Charles Aznavour – Poeti që këndon

 

Stoiku romak Seneka, në një nga dialogjet e tij flet për jetën dhe jetëgjatësinë. Nëse rastisim një plak të thinjur dhe të rudhur shkruan ai, nuk mund të thuhet se ai ka jetuar gjatë; gjithë sa mund të themi për të është se ka”ndenjur gjatë në jetë”. Të jetosh gjatë nuk matet me thinja, as me rudha. Seneka e përjashton moshën dhe aspektin biologjik si kriter për të matur jetëgjatësinë. Ai propozon një matës tjetër.

Të jetosh sipas Senekës është të kesh gjithmonë kohë për veten. Të kesh kohë për veten do të thotë ta kthesh jetën kah vetja dhe jo veten kah jeta. Të kesh kohë për veten do të thotë të mos kesh kohë për të tjerët;  të mos realizohesh ashtu siç ta kërkojnë por të realizohesh në përputhje me veten.

Të realizohesh sipas të tjerëve është më e sigurtë por më e paqëndrueshme; të realizohesh sipas vetes është e pasigurtë por më e qëndrueshme. Njeriu e rrok lirinë duke u realizuar në përputhje me thelbin e tij. Në raport me lirinë, të gjitha thinjat dhe rudhat e humbin kuptimin, ato paraqesin vetëm përpjekjen e fundit të jetës biologjike për të na vënë poshtë saj. Përpjekje që do të mbetet si dëshpërimi i fundit i natyrës, biologjisë dhe shoqërisë për të na mposhtur në rugën tonë drejt vetes.

Që nga momenti kur përfundova së lexuari Senekën, fillova ti shikoj njerëzit e thinjur nga një optikë tjetër. Kam menduar shumë për plakun e Senekës. Si mund të ishte ai? Si dukej, si qëndronte, si ecte, si fliste, por mbi të gjitha, si jetonte. Nëse deri para leximit të librit çdo njeri në moshë dhe me flokë të bardha më vinte “i urtë”, pas leximit të Senekës fillova të dyshoja urtësinë e tyre.

Unë nuk e dija nëse ata me të vërtete kishin jetuar sipas kritereve që kishte vendosur Seneka 2000 vjet më parë. Nuk më mjaftonte vetëm bardhësia e tyre për ti konsideruar të urtë. Ngaqë isha përfshirë i tëri nga shkrimet e Senekës, fillova të kërkoj njerëz të thinjur, por që me të vërtetë të kishin jetuar.

Njeriu që ka ndikuar më shumë tek unë në shijet të leximit dhe muzikës është daja im. Rastësisht e shoh një ditë duke dëgjuar një interpretim në frengjisht. Nuk e dalloja dot kush këndonte, por mënyra dhe zëri ishin unike për mua deri atëhere. Thjeshtesia në të kënduar më tërhoqi jashtë mase.

Ndonëse nuk kuptoja asgjë nga gjuha frënge, më dukej sikur çdo fjalë e tij kishte një kuptim për mua. Kisha përshtypjen sikur më fliste dhe më ftonte në bisedë me të. Ngadalë u  afrova dhe pashë një njeri të shtyrë në moshë, me flokë të bardha dhe me rrudha, jo shumë i gjatë, i imët e me tipare të mprehta dhe me një hundë në formë harku.

Meqë kishte pak kohë që kisha perfunduar së lexuari Senekën, gjëja e parë që më shkoi nëpër mendje në ato momente, ishte se mos rastësisht e kisha gjetur njeriun me flokë të bardha, që jo vetem kishte ndenjur gjatë në tokë por edhe kishte jetuar. Ky hamendësim ishte tërësisht i bazuar në intuitë. Kuptova që ky thinjosh quhej Charles Aznavour. Aznavour i pa njohur për mua, më ngjasonte shumë në imazhin që kisha krijuar për “plakun” e Senekës. Madje nëse imazhin mund ta kisha të turbullt, ky flokëbardhë të cilin po dëgjoja duke kënduar e kishte plotësuar tëresisht.

Është e çuditshme se si i fiksohen njeriut disa gjëra. Po ti thoja ndokujt në atë kohë, se isha duke kërkuar një njeri me flokë të bardha dhe që kishte jetuar gjatë, sigurisht që do të qeshte dhe do më merte për të çuditshëm. Dikush edhe si “jo normal”. Por ja që në një moshë të re, fantazia është në kulmin e saj dhe udhëton në vendet më të çuditshme dhe të panjohura. Janë këto udhëtime që na përmbushin dhe na e bëjnë të jetuarit më tërheqës dhe më shpirtëror.

Sigmund Freud shkon aq larg duke thënë se është pikërisht fantazia që u’a mundëson fëmijëve të jenë vetëvetja. Kur rritemi, meqë fantazia bie në kundershtim me atë çfarë na ofron realiteti dhe meqë statusi jonë në shoqëri ka ndryshuar, tani shihemi si të “mëdhenjë”, njeriu ndrydh fantazitë e tij dhe sa vjen e bëhet më shterp. Poetët janë ata që e shfrytëzojnë këtë fantazi dhe e shndërojnë atë në akt krijimi. Krijimi në përgjithësi, jo vetëm ai letrar, paraqet shpërthimin e fantazisë. Freud, poetët shpesh i quan “femijë të vegjël”, dhe une në atë kohë po jetoja me fantazinë time tamam si një fëmijë i vogël dhe poet në të njejtën kohë.

 

Aznavour-Filozofi i jetës

Në moshë fare te re Aznavour e la shkollimin për të dhene shfaqje. Megjithëse nuk vazhdoi shkollën, ai ndjehet shumë krenar për të vetmen mirënjohje (diplomë) që kishte marrë:“Certifficat d’Etudes” – me të cilën dëshmonte se kishte përfunduar një edukim modest. Pas 70 vitesh ai nderohet me shumë tituj “Doctor Honouris Causa”. Por ai nuk jetoi për to. Ai i pranon titujt si pohim i asaj që është.
Ajo që e bën Aznavourin të veçantë ështe se shumicen e teksteve i shkruan vetë. Aznavour është shumë dimensional në poezitë e tij. Ai i shkruajti rinisë, dashurisë, urrejtjes, bukurisë, martesës, kohës së humbur, njeriut, ai i shkruajti vdekjes. Me një fjalë, ai i shkruajti Jetës. Asaj jete që shumë e kërkojmë por pak e gjejmë. Ai e hodhi në letër jetën dhe lirinë e tij. Tek Aznavour mplekset këngëtari, poeti, filozofi, artisti. Ai ende shkruan; ai ende interpreton; ai ende jeton. Dhe të mendosh që ka vetëm 92 vjet!

Ajo që e përshkruan më së miri filozofinë e jetës së Aznavour mbërthehet në dy përgjigje.

Kur e pyesin, se cila është këshilla që do u jepte të rinjve, ai përgjigjet shumë sinqerisht:

Asnjëherë mos u jepni këshilla të rinjve. Nëse jepni një këshillë, mund të jepni vetëm një këshillë të keqe.”

Kjo “këshillë” e Aznavourit është një këshillë ekzistencialiste. Aznavour i jep dinjitet dhe liri njeriut. Ai i’a lë në dorë njeriut jetën e tij, atë që ai është dhe atë që do të bëhet. Ai e lë të lirë njeriun të realizohet; Aznavour ashtu sikurse Sartre, “i jep njeriut një mundësi që ai të zgjedh vetë .” Në këtë pikë Aznavour merr dimensionin e një humanisti dhe kur Sartre flet për ekzistencializmin ateist, thotë se është pikërisht kjo liri dhe mundësi që i jepet njeriut për tu vetëpërcaktuar, ajo që e bën ekzistencializmin humanist. Aznavour është një përfaqësues i denjë i këtij humanizmi.

Në pyetjen tjetër, se edhe sa kohë ka ndërmend të qëndroj në skenë, Aznavour thotë:

Nëse nuk bën asgjë, e vetmja gjë që të mbetet është të vdesesh, dhe une nuk jam gati për të.”

Njeriu që nuk ka çfarë të bejë është njeriu pa kuptim për jetën. Të mos bësh asgjë është të mos kesh kuptim. Jo se Aznavour do te merzitej pa kenduar apo pa shkruar, por sepse ai ka gjetur kuptimn në atë që bën-atë që është. Prandaj thotë, se kur nuk ke se çfarë të bësh, të mbetet vetëm te vdesësh. Një jetë pa kuptim vetëm mund të vegjetohet dhe asesi të jetohet. Dhe vegjetimi është më i keq se edhe vetë vdekja. Përballë vegjetimit ndonjëherë edhe vetëvrasja mund të duket zgjedhje e mirë.


Poeti dhe Filozofi

Poeti Aznavour është i pandashëm nga filozofi Aznavour. Poeti dhe Filozofi e plotësojnë njëri-tjetrin. Aznavour thyen ligjet e poezisë dhe muzikës. Ai e filozofon muzikën. I jep frymë asaj dhe e dërgon në një dimension tjetër. Jeta e tij është poezia e tij; poezia është filozofia e tij. Ajo që ai shkruan, reflekton brendinë e tij; atë që ai jeton.

Në një nga poezitë më kuptimplote (Two Guitars-Les deuxe guitars), ndër të tjera thotë:

Pra, cfarë është jeta, pse duhet të jetojmë?
Për këso pyetje, drejtoju krijuesit tënd.
Ne jemi të gjallë tani dhe duke jetuar këtë moment,
Dhe të vdekur një minutë më pas.

Përmes këtyre rreshtave Aznavour ironizon me të vërteta qiellore, të  cilat historikisht i janë  dhënë njeriut për t’ia bërë më të lehtë përballjen me vdekjen, dhe rjedhimisht edhe përballjen me veten. Frika nga vdekja është shtysa kryesore e njeriut. Cdo veprim i tij është një përpjekje për të  harruar përballjen me të. Refuzimi i përballjes me vdekjen, e bën njeriun të dobët.

Pra Aznavour pyet: Cfarë është jeta? Pse jemi në këtë botë? Dhe vazhdon me ironi, se për këto pyetje duhet të kërkoni përgjigje te krijuesi juaj, ku aludon në ndonjë Zot. Ndërsa ajo qe na mbetet neve vdekatarëve, është të jetojmë momentin, ta marrim fatin në dorën tonë, sepse nuk e dimë se kur do na shfaqet vdekja.

Në këto vargje Aznavour ia delegon fatin e njeriut vetë atij, dhe jo ndonjë krijese qiellore apo ndonjë gjëje përtej kësaj bote që njohim. Këtu ai ngjason përsëri me Sartre, i cili kur analizon ekzistencializmin thotë se, “ekzistenca i paraprin esencës”. Sipas Sartre ne fillimisht gjuhemi në botë pastaj krijohemi. Esenca e njeriut nuk ka origjinë qiellore apo metafizike por bazohet në përpjekjet e vetë njeriut; “Asgjë  nuk është  shkruar në  qiell, dhe njeriu do të  jetë, para së  gjithash ajo çka ai ka menduar të  jetë .” Ai e ka në dorën e tij nëse do të bëhet “i poshtër” apo “hero”.
Në poezinë (The happy days- Les Jours Heureux) Aznavour shfaqet në një dimension tjetër:

“A i keni parë fëmijët duke luajtur?
A jeni munduar ndonjëherë të dëgjoni se cfarë thonë?
A i di emrat e luleve?
A e di se çfarë mund të sjell dashuria?A këndon?”

Aznavour na pyet nëse i kemi hapur sytë dhe shpirtin për të parë momentet e bukura që na ofron jeta. Këtu shfaqet optimizmi i tij në raport me absurdin e jetës. Absurdin Aznavour nuk e lufton duke hequr dorë nga të jetuarit apo duke ja deleguar veten ndonjë profecie qiellore.

Ai ballafaqohet me pakuptimësinë e jetës duke u shkrirë në disa momente, të cilat ndonëse mund të jenë të shkurtëra dhe të thjeshta, mjaftojnë për të na e mbushur shpirtin me dëshirën për të jetuar. Mjafton të vështrosh një lule, një pemë apo të sodisësh qiellin, të dëgjosh tinguj muzike, dhe njeriu mund të jetë i lumtur-kjo është jeta në thjeshtësinë e saj më të plotë. Por për të arritur këtë, së pari duhet ta kemi arritur veten.

 “Ende pa qeshur fëmijëria largohet,
Ende pa e njohur atë, rinia na ikën tutje,
Ne befasohemi sa e shkurtër është çdo gjë,
Ende pa e kuptuar, ne e lëmë ekzistencën.”

Përmes këtyre vargjeve Aznavour i këndon jetës dhe kohës së pakët që kemi në këtë botë. Por a është jeta e shkurtër dhe e pamëshirshme me njeriun?

Seneca kur flet për kohën dhe të jetuarit shprehet: “Ne nuk kemi pak kohë, por kemi humbur shume kohë.” Ajo që edhe Aznavour na thotë është se nuk duhet të ankohemi për shkurtësinë e jetës. Ata që ankohen se sa e shkurtër është jeta, janë ata që e kanë humbur atë. Dhe të shumtë janë ata që në fund të vitit thonë, se sa shpejt u iku ky vit. Për ata që nuk kanë kohë për veten, viti ikën gjithmonë shpejt. Dhe ngadalë, vit pas viti afrohet vdekja. Një shumësi vitesh të shkurtëra na sjellin edhe një vdekje të shpejtë. Në fund na duket sikur nuk kemi bërë asgjë. Por atëherë do të jetë shumë vonë dhe siç thotë edhe Aznavour “ende pa e kuptuar, ne e lëmë ekzistencën.” Andaj jeto ashtu si të vjen, ashtu si di.

 

“Djalli” Aznavour

Kur i shikoj interpretimet e tij, shpesh pyes veten: Cfarë është ky njeri? A është poet, këngëtar apo aktor? Apo ndoshta ndonjë profet që ka zbritur nga qielli? Apo një Zarathustër  që ka zbritur nga malet për të na mësuar “Mbinjeriun”.
Nuk mund ta ndash këtë njeri nga kompleksiteti i tij. Mënyra e aktrimit në skenë është në përputhje të plotë me poezitë dhe me timbrin e zërit. Si ka mundësi që lëvizjet e tij, janë aq shumë në përputhje me kuptimin e atyre që thotë?  Mjafton të shikosh sytë se si të vështrojnë, dhe kupton gjithcka.

Ndonjëherë të shikon vëngër. Duket sikur na kritikon për jetën që bëjmë. Ndonjëherë buzëqesh për të reflektuar pozitivitetin e jetës. Pika kulmore është kur kërcëllon dhëmbët. Në kërcëllimën e tij më duket se shoh të gjitha vështirësitë e jetës, vështirësinë e të ekzistuarit. Barrën e rëndë të lirisë. Ai moment kërcëllimi dhëmbësh në të njejtën kohë na tregon se lirinë duhet ta realizojmë, vështirësinë duhet ta kalojmë. Duhet të ngjisim cdo ditë “shkëmbin e Sizifit”, se vetëm kështu mund të realizohemi. Jeta nuk është e lehtë. Ajo kërkon tejkalim të vetes në çdo moment. Të tejkalosh limitet e vetes ëshë sfida më humane dhe njerëzore. Më e vështira por më e bukura; Duke e tejkaluar veten, ke tejkaluar moralizimet shoqërore; duke e tejkaluar veten ke tejkaluar njeriun; ke arritur “Mbinjeriun”

Ndodh shpesh që e analizoj si duket dhe pjesa më karizmatike e dukjes së Aznavour, janë vetullat. Vetullat e tij janë në kaos të plotë. Shpesh ato më ngjajnë me mustaqet e Nietzches, po ashtu në kaos. Ky kaos paraqet kaosin e të pavetëdishmes. Kaosin e “Tunelit” të Sabatos. Kaosin e vetë jetës; sepse jeta është e pavetëdishmja. Të jetosh do të thotë të mos e ndrydhësh veten përmes racionalizimeve dhe normave shoqërore. Por ti jepesh i tëri instiktit dhe të jetosh në përputhje me atë që e ndjen nga brenda, me të gjitha tërheqjet, me të gjitha momentet. Të jetosh kaosin e të pavetëdishmes është të jetosh në përputhje me “dionisianen”. Ta nderojmë hyun Dionis duke u dehur ashtu siç deheshin grekët e vjetër; të dehemi nga brendia jonë… dhe pse jo edhe me nga një gotë verë.

Gjatë interpretimit, ai duket sikur depërton thellë në gjendjen e publikut. Sytë e tij janë të thellë pus, dhe vijnë si sy djalli. Ashtu sikurse djalli bëri për vete Evën, ashtu edhe Aznavour e bën për vete publikun dhe e tërheq në “mëkat“. Përmes mëkatit “djalli biblik” ja pamundësoi përjetësinë transcedente njeriut, atë përjetësi të mërzitshme, dhe e ktheu në të vdekshëm. Por e ktheu në të vdekshëm vetëm për t’ia dhënë mundesinë e një “perjetesie tokesore”. Dhe këtë përjetësi tokësore na ndihmon ta arrijmë “djalli Aznavour”.

Mëkati aznavurian është mekat që promovon jetën. Djalli qe fshihet brenda tij nuk është djalli që i kalon kufijtë e botës, ai është djalli tokësor që na fton ta jetojmë jetën ashtu si të na vie. Djalli aznavur na fton të refuzojmë jetën e gatshme, lumturinë e dhënë nga lartë dhe na gjuan në ekzistencën dhe veprimin tokesor. Ai na fton të veprojmë dhe të jetojmë pa u mbështetur në të vërtetat qiellore. Ashtu si Sartre e fton njeriun të angazhohet, Aznavour përmes poezive, i thotë njeriut të marr jetën në duart e tij, ta kontrollojë vetë sepse vetëm ai është Zot i vetes dhe nuk ka zotëra tjerë. Ekzistenca është e pavarur nga çdo esencë e përtejme.

Aznavour na fton ta jetojmë jetën pa menduar se “mekati tokësor” do na pamundesojë lumturinë e përjetshme jashtëtokësore. E përjetshmja nuk është diçka përtej kësaj jete dhe kësaj bote . E perjetshmja mund, dhe duhet te arrihet tani. Ashtu si Nietzsche na fton të thyejmë kufijtë e kohës, të arrijmë “rikthimin e amshueshem të së njejtës”, Aznavour na fton ti shterrim mundësitë e së tashmes. Aznavour është dje, sot dhe nesër. Ai nuk mund të ndahet, e bashkë me të as koha. Ai ështe përtej kohës .

Përjetësia tokësore nuk është e përjetshme për shkak se nuk do të vdesim (do të jetojmë përgjithmonë) por përkundrazi, sepse do të vdesim, por për të vdekur së pari duhet të lindim. E përjetshmja tek ekzistencialistët arrihet duke vdekur. “Vdis në kohën e duhur”, klithte Nietzsche. Të vdesësh në kohën e duhur do të thotë të kesh jetuar jetën, ta kesh zoteruar atë, në mënyrë që kur të vie vdekja të mos ketë çka të na marrë. Ta presësh vdekjen si moment përjetesimi. Dhe nëse të pyesin, a do veproje përseri njëlloj, të mos kesh asnjë dilemë.

Por si ta dimë kur është momenti i duhur për të vdekur? Këtë secili duhet ta ndiej për veten. Të vdesësh në kohën e duhur do të thotë që mund të kishe vdekur edhe dje. Ajo i kalon përcaktimet kalendarike. Aznavour mund të kishte vdekur edhe para 10, 20 apo 30 vitesh, siç bëjnë shumica por ai përseri do të kishte vdekur në kohën e duhur. Sepse ai bën atë që e ndjen dhe asgjë dhe askush nuk mund t’ia marrë. Ai është i lirë, dhe kur njeriu është i lirë do të thotë se ai është i gjallë dhe i “vdekur”.

Ai tashmë ka thyer ligjet e kohës. Ai është përtej biologjisë, rudhave dhe viteve; thënë troç, ai ka arritur përjetesinë në botën e vdekatareve. Vetëm kështu mund të arrihet vdekja. Ajo paraqet një moment tjetër të jetës. Pa vdekjen jeta nuk do të shijonte njësoj. Sepse të vdesësh është privilegj. Të vdesësh do të thotë se ke jetuar.

Ndodh shpesh që mes miqsh të diskutojmë rreth “mbinjeriut” Aznavour. Pothuajse e analizojmë çdo gjë rreth tij, çdo lëvizje, çdo thënie. Por asnjëherë nuk mundemi dot ta përcaktojmë se çfarë në të vërtetë është. Në një nga bisedat e radhës, mes fjalësh dhe nocionesh, një mikut tim i rrëshqiti diçka spontane. Dicka e atypëratyshme, diçka origjinale. Në përpjekje për të thënë se kushedi çfarë, ai e quajti Aznavourin: Poeti që këndon!

Shkruajti: Ardian Batusha

 

 

Comments are closed.

Navigate