Carl Jung mbi frikën nga vdekja

Pjesë nga intervista me psikiatrin dhe filozofin Carl Gustav Jung. Në këtë pjesë Jung kryesisht flet për frikën nga vdekja.

Intervistuesi: Ju mendoni se vdekja parë nga këndvështrimi psikologjik është po aq e rëndësishme sa edhe lindja, dhe sikurse ajo është pjesë integrale e jetës, por duke qenë se vdekja paraqet fundin, nuk mund të jetë sikurse lindja, apo jo?


Jung: Po, vdekja paraqet fundin. Megjithatë nuk jemi të sigurtë për këtë fund sepse ne tashmë i njohim disa aftësi të pazakonta të psikës të cilat nuk janë të burgosura në hapësirë dhe kohë. Ne mund të kemi ëndrra apo vizione për të ardhmen. Vetëm injorantët mund të refuzojnë fakte të tilla. Është mjaftë evidente se gjëra të tilla ekzistojnë dhe kanë ekzistuar gjithnjë. Këto fakte dëshmojnë se psika pjesërisht nuk është e izoluar. Dhe pastaj çfarë? Nëse psika nuk është e obliguar të ‘jetoj’ vetëm në hapësirë dhe kohë dhe është e qartë që nuk është, del se psika nuk u nënshtrohet ligjeve të hapësirës dhe kohës. Kjo do të thotë se jeta mund të vazhdojë në formë psiqike përtej hapësirës dhe kohës.

Intervistuesi: Ju personalisht a besoni se vdekja është fundi apo besoni…


Jung: Shiko, fjala besim për mua është shumë e vështirë. Unë nuk besoj. Unë duhet të kem arsye për ndonjë hipotezë të caktuar. Ose di ndonjë gjë, dhe kur e di nuk kam nevojë të besoj. Unë nuk e lejoj veten të besoj vetëm për hir të besimit. Nuk mund të besoj. Por kur ka arsye të mjaftueshme për ndonjë hipotezë të caktuar, i pranoj ato hipoteza natyrshëm.


Intervistuesi: Ju na thatë se duhet ta shohim vdekjen si një qëllim, dhe nëse mundohemi të largohemi nga ajo do të thotë se e kemi shmangur jetën dhe qëllimiet e saj. Çfarë këshillash do u jepje njerëzve në moshë të shtyrë që të vazhdojnë kështu, duke qenë se shumica besojnë se vdekja paraqet fundin e çdo gjëje?


Jung: Unë kam trajtuar shumë njerëz në moshë dhe është shumë interesante të vëzhgosh vetëdijen e tyre si sillet me faktin e rezikut nga fundi. Ata e shpërfillin atë. Jeta sillet sikur do të vazhdojë, dhe mendoj se do të ishte më mirë për njerëzit e vjetër të jetojnë… të shohin përpara për ditën tjetër, sikur të jetonin me shekuj, dhe kështu do jetonin të lumtur. Por kur ai është i frikësuar dhe nuk sheh përpara, ai kthehet nga e kaluara. Ai është si i shtangur. Ai shndërrohet në një kufomë dhe vdes para kohe, por nëse ai do vazhdonte dhe të shikonte përpara drejt aventurës që e pret, ai do jetonte. Ky do të duhej të ishte qëllimi i vetëdijes. Natyrisht që të gjithë do të vdesim dhe ky paraqet fundin e dhimbshëm të çdo gjëje, ndonëse ka diçka brenda nesh që nuk e beson një gjë të tillë, por kjo është më shumë një fakt psikologjik. Për mua kjo nuk vërteton ndonjë gjë. Është thjeshtë kështu. Për shembull, unë mund të mos e di pse na duhet kripa por ne hamë kripë sepse ndihemi më mirë. Kur mendon në një mënyrë të caktuar mund të ndihesh më mirë dhe nëse mendon në vijë me natyrën je duke menduar si duhet.

Përktheu: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate