Çehov: Një vepër arti

Novelë e shkurtër nga Anton Çehov
Përktheu: Gjergj Zheji

NJË VEPËR ARTI

Sasha Smirnovi-nëna e kishte të vetëm-seç mbante ndën sqetull të mbështjellur me numrin 223 të gazetës “Lajmet e Bursës”. Duke thartuar fytyrën, hyri në kabinetin e doktor Kosheikovit.

– Oh, djali im I dashur!-kështu e priti doktori,-pa he, si e ndieni veten tani? Ç‘kemi ndonjë lajm të mirë të na thoni?

Sasha rrahu qepallat, vuri një dorë në zemër e foli me një zë të ngashëryer.

-Mamaja më dërgoi t’u bëj të fala, Ivan Nikollajeviç, e më ka urdhëruar t’ju falenderoj…Se unë jam i vetëm, nëna s’ka tjetër veç meje, e ju më keni shpëtuar nga vdekja… më shëruat nga një sëmundje e rezikshme, dhe… ne të dy s’dimë ç’të bëjmë për t’ju falenderuar.

Ç‘është ajo, more djalë! e ndërpreu doktori dhe ngërdheshi fytyrën nga kënaqësia. – Unë kam bërë atë që do të kishte bërë cilido tjetër.

Unë jam, i vetëm, nëna s’ka tjetër veç meje… Ne jemi njerëz të varfër e, sigurisht, nuk jemi në gjendje të t’ua shpërblejmë atë që keni bërë ju, e… na vjen shumë keq, doktor. Megjithëqë, nga ana tjetër, mamaja dhe unë… që jam I vetëm, nëna s’ka tjetër veç meje, ju lutem të pranoni patjetër në shenjë të mirënjohjes sonë… ja, këtë dhuratë, që… Është diçka shumë e kushtueshme, diçka antike prej bronzi… një vepër e rrallë arti.

-Po ç‘janë këto tani? – doktorri u vrenjt. – Çështë nevoja?

-Jo, ju lutem doktor, mos kundërshtoni, vazhdoi të murmurisë Sasha e ndërkaq çpështillte letrën. – Po të mos pranoni, do të më fyeni dhe mua, dhe mamanë… Është diçka shumë e bukur… një diçka antike e punuar në bronz… Na ka mbetur nga I ndjeri baba, se e ruanin si një kujtim të shtrenjtë… babi blinte sende antike të punuara në bronz dhe ua shiste amatorëve … Edhe unë me mamanë, po këtë punë bëjmë tani…

Sasha e çpështolli fare dhuratën dhe e vendosi me madhështi në tavolinë. Ishte një shandan i vjetër prej bronzi, jo shumë i lartë, por vepër artistike. Paraqiste një kompozicion: në pjadestal ishin dy gra me kostumin e Evës duke pozuar të cilat për t’i përshkruar, mua më mungon qoftë guximi, qoftë temperamenti. Të dy gratë buzëqeshnin me çapkënllëk e dukeshin,-sikur të mos ishin të detyruara të mbanin kupën e qiririt ose do të kishin kërcyer nga piedestali e do të kishin kurdisur brenda në dhomë një të tillë aheng, që të vjen turp dhe ta mendosh.

Kur pa dhuratën, doktori ngriti ngriti dorën ngadalë dhe kroi veshin, u koll nja dy tri herë dhe fryu hundët si me pishmanllëk.

– Po, s’ke ç‘thua, është vepër e bukur,-foli ai nëpër dhëmbë,- por… si ta thuash, nuk është… nuk është letrare aq sa duhet… Se kësaj s’i thonë dekolte, djalli e merr vesh se çështë kjo…

– Po përse?

– Edhe gjarpëri ngasjelig, send më të pështirë nuk kishte për të menduar dot. Se të marrësh e të vësh mbi tavolinë një fantazmagori të tillë, do të thotë të pëgërësh tërë shtëpinë!

Sa mendim të çudishëm paskeni për artin, doktor!-ja bëri Sasha duke e ndierë veten të fyer.- Po kjo është një vepër arti, shikojeni edhe vet! Ka një bukur e një elegancë që ta mbush shpirtin plot me një ndjenjë adhurimi e lotët të vinë në fyt! Kur të zërë syri të tillë bukuri, çdo gjë tokësore të zhduket, e harron… Shikoni, shikoni, sa lëvizje, sa masë ajri, sa ekspresion!

– I marr vesh të gjitha, o i dashur,-e ndërpreu doktori,-por unë s’jam vetëm, unë kam familje, këtu sillen dhe çiliminj, vinë zonja…

– Sigurisht, po ta shikosh me syrin e turmës,-tha Sasha,-atëherë sigurisht, kjo vepër e lartë artistike na paraqitet në një dritë tjetër…

Por, doktor, ngrehuni mbi turmën, aq më tepër mbasi po të mos e pranoni do të fyeni rëndë edhe mua, dhe mamanë. Unë jam i vetëm, nëna s’ka tjetër veç meje… ju më shpëtuat nga vdekja… Ne po u dhurojmë sendin më të shtrenjtë që kemi, e… mua më vjen keq vetëm, që nuk kemi edhe shandanin tjetër, që të bëheshin çift…

Faleminderit, more pëllumb, unë u jam shumë mirënjohës… Ta falenderoni mamanë nga ana ime, por, gjykoni dhe vetë, unë, desh perëndia, kam këtu fëmijë që sillen vazhdimisht nëpër këmbë, këtu vijnë zonja… Megjithatë, fundja lereni! E shoh që s’ua mbush dot kokën.

– S’keni ç‘më mbushni,-u gjegj Sasha me gëzim. – Këtë shandan vendoseni këtu, ja, afër kësaj vazos… Oh, sa keq që s’ kam çiftin tjetër! Sa keq! Doktor, mirupafshim!

Si doli Sasha, doktori ndenji një copëherë të gjatë me sytë ngulur mbi shandani; kruhej prapa veshit e thoshte me vete:

S’ ke ç‘i thua, është jashtëzakonisht I bukur… Gjynah ta hedhish poshtë… Por edhe që ta lë këtu, s’bën… Hëm!… Hej, çfarë belaje! Kujt t’ja fal?”

Si dha e mori duke u menduar, më në fund i ra ndër mend bash miku i tij, avokati Uhov, të cilit i detyrohej për një dava të fituar.

Ekstra fare,-vendosi doktori.-Si mik që më ka, atij I vjen rëndë të më marrë të holla e do të jetë një gjest shumë fisnik t’i dhuroj këtë vepër të bukur. T’ia shpie atij këtë maskarallëk! Fundi i fundit, ai është beqar e ku rafsha mos u vrafsha…

S’e la për më vonë, por u vesh, mori shandanin e vajti drejt e tek Uhovi.

– Tungjatjeta, mik!-i tha avokatit që e gjeti në shtëpi. – Unë, vëllaçko… Unë erdha të të falenderoj që je munduar për mua… para ti s’do, atëherë merr së paku këtë dhuratë… ja, vëllaçko… gjë e vogël arti është, por, ama, është mrekullia vetë!

Kur pa dhuratën, avokati u entuziazmua sa s’thuhet:

– More, çfarë cope!-ja bëri duke qeshur.-Djalli e marrtë për besë, se duhet vetë djalli me brirë që të kurdisë të tillë marifet! Çudi qenka! S’ke ç’thua! Ku e gjete këtë mrekulli?

Por pastaj, si kaloi entuziazmi, hodhi sytë me ndrojtje nga dera e tha:

– Vetëm se ti, vëllaçko, do ta marrësh prapë këtë dhuratë. Unë nuk e dua…

– Si s’e do? – u tmerrua doktori.

– Po, sepse… sepse tek unë, që ta marrësh vesh, vjen nëna, vijnë kliente… bile edhe nga shërbëtorja më vjen zor…

Jo, jo, jo… kurrë e kurrës nuk mund të ma kthesh! – e doktori tundi krahët. – Po ta bësh, do të jetë një maskarallëk! Është vepër arti kjo… shih sa lëvizje… sa ekspresion… Jo, s’dua as të flas më për këtë! Ndryshe më fyen!

– Së paku sikur të mbulohej ca ose, fundja,. Me gjethe fiku gjëkundi…

– Por doktori i tundi krahët akoma dhe më me energji, u turr jashtë nga apartamenti i Uhovit dhe, i kënaqur se më në fund e kishte hequr qafe dhuratën, u kthye në shtëpi…


Si doli ai, avokati ia nguli sytë shandanit e, ashtu si dhe doktori, dha e mori për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje: ç’ ta bëj dhuratën?

Është e bukur,-arsyetonte ai,-keq ta hedhësh poshtë, keq ta mbash në shtëpi… E mira e të mirave është t’ia dhurosh ndonjërit…

E gjeta! Sonte do t’ia shpie shandanin komikut Shashkin. Edepsëz njeri ai dhe i ka qejf këto gjëra. Sonte bile ka dhe mbrëmjen jubilare…”

Një të thënë e një të bërë. Po atë mbrëmje shandani, i mbështjellë me kujdes, iu dorëzua komikut Shashkin. Tërë atë mbrëmje, në tualetin e komikut erdhën e u mblodhën burra njëri pas tjetrit, që vinin për ta admiruar dhuratën: gjatë tërë kohës, në tualet dëgjoheshin brohorima entuziaste dhe të qeshura që ngjanin si hingëllima kuajsh. Por, në qoftë se ndonjëra nga aktoret afrohej në derë e pyeste: “mund të hyj?”-menjëherë zëri i ngjirur I komikut përgjigjej:

– Jo, jo xhankë! Akoma s’jam veshur!

Pas shfaqjes, komiku ngriti supet, hapi krahët e tha:

– Po tani ku ta shpie këtë maskarallëk? Nuk jam as vetëm në shtëpi që të thuash!… Apo s’më vinë dhe artistet! E s’është fotografi de, që ta marrësh e ta fshehësh në sirtar.!

– Po atëherë, zotëri, shiteni,-e këshilloi berberi që atë çast po e zhvishte. – Këtu afër është një plakë. Ajo blen vjeturina të tilla të punuara me bronz… Shkoni dhe kërkojeni, e quajnë Smirovna… Të gjithë e njohin.

Komiku bëri si i thanë… Dy ditë më vonë, doktor Koshelkovi që rrinte në kabinetin e tij, i kishte vënë gishtin kokës e po mendohej për aciditetin e tëmthit të verdhë. Befas hapet porta dhe në kabinet hyn me një frymë Sasha Smirnovi, buzën e kishte në gaz, i shkëlqente fytyra nga gëzimi, tërë trupi e tregonte në kulm të lumturisë… Në duar duar diç mbante që e kishte të mbështjellë me gazetë.

– Doktor!-nisi ai duke marrë frymë me dihatje të mëdha. – S’mund ta merrni me mend sa i lumtur jam! Për fatin tuaj të mirë, arritëm të gjejmë kopjen tjetër të shandanit e kështu të plotësohet çifti!… Mamaja u gëzua shumë… Unë jam i vetëm, mamaja s’ka tjetër veç meje… ju më keni shpëtuar nga vdekja…

Dhe Sasha, duke u dridhur i tëri nga ndjenja e mirënjohjes, vendosi përpara doktorit shandanin. Doktori, hapi gojën, e hapi sa e shqeu, me sa duket deshi të thotë ndonjë fjalë, por nuk tha asgjë: gjuha iu paralizua.

Anton Chekhov

 

Comments are closed.

Navigate