Dy reflektime nga ditari sekret i Kamys

Mars (1936)

Ditë me diell dhe re. Në të verdhë thërrmija mospërfillëse. Më duhet të mbaj ditar për motin: dje, mot i mirë, me diell; limani duke fërgelluar lehtë si një buzë e përlotur. Kam punuar tërë ditën.

Një titull: Shpresa e botës.

Grenier mbi komunizmin: E gjithë puna qëndron këtu: a duhet dikush që, për një ideal drejtësie, të pranojë ide të marra?” Dikush mund të përgjigjet “po”, kjo është gjëja e duhur për të bërë, ose “jo”, është e ndershme të mos pranosh”.

Ngjashëm, i njëjti problem si këtu, vërehet edhe në krishterim. A duhet besimtari ta ngarkojë veten këtu me kundërshtitë në mes biblës dhe ‘ngjarjeve të pahijshme’ të Kishës? A përfshin besimi në krishterim pranimin e Arkën se Noes dhe mbrojtjen e Inkuizicionit? Nga ana tjetër, si mund ta pajtojmë Komunizmin me neveritjen? Nëse provoj format ekstreme, aq sa ato arrijnë në aburditet dhe padobishmëri, atëherë e hedh poshtë komunizmin. E njejta vlen edhe për çështjet religjioze…

Është vdekja ajo që i jep bixhozit dhe heroizmit kuptimin e tyre të vërtetë.

Dje. Dielli mbi mol, akrobatët arab, dhe limani që kërcen me dritën. Tamam sikur të që dimri i fundit që kaloj këtu, ky vend po m’i ofronte të gjitha pasuritë e tij. Ky dimër i veçantë, duke shkëlqyer nga i ftohti dhe drita e diellit. Ai i ftohtë bojëqielli.

Dalldi e kulluar dhe buzëqeshje mjerane: ai dëshpërim që shohim në ‘miratimin burrëror’ të pasqyruar në obeliskun grek. Pse duhet të shkruaj apo të krijoj, të dua apo të vuaj? Ajo pjesë e jetës sime që tashmë ka shkuar, në parim, nuk vlen më. Gjithçka bëhet e kotë përballë këtij qielli; as dëshpërimi, as lumturia e as nxehtësia llamburitëse frymëzënëse, që derdhet poshtë tij, s’kanë kurrfarë kuptimi përballë tij.

16 maj (1936)

Shëtitje e gjatë. Në sfond malet, deti dhe dielli i brishtë. Nëpër shkurre trëndafila të bardhë.  Kundërmimi i ëmbël i lulëve të bollshme me gjethet ngjyrëashpër. Gjatë kthimit: mirësia dhe miqësia e grave, varri dhe fytyrat e buzëqeshura të çupëlinave. Buzëqeshjet, shakatë dhe planet e tyre. Dikush atje i kthehet lojës. Pa besuar fare në sho-shoqin, secili buzëqesh sa për sy e faqe dhe bëhen sikur gjithcka është në rregull. Pa gënjeshtra. Jam i lidhur me botën sipas gjithë asaj që bëj, kurse me njeriun nga gjithë ajo mirënjohje që ndjej. Nga maja e kodrës mjegullnajat e lëna nga shirat e fundit, duke u ngjeshur dhe risjellë në jetë nga dielli. Edhe nëse zbresë përmes drunjëve, i kredhur brenda këtij gëzofi të pambuktë, e ndjejë diellin mbi mua dërisa sharroj pemët që më shfaqen një nga një në këtë agim të mrekullueshëm. Besimi dhe miqësia, dielli dhe shtepitë e bardha, mëzi rrokë nuanca të të kuptuarit – ah, çastet e mija hyjnore të lumturisë tashmë janë një e shkuar dhe në mugetirën e mbrëmjes nuk më ndihmojnë më shumë sesa buzëqëshja e një çupëline apo të kuptuarit e papritur e një miqësie të vërtetë.

Nëse koha kalon shpejt, kjo ndodh për shkak se mungojnë përmendorët; ngjashëm siç mungon hëna kur është në zenit apo horizont. Vitet e rinisë janë shumë të gjata sepse janë aq të plota; vitet e pleqërisë janë aq të shkurtëra sepse, secila përiudhë, është tashmë një tepricë.

Shkëputur nga “Fletorja e shënimeve”

Perktheu: Agon Sinanaj

 

Comments are closed.

Navigate