Anti-racionalizmi i Dostoyevskyt

 

Filozofët Arthur Schopenhauer dhe Soren Kierkegaard, ishin ndër të parët që e kritikuan ashpër filozofinë klasike gjermane, të njohur si “Idealizmi gjerman”. Kritika e tyre ishte sidomos e përqendruar tek Kanti dhe Hegeli, të cilët e kishin vendosur ‘Arsyen’ në qendër të njohjes. Filozofinë e Hegelit e kritikoi ashpër Kierkegaardi, që nuk pajtohej me futjen e njeriut brenda sistemit. Për këtë arsye Kierkegaard njihet si filozofi i parë ekzistencialist, ndonëse termi ishte i panjohur për kohën. Sipas Kierkegaard njeriu ishte shumë kompleks për tu futur brenda sistemit. Në këtë kompleksitet të njeriut hyn edhe aspekti emocional që ishte eklipsuar nga rroli i arsyes.

Në këtë drejtim zhvillohet edhe filozofia e Friedrich Nietzsches, që e kritikon ashpër Sokratin, Platonin, Kantin… me të cilët sipas tij zë fill dekadenca. Sipas Nietzsches këta filozofë e kishin larguar vëmendjen nga natyra e vërtete e njeriut, dhe na fton ti kthehemi ‘Dionisit’. ‘Apolloni'(arsyeja) sipas Nietzsches nuk duhej të lartësohet si qëllim në vete, por vetëm të ishte mjet në shërbim të ‘dionisit”.  

Për Kantin dhe përpjekjen e tij sistematike për të vendosur rregullin e arsyes, Nietzsche thotë:

“Unë nuk ju zë besë gjithë personave sistematikë dhe i shmang ata. Vullneti për rregullin është një mungese çiltërsie.”

Në mes të Kierkegaardit dhe Nietzsches qëndron Fyodor Dostoyevsky. Në një nga dialogjet tek “Krim dhe Ndëshkim” tregohet qartë përçmimi që Dostoyevsky i bën arsyes(logjikës).

Së fundmi, filozofi bashkëkohor William Barrett, në një intervistë për BBC, kur pyetet për rëndësinë e Ekzistencializmit në histori, do të shprehet: “Ekzistencializmi e zgjoi nga harresa Soeren Kierkegaardin, një nga filozofët më të mëdhenjë të shekullit 19, dhe së dyti i tregoi njeriut se pavarësisht sitemeve, burkokracive, ideologjive, një pjesë e tij është jashtë sitemit dhe nuk mund të asimilohet.”

Më poshtë jepet paragrafi nga libri “Krim dhe Ndëshkim” që më së miri e ilustron filozofinë e Kierkegaardit, Nietzsches, dhe gjithë filozofëve tjerë ekzistencialist.


Kështu është! Në s’beson, të sjell librat e tyre; kudo vetëm e vetëm pohoet që është mjedisi ai që e çon tjetrin në krim!… Nuk njohin argument tjetër. Nisur nga ky mendim, bëjnë përfundimin: në u normalizoftë shoqëria, marrin fund krimet. Natyra e njeriut përjashtohet kryekëput! Sipas tyre, nuk është njerëzimi me zhvillimin e tij historik, të gjallë, ai që shndërrohet në shoqëri normale, por, përkundrazi, është sistemi social, pjellë e ca përllogaritjeve matematike, ai që e rregulloka njerëzimin, e bëka më të drejtë, pa cene. Sipas tyre, kjo ndodh jashtë çdo procesi të gjallë, pa kaluar nëpër një rrugë të caktuar historike! Ata ndaj dhe s’e duan historinë: “Shëmtia dhe idiotizmi e kanë mbytur!”-dëgjon nga goja e tyre. Nuk e kanë përzemër procesin e gjallë të jetës, nuk u duhet shpirti i gjallë, sepse ai vetëm kërkon, vetëm dyshon, nuk i nënshtrohet ligjeve të mekanikës, është frymë e vjetër. Le të qelbet era e coftinës, le të jetë i bërë prej gome, por kryesore është të mos ketë jetë, të mos ketë vullnet, të mos ngrejë krye e të mos protestojë! Dhe del që tërë puna përqëndrohet në mënyrën e vendosjes së tullave, të ndërtimit të koridoreve dhe të dhomave, në ngritjen e karabinasë. Bukur fort! Karabinaja është gati, ndërsa ata që do të hyjnë nuk janë gati, u mungon jeta, s’e kanë kaluar procesin jetësor! Vetëm me logjikë nuk superohet natyra njerëzore! Se logjika më së shumti parashikon tre raste, ndërkohë që ata janë miliona! S’ke si e mbledh gjithçka në një fokus, në çështjen e komoditetit! Kjo do të thotë t’i thjeshtëzosh gjërat, t’i servirësh aq të qarta, saqë as për të menduar nuk ka nevojë fare! Kjo është kryesore: të mos ketë nevojë për të menduar! Tërë fshehtësia jetësore përmblidhet kësisoj në dy fije letre! 
Fyodor Dostoyevsky-Krim dhe Ndëshkim

Përgatiti: Ardian Batusha

 

Comments are closed.

Navigate