësojnë ‘pushtetin e butë’. Krijimi i fondacioneve humanitare dhe përmes tyre financimi i shoqërisë civile: mediave, instituteve, organizatave jo-qeveritare, etj. janë praktika tashmë të njohura në shërbim të këtij pushteti.

Një aspekt me rëndësi në krijimin e këtij lloj pushteti dhe në efikasitetin e tij është transformimi i nacionalizmit si ideologji politike në shoqëri. Në shoqëritë e përprauara, nacionalizmi manifestohet në ekonomi, shkencë e kulturë, përderisa në disa shoqëri tjera vazhdon proto-nacionalizmi etnik i lidhur për gjak e tokë. Në këtë kontekst, lufta mes kombeve përmes pushtetit të butë varet edhe nga koncpetimi i tyre për nacionalizmin dhe në veçanti nga manifestimi i tij.

Për sa kohë bartja e kulturës në kuptimin e saj më të gjerë në një tërritor tjetër definohet si formë e sofistikuar e pushtetit të butë, ia njohim të drejtën filozofit gjerman Martin Heidegger i cili ka thënë:

“Çdo kozmopolitanizëm është nacionalizëm i zgjeruar”.

Me përjashtim të lirive dhe të drejtave të patjetërsueshme të cilat kanë karakter universal dhe përbëjnë boshtin mbi të cilat realizohet jeta njerëzore, tendenca për homogjenizim në rrafshet socio-kulturore është sulm ndaj diversitetit si vlerë, dhe njeriut si qenie unike.

Comments are closed.

Navigate