Korrespodenca e Kantit, me ‘admiruesen’ që u vetëvra/
Shumë filozofë e kanë studiuar punën dhe kontributin e Kantit në etikë, por vetëm disa kanë jetuar sipas modelit të ofruar nga ai. Në vitin 1791, Kanti pranon një letër prej Maria Von Herbert, një austriake, e dhënë shumë pas filozofisë së tij. Ajo i shkroi Kantit duke i kërkuar këshillë për ta përballuar ndarjen nga i dashuri. Ndarje kjo që e kishte çuar atë pranë vetëvrasjes, ndonëse kjo ishte kundër filozofisë se vet Kantit.
I madhërishmi Kant,
Sikurse besimtari që i lutet Zotit, edhe unë kërkoj nga Ju të më ngushëlloni dhe këshilloni që të përgatitem për vdekjen. Shkrimet tua provojnë se ekziston ‘jeta e ardhshme’. Por sa i përket kësaj jete, nuk kam gjetur asgjë që do të mund ta zëvëndësoj atë që kam humbur: unë e kam dashur dikë, që për mua ka qenë gjithçka që ia vlen. Kam jetuar vetëm për të: krahasuar me të gjithçka tjetër më dukej sikurse plehrat, xhingla të lira. Epo këtë përson unë e kam ofenduar; e kam gënjyer për një kohë të gjatë dhe vetëm tani i’a kam thënë. Sadoqë kjo genjeshtër nuk ka qenë në kundërshtim me karakterin tim, në jetën time nuk ka pasur asgjë që do të më bënte ta fsheh. Megjithatë genjeshtra mjaftoi dhe dashuria e tij u tret. Si njeri i ndershëm, ai nuk refuzoi të mbetemi miq. Por, ajo ndjenjë e brendshme që dikur ishte e pathyeshme dhe e cila na kishte bashkuar, nuk është më. Oh, zemra ime u nda në mijëra copa! Po të mos kisha lexuar aq shumë prej librave tuaj, ju them sinqerisht se do t’i kisha dhënë fund jetës. Më ka mbajtur në jetë vetëm një përfundim që kam nxjerrë nga teoria juaj: në vend se të vdesim sepse jeta është e mundimshme, do të duhet që të jetojmë për hir të vetë ekzistencës sonë. Vendose veten për një çast në vendin tim dhe pastaj ose mallkomë ose ngushëllom. E kam lexuar Metafizikën e moralit dhe imperativin kategorik por nuk më ka ndihmuar aspak. Arsyeja më tradhtoi tamam kur kisha më së shumti nëvojë për të. Të përgjërohem mu përgjigj, ose në të kundërtën nuk jeni duke vepruar në përputhje me imperativin tënd.
Koment:
Filozofia e Kantit proklamon si me vlerë, një jetë racionale dhe e sheh vetëvrasjen si një kontradiktë logjike ndaj paradigmës së tij etike mbi marrjen e vendimeve.
Kanti ia kthen një përgjigje të rrallë dhe mjaft interesante:
Letra juaj, e një ndjeshmërie të lartë, vjen prej një zemre që duhet të ketë qenë krijuar për hir të virytit dhe ndershmërisë, përderisa është kaq e hapur ndaj mësimeve që na japin këto cilësi. Siç edhe keni kërkuar, unë do ta vendos vetën në vendin tuaj, dhe të përshkruaj për ju një ‘qetësues të dëlirë moral’. Nuk e di nëse lidhja juaj ka qenë martesë apo miqësi, edhepse kjo nuk përbën ndonjë dallim. Dashuria, qoftë ajo bashkëshortore ose për një mik, presupozon po atë nderim të ndersjellë për karakterin e tjetrit; pa të cilin ajo nuk do të ishte asgjë pos një mashtrim shqisor dhe i përkohshëm.
Një dashuri kësisoji, që e shpërfaq vetveten tërësisht, ngjashëm kërkon nga pjesëmarrësit një shkëmbim të ndërsjellë të shpirtrave dhe të pa ligështuar nga hezitimi mosbesues. Kjo është ajo çka kërkon prej nesh ideali i miqësisë. Por ka diçka në ne, që i vendos limite kësaj çiltirësie, ca pengesa ndaj kësaj harlisje shpirtërore, që e bën secilin t’i mbajë të burgosura brenda vetes disa mendime, qoftë kjo edhe po qe tjetri më i afërti për ne. Siç thotë edhe urtësia e moçme e këtij mosbesimi të fshehtë: “Miku im i dashur, nuk ekziston diçka e tillë si miqësia!”
Nuk mund të presim sinqeritet nga të tjerët, përderisa secili druhet se, ta zbulosh veten tërësisht, do të thotë ta bësh veten të përbuzur nga të tjerët. Veçse kjo mungesë e sinqeritetit, kjo heshtje, është akoma shumë e ndryshme prej pandershmërisë. Ajo që njeriu i ndershëm, por i heshtur, e pohon si të vërtetë, nuk është e vërtetë e plotë. Derisa njeriu i pandershëm është në dijeni se ajo që pohon është e pavertetë. Sipas teorisë se virtytit, një pohim i tillë quhet gënjeshtër. Mund të jetë e padëmshme, ama në këtë kontekst nuk është e pafajshme, por një dhunim serioz i ‘detyrës’ ndaj tjetrit. Kjo shkatërron dinjitetin njerëzor në personin tonë dhe atakon mu në rrënjët tona të të menduarit. Siç e shihni, Ju keni kërkuar këshillë prej një fizicienti që nuk lajkaton.
A e ke qortuar vetveten nëse gënjeshtra juaj përbën paturpësi apo imoralitet. Nëse po, atëherë ju jeni penduar për moskryerjen e ‘detyrës’ që ju takon. Pse? Sepse ka rezultuar me humbjen e vetëbesimit të mikut tuaj. Ky pendim nuk është i motivuar prej diçkaje morale, derisa është prodhimi i një vetëdijeje jo të veprimit në vetvete, por pasojave të tij. Por nëse qortimi i juaj është i bazuar në një gjykim moral të sjelljes tënde, atëherë këshilla ime këtu do të ishte veçse e varfër.
Kur t’ia bëni të qartë të dashurit këtë ndryshim të qëndrimit tuaj, do të nevojitet kohë që t’i shuaj, pak nga pak, gjurmët e zemërimit të tij të arsyetuar dhe më pas ta transformojë këtë ngurtësim të tij në një dashuri të vendosur. Nëse nuk ngjet kjo, atëherë ngrohtësia e ndjenjave të tij të mëhershme ka qenë më shumë fizike sesa morale dhe do të fashitej një ditë dosido. Një fatkeqësi kjo të cilën e ndeshim shpesh në jetë dhe të cilën duhet përballuar me gjakftohtësi. Në këtë rast, është mbivlerësuar vlera e jetës, për aq sa ajo ka konsistuar në lumturinë që marrim nga njerëzit tjerë.
Mikja ime e dashur, siç thotë edhe predikimi i zakonshëm: Mësim, Ndëshkim dhe Ngushëllim. Përkushtoju dy të parave dhe pasi ato të kenë pasur efekt, reahatia dhe ngushëllimi do të vijnë vetvetiu.
Koment:
Porosia e fundit e Kantit: Koha. Vetëm koha mund ta shërojë dhimbjen që ajo ndjen në zemrën e saj dhe të mundësojë të rizgjohet dashuria e tyre. Nëse koha nuk do të mund ta zgjidh problemin e saj, atëherë dashuria ka qenë më shumë ‘fizike’ sesa ‘morale’.
Një fragment i përgjigjes nga Von Herbert:
Vizioni im është më i qartë tani. Ndihem sikur një boshllëk i pafundëm fle brenda meje dhe përreth meje, aq sa më duket vetja e tepërt dhe e panevojshme. Asgjë nuk më terheq. Vuaj nga një mërzi e mundimshme që e bën jetën gati të padurueshme. Mos e merr këtë si arrogante nga ana ime, por kërkesat tuaja morale nuk më lehtësojnë edhe aq. Më me zell do të kisha bërë dy herë më shumë sesa ato urdhërojnë. Ato e fitojnë rëndësinë vetëm sepse bazohen në mekat dhe mua kjo nuk do të më kushtonte edhe aq përpjekje për t’iu rezistuar. Nuk i studioj më shkencat natyrore apo artet qëkur nuk ndihem e aftë për t’i shprehur ato. Për me tepër që në rastin tim nuk ka kurrfarë arsyeje për t’i njohur ato. Jam indiferente sa i përket gjithçkaje që nuk është në harmoni me imperativin kategorik dhe vetëdijen transcendentale.
Ndoshta mund ta kuptoni tani se pse kam dashur vetëm një gjë: t’i jap fund kësaj jete të pakuptimtë, për të cilën jam e bindur që nuk do të bëhet as më e mirë e as më e keqe se kaq. Nëse mendoni se jam ende e re dhe se secila ditë është një hap tutje që më afron më shumë drejt vdekjes, ju mund të gjykoni sesa bamirës do të kishit qenë poqëse do t’i analizonit për se afërmi këto çështje. E kërkoj këtë nga ju sepse koncepti im i moralitetit është i heshtur në këtë rast.
Nëse nuk mund të marr përgjigjen që ju kërkoj, ju përgjerohem që se paku të më shkruani diçka e cila do të ma largonte nga shpirti këtë dhimbje të patolerueshme.
Kanti kurrë nuk u përgjigj në këtë letër.
Në vitin 1803 Maria von Herbert kreu vetëvrasje.
Përktheu dhe përshtati: Agon Sinanaj
Comments are closed.