Ruso: Profeti i madh i Modernitetit Evropian

Hyrje mbi idetë dhe veprat e filozofit Zhan Zhak Ruso dhe rroli i tyre në ndërtimin e modernitetit në Evropë.

Shkruan: Besnik Domi

Projektin tonë “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual” * do ta fillojmë me një vepër shumë të madhe artistike dhe filozofike. Me një vepër që shënon fillimin e një epoke të tërë, në fillim në Francë e pastaj në tërë Evropën e më gjerë. Sepse asnjë ndryshim i madh në historinë e njerëzimit nuk ka mundur të niste, paraprakisht, pa një revolucion thelbësor në lindjen dhe në rrymimin e ideve të reja. Të ideve që jo vetëm e përjetojnë dhe e ndiejnë tërë njeriun dhe tërë botën ndryshe. Por, edhe më shumë se kjo, shumë më shumë se këto, një ndryshim thelbësor i fatit njerëzor nis atëherë kur njeriun dhe botën e duam dhe luftojmë për ta bërë ndryshe.

Bota ndryshohet nga veprimet e përpjekjeve të vështira të miliona njerëzve së bashku. Këtu s’ka dyshim. Por gjithë ata njerëz fillesat e para i kanë tek një numër aq i mbledhur i disa mësuesve të jashtëzakonshëm.

Shekulli i 18 dhe më pastaj edhe ai i 19 kishte pikërisht për prijës të milionëve ata mendimtarët francezë që u quajtën “Les Philosophes”. Epoka e re e “Iluminizmit” (Ndriçimit), që do të ndryshonte përjetësisht të ardhmen e tërë njerëzve të tërë këtij planeti, do të rrezatonte pikërisht nga disa mendje shumë të rralla, shumë të jashtëzakonshme.

Nga gjithë këta mësues, kryemësues do të bëhej artisti, filozofi dhe edukatori Zhan Zhak Ruso. Pak njerëz gjatë gjithë të kaluarës njerëzore janë quajtur Profetë të një bote të re. Madje akoma më pak, janë pranuar nga disa njerëz si të tillë. Madje shumëkush ka dyshuar dhe dyshon në vetë ekzistencën e profetëve.

Por nëse megjithatë e pranojmë ekzistencën e profetëve atëherë për Ruson mund të pohojmë se ai ishte Profeti i madh i Modernitetit Evropian. Mendimet dhe më vonë lëvizjet e stërmëdha shoqërore buruan, në një formë apo në një tjetër, nga kjo mendje kaq e thellë dhe e begatë e këtij Filozofi aq krijues të lindur në Gjenevë.

I tërë një botëkuptim i ri mbi gjithë-njerëzoren u stis dhe u brumos aq fuqishëm dhe kaq hollësisht në zemrën e tij. Rusoi na prindëroi Roamantizmin, hap pas hapi më vonë na solli furishëm idetë bosht të Modernitetit tonë: Vullnetin Popullor, Sovranitetin popullor, Sundimin e Ligjeve, Çlirimin e njeriut nga sundimtarët dhe shtypësit e tij, barazinë para ligjit, frymën e bashkësisë, qytetarinë moderne. Po, ishte pikërisht Rusoi ndoshta më shumë se askush tjetër nga filozofët e kohës së tij që solli Frymën e re të Demokracisë, sundimit të Shtetit Ligjor, Qytetarinë e një shteti modern, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Nacionin, frymezimet e para ekologjike, etj. Mirëpo sipas disa studiuesve ai ishte frymëzues edhe i ideologjive ekstreme të Nacionalizmit, Komunizmit dhe Fashizmit.

Kjo dëshmon fuqinë, pasurinë dhe gjerësinë e mendimeve të tija: Një provincialist i varfër nga një qytet i humbur mes malesh, në mënyrë të pavarur dhe duke u fshehur madje edhe nga regjime të tëra shtypëse të kohës, do të shndërrohej në një Prijës shpirtërorë të vlerave, mendimeve dhe madje edhe botëkuptimeve të reja, që që në shekujt e mëvonshëm do ta shndërronin fatin thelbësor të tërë njerëzimit.

Gjenitë e mëdhenjë do të joshin dhe do të frymëzojnë miliona njerëz tjerë që këta ta nisin përpjekjen dhe luftën për një vetëvete ndryshe në një botë ndryshe. Por gjenitë janë aq të pasur dhe të thellë në ide saqë ata do të bëjnë miliona njerëz që ata ti ndiejnë dhe ti kuptojnë edhe ato ide ndryshe.

Kjo i ka ndodhur edhe Rusos, njërit prej më të mëdhenjve. Ai është asisoj që do të ngriste në kushtrim miliona njerëz për të luftuar për këtë botën tonë më ndryshe. Por megjithëse të sajuar nga e njëjta mendje prindore, këta miliona idealistë të rinj do ti lexonin këto Porosi të shenjta në kundërshtim me njëri-tjetrin, madje duke i bërë shpesh edhe armiq të njëri-tjetrit.

Pra ndoshta është pikërisht kjo krejt e vërteta: Ruso do të mpikste edhe më të Mirat edhe më të Këqijat e mëdha që për plot 200 vite pas vdekjes së tij do ta vërshonin dhe shndërronin bashkësinë tonë njerëzore planetare. Ai ka Merita e ndoshta edhe Faje me të vërtetë kaq të stërmëdha. Ndoshta ai nuk ka menduar madje as që ka gjakuar të bëhet frymëzim për asnjërat nga ato, ndoshta ai në thelbin e tij nuk ka qenë asnjëherë më shumë se një dijetar dhe një mendimtar i vetmuar pa pretendime të mëdha, thjeshtësisht i dashuruar në natyrën njerëzore dhe në Tërë-Natyroren si gjithësi.

Por ky është fati i Gjenive që kanë lindur në një vend dhe në një kohë të duhur. Ai do të bëhej prind i shekujve të ardhshëm sepse ishte njëri prej bijëve më të mirë të shekullit të tij. Ai do të bëhej prijësi i madh sepse pikërisht jetoi në tokat midis shtetit Francez dhe Britanisë, hapësira këto që u bënë rrjedhimisht djepërat e pagëzimit të një Epoke Revolucionare që do të sillte Modernizmin e shekujve të mëvonshëm.

Pra kemi vendosur të fillojmë projektin tonë mbi kulturën evropiane pikërisht me veprën e njërit prej themeluesve të këtij Qytetërimi bashkëkohor. Sepse vepra e Zhan-Zhak Rusos nuk mund të ngërthehet assesi në skema të rëgjuara të përcaktimeve ataviste provinciale apo nacionaliste: Për Zhan Zhak Ruson nuk mund të themi kurrsesi se ai ishte një krijues i qytetit të Gjenevës, një Zvicerian apo një Francez. Ai është një Humanist i madh i cili frymëzoi Qytetërimin Modern Evropian si shëmbëlltyrë për ndryshimin dhe Ndriçimin e tërë botës njerëzore. Ai ishte Dritë e parë prandaj u bë Pishtar i një Epopeje të re për një të Ardhme më të mirë!

Veprat më të njohura të tij, apo së paku ato me më së shumti ndikim ishin:

“Ligjëratë mbi prejardhjen dhe themelet e pabarazisë midis njerëzve” dhe “Kontrata Sociale”.

Por ne me këtë rast do të prezentojmë nje tekst të shkurtër të përkthyer dhe (pas disa ditësh) një koment mbi kryeveprën e tij mbi edukimin e ri të djemve të rinj: “Emili apo mbi Edukimin”. Na duket se madje edhe për rrethanat e shteteve dhe kombit tonë, madje edhe tash pas më shumë se 250 viteve, ky test dhe ky koment për këtë vepër, janë aq të domosdoshëm. Se madje edhe ne sot, kemi ende aq shumë mungesë që nuk kemi mësues të këtillë si fatlumi Emil i kësaj kryevepre shëmbëlltyrë!

FUND

*Ky artikull publikohet në kuadër të projektit “Arti dhe Studimet Humaniste në Shërbim të Edukimit të Ri Kulturor dhe Intelektual”. Projekti mbështetet nga Bashkimi Europian përmes projektit “Kultura për Ndryshim”, projekt që implementohet nga Multimedia dhe Instituti Goethe.

Comments are closed.

Navigate