SOPHIA 2

*Ftesë për lexim: Revista filozofiko-letrare “Sophia”  (revistën mund ta shkarkoni në fund të faqes)             

Pas shumë përpjekjesh, më në fund u kompletua edhe numri i dytë i revistës filozofiko-letrare ‘Sophia’. Kësaj radhe në bashkëpunim edhe me kryeredaktorin e ri të revistës, filozofin Besnik Domi, kemi vendosur që këtë numër ta ndërtojmë rreth njërit prej mendimtarëve më të fuqishëm që ka njohur historia e mendimit, mendimtarit që guxoi të ngrihet mbi të gjitha autoritetet dhe një herë e përgjithmonë t’ia kthej filozofinë njeriut – Friedrich Nietzsche.

Kjo përzgjedhje nuk është fare e rastësishme pasiqë prej fillimeve të blogut ‘Virtual Sophists’ dhe gjithë veprimtarisë pothuajse 3 vjeçare, është trajtuar fryma e ekzistencializmit si liri dhe autonomi e individit për ti dhënë kuptim jetës dhe kështu për ta realizuar veten si qenie humane, respektvisht si qenie që mendon dhe ndjen. Në këtë kuptim Nietzsche e bëri bashkimin e natyrës njerëzore duke e trajtuar atë si totalitet (Apoloni dhe Dionisi) duke ngritur kështu themelet e individit dhe individualizmit. Kjo ngritje nuk ishte dhe nuk është aspak e lehtë. Vetë Nietzsche-s iu desh të mohonte 2000 vjet histori, madje të mohonte metaforikisht edhe Zotin, duke e shpallur atë të vdekur, apo më mirë, të vrarë nga vet ne mëkatarët. Këtij kolosi të mendimit dhe vullnetit iu desh të ecte nëpër rrënojat 2000 vjeçare të civilizimeve, të cilat aksidentalisht ose jo, thuajse e dehumanizuan njeriun, e kalbën atë përbrenda.

Procesi i ndërtimit të vetes, nga vetja dhe për veten, kërkon sakrificën më të madhe që mund ti kërkohet njeriut gjatë jetës. Eshtë e tillë sepse kërkon që të mohosh themelet e historisë, themelet e moralit dhe gjithë strukturën psikologjike e të besimit që është zhvilluar nga këto mbejte të së kaluarës. Dhimbja që vjen nga një mohim i tillë është dhimbja e lindjes, dhimbja e vet ekzistencës, dhe është kjo dhimbje që na kujton se jemi në jetë, se ekzistojmë, se jeta është aty për tu realizuar. Jeta ndodh vetëm përmes dhimbjeve porse jeta është edhe tejkalim i dhimbjeve, i vetes së djeshme.

Ky proces mohimi në të njejtën kohë është edhe proces vetëdisimi mbi botën objektive, mbi moralin, mbi pakuptimësinë e jetës përballë vdekjes. Përmes këtij vetëdisimi njeriu e kupton gjendjen e krimbit në të cilën ai përpëlitet në përditshmerinë banale, dhe tenton të ngrihet drejt majave, drejt horizonteve të reja, kërkon të shkoj larg, të lundrojë detërat e kaltër, të ngjitet majave të thepisuara, të njoh thellësitë e oqeaneve apo ti bëj ballë vetmisë së pyllit. Vetëm përbrenda njeriut gjendet potenciali që krimbi të shnderrohet në mbinjeri. Një mbinjeri që nuk është i tillë për shkak të racës apo fuqisë fizike, por sepse u bë i tillë falë fuqisë shpirtërore, sinqeritetit, çiltërsisë, thellësisë apo guximit për të ndjerë dhe mposhtur historinë. Mbinjeriu është njeriu që dhimbjen dhe dobësinë e shndërron në vullnet për fuqi dhe për fund jetën e shndërron në një vepër arti!

Nga Ardian Batusha, botues i revistes

“Filozofia, mesa e kam kuptuar dhe jetuar deri më tani, do të thotë të jetosh vullnetarisht midis akullit dhe maleve të larta – duke kërkuar çdo gjë të çuditshme dhe të dyshimtë në ekzistencë, çdo gjë të ndaluar deri më tani, nga morali. Akulli është pranë, vetmia e tmerrshme – por sa qëtësisht gjithë gjërat qëndrojnë në dritë! Sa lirshëm mund të marrësh frymë! Sa shumë ndjehet gënjeshtra nën vete.” Friedrich Nietzsche
*(Fragmenti u përkthye nga 
Redi Sheqeri)

*Ne linkun poshte mund te shkarkoni revisten. Lexim te kendshem!


http://www.virtualsophists.org/wp-content/uploads/2019/05/Sophia_Volume2.pdf

Comments are closed.

Navigate