Trauma e Derridës

Filozofi Jacques Derrida(1930-2004) rrëfen për traumën e tij të fëmijërisë që e kishte përjetuar në moshën 4 vjeçare. Kjo traumë do ta përcillte gjithë jetën dhe do ti shkaktonte ankth sa herë kur Derrida do vizitonte institucionet, shkollat, universitetet apo akademitë. Për më shumë lexojeni intervistën.
——————

Derrida: Në fillim dukej se do shkonte përgjithësisht mirë, por më duhet të them se asnjëherë nuk më ka pëlqyer shkolla. Vitet e para në kopësht ishin një tragjedi. Kam qajtur çdo ditë. Kopshti për mua ishte padyshim një përvojë traumatike. Ishte si të thuash një traumë që përsëritej çdo ditë. Më duhet të them se deri në njëfar forme ajo kurrë nuk përfundoi. Përgjatë gjithë jetës time madje edhe tani kurrë nuk e kam dashur shkollën.

Në fillim të çdo viti akademik, në Tetor, unë kam qajtur pothuajse deri në adoleshencë. Megjithëse me kalimin e kohës u mësova me këtë gjendje, në çdo vit të ri shkollor përjetoja një ndjenjë të re të traumës, me lotët të cilat më duhej ti përmbaja. Kjo vazhdoi deri vonë. Asnjëherë nuk e kam pëlqyer shkollën, institucionet, vendet ku në fakt kam kaluar pjesën më të madhe të jetës.

 

Intervistuesja: A keni ndonjë interpretim pse keni kaluar momente kaq traumatike dhe emocionale deri në adoleshencë? A keni reflektuar mbi këtë?

 

Derrida: Po përgjigjem shpejt dhe në mënyrë koncize. Mbaj mend se trauma ime filloi në kopësht dhe më vonë do të më ndiqte gjatë gjithë jetës në formë të përsëritur.

Përvoja e parë traumatike më ka ndodhur kur isha 4 vjeç, në kohën kur shkoja në kopësht. Trauma u shkaktua nga ndarja(shkëputja) me shtëpinë dhe nënën, kur mamaja më dërgonte në shkollë dhe më linte vetëm përballë atyre monstrave abstrakte. Me monstra kam parasysh shkollën dhe mësuesit. Isha i humbur aty. Madje kam bërtitur e kam ulëritur.

Më kujtohet që si i vogël e kam kërkuar mamin. Mama, mama, mama… Dhe gruaja që kujdesej për mua një ditë më tha:

“Mami jot është në kuzhinë dhe po gatuan.”

Kështu fillova të besoj se diku në atë shkollë ekzistonte një kuzhinë dhe mami im gjendej aty. Në atë kohë mendoja se mami nuk kishte shkuar në shtëpi por ishte diku aty në shkollë duke gatuar. Kështu çdo ditë dhe për muaj me radhë ende e kisha atë ndjenjë traumatike në shkollë, ndjenjën e të qenurit i izoluar.

Interpretimi më i natyrshëm do të ishte: Ndarja me nënën. Sigurisht që ka diçka nga kjo.

Por një moment tjetër që ishte veçanërisht traumatik për mua ishte momenti kur shkova për herë të parë në Francë, në moshën 19 vjeçare. Aty e gjeta veten të vetmuar(mbyllur) si një konviktor që isha. Për herë të parë në jetë e kuptova që isha në një vend të huaj, në Paris. Kisha udhëtuar dy ditë me anije dhe tren. Pikërisht këtu mu kthyen kujtimet traumatike nga koha kur isha në kopësht. Dhe krejt papritur unë përsëri isha i izoluar. E kisha shumë të vështirë.

Natyrisht që pas kësaj përvoje e kisha në kontroll atë ndjenjë por më duhet ta pranoj se edhe sot kur më rastis të shkoj nëpër institucione, kur hyj në Universitet, apo Akademi, gjithmonë më përcjell njëfarë ankthi.

 Përktheu dhe përshtati: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate