Gabimi i djaloshit Hemingway

Në Korrik të vitit 1918, kur ishte 19 vjeçar, Hemingway shkon si vullnetar në Luftën e Parë Botërore. Hemingway vendoset në Itali dhe shërben si vozitës i makinës së Kryqit të Kuq. Vetëm pak kohë më pas ai plagoset rëndë dhe shtrohet në spitalin e Milanos. Aty do qëndrojë rreth 6 muaj, deri në Janar 1919.

Në spital ai bie në dashuri me infermieren nga Amerika, Agnes von Kurowsky, e cila ishte 7 vjet më e madhe se Hemingway. Shpesh ajo e quan Hemingwayn, “djal i vogël”. Të dy vendosin të martohen por pa e caktuar datën e saktë. Hemingway kthehet në Amerikë në Janar të 1919 dhe është në pritje të Agnesës.

Gjërat marrin drejtim të kundërt dhe në Mars të 1919, Agnes i shkruan letër për ti thënë se nuk mund të martohet me të. Ajo vendos të martohet me një mjek Italian që e ka takuar në Milano.

Hemingway është i njohur për korespondencat e tij. Menjëherë pas letrës nga Agnes, ai i shkruan mikut të tij të ngushtë, William D. Horne. Pjesa e parë e letrës flet për gjëra jorelevante dhe nuk do të paraqitet për lexuesin.

Raporti i Hemingway dhe Agnes von Kurowsky është paraqitur në filmin “In Love and War.”

 

Për William D. Horne, Jr., 30 Mars [1919]

Caro Amico,

Tani, meqë nuk mund të vazhdoj më me shaka, do të rrëfej të vërtetën e trishtë, për të cilën të them të drejtën kishte kohë që dyshoja. Dyshimet i kisha që nga momenti i kthimit dhe kulmuan sot në mëngjes me një letër nga Ag.

Ajo nuk më dashuron Bill. Ajo ka ndryshuar mendje. “Një gabim”, një nga ato gabimet e vogla, e kupton. Nuk mundem as të qesh dhe as të qaj, jam i dërmuar. Më e keqja e kësaj historie është se nuk do të ndodhte sikur të mos largohesha nga Italia. Të hajë dreqi, kurrë mos e lësho gruan tënde deri sa të martohesh me të. E di që nuk mundesh “të mësosh për gratë nga unë” ashtu sikurse nuk mundem të mësoj nga askush tjetër. Por ti, dhe këtu kam parasysh botën, mësoje një vajzë. Jo. Nuk ka kuptim keshtu. Vetëm bën dashuri me një vajzë dhe pastaj largohesh. Ajo ka nevojë për dikë që ta dashurojë. Dhe nëse vjen njeriu i duhur, ti je jashtë loje, fati nuk të buzëqeshë më. Ti nuk do më besoje mua, ashtu sikurse as unë ty.

Bill unë e dashuroja Ag. Ajo u kthye në ideal për mua. Bill, unë madje harrova për religjionin dhe gjithçka tjetër-unë e adhuroja Ag-un. Përplasja e kryeveprave nuk ka qenë asnjëherë një muzikë gazmore për askënd. Ajo nuk më dashuron më Bill, dhe do të martohet me një të panjohur. Do martohet me të shumë shpejtë dhe shpreson që pasi ta kem falur do të filloj dhe do bëj karrierë të shkëlqyer dhe do kem gjithçka.

Por Bill, unë nuk dua as karrierë dhe asgjë. Nuk është e drejtë kur më thotë, që do kem “gjithçka”. Gjithë çfarë doja ishte Ag, dhe pak lumturi. Kam prekur fundin dhe po të shkruaj këtë letër me gojën e terur dhe me një lëmsh në fyt. Bill, sa do të doja të ishe këtu dhe të bisedonim. Djali i dashur! Shpresoj që ai do të jetë njeriu më i mirë në këtë botë. Ahh Bill, nuk mund të shkruaj më sepse të hajë dreqi e dua shumë atë.

Për ironi të fatit, paratë që në Itali nuk i kisha dhe që ishin arsyeja kryesore që nuk u martuam, tani po më vijnë më bollëk. Nëse punoj me orar të plotë mund të fitoj deri në 70$ në javë, dhe deri tani do kisha kursyer më shumë se 300$. Por tani nuk më duhen më paratë. Do më duhet të ndaloj së shkruari para se ta katranosi. E dashuroj Ag shumë.

Më shkruaj djalë,
Ernie

Përktheu: Ardian Batusha

Comments are closed.

Navigate