‘Zoti i imagjinuar’ tek Spinoza

Ese filozofik

Zoti i imagjinuar’ tek Spinoza

Filozofi nga Hollanda Baruch de Spinoza jetoi në shek XVII dhe së bashku me Dekartin konsiderohen si paraendesit e epokës moderne. Për shkak të aktivitetit të tij intelektual ai u ‘c’kishërua’, u shpall herë heretik, herë ateist dhe i rrezikshëm për shoqërinë. Filozofia e tij nuk mund të klasifikohet në një drejtim, ajo duket si një oqean nga i cili kanë gjetur frymezim idetë nga më të ndryshme filozofike pas vdekjes së tij. Kryevepra e Spinozes “Etika” llogaritet si njera ndër veprat më të mëdha të gjithë historisë së filozofisë.

‘Zoti i imagjinuar’, konceptimin e Zotit në përgjithësi, por mbi të gjitha raportin e Zotit me atributet e tij, pra me pyetjen: atributet e Zotit a janë atribute që i mveshen nga njeriu dhe shoqeria apo ekzistojnë pavarësisht këtyre. Rreth këtij raportit Substancë (Zot)- atribute jane dy intepretime mes filozofëve: Intepretimi subjektiv dhe intepretimi objektiv. Intepretimi subjektiv: atributet janë cilësi apo tipare që intelekti ia mvesh Zotit, domethënë ato janë kendveshtrim i vetë subjektit që percepton dhe intepretimi objektiv: atributet janë vetë qenia e substances apo Zotit, e cila perceptohet nga intelekti si ky apo ai atribut.

Për Spinozën, Zoti (Substanca) konsiston në atribute të pafundme ndërsa mendimi dhe shtrirja (materia) jane vecse dy nga atributet që ne i njohim. Këto atribute që ne i njohim, nuk janë atribute që i’a ka mveshur njeriu por përbëjnë vetë esencën dhe ekzistenën e tij. Prandaj Spinoza renditet në rradhën e filozofëve që kanë intepretim objektiv rreth raportit te Substances me atributet e saj dhe kjo përbënë thelbin e qasjes së tij ndaj Zotit.

Para se të vazhdohet tutje, duhet njohur dallimin mes koncepteve Natyrë natyrante dhe Natyrë e natyruar.


Me Natyrë natyrante duhet të kuptojmë atë që është në vetvete dhe që konceptohet prej vetvetes, thënë ndryshe, atribute të tillë të substancës të cilët shprehin esencën e përjetëshme dhe të pafund, domethënë, Zotin konsideruar si shkak i lirë. Ndërsa me Natyrë të natyruar, kuptojmë gjithcka që vijon nga domosdoshmëria e natyrës së Zotit, thënë ndryshe, gjithcka që vijon nga secili prej atributeve të Zotit, domethënë të gjithë moduset e atributeve të Zotit për aq sa i konsiderojmë si gjera që janë tek Zoti dhe që pa Zotin, as mund te jenë dhe as mund të konceptohen.

Spinoza Zotit i referohet me konceptin Substancë, teksa Zoti i tij, pra Substaca, është unike me atribute të pafundme dhe transcedentale. Ndërsa njohja e tij bëhet e mundshme vetëm përmes njohjes intelektuale që është edhe lumturimi i vërtetë i njeriut.

Këtu kemi dy momente të rëdësishme lidhur me kritikën e Spinozës për përfytyrimin tradicional të Zotit, në kuptimin antropomorfik te Zotit, (domethënë Zotin e imagjinuar sipas imazhit të një njeriut). Së pari, Zoti nuk ka marrdhënie pushteti me njeriun apo shoqërinë meqë nuk është brenda kohës dhe hapësirës, sepse po të ekzistonte në atë formë ai do të hynte në rendin e gjërave, rrjedhimisht do të kishte shkak për ekzistencen e tij dhe si i tillë do pushonte së qeni Zot dhe do të humbiste thelbin e Zotit të Spinozës dhe të shumë filozofëve të tjerë: Ekzistencën e një shkaku që shkakton vetveten. Dhe së dyti, njohja intelektuale është mënyra e vetme për njohjen e Zotit sepse intelekti gëzon fuqinë që ti kuptojë gjërat ashtu sic janë, pa qenë i kushtëzuar nga ndonjë gjendje fiziko-mendore specifike. Konceptimi i Zotit pa intelektin, është konceptim i vulgut (injoracës) dhe i njejti bazohet në gjendjet kontekstuale fiziko-mendore të tyre. Pohimi i tyre që rëndom përfshin formën dhe imazhin e një Zoti me sjellje të caktuar njerëzore nuk tregon asgjë për Zotin por tregon për gjendjen e tyre në një situatë specifike. Dhe meqë situatat mund të ndryshojnë dhe bashkë me situatat edhe gjendjet, atëherë Zoti i tyre bëhet i ndryshueshëm, pra kontesktual, dhe kjo dërgon në absurditet besimin në një Zot dinamik në nivel identitar.

 Lidhur me konceptimin e Zotit sipas njeriut, Spinoza na mëson:

Ka nga ata që e konceptojnë Zotin sipas njeriut , të përbërë nga nje trup dhe mendje, dhe rob të pasioneve. Të gjithë ata që i kanë kushtuar sado pak vemendje natyrës hyjnore bien njëmend për të mohuar se Zoti është trupor. Dhe ketë të vërtetë ata e provojnë fort mirë edhe nga ajo që ne kuptojmë me trup, pra; një sasi të cfardoshme me gjatësi, gjerësi dhe thellësi, dhe e kufizuar nga një formë e caktuar. Dhe nuk ka dyshim se kjo është gjëja me absurd që mund te thuhet për Zotin, qenien absolutisht të pafund.

Përtej rafshit filozofik që shtjellon Spinoza, për bindjen time, pranimi i një Zoti imagjinar, qoftë të ofruar nga ndonjë doktrinë teologjike apo socio-politike, qoftë si arritje e një përpjekje individuale, është shumë problematike edhe në rrafshin shoqëror, specifikisht në mënyrën e të menduarit dhe të jetesës së njerëzve dhe shoqërive të caktuara. Zakonisht, ‘Zoti i imagjinuar’ që është produkt i konstrukteve njerëzore dhe që reflekton le të themi, ‘sistem simbolik atje lartë’ të një sistemi të jetës në realitet, ngërthen marrdhënien konstante me njeriun, pushtetin e Zotit sipas marrdhënieve shoqërore dhe ushtrimin e pushtetit mbi të dhe shoqërinë e tij. Kështu rrethanat nuk janë këtu dhe tash, të gatshme për ndryshim nga njeriu, por ose janë të paracaktuara ose diktohen vazhdimisht nga Zoti dhe njeriu është para aktit të kryer. E gjitha kjo në kundërshtim me shkencën në përgjithësi, vecmas me shkencat shoqërore që në raport me rrethanat tashmë udhëhiqen me formulën e vërtetuar: Shkak-pasojë nën drejtimin e njeriut. Ky konceptim i Zotit në raport me shoqërinë e krijon një ‘ njeri parazit’. Pra, ‘Zoti i imagjinuar’ nuk është problematik vetëm në raport me njohjen e Zotit të vërtetë, por edhe në raport me jetën e njeriut brenda shoqërisë.

Shkruan: Qendrim Badalli

Comments are closed.

Navigate