Don Kishoti dhe Fan Noli

DON KISHOTI DHE FAN NOLI

Shkruan: Fatos Lubonja

Fan Noli bën pjesë ndër ata shqiptarë, vepra e të cilëve nuk vihet në dyshim, por vetëm adhurohet, nderohet: pra është një figurë e zhveshur nga njëri prej aspekteve më njerëzore, gabimi, dhe e shndërruar në mit. E ka ndërtuar kështu, sa kultura jonë nacionalkomuniste e kohës së Hoxhës, ashtu edhe periudha postkomuniste e karakterizuar nga një nacionalizëm i vonuar përzjerë me një komercializëm tejet superficial. Gjatë kësaj periudhe edhe ata që nuk e duan, e kam fjalën për zogistët, e kanë demonizuar, gjithë duke përdorur të njëjtën teknikë mitizuese.

Nuk kam ndërmend këtu të dekonstruktoj mitin Fan Noli, ndonëse ngulmoj fort se, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri njerëzish me mendje dhe shpirt vërtet të lirë, ajo për të cilën ka nevojë më shumë se çdo tjetër kultura shqiptare është dekonstruktimi i mjaft miteve “nëpërmjet frymës së një shpirti antiautoritarist” (David Campbell).

Sipas meje një nga gabimet, ndër mjaft punë të vyera, që ka bërë Fan Noli në punën e tij si përkthyes është përdhunimi i origjinalit të librit “Don Kishoti i Mançës” duke i vendosur ngjarjet e pjesës së parë në Shqipëri dhe një parathënie e tij që shpjegon këtë zgjedhje. Në këtë parathënie, i mllefosur me shtresën feudale që e rrëzoi nga pushteti, apo dhe i ndikuar nga teoritë marksiste që lëvizjen e historisë e shpjegonin nëpërmjet luftës së “kllasave”, ai, e komenton librin e madh të Servantesit, duke e thjeshtëzuar e paraqitur figurën e Don Kishotit si një “bejlurçin prapanik”, që donte të ndalte rrotën e historisë e ta kthente shoqërinë “nga kapitalizma në feudalizmë” nga “përparimi në errësirë”. Pra si një figurë qesharake, e cila së bashku me shokun e tij të aventurës Sanço Paçon, që Noli e quan “laro”, meriton të përqeshet. Në mësimet e letërsisë të shkollave të mesme gjatë gjithë epokës komuniste parathënia e Nolit ishte baza e komentit që i bëhej Don Kishotit nga mësuesit e letërsisë – çka i shkonte për shtat edhe shpjegimit marksist -leninist për botën tonë edhe propagandës antizogiste. (Duke patur parasysh mjerimin e arsimit tonë kam frikë se kështu e trajtojnë edhe sot.)

Sikur të ishte thjesht kështu, Don Kishoti i Mançës nuk do të kishte ardhur deri në shekullin tonë e deri në Shqipërinë e humbur të viteve `30, të sapokrijuar si shtet i pavarur e ku, prandaj, njeriu që e përktheu u detyrua të bënte njëherësh edhe priftin edhe politikanin edhe poetin edhe përkthyesin edhe muzikantin. Në fakt Don Kishoti ka diçka tjetër që e ka bërë sa universal aq edhe të pavdekshëm. Libri, që barabitet me veprat e Shekspirit për nga vlera, ka një plan të dyfishtë, sikurse thotë Hajne, “të përbërë prej humorit dhe dhimbjes”; në thelbin e tij qëndron lufta e reales me idealen në këtë botën tonë dhe në vetë shpirtin e njeriut. Don Kishoti është “njeriu që jeton për të arritur që të triumfojë drejtësia mbi tokë” (Turgeniev) që ndeshet e thyhet nga realiteti, por pa u epur, Don Kishoti është ai që kërkon të pamundurën, ndërkohë që shumica kërkon të mundurën, që kërkon moralitetin në një shoqëri që zhbëhet moralisht, që kërkon të vërtetën në një botë ku mbretëron gënjeshtra dhe kjo e bën të duket “i marrë”. Por të qeshurit me të, – “satira më e tmerrshme ndaj ekzaltimit njerëzor” e ka quajtur Hajne librin – nuk është i mbarsur me përçmim ndaj personazhit, ai nuk na bën të përqeshim një “kllasë të përmbysur” siç thotë Noli. “Avantyrat” e tij na bëjnë të qeshim me dashuri dhe dhembshuri njëherësh. Dashuri, pasi tek marrëzia e tij gjejmë mençurinë dhe guximin e idealizmës; dhembshuri, pasi ai del gjithnjë i mundur. Kush di të lexojë gjen tek ky personazh pjesën më të mirë të vetes së tij, që shpesh shkatërrohet e masakrohet në luftë me realitetin, por që, sa kohë ka aftësinë për të qeshur e qarë njëherësh me bëmat e Kishotit kupton se realiteti nuk ka ngadhënjyer tërësisht mbi idealizmën e tij. Kush vetëm qesh o vetëm qan me këtë libër dhe me “të marrët” si Don Kishoti, tregon se ka hequr dorë përfundimisht nga kjo luftë, së jashtmi dhe së brendshmi.

Shqiptarët dhe idealizma

Nuk më duket rastësi që gabimi i Nolit ka ngjitur aq shumë tek shqiptari. Pyetja e parë që shtrohet është pse shqiptarët i tallin në vend që t’i duan Don Kishotët? Në thelb çështja ka të bëjë me atë se pse nuk ka idealizëm në Shqipëri, se përse, (duke cituar përsëri Nolin, kësaj here në diçka që më duket shumë e vërtetë): “shqiptari është i gatshëm t’i ndezë një qiri Djallit, sapo zhgënjehet me Zotin”? Pse, pra, ka aq pak njerëz që t’i qëndrojnë koherentë ideve apo idealeve të tyre me koston e humbjes së të sotmes, por me aspiratën e fitimit të së ardhmes?

Më duket se mbi të gjitha përgjigja e kësaj pyetjeje është një problem kulturor. Pra tallja me Don Kishotët apo “të marrët” e kësaj shoqërie është reflektim i një kulture që në thelbin e vlerave të veta ka kultin e të fortit që triumfon mbi të dobëtit, që në hierarkinë e vlerave nuk vendos më lart idealin e së ardhmes, por pushtetin e së tashmes. Një kulturë, të cilës i mungon utopia. Një kulturë që ngre fitimin e të sotmes kundër shpresës së të ardhmes, pasurinë materiale, mbi atë shpirtërore. Sa për të dhënë një shembull: mund të thuash pa ngurrim se shqiptari nuk e ka fare në ndërgjegjen e vet kulturore një figurë si Shën Françesku, i cili braktis pasurinë dhe pushtetin, mbështillet me një thes dhe jeton këmbëzbathur duke themeluar një nga urdhrat që ka kontribuar aq shumë për të ardhmen shpirtërore të njerëzimit, ndërkohë që e ka të fortë ndjenjën e adhurimit dhe mburrjes për një Ali Pashë që ka vrarë e ka prerë e ka sunduar me dorë të hekurt, duke gëzuar të gjithë të mirat që i ka dhënë pushteti.

Vërtet problemi është universal: “të marrët” tallen e përqeshen edhe gjetkë, por në kulturat e shumë vendeve të qytetëruara ka edhe respekt e dashuri për ta, në atë masë sa ata gjejnë mbështetje dhe ndikojnë në progresin, kurse këtu tek ne ata ndodhen shumë poshtë asaj mase kritike që do të mund t’i bënte t’ia lëviznin vendit rrotën e ngecur të shoqërisë sonë për ta nisur drejt idealeve.

Politika dhe idealizma

Një nga aspektet e kësaj kulture, që disa, për ta modernizuar, e quajnë pragmatiste, është një konceptim i mbrapshtë që kultivohet në Shqipëri për raportin midis politikës dhe idealizmit. Politika konsiderohet në Shqipëri si mjet i arritjes së pushtetit me çdo mjet, çka ndryshe përkthehet: si bërje i pushtetshëm me çdo mjet, dhe kjo, në mënyrë eufemike, konsiderohet si pragmatizëm, apo si art i së mundurës, – duke na çuar kësisoj në përfundimin sikur me art të së mundurës duhet të kuptohet pikërisht e kundërta e idealit, me një fjalë se nuk mund të ekzistojnë politikanë idealistë. Mirëpo, në fakt, po të vëresh historinë e politikanëve të mëdhenj, atyre nuk u ka munguar idealizmi. Përkundrazi kanë pasur ambicie të mëdha për të bërë reforma politike dhe për ta realizuar vetveten dhe idealet e tyre politike e në emër të këtyre kanë guxuar shumë, deri duke vënë në rrezik jetën apo dhe duke e humbur atë. Mjafton të kesh parasysh Gandin.

Unë jam i bindur se politikanët tanë vështirë se do të bëhen ndonjëherë politikanë, që do të mund ta shpëtonin Shqipërinë nga e keqja me të cilën kanë bërë kompromis në emër të kulturës së fitimit të së tashmes. Sikur t’i kishin lexuar këshillat që i jep Doni Kishoti Sanços kur ky përgatitet të bëhet politikan, më saktë gubernator i ishullit të Xhabaries, ndoshta do të kishin vepruar ndryshe. Le t’i kujtojmë disa nga këto këshilla (për kënaqësinë e lexuesit, që kam frikë se prej kohësh ka humbur kontaktin me lexime të tilla) për të treguar se sa aktual, prandaj dhe pse aq i madh, është libri i Servantesit. Janë marrë nga vëllimi i dytë përkthyer mjeshtërisht nga Petro Zheji:

Sanço,

…”Pëlqe më mirë virtytin e përunjur sesa gjynahun krenar.”

Në rast se shkopi i drejtësisë të shtrembërohet ndonjëherë në dorë le të mos ndodhë nga barra e peshqesheve, por nga ajo e keqardhjes.”

Mos u tërhiq kurrë nga ligji i arbitraritetit tënd që është i përhapur shumë në ca të paditur, që hiqen si të ditur.

Mos u verbo nga pasioni yt vetiak në gjykimin e çështjes së tjetrit, se ndryshe do të biesh në ca gabime që në shumicën e rasteve nuk kanë ndreqje, por që, edhe në e paçin, e kanë në kurriz të nderit dhe me rrezik të emrit tënd të mirë, në mos po edhe të ofiqit tënd.“…

Duket se edhe Don Kishoti ashtu si Rusoi, mendonte se të ndash moralin nga politika do të thotë të mos kuptosh asgjë nga të dyja.

Këto kohë kanë qenë kohë të vështira për të zhvilluar idealizmën tek të rinjtë shqiptarë, po aq sa koha e Konicës në mos po edhe më keq – pasi koha e Konicës nxorri edhe mjaft të rinj të gatshëm për të dhënë jetën për idealin e tyre gjatë Luftës së Dytë. Padyshim nuk është faji i tyre, por i atyre që u kanë përçuar kulturën e pushtetit të së tashmes, që u kanë servirur modele “inspiruese” që i kanë bërë të ikin nga sytë këmbët prej politikës dhe prej vendit apo që i kanë mësuar se politikan i suksesshëm është ai që di ta dredhë tre herë në ditë apo që merret njëherësh edhe me trafiqe droge dhe prostitutash. Veçse një kulturë e tillë, që nuk edukon të rinj idealistë, është një kulturë që ka nevojë të ndryshojë urgjentisht. Ata që mendojnë se në fillim duhet pasuria dhe pastaj do të vijë vetë idealizma gabohen. Më përpara mund të vijë humbja e shpresës tek e ardhmja e këtij vendi.

Comments are closed.

Navigate