David Gilmour: Fytyrat prej guri

Poezia: David Gilmour
Përgatiti dhe përktheu: Ardian Batusha



‘Faces of Stone’ apo ‘Fytyrat prej guri’ është poezi e shkruar nga vokalisti i grupit Pink Floyd, David Gilmour, dhe portetizon fundin e një jete dhe fillimin e një tjetre. Në lidhje me këtë Gilmour do të shprehej:

‘Fytyrat prej guri’ u ngjiz nga kujtimi i një dite nëpër kopshtet ‘Ladbroke’ teksa po bënim ecejake me nënën time. Ajo vuante nga demenca*. Ndërsa po ecnim poshtë pemëve, ajo më thoshte: “A nuk është gjë e bukur, duke ju referuar fotografive që ajo shihte të varura nëpër pemë. Ky ishte momenti kur lindi shkëndia e poezisë dhe unë kisha një varg që thoshte:

“Fytyrat prej guri që shikonin nga errësira
Ndërsa era vërtitej përreth dhe ti më more për krahu në park.”

Pra, në thelb, bëhet fjalë për perëndimin e nënës sime, përfundimin e një jete dhe fillimin e një tjetre, sepse Romany (e bija e Gilmour) lindi 9 muaj para se nëna ime të vdiste. Ishte një periudhë kur ato ishin gjallë së bashku. Ajo erdhi në shtëpinë tonë dhe mbajti Romany-n në krahët e saj, moment ky që është i përjetësuar në një fotografi. Kështuqë momenti në park, i cili është një fotografi mendore, dhe fotografia e saj duke mbajtur në krahë time bijë, ndezën një gjë të vogël që më pas u bë një lirikë. Mendova se nëse këto vargje rezojnë në mua, do të bënin jehonë edhe tek njerëzit tjerë.”

“Fytyrat prej guri” është një poezi mjaftë çuditshme, sepse unë kam pasur një marrëdhënie shumë të vështirë me nënën time. Unë nuk isha një djalë i adhuruar. Por tek unë ekziston dëshira për të bërë pak paqe me kujtime të ndryshme që kam nga nëna dhe nga vetja ime ”.

FYTYRAT PREJ GURI 

Fytyrat prej guri që shikonin nga errësira
Ndërsa era vërtitej përreth dhe ti më more për krahu në park
Imazhe të kufizuara, lart në pemë të varura
Dhe ti fole për rininë tënde, por vitet si gjethet ishin bërë të thara

I dashuri yt ishte zhdukur, aty ti po e zëvendësoje
Dhe nëse kishte ndonjë ndryshim, s’mund ta kuptoje
Në grinë e errësuar, nga rrugët u kthyem pas
Pastaj gjithë natën fole për shtëpinë e fëmijërisë buzë detit

Dhe unë, një maskë e zgjedhur nga ti
Besova çdo fjalë që e dëgjova
Së paku mendoj se këtë ta bëj u mundova

Në çati u ulëm, nata u tejmbush,
Asgjë më s’u tha, por unë gjithçka që duhej të dija mësova
Të kaluarën ndriçoi buzëqeshja jote hollivudiane
Por e ardhmja ishte ajo që e shtrëngonte zemrën tënde

https://www.youtube.com/watch?v=0MlGYgmzk9Y

*Demenca – Demenca paraqet një grup simptomash që ndikojnë në kujtesë, në procesin e të menduarit dhe aftësitë shoqërore, aftësitë gjuhësore, perceptimin vizual, zgjidhjen e problemeve, vetë-menaxhimin dhe aftësinë për t’u përqëndruar dhe për të kushtuar vëmendje. Disa njerëz me demencë nuk mund të kontrollojnë emocionet e tyre dhe personaliteti i tyre mund të ndryshojë.

Demenca nuk është një sëmundje specifike, por disa sëmundje të ndryshme mund të shkaktojnë demencën. Megjithëse demenca në përgjithësi përfshin humbjen e kujtesës, humbja e kujtesës ka shkaqe të ndryshme. Të kesh humbje të kujtesës vetëm, nuk do të thotë që ke demencë. Sëmundja Alzheimer konsiderohet si shkaktari më i zakonshëm i demencës progresive tek të rriturit e të moshuarit.

Comments are closed.

Navigate