Historia e shoqërive njerëzore është e mbushur përplot me mëkate ndaj artistëve. Pa dashur ta reduktoj nocionin artist, preferoj ti quaj artistë, të gjithë ata dhe ato, që përmes artit nuk i’u nënshtruan sistemeve tiranike. Shpesh ky mos nënshtrim ka përfunduar edhe me vetëflijm. Që nga Sokrati, i cili u urdhërua të helmohet, e deri në ditët e sotme, shoqëria nuk është ngopur ende së gjykuari njerëzit e lirë. Sa më e madhe ka qenë e vërteta e thënë, aq më e pamëshirshme ka qenë shtypja ndaj tyre. Sa më të egër kanë qenë tiranët, aq më të zëshëm kanë qenë artistët dhe rjedhimisht edhe fundit i tyre ka qenë më tragjik.
Zakonisht kemi dëgjuar për individë që kanë qenë viktima të sistemeve qofshin ato politike apo religjioze. Rrallë herë kemi parë e dëgjuar, që një gjeneratë e tërë artistësh, të futet nën kthetrat e një sistemi dhe shoqërie. Këtë fat, “për kushedi çfarë arsyesh” e kishte gjithë gjenerata e artistëve rus, përgjatë fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit 20. Në letërsinë ruse, gjenerata e poetëve që shkruajti në këto vite, njihet me emrin, “gjenerata e argjendtë” apo ndryshe “Shekulli i argjendtë”. Ky emër u është dhënë nga filozofi rus Nikolai Berdyaev.
Disa nga poetët më të njohur të kësaj periudhe janë: Ana Ahmatova, Aleksandër Bllok, Marina Cvetajeva, Sergei Esenin, Vladimir Majakovski, Boris Pasternak, etj. Të gjithë këta artistë i bashkonin dy gjëra: Ideali i tyre për një shoqëri të lirë dhe fakti se të gjithë jetuan në kohën e një sistemi totalitar.
Shumë nga poetët e artistët e asaj periudhe, në fillim i’u bashkuan ideve të Revolucionit të Tetorit në Rusi. Të ndrydhur nga regjimet cariste, ata ëndërronin si shumë të tjerë, për një shoqëri më të mirë dhe më të lirë. Por, poashtu si shumë tjerë, edhe këta u dëshpëruan nga ajo që do vinte realisht. Revolucioni dhe shoqëria socialiste nuk ishte ashtu siç thuhej nëpër libra dhe fjalime. Prej një përpjekje për të çliruar njeriun nga regjimi carist, njeriu socialist u prangos dhe u dehumanizua edhe më shumë.
Me vendosjen e regjimit të ri socialist u shuan të gjitha rrymat tjera edhe në art. Tanimë mbizotëronte vetëm “realizmi socialist”-pasiqë ky paraqiste të vetmin art, të vetmin realitet, të vetmen të vërtetë. Imagjinojeni, ekziston vetëm një e vërtetë-ajo socialiste!!! E si mund të kufizosh Esenin apo Ahmatovën? Si mund ti fusësh në korniza Pasternakun dhe Majakovskin? Jo, është e pamundur. Dritëro Agolli e përshkruan kështu perëndimin e “Shekullit të Argjendtë”:
“Zhurmëmëdhenj, debatues, kundërshtues dhe revoltues, të tillë erdhën poetët rusë deri në prag të viteve 30-të, të këtij shekulli. Pastaj ndodhi ajo që pritej:- të gjitha rrymat dhe shkollat u ndaluan nga shteti sovjetik për të mbretëruar vetëm një rrymë apo inondate, e quajtura metoda e realizmit socialist. Dhe atëherë mbaroi “Shekulli i argjendtë” në poezinë ruse, shekull që me format dhe konceptet moderne që solli, nuk e mahniti pak Evropën.”
Pa dashur të bëj krahasime mes poetëve, kritikët por edhe vetë poetët rus dhe jo vetëm, e cilësojnë Sergei Eseninin si njërin nga më të mëdhenjtë që ka pasur ndonjëherë poezia ruse. Nëse jo më i madhi ndër poetë, me siguri që ishte talenti më i spikatur në poezinë ruse. Konsiderohet si një poet i lindur. Ajo që e bën të veçantë Eseninin, janë poezitë me temë natyrën dhe bukuritë e vendit. Boris Pasternak për Eseninin shkruan:
“Toka ruse nuk ka krijuar asgjë më origjinale, më natyrore, më të bukur dhe më të mirë se Sergei Esenini. Ndaj jetës së vet ai është sjellë si në përrallë. Edhe vargjet i ka shkruar si në përrallë, duke i palosur si letra dhe duke i shkruar me gjakun e zemrës së tij.”
Esenin jetoi 27 vjet. Ishte i martuar katër herë dhe u vetëvra. Edhepse vuante nga depresioni, mendohet se vetëvrasja e tij u inskenua. Një ditë para se të vdiste, ai shkruan ndoshta poezinë më të bukur të kësaj periudhe. Esenin, poezinë e fundit, i’a kishte dorëzuar mikut Wolf Ehrlich. Ehrlich thotë se, në mungesë të ngjyrës për të shkruar, Esenin kishte përdorur gjakun e tij.
Poezia e fundit e Eseninit titullohet “Lamtumirë shoku im”.
Lamtumirë, shoku im,
Lamtumirë!
O i dashur, të kam m’u ne gji.
Ndarja e caktuar,
Prapë premton takim
U premton njerëzve bashkimin e ri.
Lamtumirë, shok, pa fjalë,
T’hidhura, shtrengim dore,
Mos e mrrol dhimbshëm ballin,
Mos vajto-
Në këtë jetë të vdesësh nuk
Eshtë gjë e re,
Por, as të jetosh s’është me e
Re, beso.
Vdekja tragjike e Eseninit është simbolikë për fatin e gjithë brezit të tij. Shumica e poetëve dhe shkrimtarëve të asaj kohe përfunduan të internuar, burgosur, vrarë, vetëvrarë apo në ekzil. Edhe ata pak që jetuan deri në fund, nuk ishin të lirë. Liria e tyre, ishte vetëm fakti se nuk përfunduan si shokët dhe shoqet e tyre. Ata jetuan deri në fund nën frikën e përgjimit dhe nën ethet e një arrestimi të mundshëm. Jeta e tyre ishte si të thuash, një vdekje për së gjalli. Cdo regjim, për arsye ende të panjohura, i mban për vete disa artistë si të preferuarit e tij. Nuk dihet ende pse ndodh një gjë e tillë. Veprat e Pasternakut, nuk ishin më pak thumbuese për realitetin socialist se sa veprat e të tjerëve, por Pasternaku pati fatin që të jetojë.
Miku më i mirë i Pasternakut ishte poeti Osip Mandelshtem. Ai shkroi ndoshta poezinë më kritike por njëkohësisht edhe më realiste mbi udhëheqësin e Rusisë së asaj kohe-Stalinin. Me plot ironi dhe sarkazëm, Mandelshtem e titullon poezinë, “Malësori i Kremlinit”. Për shkak të kësaj poezie e cila i’u gjet autorit, ai u internua dhe vdiq në internim. Kjo vdekje ishte një nga humbjet më të mëdha për Boris Pasternakun. Poezia në fjalë, ilustron më së miri se sa e rëndë dhe e madhe ishte e vërteta që fshihej pas atyre rreshtave, por në të njejtën kohë, edhe sa e madhe ishte paranoja e kryemustaqes-Stalinit.
“Malësori I Kremlinit”
Ne jetojmë pa ndier nën vete atëdhenë,
Fjalët tona më larg se tri metra nuk venë.
Ku s’i shkohet në fund ligjerimit,
Vjen në mend malësori i Kremlinit.
Me gishterinjtë e majme si krimba qilari
Të vërtetë e ka fjalën si topa kandari.
Dhe mustaqja i qesh sic i qesh buburrecit,
Qafe e cizmes si cipë e sedefit.
Qafëhollët drejtues rreth e rrotull i rrinë
Të zbavitet me ta si një mace me minë.
Qajnë e mjaullijnë e kuisin të gjithë,
Vec ai u vërtitet me gisht në turinjtë.
Dhe vendimet gatuan me shkrim e me fjalë:
Njërit plumbin mes syve dhe tjetrit në ballë…
Nëntor 1933
Fundi
Më poshtë janë të renditur 20 nga poetët më të njohur të periudhës së argjendtë, në letërsinë ruse. Përmes rreshtash mund të shihet fundi i tyre. Le të jenë këta rreshta njëkohësisht edhe një nderim për dëshirën e madhe të tyre-Lirinë.
Të gjitha biografitë janë marrë nga libri i Dritëro Agollit-”Shekulli I Argjendtë”.
Konstantin Balmont, lindi më 1867. Nga Rusia ka ikur më 1920 dhe ka vdekur në mërgim në Paris më 1942.
Aleksandër Bllok, lindi më 1880. Më 1918 u afrua shumë me idetë e Revolucionit të Tetorit por më vonë humbi entuziazmin dhe vdiq në dëshpërim të plotë dhe në ankth tragjik.
Marina Cvetajeva, lindi në Moskë më 1894. Emigroi më 1922 dhe më 1939 u kthy në Rusi. Dy vjet më vonë, e mjerë dhe e dëshpëruar, vari veten.
Sergei Esenin, lindi më 1895 në Konstantinovo dhe vrau veten më 1925 në Sankt-Petersburg.
Nikollaj Gumilov, lindi më 1886 në Kronshtadt. U akuzua për komplot kundër revolucionar dhe u pushkatua më 1921 nga “CHEKA” (policia sekrete).
Vladisllav Hodasevic, lindi më 1886 në Moskë. Më 1922 e braktisi Rusinë dhe jetoi në Berlin e Paris. Vdiq në emigrim më 1939.
Vjacesllav Ivanon, lindi në Moskë më 1866 dhe vdiq në Romë më 1949, i mërguar.
Dmitri Kedrin, lindi në Dombas më 1907. Më 1945 u gjet i vrarë në një stacion treni të Moskës.
Osip Mandelshtam, lindi në Varshavë më 1892 dhe vdiq i internuar në Siberi më 1938.
Igor Severjanin, lindi më 1887 në Sankt-Petërsburg dhe vdiq në mërgim në Talin më 1947.
Ana Ahmatova, lindi më 1889 në Odesë dhe ka vdekur më 1966 në Sankt-Petersburg.
Eduard Bagricki, lindi më 1895 në Odesë dhe ka vdekur nga tuberkulozi më 1934.
Aleksandër Bjelli, lindi më 1880 në Moskë dhe ka vdekur më 1934.
Valeri Brjusov, lindi më 1873 në Moskë dhe vdiq më 1921 në Moskë poashtu.
Zinaida Gippius, lindi më 1869 në qytetin Belov të gubernës së Tulës dhe vdiq në Paris më 1945.
Viktor Khlebnikov, lindi më 1885 në stepën e Kalmickës dhe vdiq më 1922.
Vladimir Majakovski, lindi më 1893 në Bagdad të Gjeorgjisë dhe vdiq më 1930.
Boris Pasternak, lindi më 1890 afër Moskës dhe vdiq më 1960.
Ilija Selvinski, lindi më 1899 dhe vdiq në Moskë më 1968.
Fiodor Sollogub, lindi më 1863 dhe vdiq më 1927 në Sankt-Petersburg.
Shkruajti: Ardian Batusha
Comments are closed.