Edgar Allan Poe: Poeti që jetoi jashtë kohës dhe hapësirës
Përgatiti: Bujar Meholli
19 janari i vitit 1809 solli në jetë Edgar Allan Poen, gjeniun e letrave, shpirtin e trazuar e të ngjizur mes vuajtjes dhe tragjizmit. Jeta e tij ishte vërtet dramë. Shumë biografë e kritikë arti kanë shkruar me qindra e mijëra artikuj për jetën e këtij poeti të çuditshëm — diku duke thënë realitetin e diku duke trilluar.
Sidoqoftë, Edgar Allan Poe u lind në Boston në këtë datë, 19 janar, dhe u përcjell nga një fëmijëri e vështirë shpirtërisht. Ai humbi shpejt të dy prindërit, andaj kjo humbje pati ndikim tejet të madh në krijimtarinë e tij të mëvonshme. Vite më vonë kur nisi shkollën, Poe, me afinitet për poezinë, ambicioz dhe shumë i mprehtë në gjykime — iu dha tërësisht dëshirave të zjarrta dhe vrullit për t’i shuar etjet rinore. Kështu nis të pijë, të bredhë nëpër kafene dhe mejhane, të dehet e të luajë kumar. Poe shndërrohet në bohem tipik dhe i çon ditët ashtu derisa zhytet në borxhe dhe pllakoset nga kriza ekzistenciale.
Poe njihet për romancat e shumta. Ishte shpirt delikat dhe dinte të dashuronte çmendurisht. Universitetin e braktis dhe niset drejt Bostonit që ishte qendra e madhe e rretheve letrare të Amerikës. Nuk heq dorë asnjëherë nga ambiciet letrare megjithëse jeton në varfëri të skajshme. Jeton nga rastësitë dhe nga miqtë që i ofrojnë ndihmë. Ata e ndihmojnë që ta botojë librin e parë me poezi “Timerlungu dhe poezi tjera”, 1827, me pseudonimin “By a Bostonian” që përfshin disa poezi të famshme dhe poemën “Timerlungu”.
Vështirësitë nuk i ndahen asnjëherë. Ai shpesh e shihte veten pa një dysh në xhep, kështu bredh e futet në ushtrinë amerikane si vullnetar por e sheh se trysnia e asaj jete është ndrydhëse për karakterin e tij. Shkruan poezi vazhdimisht pa e ditur se do të bëhet pikë referente e shumë poetëve të tjerë pas tij, pa e ditur se do të bëhet kult i poezisë! Mandej merret me gazetari ku shkëlqen me gjykimet dhe stilin gazetaresk. Shkruan tregime. Punon si kryeredaktor i revistës “Southern Literary Messengers”. Boton më 1838 librin e parë prozaik me titutll “Rrëfimi i Arthur Gordon Pym-it” që nuk i sjell të holla dhe aspak famë.
Miqtë dhe disa admirues i rrinin afër dhe e kuptonin gjeninë dhe dobësitë e tij; jeta e tij me shumë humbje, bredhje, shëndet të dobët, e nxit atë drejt pijes. Droga, pija, e zhysin në kriza të mëdha që e sjellin në gjendje të mjerë në fund të jetës. Poeti gjeni që shkroi “Korbin” e famshëm, poemën demoniake, të cilën me kohë u përpoq ta sjell për lexuesin shqiptar At Fan S. Noli, jetoi gjithë jetën jashtë kohës dhe hapësirës, bredhi dhe u end në sinorët e ëndrrës dhe reales. Ai u bë ati i surrealizmit dhe lëvizjeve artistike pasuese. Simbolistët francezë e konsideronin si “atin” e tyre. Ky ishte Edgar Allan Poe — gjeniu që habiti botën letrare, gjeniu që kaloi nëpër një jetë të vështirë por u shndërrua në idhull.
Comments are closed.