Rusell mbi ekzistencën e Zotit

FIlozofi Bertrand Rusell (1872-1970) në një intervistë tregon arsyet pse ai nuk beson në Zot dhe flet poashtu edhe për mundësinë e jetës pas vdekjes. Rusell është i njohur për librin e tij “Përse nuk jam i krishterë” i cili është një nga kritikat më të ashpra kundër religjionit. Rusell është laureat i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1950.
———————————–

INTERVISTA 

Intervistuesja: Pse nuk jeni i krishterë?

Rusell: Sepse nuk mund të gjej ndonjë evidencë për dogmat e krishtera. I kam analizuar të gjitha argumentet të cilat e mbështesin ekzistencën e Zotit dhe asnjëra  nga ato nuk më duket logjikisht valide.

Intervistuesja: A mendoni se ekziston një arsye praktike që njerëzit të besojnë në Zot?

Rusell: Nuk mund të ketë arsye praktike për të besuar në diçka që nuk është e vërtetë. E përjashtoj një mundësi të tillë, është e pamundur. Një gjë ose është e vërtetë ose nuk është e vërtetë. Nëse është e vërtetë duhet ta besosh dhe nëse nuk është e vërtetë nuk duhet ta besosh. Dhe nëqoftëse nuk mund ta vërtetosh nëse është ose jo e vërtetë atëherë duhet ta pezullosh gjykimin. Mua më duket se është mungesë sinqeriteti dhe tradhëti e integritetit intelektual nëse besojmë për shkak se mendojmë se është e nevojshme dhe jo sepse është e vërtetë. 

Intervistuesja: Po mendoja për ata njerëz të cilët mendojnë se disa rregulla fetare u ndihmojnë të jetojnë jetën dhe u tregojnë si të sillen, u tregojnë mbi të mirën dhe të keqen?

Rusell: Ato ligje janë përgjithësisht të gabuara . Shumica e tyre sjelin më shumë dëme se sa dobi. Nëse do ta hiqnin qafe këtë moral irracional dhe tradicional i cili vjen qysh nga kohët primitive, ata do të zbulonin një moral të bazuar në arsye dhe përmes të cilit do të mund të jetonin jetën. 

Intervistuesja: Por a mos ndoshta njerëzit e zakonshëm nuk janë aq të fuqishëm sa për të gjetur moralin e tyre individual? Ndoshta atyre ju duhet të kenë një shtysë nga jashtë?

Rusell: Nuk mendoj se kjo është e vërtetë. Ajo që të imponohet nga jashtë nuk ka fare vlerë.

Intervistuesja: Ju jeni rritur si një i krishterë. Kur vendosët të hiqni dorë nga besimi juaj?

Rusell: Unë asnjëherë nuk kam vendosur të heq dorë. Në mes moshës 15 dhe 18 vjeçare kam kaluar kohën e lirë duke menduar mbi dogmat e krishtera dhe mundohesha të gjeja nëse ka ndonjë arsye për tu besuar. Dhe në moshën 18 vjeçare e hodha poshtë edhe dogmën e fundit.

Intervistuesja: A mendoni se kjo ju ka dhënë më shumë forcë në jetë?

Rusell: Nuk e di. Nuk mund të them nëse më ka dhënë më shumë forcë apo më pak. Unë thjeshtë isha në kërkim të dijes.

Intervistuesja: Duke qenë se po i afroheni fundit të jetës, a keni ndonjë frikë për jetën pas vdekjes?

Rusell: Jo, kjo është e pakuptimtë.

Intervistuesja: Pra nuk ka jetë pas vdekjes?

Rusell: Jo, jo, asçfarë jete.

Intervistuesja: A keni frikë se ekziston diçka e përbashkët për të gjithë ateistët dhe agnostikët të cilët pak para vdekjes janë kthyer në besimtarë?

Rusell: Ky nuk është një fakt që ndodh aq shpesh sa mendojnë njerëzit religjoz sepse shumica besimtarëve mendojnë se është e virtytshme tu tregosh gënjeshtra mbi vdekjen ateistëve dhe agnostikëve. Pra nuk është diçka që ndodh shumë shpesh.

Përktheu: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate