Andrei Konchalovsky: Si u robërua arti? (I)

Në nismë të shekullit XX, filozofi gjerman Oswald Shpengler shkroi librin me titull, “Rënia e Perëndimit”. Libri i tij përmbante një studim themeltar rreth asaj se si kultura dhe civilizimi evropian janë të dënuara ta shohin fundin. Autori shihte brazdat e rënies së civilizimit evropian, dhe në një moment u pati shprehur kësodore: “do të vijë dita kur do të pushojnë së ekzistuari edhe pikturat e fundit të Rembrantit, taktet e fundit të Mozartit, dhe – më e rëndësishmja – do të treten sytë e fundit që kuptojnë atë që shohin, përkatësisht veshtë e fundit që duan t’ia dijnë për muzikë të atij lloji. (për Mozartin, Vagnerin etj.)”.

Mirëmbrëma. Natyra ime prej kuriozi më shtyen ngandonjehërë të mirrem edhe me gjëra jashtë profesionit tim. Së këndejmi dua që me ju të ndaj disa mendime, jo mbi filmin, jo mbi teatrin, por mbi artin vizuel. Jam regjisor, por edhe shkruaj ndonjëherë. Para disa viteve shkrova një përmbajtje të titulluar: “Fitorja e tregtisë mbi artin”. Kjo është një temë mjaft preokupuese për mua, d.t.th. fati i krijimtarisë artistike vizuele europiane, ndaj që fillimisht në shërbim të të menduarit dua t’i paraqes disa fakte simptomatike mbi tërë artin e shekullit  XX, globalisht.  Në ankandin e njohur “Christies” u shit në shifrër astronomike prej 12 milion dollarësh vepra e artistit të njohur amerikan, themeluesit të drejtimit estetik që sot njihet si Pop-Art, Andy Warholit. Piktura titullohej, “Konzervati i Supës Campbells” në të cilën qe paraqitur pamja e konzervatit të një supe të gatshme. Piktura në fjalë u shit pra për 12 milionë dollarë.

http://farm3.static.flickr.com/2779/4033788966_227442ea99.jpg
Ekspozita e “Campbells Condensed Soup”

Edhe një tjetër ngjarje interesante përshkoi fundin e shekullit XX: artisti i njohur britanik Damien Hirst, bleu në Australi një peshkaqen të ngordhur, e mori me vete në Londër,  e vendosi në një akuarium të mbushur me formalinë, e mbylli fort, dhe veprën e tij e deklamoi si shumë të komplikuar dhe – siç e do zakoni i  mëshuarjes në rëndësinë e emrit të veprave të tilla –  e mbiquajti: “Pamundësia fizike e vdekjes në vetëdijen e të gjallit”. Në vitin 2004, kjo vepër i’u shit koleksionuesit të famshëm të artit kontemporan, Charles Saatchi poashtu për 12 milion dollarë. Posa shiti këtë vepër, Hirst u kthye në njërin nga artistët më të paguar, të rangut të Kandinskyt, Malevichit, Jasper Johnsit dhe të artistëve tjerë bashkëkohorë të artit pamor. Pajtohem me kritikun e njohur amerikan, Robert Hughes, kur pati deklaruar se “ky është peshku marinar më i shtrenjti në planet”.  Peshkaqeni disaherë u rrëzua, artistit i’u desh të gjej peshkaqen të ri, por vepra ngeli e njejtë! E madje konsiderohet prej kryeveprave të artit bashkëkohor!

Fotografia e Fatlum Sadiku
Ekspozita e Damien Hirst: “Pamundësia fizike e vdekjes në vetëdijen e të gjallit”

Në fillim të shekullit XXI, 600 kritikë botëror të artit vendosën që çmimi për veprën më të rëndësishme të shek. XX, të mbaj emrin e artistit të madh britanik Turner (Joseph Mallord William Turner).  Shumica e këtyre kritikëve për këtë çmim e panë të denjë veprën e Marcel Duchampit, “Fontana”. Vepra në fjalë në fakt është një oturak i thjeshtë, një guacë nevojtoreje që ngjitet në mure toaletesh publike, dhe  që mundëson kryerjen e urinimit për meshkujt. Ky oturak qe ekspozuar në vitin 1919 dhe konsiderohet një nga veprat më të mëdha të artit të shek. XX, meqë ka influencuar më së shumti në zhvillimin e mëtejmë të artit pamor evropian. Nuk e kontestoj këtë, Duchamp njëmend ndikoi në një gjë të tillë.  Por shtrohet pyetja çfarë flet e tëra kjo?

http://www.theartist.co.kr/news/photo/201604/2545_13388_630.jpg
Marcel Duchamp dhe “Fontana”

Shumëkush nuk do të pajtohej me mua, sidomos avokuesit e artit bashkëkohor, e megjithatë pyetja ngelet aty: çfarë na flet e tërë kjo? Për zhvillim, progres, a venitje? Për rrjedhojë desha që edhe me juve diskutimi të fokusohet pikërisht mbi temën, kah po vete arti evropian.

Në nismë të shekullit XX, filozofi gjerman Oswald Shpengler shkroi librin me titull, “Rënia e Perëndimit”. Libri i tij përmbante një studim themeltar rreth asaj se si  kultura dhe civilizimi evropian janë të dënuara ta shohin fundin. Autori shihte brazdat e rënies së civilizimit evropian,  dhe në një moment u pati shprehur kësodore: “do të vijë dita kur do të pushojnë së ekzistuari edhe pikturat e fundit të Rembrantit, taktet e fundit të Mozartit, dhe – më e rëndësishmja – do të treten sytë e fundit që kuptojnë atë që shohin, përkatësisht veshtë e fundit që duan t’ia dijnë për muzikë të atij lloji. (për Mozartin, Vagnerin etj.)”. Unë jam besnik i mendimit se njëmend  gjendja momentale e arteve pamore sot, mund të krahasohet me gjendjen e njeriut tebdil, me gjendjen e njeriut të molisur e që pret vdekjen. Dhe nëse vdekja veçse i’a ka mbërritur atëherë çka më tej me artin botëror? Në fakt kur nisi kjo vdekje?

Poeti  i njohur rus Boris Pasternak, aty nga mesi i shekullit XX, shkroi “S’është e pëlqyeshme të jesh i famshëm”. Poeti konsideronte se fama s’ishte gjë e mirë, e as e shëndetshme për artistin. Kurse sot mund lirisht të konstatojmë të kundërtën: s’është e pëlqyeshme të jesh pa famë mes artistësh, këngëtarësh, shkrimtarësh etj., në një kohë kur gjëja më e rëndësishme është të arrish sukses, prej nga edhe modestia e promovuar nga Pasternaku, sot duket e çuditshme. Sot është e rëndësishme që me çdo çmim të jesh i njohur, i famshëm, kështuqë nevoja e tillë i shtynë artistët, apo më mirë thënë artistët në tendencë kah ngjarje të pabesueshme, kah përpjekje të pabesueshme, të cilat i quajnë instalacione, arte konceptuale etj. Por unë pyes veten, përse diçka e tillë të konsiderohet art, dhe për ç’arsye ngjau e gjithë kjo?

Gazetari dhe kritiku Dalinin, shkruan mbi atë se se çfarë realisht bën një artist për t’i shitur veprat e veta.
Koha kur një artist, një krijues i mirë ka qenë varfanjak, ka mbaruar pakthyeshëm. Soditësi i një vepre më parë “është edukuar” në piktura të përmbytura në gjak e lot të gjenive të palumtur, të marrë e të pakuptuar, si të shembullit të Van Goghut, Modgilianit etj. Artistët bashkëkorë saktësisht e dinë faktin se nëse Mattisse, Kandinsky mundën t’ia lejojnë vetes mospasurimin, sot pas Andy Warholit, të mos pasurohesh është thjesht e pahijshme. Për rrjedhojë, metoda më e vjetër dhe më e shpejtë kah suksesi komercial është skandali. Shembulli më i pëkryer në historinë e skandalit, është “Katrori i Zi” i Malevichit.

https://s3.amazonaws.com/classconnection/957/flashcards/10633957/jpg/kazimir_malevich__black_square-152D7FD4EA421210330.jpg
Kazimir Malevich, “Katrori i Zi”

Malevichi është objekt i kritikës time ndaj edhe do t’i kthehemi. Rimarrim edhe njëherë në konsideratë pyetjen: cili ishte momenti kur arti evropian, në vend të krijimit të vlerave artistike, filloi të prodhojë çmime tregjesh? Kur ngjau që artisti të prodhojë “rrobë”, mall për shitje? Në momentin kur u bë spekulant. Nëse ju kujtohet ngjashëm sikurse tek proza e mrekullueshme e Gogolit, “Portreti” në të cilën piktori që nisi t’i përshtatej modës humbi talentin e tij.

Pasuesit fanatikë të artit, të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, piktorët si Cezzane, Van Gogh, Korovin, Rubin, jetonin në varfëri e pasiguri. U lajmëruan koleksionues veprash arti, që blenin pikturat e tyre por ata nuk menduan asnjëherë të jenë të modës, apo që vetëdijshëm të bëjnë skandale. Por përse? Sepse për ta s’kishte diçka të tillë si opinioni publik. Opinioni publik krijon të robëruar, e ata nuk mund të honepsnin diç të tillë. Ngelën edhe të panjohur edhe të papasur. Së këndejmi, prej kur mund të thuhet se u robërua vepra e artit.  Sa kohë i’u desh tregtisë të fitojë mbi artin? I’u deshën përafërsisht tre shekuj. Por para kësaj konsiderate, le të kthehemi tek diçka fundamentale: të provojmë ta definojmë ç’është kjo gjë që quajmë art? Formula e thatë teorike e definon artin si dije e shprehur përmes të folurit ose formave materiale, dije që njeriut i mundëson të kuptuarit e botës që e rrethon, por detyrisht nga pikëveshtrimi estet(ik). Kjo sepse çdo dije në një formë apo tjetrën është një botëkuptim. Përderisa shkenca zgjeron prezantimin e ligjësorive të botës në të cilën jetojmë, arti akumulon percepsionin estetik ndaj botës, e që do të thotë se përcjell bukurinë apo të metën e botës.

Gjithësecili nga ne jemi ngapak artistë. Secili njeri nga vetë momenti kur fillon të mendojë mbars njëkohësisht edhe shpalimet e tij mbi atë se çfarë është e bukur e çfarë s’është. Madje edhe ai më i paarsimuari ka një përfytyrim mbi të bukurën, por ç’është ajo që parafytyrimin e artistit për të bukurën e bën të dallueshëm prej të tjerëve? Ekzistojnë disa rregulla, që thonë se artisti duhet të jetë…si? Përse e quan veten artist.

Para së gjithash arti është shprehje ndjenjash. Jo mendimesh, por ndjenjash. Kjo është çështje komplekse, ne duhet të ndjejmë atë që artisti ndjenë,  sepse posedon talentin.  Talenti është tipari i parë i artistit.  Ç’nënkuptohet me talent? Nënkuptohet aftësia e tij për të ndjerë më intenzivisht se ne mbi diçka. Diçka që ne nuk mund ta epitomizojmë shprehimisht përmes fjalëve, ngjyrave etj., siç mundet ai si artist.  Njerëzit e dashuruar nuk  shkruajnë vargje autentike, por të huaja, meqë u duket se nuk mund t’i shprehin ndjenjat e tyre aq volusur sa ta zëmë Pushkini.

Por kur shikojmë p.sh. ndonjë lule të bukur që na fascinon përmes ngjyrave të saj, artisti jo vetëm që intenzivisht ndjen bukurinë e saj, por  edhe ta “kapë” e ta përjetësojë.

Por për ta përjetësuar, talenti nuk është i mjaftueshëm.

Përktheu nga serbishtja Fatlum Sadiku

Comments are closed.

Navigate